Emigracioni sjell më pak para, eksporti i vetmi shpëtim  

0
125

Ervin Kaduku

– Deri në vitin 2007 remitancat kanë qëndruar në vlera më të larta se eksportet. Qeveria “Berisha” ndryshoi për herë të parë raportet dhe tashmë vlera e dërgesave të emigrantëve nga jashtë përbën vetëm 30% të vlerës së eksporteve

eksporti Shumë vende në Evropën Qendrore, Lindore e Juglindore varen më shumë nga transfertat e brendshme sesa nga flukset e kapitalit, në veçanti remitancat nga diaspora (shtetasit që jetojnë jashtë vendit të tyre), sipas raportit të fundit rajonal të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në vitin 2012, Kosova dhe Moldavia kishin remitanca prej më shumë se 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB); në Bosnjë-Hercegovinë, në Shqipëri dhe Serbi remitancat i tejkaluan 5% të PBB-së.

FMN thekson se remitancat e raportuara në mënyrë të diskutueshme e nënvlerësojnë varësinë nga Diaspora, pasi dallimi midis remitancave dhe të ardhurave nga puna është shpesh i paqartë dhe ndërsa investimet e huaja shpesh e kanë origjinën nga emigrantët, veçanërisht investimet në pasurinë e paluajtshme dhe bizneset e vogla.

Varësia nga flukset hyrëse nga diaspora e ekspozon një vend ndaj kushteve ekonomike të shtetit pritës të diasporës. Midis viteve 2007 dhe 2012, vendndodhja e diasporës rezultoi që të ishte e rëndësishme për stabilitetin e prurjeve të emigrantëve. Në Kosovë dhe Serbi remitancat ishin në përgjithësi rezistente, teksa rritja dhe punësimi në shtetet kryesore pritëse—Gjermani dhe Zvicër për Kosovën e Austria për Serbinë—kishin një ecuri të mirë.

Në kontrast, thekson raporti i FMN-së, në Shqipëri, Moldavi dhe Bosnjë, prurjet e emigrantëve ranë me shpejtësi, teksa shtetet kryesore pritëse—Italia, Greqia, Kroacia, Ukraina—u përballën me vështirësi ekonomike. Kjo ndikoi në aftësinë e emigrantëve për të fituar para dhe për t’i dërguar ato në shtëpi.

 

Eksporti, kyçi i përballimit të rënies së valutës nga emigrantët
Deri në vitin 2007 remitancat kanë qëndruar në vlera më të larta se eksportet, duke dëshmuar një ekonomi të dobët prodhuese, e cila bazohej tek dërgesat e shtetasve, pjesë e tregut të punës jashtë vendit. Në vitin 2008 kjo diferencë ndryshon dhe ky është viti i parë, në të cilin vlera e mallrave dhe shërbimeve të shitura jashtë vendit qëndron më lart se vlera e parave që ekonomia vendase përfton nga dërgesat e emigrantëve. Ky është një ndër konstatimet e studimit më të fundit nga Open Data Albania. Diferenca u lëkund përsëri në vitin 2009, kur remitancat shënuan një vlerë më të lartë se të ardhurat nga eksporti. Remitancat janë dërgesa nga jashtë vendit, ndërsa eksportet përfaqësojnë vlerën e gjithë mallrave e shërbimeve të shitura jashtë vendit.
Katër vitet e fundit shënojnë një rritje në vlerë për eksportet, duke krijuar edhe një diferencë progresive eksport kundrejt remitancave me vlerë pozitive. Gjatë këtyre viteve eksportet janë shumë më të mëdha në vlerë krahasuar me remitancat. Remitancat kanë qëndruar thuajse konstante, ndërsa eksportet janë rritur nga 1 miliard e 172 milionë euro në vitin 2010, në 1 miliard e 731 milionë euro në vitin 2013.
Nëse në vitin 2002, remitancat ishin sa dyfishi i vlerës së eksporteve në vitin 2013 kjo vlerë e dërgesave të emigrantëve nga jashtë përbën vetëm 30% të vlerës së eksporteve. Ky ndryshim i theksuar e ka bazën tek rritja e vlerës së eksporteve gjatë këtyre viteve.

Në rast se do të vijojë rritja e eksporteve, mund të quhet e shmangur kriza që do të lindte pakësimi i valutës nga emigracioni.

Remitancat dhe eksporti në milionë euro
Viti Remitanca Eksporti % që zënë remitancat ne eksport
2002       693       345 200.65
2003       774       427 181.40
2004       774       486 159.26
2005       802       530 151.32
2006       937       631 148.49
2007       952       786 121.08
2008       833       918 90.82
2009       781       751 104.08
2010       690      1,172 58.88
2011       665      1,406 47.31
2012       675      1,526 44.23
2013       497      1,732 28.71

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency