Pornolitika e Vangjel Kozmait

0
216

Intervistoi: Violeta Murati

teatri_kombetar_anetar_i_unionSi çdo institucion kulturor, edhe Teatri Kombëtar po transformohet për nga protagonizmi i personazheve që mund të jenë humbur qysh para 2005-ës ose që i takojnë jetës transit të pushteteve sa herë ndërrohen. Të jetë politike në këtë rast edhe ardhja e skenaristit Vangjel Kozma në Teatrin Kombëtar?! Libri “Shënime pornolitike” dhe dosja me tri vepra të shkruara që dje i ka dorëzuar në TK duket sikur japin këtë arsye. Sidomos libri që Kozma pret edhe ta ribotojë, me historinë e tij se prej tetë vitesh nuk është lejuar të qarkullojë në treg. Këtë nuk arrin ta shpjegojë skenaristi, veçse e gjen një shkak të mirë për të tërhequr vëmendjen e medias, që si duket nuk beson në të tilla denoncime mbi censurën në demokraci. Autori i tij tha dje se vetëm pasi të lexohet libri do të mund të kuptohet ose gjithkush do të gjejë arsyen pse nuk është lejuar. Libri përmban tri ese, dhe sinteza e tyre “Marr guximin vjen premierë në Teatrin Kombëtar si monodramë nga aktori Mehdi Malkaj.

Producenti i kësaj shfaqjeje, Genti Bejko, njohur si regjisor, ka përforcuar se prej kohësh është kërkuar që vepra të shohë skenën, por vetëm tani mbështetur nga TK po realizohet mundësia. Ky regjisor i ri ndihmon dy kolegët në krah për ta zbërthyer veprën estetikisht si një dramë, tragjizëm, humor i zi që rrëfen kalvarin e jetës, si breza janë torturuar në punë dhe shpërblimi është një hiç, mosmirënjohje. Është një mënyrë e thjeshtë dhe e ndjerë, thonë për shfaqjen pa elementë regjisorialë, pa luks ndriçimi apo kostume. Rrëfim i pastër, i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë. Fillon me komiken, por ka një finale si një sëpatë që ta ngrin buzëqeshjen, të bën të reflektosh!

Ky kontekst e shtyn Bejkon të thotë se prej një viti ishin në kërkim të hapësirave për vënien e veprës, duke e konsideruar komunitetin teatror nga më të diskriminuarit për momentin. Referenca e këtij dëshpërimi është vendi fqinj, Maqedonia, se sa shumë para hedh shteti për kulturën, e sidomos teatrin.

Ndërsa skenaristi Vangjel Kozma ka shpjeguar historinë e tij, veprën dhe kontekstin politik të angazhimit larg dhe afër Teatrit:

 

Mund t’i bëni një prezantim historisë suaj mbi “Shënime pornolitike”, çfarë pritet edhe në skenë?

 Vangjel Kozma: Vepra është një kolazh i eseve të shkruar para 15 vitesh. I kam publikuar, por ka pasur një moment krejt të ndryshëm nga fati i librave dhe veprave të demokracisë. Këto i kam botuar në janar 1999, në një libër të titulluar “Shënime pornolitike”.

Ky libër për arsye të panjohura nuk u lejua të qarkullonte pas shtypit. Kam shpëtuar gjithsej tri-katër kopje. Këto arsye të panjohura bëhen të njohura pas leximit të librit.

Për fat, bashkë me monodramën arrita të kombinoj sot edhe daljen e librit “Shënime pornolitike”, ku do gjenden arsyet pse u ndalua libri dhe pse drama pati një fat të konsiderueshëm social, që e presim.

Monodrama është ndërtuar mbi disa ese. Ato janë një përmbledhje e halleve të njeriut të thjeshtë, që është dhe filli lidhës. Është një anonim, që kur e sheh veten mbi një tribunë kur ka dalë për të rregulluar një llambë, e ndien se ka mundësi të drejtojë disa fjalë të cilat nuk ka pasur mundësi tërë jetën e tij t’i thotë. E shfrytëzon më së miri këtë mundësi duke rritur ndjesinë e vet, ndërgjegjësimin e vet social deri në një pikë shpërthyese që mbyllet me finalen e monodramës.

Kjo është më tepër një monodramë parabolë, se nuk ka një subjekt të caktuar, personazhit nuk i ndodh gjë. Por ai thotë ato gjërat që i kanë ndodhur më parë, jo vetëm atij, por pjesës dërrmuese të shqiptarëve. Është një njeri krejt i zakonshëm, një spektator, njëri prej nesh, të cilit për herë të parë i jepet rasti të hipë në skenë e t’i ketë të tjerët përballë. Hyn aksidentalisht dhe nuk ka asnjë rast tjetër. Në fillim ka ndrojtje dhe më pas thotë se kjo është mundësia për të thënë për herë të parë atë që ka vuajtur. E gjithë kjo është shumë dramatike. Unë në përgjithësi jam i bindur se gjithë jetën kam shkruar e shkruaj gjëra dramatike pastaj se pse qeshin të tjerët nuk e kam kuptuar, dhe nuk kam ndër mend ta kuptoj dhe sikur të ma shpjegojnë.

Shpresoj se nën interpretimin e Malkajt, i cili është një personazh dhe aktor i lindur për këtë pjesë, do të arrijmë të themi së bashku atë që kemi ndër mend të themi.

 

Pyetja është politike, për çfarë mendoni se nuk është lejuar libri juaj të qarkullojë për tetë vjet në treg? Pse ngrini zërin tani, duke e ribotuar?

Nuk dua t’i jap kontekst politik, ajo mund të ketë qenë edhe rastësi. Siç e thashë, me sinqeritetin më të madh, nuk e di pse ky libër nuk u lejua. U shtyp dhe unë shpëtova gjithsej pesë kopje. U ndalua dhe nuk e lejuan të qarkullojë. Por jam i bindur se pasi të lexohet, secili mund të japë versionin e tij se pse u ndalua ky libër.

Normalisht aty janë thënë gjërat ashtu si e mendoja unë, në një kohë shumë të vështirë për Shqipërinë. Se veç këtyre eseve ka një lloj ditari pornolitik, se nuk quaj se ka politikë, por ka vetëm pornolitikë. Përfshin fundvitin ‘97-98 dhe janar i ‘99-ës. Pra është një ditar sipas mënyrës sime të parjes së gjërave.

 

Janë reflektime të shqetësimeve tuaja?

Sigurisht janë shqetësime të mia duke parë situatën e vendi tonë politike, ekonomike, luftës dhe blofeve që pasuan më pas. Ndërsa pse u deshën kaq kohë, mendoj se janë dy arsye: e para, ishte se unë jam në përgjithësi njeri neglizhent, dhe këto në një farë mënyrë janë botuar, nëpër gazeta. E dyta ishte e lashë veten të kisha një gjykim më të ftohtë, jo pak, por pas 15 vjetëve. Dhe kur e rilexova, kur u desh ta bënim këtë vepër me Mediun, e pashë me kënaqësi se kisha të drejtë. Sikur ta kisha shkruar edhe sot nuk do t’i lëvizja asnjë presje librit. Megjithëse këtu, në përgjithësi, janë gjërat shumë të vështira, për t’u kuptuar nga njëra palë politike nga tjetra, nga njëra shtresë shoqërore nga tjetra. Dikush mund ta anatemojë, dhe të më përjashtojë fare nga kjo botë por dikush tjetër mund të thotë “oh sa mirë”! Unë kam shkruar si e kam menduar, dhe të tjerët do diskutojnë në bazë të kësaj monodrame dhe librit.

 

Keni deklaruar para pak ditësh kur ishte takimi i teatrove se keni shumë libra të shkruar për teatër, por i keni lënë sirtar, për çfarë arsyeje?

 Nuk janë libra të shkruar, i tillë ishte vetëm “Shënime pornolitike”, që nuk ishte në qarkullim. Librat e tjerë kanë qarkulluar. Nuk kam bum të madh. Kam vepra teatrore të pavëna në skenë. Këtu sot, në Teatrin Kombëtar, kam ardhur të dorëzojë dosjen me tri drama satirike. E para është “Epopeja e supës”, është fituese e konkursit të parë më ‘94, e cila megjithëse ishte më një çmim të padiskutueshëm, nuk u vu në skenë. E dyta, ishte “Nderi i kombit”, e cila përsëri nuk u vu në skenë e TK-së, po u bë një realizim privat, bashkë me Mediun, Bujar Asqeriun dhe Naun Shundin. Si të parës, në një mjedis gati klubi, për të mos e lënë të vdiste vepra. Dhe e fundit, “Horoskopi babilonas”, një vepër e shkruar para disa vjetësh, ngaqë nuk jam i aftë për t’i ndjekur më patën mbetur aty. Meqë u hap një dritare, u bë ftesë autorëve për të sjellë veprat që kanë, tani do të dorëzoj tri copë, me shpresë për vlerësim.

 

Nuk është hera e parë që ftohen autorë për të sjellë vepra në teatër, mund ta konsiderojmë politike tani që pushtetet janë ndërruar dhe drejtori po ashtu?

 Nuk ka gjë politike, nuk ka arsye të tillë. Nuk shikoj politikë në teatër, ata që shikojnë janë të verbër. Unë vij në teatër ashtu si jam, si qenie shoqërore, sociale dhe ekonomike, se luftoj për ditë për bukën e gojës dhe jam dhe politik sigurisht. Politik, ashtu si e shikoj unë, i paangazhuar, por jo i rreshtuar nëpër formacionet politike. Jam më i angazhuar madje se ata që janë në krye të vendit sot ose ata që kanë qenë dje. Për këtë ju siguroj kur të lexoni “Shënimet pornolitike” se sa me kujdes i kam ndjekur ngjarjet e vendit, siç i ndjek edhe tani.

 

Pse zgjedhja me aktorin Mehdi Malkaj?

Unë e thashë Mehdiu është i bërë posaçërisht për këtë vepër. Unë e di rrugën se si ka ardhur Mehdiu deri në këtë moment që jemi këtu të gjithë dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta. Ne jemi përfaqësues të atij brezi që skllavëria e gjatë, dhuna na e ka vrarë aq shumë kurrizin sa në këtë epokën e re erdhëm të gatshëm për të na vënë samarin. Ne kemi zgjedhur njëri-tjetrin prej kohësh. U bënë prej 15 vite dhe ka funksionuar. Ishim të dy të papunë. Neve nuk na vriste tashmë asnjë lloj samari. I kemi provuar të gjitha gomarllëqet e të gjitha sistemeve mbi kurrizin tonë të drobitur. Kemi histori të përbashkëta, paralele prandaj adaptohemi aq mirë më njëri-tjetrin.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency