Opozita rikthen ngjarjen e ’99-ës, Ristani: Dyshojmë se Didi vrau pengun e autobuzit

0
165

Florenc Drizari

Komisioni hetimor për Policinë e Shtetit/ Deputetët e opozitës publikojnë videon me pamjet e rrëmbimit të autobuzit

didiOpozita akuzoi dje Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për vrasjen e një pengut grek në ngjarjen e rrëmbimit të autobuzit grek rreth 15 vite më parë. Deputetët e opozitës, anëtar të Komisionit Hetimor Parlamentar për lëvizjet në Policinë e Shtetit, publikuan një video të këtij aksioni ku gjatë një pengmarrjeje autobusi nga nje shqiptar, mbeti i vrarë edhe një pasagjer grek. Gjithashtu gjatë këtij operacioni Flamur Pisli, i cili ishte autori i rrëmbimit të autobuzit, dhe u qëllua për vdekje me snajper në dalje të Elbasanit, në Qafë-Krrabë.

Ndërkaq, sipas anëtarëve të opozitës, personi që udhëhoqi këtë operacion ku mbeti i vrarë gabimisht nga plumbat e policisë një pasagjer, ishte Artan Didi, aktualisht kreu i Policisë së Shtetit. kryetari i komisionit Arben Ristani si dhe deputeti Flamur Noka, publikuan materialet, ndërkohë që deputetët e mazhorancës braktisën punimet. Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i Komisionit Hetimor, Taulant Balla vlerësoi punën e Didit edhe para 15 viteve.

Ndërkohë, duke përshkruar ngjarjen që u shfaq në ambientet e këtij komisioni me anë të një video-projektori, kreytari Arben Ristani bëri përgjegjës Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, duke theksuar se materialet do ti dorëzohen prokurorisë për hetime të mëtejshme.

 

Arben Ristani

“Bëhet fjalë për një ngjarje ku një qytetar shqiptar dyshohet se mori peng autobuzin. Duhet që të jetë dikunë Qafë Krrabë ngjarja. Autobuzi ndalon, personi që ne dyshojmë se është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, siç shihet afrohet tek dera e autobuzit, hapet dera, qëllon me automatik dhe vret një qytetar të pafajshëm. Është dukshëm e kuptueshme që s’kemi të bëjmë me profesionalizës, është pak për të thënë. Është nje ekzekutim i një qytetari të pafajshëm që ndodh gjatë kësaj ngjarjeje. Do ta shihni pak më vonë që personi i dyshuar si pengmarrës është i vrarë në mes të autobuzit, pra, është neutralizuar para se të ndodhte”,-deklaroi Ristani. I njëjti qëndrim u mbështet edhe nga deputetët e opozitës të cilët theksuan rëndësine e zbardhjes së asaj ngjarjeje. Duke vijuar mbledhjen jo në mënyrë zytare, për faktin se opozita nuk kishte kuorum, krytari Ristani publikoi disa prova të reja që sipas tij, tregojnë përfshirjen e krerëve të policisë në trafiqe të ndryshme. Gjithashtu Ristani bëri publike një shkresë të SHKB-së të 2004-ës, duke publikuar emrat e disa prej punonjësve të policisë ndaj të cilëve janë konstatuar shkelje.

Duke cituar letrën e ardhur nga Policia e Shtetit, Ristani lexoi emrat e “Xhevair Karaj, Neritan Allbatin, Perlat Çullain, Marsel Dulaj, Ervin Dërvishin, Flamur Mbrakulla, Ilirjan Rrokajn, Flamur Mazrekun”, duke thënë se një pjesë e tyre me lëvizjet e fundit në polici janë rikthyer në krye të detyrës. “Të gjitha këto informacione të cilat hedhin dritë edhe për dyshimet që ka ngritur opozita në mënyrë të vazhdueshme për rimarrjen në Policinë e Shtetit të njerëzve të akuzuar që na falsifikimi i diplomave, të akuzuar për korrupsion, të akuzuar për trafiqe qoftë të qenieve njerëzore, qoftë të drogës etj. Ky ishte një material që ne do ta bëjmë pjesë të raportit tonë dhe që donim ta prezantonim sot. Sigurisht është i shoqëruar me të dhëna nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i Policisë së Shtetit”,-deklaroi Ristani. Mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për Policinë e Shtetit pritet të zhvillohet mesditën e së hënës në orën 12:00.

 

Balla për Videon: Tregoi edhe një herë sa shkëlqente drejtori i Policisë, Artan Didi

Pas daljes nga mbledhja e djeshme e Komisionit Hetimor për Policinë e Shtetit, deputetët e opozitës komentuan shkurtimit në media lidhur me videon e publikuar nga deputetët e opozitës. nënkryetari i këtij komisioni, Taulant Balla, tha se videoja e publikuar nga opozita tregoi se sa ka rrezikuar drejtori aktual i policisë në kohën kur ka qenë në krye të detyrës edhe 15 vjet më parë. “Videoja tregon një punonjës policie që ka vënë jetën në rrezik në përpjekje me elementet kriminalë.Videoja e opozitës tregoi edhe një herë sa shkëlqente drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi në punë e tij”,-tha Balla, duke e quajtur publikimin e videos në Komision në kundërshtim me rregulloren.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency