BSH: Aftësia e ekonomisë shqiptare tani është përgjysmuar

0

Ervin Kaduku

Loading...

 – Studimi i specialistëve të Bankës Qendrore ka arritur në përfundimin se rritja potenciale ekonomike nuk do të rikthehet në nivelet e para vitit 2009 në një të ardhme afatmesme. Kjo lidhet në radhë të parë me ndryshimet strukturore në ekonomi që po bëhen nga qeverisja e majtë

banka-e-shqiperise-2 Aftësia e rritjes potenciale të ekonomisë shqiptare është përgjysmuar. Sipas një studimi të Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, pas nisjes së krizës, në vitin 2009, potenciali i rritjes së ekonomike të vendit ka zbritur në intervalin midis 2,6% dhe 3%, nga rreth 6% që vlerësohet të ishte para krizës.

Por, ç’është më e rëndësishme, studimi i specialistëve të Bankës Qendrore ka arritur në përfundimin se rritja potenciale ekonomike nuk do të rikthehet në nivelet e para viti 2009 në një të ardhme afatmesme. Kjo lidhet në radhë të parë me ndryshimet strukturore në ekonomi që po bëhen nga qeverisja e majtë apo me zhvendosjen e kapitaleve dhe forcës së punës nga sektorë që kanë hyrë në një cikël rënës, si ndërtimi.

Këto ndryshimet strukturore do të kërkojnë kohë për të arritur rritjen e produktivitetit dhe për t’u përshtatur me realitetin e ri ekonomik. Sipas studimit, përfshirja e inovacionit, progresit teknik, e dijeve dhe arsimimi bashkëkohor kërkojnë investime dhe reforma të thella strukturore. Nëse kjo do të bëhet në mënyrën e duhur, rezultatet do të jenë pozitive në rritjen e produktivitetit, por kjo do të ndodhë në një horizont afatgjatë.

Një tjetër faktor shumë i rëndësishëm është emigracioni, që nuk pritet të jetë më një nga burimet e rëndësishme të të ardhurave. Një pjesë e emigrantëve janë kthyer në vend, kryesisht pas krizës greke, ndërsa pjesa e mbetur i ka ulur ndjeshëm dërgesat drejt Shqipërisë. Frenimi i ritmeve të kreditimit, veç kujdesit të bankave, pasqyron më së shumti ngadalësimin e kërkesës dhe rritjen e kujdesit për të investuar, çka e kufizon potencialin e rritjes gjatë viteve të ardhshme.

 

Punësimi

Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se hendeku i prodhimit mbeti negativ, me gjithë rikuperimin e rritjes në tremujorin e katërt të vitit. Aktiviteti i ulët ekonomik është shoqëruar me rritjen graduale të normës së papunësisë gjatë vitit 2013, siç raportohet nga rezultatet e Anketës së Forcës së Punës. Norma e papunësisë është rritur me rreth 2.6 pikë përqindje nga fundi i vitit 2012, duke qëndruar në nivelin 17% në tremujorin e katërt. Norma e lartë e papunësisë ka ushtruar presione të dobëta për rritjen e pagave dhe ka shtuar pasigurinë e konsumatorëve për qëndrueshmërinë e burimeve të tyre të financimit.

Kërkesa e dobët konsumatore ka ulur marzhet e fitimit të bizneseve si dhe ka zvogëluar hapësirat e tyre për të përcjellë rritjet e akcizave dhe të kostove të punës për njësi tek çmimet përfundimtare. Në këto kushte, presionet inflacioniste me burim kërkesën e brendshme mbeten të dobëta.

Zhvillimet në tregun e punës tregojnë për dinamikë të ulët në këtë treg dhe për presione të dobëta për rritje të pagave.

 

Pagat

Treguesi i pagës nominale mesatare në ekonomi u rrit me 0.5% në tremujorin e katërt të vitit, pas rritjes mesatare me rreth 2.2% në nëntëmujorin e parë. I deflatuar me inflacionin, ky tregues shënoi rënie si në terma vjetorë ashtu dhe në terma tremujorë, përkatësisht me 0.96% dhe 0.13%.

Ecuria e ngadaltë e pagave në ekonomi, në linjë më zhvillimet ekonomike, u ndikua kryesisht nga rënia e pagave në shërbime (-1.7%).

Të dhënat nga statistikat afatshkurtra tregojnë për ngadalësim të pagave edhe në sektorët e tjerë të ekonomisë.

Në sektorin shtetëror, paga reale qëndroi thuajse e pandryshuar në krahasim me një vit më parë. Të dhënat më të fundit nga vrojtimet e besimit sinjalizojnë për ngadalësim të rritjes së pagave në ekonomi në tremujorin e parë të vitit.

 

Buxheti

Të dhënat për tremujorin e parë të vitit sugjerojnë një kontribut negativ të shpenzimeve publike në rritjen ekonomike të kësaj periudhe, si në formën e konsumit final të qeverisë ashtu edhe në formën e investimeve publike. Shpenzimet buxhetore të tremujorit të parë të vitit 2014 u realizuan me rreth 88.4 miliardë lekë, ose rreth 2.4% nën nivelin e të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Trajektorja që ka ndjekur totali i shpenzimeve gjatë tremujorit të parë të vitit është diktuar nga sjellja e shpenzimeve kapitale. Këto të fundit, për tre muajt e parë të vitit, u realizuan me rreth 10.5 miliardë lekë, nivel ky rreth 26.7% më i ulët në terma vjetorë nominalë.

Të ardhurat buxhetore gjatë tremujorit të parë të vitit kanë shfaqur një sjellje të kundërt me atë të shpenzimeve, duke regjistruar ritme pozitive rritjeje në terma vjetorë. Në tre muajt e parë të vitit 2014 u realizuan rreth 82.1 miliardë lekë të ardhura, nivel ky rreth 8.2% më i lartë nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Kontributin më të lartë në rritjen e totalit të të ardhurave e kanë dhënë të ardhurat nga TVSH-ja, me rreth 6.3 pikë përqindje, niveli më i lartë ky që prej vitit 2008, vit në të cilin u hoqën një numër i konsiderueshëm përjashtimesh nga TVSH-ja. Ndërkohë, në vitin aktual, ndryshimet në ligjin për TVSH-në lidhen me eliminimin e përjashtimit nga pagesa e TVSH-së vetëm për fazën e zhvillimit të operacioneve hidrokarbure (me një efekt të pritshëm vjetor prej 1.5 miliardë lekësh). TVSH-ja e vjelë mbi prodhimin e mallrave dhe shërbimeve në vend ka shënuar ritme pozitive rritjeje, duke dhënë në të njëjtën kohë kontribut të qenësishëm pozitiv në totalin e të ardhurave nga TVSH-ja.

Deficiti buxhetor në fund të tremujorit të parë të vitit rezultoi rreth 6.3 miliardë lekë, nga 14.6 miliardë lekë që shënonte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tkurrja e deficitit për këtë periudhë i atribuohet në masë të madhe (rreth 60%) ecurisë së të ardhurave me karakter tatimor.

 

Loading...