Emërimet në Policinë e Shtetit/ “Skandal” me raportin e Komisionit Hetimor, mazhoranca e quan të miratuar pa e votuar

0
160

 Florenc Drizari

Raporti i mazhorancës, Noka: Ky është një skandal i paprecedentë në komisionet hetimore

komisioni hetimorMazhoranca publikoi dje raportin e Komisionit Hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të policisë së shtetit”. Ajo që bie në sy në këtë raport është publikimi pa u diskutuar në komisionin hetimor parlamentar, ndërkohë që në brendësi të raportit, thuhet se drafti është i miratuar vetëm me votat e mazhorancës dhe mendimet e pakicës janë aneks i tij. Në mbledhjen e djeshme të komisionit hetimor parlamentar, deputetët e shumicës së majtë braktisën punimet pas kërkesës së kryetarit Arben Ristani për të publikuar një video dhe disa të dhëna që kishin ardhur nga Policia e Shtetit.

 

Raporti i mazhorancës

“Në punën e Komisionit Hetimor, “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të policisë së shtetit”, pas konstituimit në mbledhjen e parë në datën 19.02.2014 morën pjesë 15 deputetë të pozitës dhe opozitës. Edhe pse në veprimtarinë e Komisionit shumica e vendimeve u morën me konsensus mes palëve, në përfundim nuk pati një konsesus për shumicën e çështjeve të trajtuara në raportin përfundimtar….( i cili është miratuar vetëm me votat e anëtarëve të shumicës në këtë komision dhe mendimete pakicës janë aneks i tij.).???…”,- thuhet në raportin prej 137 faqesh të publikuar nga mazhoranca. Në tërësi raporti trajton si të ligjshme lëvizjet në polici dhe aksionet e zhvilluara nga forcat e rendit, duke theksuar rezultatet pozitive në luftën kundër kriminilitetit në vend.

Ndërkohë, në një prononcim për gazetën “Standard”, deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka, anëtar i Komisionit Hetimor për Policinë e Shtetit, e quan një skandal miratimin e njëanshëm të këtij raporti, si dhe faktin që drafti quhet i votuar pa u miratuar në komision.

 

Flamur Noka

Sipas deputetit të opozitës, procedura që përcakton rregullorja për Komisionin Hetimor detyron që kryetari të hartojë raportin dhe ta paraqesë atë në komisoion. Nëse shumica parlamentare sipas Nokës, nuk është dakord me raportin, përpilon një version tjetër i cili votohet në Parlament.

“Ata braktisën mbledhjen dhe thonë që e kanë votuar. Në bazë të procedurës, raporti duhet të diskutohet nga kryetari dhe të votohet. Në rast se nuk janë dakord me të gjithë raportin, më pas diskutohet në Parlament një variant ndryshe dhe një tjetër ndryshe. Kjo përbën një skandal sepse ata kanë ardhur me një raport të përgatitur ndryshe nga sa do të dilte nga puna e komisionit. E dyta, kanë shkelur çdo procedurë, sepse i ashtuquajturi raporti i tyre, megjithse është i pabazuar në asnjë rregull të komisioneve hetimore, nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje ku të hartohet apo diskutohet një raport i tillë. Kjo do të thotë se ky është një skandal i paprecedentë në komisionet hetimore”,-deklaroi deputeti Noka. Sipas tij, ky raport mund të jetë hartuar në Ministrinë e Brendshme, sepse komisioni nuk ka zhvilluar mbledhje për këtë çështje. Noka ritheksoi edhe njëherë që mazhoranca e quan të miratuar një raport pa u ngritur asnjë gru pune dhe ky përbën një skandal në punën e komisioneve hetimore parlamentare.

Komisioni hetimor u ngrit sipas kërkesës së një grupi prej 36 deputetësh të opozitës, ku kërkohet hetimi i praktikave dhe proçedurave ligjore të zbatuara nga Policia e Shtetit gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore në polici në periudhën 15 Shtator 2013 deri në 31 Janar 2014, në bazë të nenit 77 të Kushtetutës dhe ligjit nr.8891 datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”. Deputetët e të dyjave palëve kanë zhvilluar disa seanca dëgjimore me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Burgajn, drejtorin aktual, Artan Didi, si dhe ish-funksionar të lartë të policisë, ku një pjesë e tyre tashmë ndodhen jashtë strukturave të forcave blu.

 

Raporti i mazhorancës, ja gjetjet e Komisionit Hetimor Parlamentar

Mazhoranca publikoi dje gjetjet e kontrollit të zbatimit të legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjes së burimeve njerëzore të Policsë Shtetit ku përfshihen largimet nga detyra, transferimet apo punësimet e reja të punonjësve të policisë së Shtetit. “Bazuar në materjalet shkresore të depozituara në Komision nga shqyrtimi dhe analiza e tyre si dhe duke marë në konsideratë edhe dëshmitë e dhëna nga drejtues të policisë të thirur në seanca dëgjimore (një pjesë do të referohen në vijim të materialit) rezulton se reformimi i deriatinishëm i Policisë së Shtetit ka evidentuar këto të dhëna për lëvizjen e personelit në nivele të ndryshme sipas shkaqeve: Personel i liruar nga Policia e Shtetit për shkak të ndryshimeve strukturore dhe shkurtimit të funksioneve organike janë 176 punonjës, në nivelin e parë, të mesëm e të larte drejtues. Personat e liruar me këtë motivacion janë me grada policore : Zv/Drejtor i Përgjithshëm 1, Drejtues i Parë 10, Drejtues 13, Kryekomisar 77, Komisar 44, Nenkomisar 31, në nivelin zbatues 48 punonjës. Personel “Të përjashtuar nga Policia e Shtetit” 32 punonjës kryesisht në nivelin e parë dhe të mesëm drejtues. Të liruar nga policia e shtetit me motivacion “Të ripranuar në kundërshtim me ligjin” nga kategoria e personave të ripranuar në strukturat e Policisë së Shtetit në kundërshtim me kriteret ligjore të përcaktuara në të dy ligjet “Për policnë e Shtetit” 77 punonjës nga të cilët 7 punonjës civilë. Personel të liruar nga policia e shtetit nga kategoria e të pranuarve në kundërshtim me kriteret ligjore (pa arsim policor) 7 punonjës. Personat e përjashtuar me motivacion “Për shkelje të rënda disiplinore” dhe të liruar me motivacion “Të pranuar në kundërshtim me ligjin” janë me grada policore: Në nivelin zbatues janë përjashtuar nga strukturat e Policisë së Shtetit 30 punonjës. Personel civil të përjashtuar e të liruar nga strukturat e Policisë Shtetit 98 punonjës, nga të cilët: Personel civil “Të përjshtuar për shkelje disiplinore” 5 punonjës, Personel civil i larguar pranuar ne kundërshtim me ligjin 7 punonjës. Të larguar me motivacionin “Për shkurtim të funksionit organik dhe ndryshim të strukturës organizative” :88 punonjës”,-thuhet në raportin e mazhorancës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency