Vidal operohet, Sançez i shkon për vizitë

0
154

vidal-sanchez-spitalNdërhyrja kirurgjikale së cilës i është nënshtruar Arturo Vidal ka përfunduar me sukses. Mesfushori i Juventusit është operuar dje në Barcelonë, pas problemeve të shfaqura së fundmi në gju. Operacioni u krye nga doktor Ramon Kugat, i cili pas ndërhyrjes ka sqaruar edhe median. “Operimi i Vidalit në gju ishte diçka që nuk mund të shmangej dhe e rëndësishme është që lojtari e ka kaluar me sukses. Ndonëse ju të medias keni theksuar se ai do kthehet në fushë, të tilla dëmtime kërkojnë 6-8 javë rehabilitim, por natyrisht që mund të rikuperohet edhe më shpejt, aq më shumë kur përpara është një Botëror për t’u luajtur”, -ka thënë mjeku. Gjatë qëndrimit në Barcelonë, Vidal është vizituar edhe nga kolegu i tij në kombëtare, sulmuesi blaugrana Aleksis Sançez. Lojtari do të kurohet për dy javë në Torino, më pas do të udhëtojë në Kili.

 

Sidorf, komentator i BBC-së

Trajneri aktual i Milanit ende nuk e di nëse e ardhmja e tij do të jetë në krye të pankinës kuqezi, por është e sigurt që trajneri holandez do të marrë pjesën në Botërorin e ardhshëm. BBC ka njoftuar se Sidorf do të jetë pjesë e ekipit të komentatorëve teknikë, të cilët do të ndjekin Botërorin e Brazilit për rrjetin televiziv britanik, i shoqëruar edhe nga shumë yje të tjerë të kalibrit të Tierri Henrisë dhe Rio Ferdinand. Edhe pse është në pritje të vendimit të Adriano Galianit, Sidorf e ka gjetur një event me të cilin të mbushë axhendën e tij në verë, pavarësisht nëse do të ketë ngarkesa të tjera apo jo.

 

 Gigs: Mbroni Januzajn

Adnan Januzaj, ylli i Mançester Junajtidit, i cili ka qenë edhe Lojtari i Ndeshjes në fitoren ndaj Hull Sitit, është shkelur nga futbollisti Devid Meiler pas një dueli për top. Januzaj ishte në tentativë për të kapur topin, ndërsa futbollisti mik në mënyrë shumë antisportive e shkeli mbi këmbë duke shkaktuar jo pak dhembje. Në anën tjetër, Rajan Gigs bën thirrje që për Adnan Januzajn të kenë më shumë kujdes. “Kjo është hera e dytë që Adnanit i ndodh këtë sezon, edhe rastin në ndeshjen kundër Fulhamit. Unë e kam parë këmbën e tij dhe është e tmerrshme për ta shikuar. Ndërhyrja ishte e qëllimshme. Januzaj është një lojtar i shkëlqyer dhe autoritetet duhet ta mbrojnë atë. Komisioni i Gjyqtarëve duhet të ndërmarrë masa për këtë ndërhyrje, ndërsa arbitrat duhet ta mbrojnë më shumë në fushë”, – është shprehur Gigs pas ndeshjes.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency