Botohet në Prishtine “Tri drama” të Stefan Çapalikut

0
193

 Violeta Murati

stefan capalikuBotohet në Prishtinë libri “Tri drama” i autorit Stefan Çapaliku, nga “Qendra multimedia”, Prishtinë, me redaktor dramaturgun Jeton Neziraj. Libri përmban dramat më të fundit të autorit: “Provat e një vdekje të paralajmëruar” (2012), “Fausti prej Tirane” (2013) dhe “Një zjarrfikës në oborrin e teatrit” (2014).

Ky është libri i katërt me drama i Çapalikut dhe vjen pas botimeve “Pesë drama dhe një korn anglez” (Ideart, 2003), “Allegretto albania dhe drama të tjera” (Gj. Fishta 2006) dhe “Pese komedi të përgjakshme” (Gj. Fishta 2010) duke e çuar në njëzet numrin e dramave të botuara.

Drama e parë, fituese e çmimit të tretë të konkursit kombëtar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, i zhvillon ngjarjet përgjatë provave gjenerale të një pjese teatrore që flet për gjyqin e munguar që shoqëria e sotme i ka bërë periudhës së komunizmit. Subjekti i saj përbëhet nga pesë linja kryesore: Linja e parë zhvillohet midis regjisorit, aktorëve dhe teknikëve të teatrit. Regjisori herë pas here e ndërpret veprimin skenik, duke krijuar pauza dhe duke lejuar kështu që aktorët të dalin nga zhgualli i karaktereve dramatikë. Linja e dytë përbëhet nga ngjarjet dramatike të pjesës që po vihet në skenë: Ajo zhvillohet në shtëpinë e një ish-xhelati të komunizmit që kujtohet si i vdekur, por në të vërtetë nuk i del shpirti. Linja e tretë është ajo e korit që personifikon shpirtrat e viktimave të xhelatit. Kori flet në numrin njëjës, si një njeri i vetëm që rrëfen fatin e tij tragjik gjatë periudhës së komunizmit. Linja e katërt është ajo e policisë që rrethon shtëpinë e xhelatit dhe e boshatisë atë duke zbatuar urdhrin qeveritar për ta kthyer këtë ngrehinë në shtëpi muze edhe pse i zoti i saj nuk ka vdekur ende. Linja e pestë përbëhet nga dialogu që aktori që luan xhelatin bën me regjisorin, duke i kërkuar këtij të fundit sesi të vdesë. Pjesa i bën jehonë problematikës së thukët të shoqërisë postkomuniste dhe pamundësisë së saj për tu shkëputur nga e shkuara. Ajo demaskon të ashtuquajturit “new reach people” të pasuruarit e pasviteve ‘90 që janë bijtë dhe mbrojtësit e xhelatëve të së shkuarës.

Teksti i dyte dramatik, “Fausti prej Tirane”, është një monodramë që i bën jehonë zhgënjimit të intelektualit shqiptar pas një periudhe të gjatë tranzicioni politik. Shpresat dhe projektet e tij pas një periudhe 20-vjeçare që nga dështimi i sistemit komunist, kanë marrë fund. Ai jo vetëm që nuk gjen më një motiv të shëndoshë për të jetuar, por ç’është më e keqja ai nuk gjen asnjë arsye për të vdekur si hero. Ai bindet se jo vetëm jeta, por edhe vdekja e tij nuk i shërben askujt më. Për këtë arsye ai përfundon në një gjendje “as këtu e as atje, as këndej e as andej, as në këtë botë e as matanë”.

Ngjarja dramatike zhvillohet në dy linja kryesore të cilat lidhen bashkë me njëra-tjetrën duke shtyrë para aksionin e veprës. Linja e parë e komplotit dramatik është e lidhur me një aktore të vjetër që jeton ditët e saj të fundit në banesën e tij, braktisur nga të gjithë.

Linja e dytë merret me prapaskenën e teatrit, në të cilën aktorët janë duke u përgatitur një plan për të djegur teatrin, si e vetmja shpresë dhe e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza e sistemit.

Dy linjat takohen në skenën e fundit në shtëpinë e aktores, që ka vrarë veten në dëshpërim të plotë. Dy veprat e para të librit janë vënë në skenat e teatrit të Shkodrës dhe të Tiranës në vitin 2013. Teksti i tretë mbetet ende në planet e afërta të produksionit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency