Ndryshohet ligji/ Si do legalizohen ndërtimet e pas 2009-ës

0
115

Florenc Drizari

 

Artan Lame: Ose ndryshoni Kodin Penal, ose kjo pikë është e pakalueshme

zonaKomisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi dje mes debatesh disa nene të projektligjit për legalizimet, ndërkohë që propozimet e reja me e disa amendamente nga deputetë të opozitës, bënë që drafti të shtyhet për miratim javën e ardhshme, edhe pse përfaqësues të qeverisë prisnin që ligji të kalonte për votim nesër në seancë plenare.

Projektligji i qeverisë për “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar””, u shoqërua me diskutime të forta mes përfaqësuesve të pozitës dhe të opozitës, lidhur me legalizimin e ndërtimeve pa leje të pas 2009-ës (projektligji i ndryshuar lejon që pas këtij viti, të legalizohen vetëm ato ndërtimeve të bëra në tokën e ndërtuesve). Deputetët e opozitës propozuan një amendament që të legalizoheshin edhe ndërtimet pa leje pas 2009-ës të ndërtuara në tokë të ish-pronarëve apo të shtetit. Deputetë të opozitës akuzuan qeverinë se me këtë projektligj nuk po mban premtimet për legalizime falas.

“Është kërkuar dhe i është premtuar qytetarëve që afati do të mbulonte legalizimin e të gjitha atyre që konsiderohen sot ndërtime pa leje dhe jo duke u nisur nga data 15.1.2009, siç është përcaktuar. Përjashtim është bërë vetëm për grupin ndërtesa të ngritura mbi prona, por ne do të kërkonim që ky të shqyrtohej si një problem dhe do të propozonim që kishte një rivendosje të afatit që të mbulonte edhe llojet e tjera të ndërtimeve pas saj”, – deklaroi deputeti i PD-së, Genc Ruli.

Pas fjalës së tij u bë edhe propozimi i opozitës nga deputeti Ardian Turku. Ku i fundit propozoi një amendament për legalizimin e ndërtimeve edhe pas 2009-ës. “Neni dy ka pesë pika të propozuara dhe mendimi ynë është të mbetet siç është pika e parë e nenit dy, me ndryshimin e vetëm të datës që thotë që ky ligj zbatohet për subjektet e ndërtuara pa leje deri në 15.1.2009. Ne propozojmë që të shtyhet deri në datën 8 maj 2014, që është edhe data e seancës plenare apo momenti që hyn në fuqi dhe pjesa tjetër të mbetet e pandryshuar”, – deklaroi Turku. Propozimi i tij ndezi debate mes deputetëve në Komision për faktin se përfaqësuesit e së majtës kujtuan nenet e Kodit Penal që e quan vepër penale ndërtimet pa leje pas 2009-ës. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, argumentoi se nëse bëhen këto ndryshime, atëherë duhet ndryshuar edhe Kodi Penal.

Pas këtij qëndrimi replikoi edhe deputeti Ruli, i cili tha se argumenti për Kodin Penal nuk qëndron. Sipas tij, vërtet Kodi Penal e ka paracaktuar si vepër penale ndërtimin pa leje, por si në tokën e shtetit, si në tokën me ish-pronar dhe në tokën e atij që ka pronën dhe ka ndërtuar, është njëlloj. Ruli tha se kategorinë e fundit, “ndërtimin pa leje në tokën e vet, nuk e shihni që përplaset me Kodin Penal dhe lejoni legalizimin. Për dy kategoritë e tjera, ndërtimin pa leje në tokën e shtetit, apo në pronë private, i referoheni Kodit Penal. Kodi Penal e ndalon të gjithë veprën penale dhe kjo nuk qëndron…” Këto debate bën që kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi, të thërrasë relatorin e këtij projektligji në Komisionin e Ligjeve, Armando Subashin, për të shpjeguar ngërçin që mbajti për disa orë në debate deputetët e Veprimtarisë Prodhuese. Në fjalën e tij Subashi tha se amnistia e kaluar dy javë më parë nga mazhoranca në Parlament, fali veprat penale për ndërtimet pa leje në tokën e atyre që zotëronin pronën, ndërsa për pjesën tjetër të ndërtimeve, në tokën e ish-pronarëve dhe të shtetit, preken nenet e Kodit Penal, gjë që në ligjin për legalizimet nuk janë objekt ndryshimi. “Përderisa ligji penal nuk e dënon më për një dënim që ka ndodhur pas 15 janarit dhe deri më 31 dhjetor të 2013-ës, gjithmonë në truallin e vet, atëherë këtu nuk kemi ndonjë përplasje mes ligjit penal dhe ligjit të legalizimit. Nëse do e dënonte, sigurisht do të kishte probleme, sepse nga njëra anë ne legalizojmë objektin dhe nga ana tjetër e dënojmë për një objekt të paligjshëm që ka ndërtuar”, – deklaroi Subashi. Me propozim të kryetarit Shalsi, ky projektligj do të diskutohet nen për nen të hënën e ardhshme.

 

Artan Lame për legalizimet e pas 2009-ës

 “Është e paanashkalueshme që në vitin 2009 me ndryshimet që u bënë në Kodin Penal, nuk mund të përfshihet më në objektin në pronë shtet ose të të tretëve në legalizim. Edhe në ligjin që u miratua në muajin prill të 2013-ës, nuk u përfshi. Nëse politika i hyn procesit për ta ndryshuar atë ligj, nuk mund ta bëj këtu në një ligj të thjeshtë. Kështu që është e paanashkalueshme dhe me amnistinë e shpallur së fundmi u amnistuan personat që e kanë kryer, por jo vepra. Hajde të bëjmë një analizë, por nuk ka sens këtu si logjikë”, – deklaroi Lame në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit.

 

 

DETAJ/ Shifrat e ALUIZNI-t

 Janë 273000 vetëdeklarime

Janë 21900 leje legalizimi të lëshuara

Janë lëshuar edhe leje legalizimi, por pa pasur dosje në shkelje të ligjit

Janë 140000 familje që nuk kanë dosje por vetëm kanë emër në regjistër

Nga viti 2009 ALUIZNI për 450 veta me kontratë nuk ka derdhur sigurimet shoqërore

 

 

Debate tek Media/ Shpallen katër vende të lira për AMA-n, opozita braktis mbledhjen në shenjë proteste

 Komisioni i Medias dhe i Arsimit hapi dje procedurat për zëvendësimin e katër vendeve të AMA-s. Mbledhja e djeshme u shoqërua me debate dhe tensione mes deputetëve të pozitës dhe opozitës. fillimisht kryetari i këtij Komisioni, Genc Pollo, kërkoi që Komisioni të miratojë propozimin e opozitës, sipas së cilit procedurat duhet të hapeshin për tre vende vakante dhe jo 4, në mënyrë që kryetarja te vijojë mandatin e saj. “Propozimi nuk miratohet. Me këtë rast besoj që nuk ka më vend për ndonjë iluzion të mëtejshëm, siç nuk ka më vend edhe për pjesëmarrje të opozitës në këtë mbledhje, sepse vazhdimi i saj me propozimin që me shumë mundësi do të fitojë është një farsë e mbledhjes”, – tha Pollo. Propozimi i tij u rrëzua nga mazhoranca, ndërkohë që deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja e komisionit. Mbledhja u drejtua nga nënkryetari i këtij Komisioni, Alfred Peza, i cili hodhi në votë propozimet e mazhorancës. “Zyrtarisht fillon procesi për zëvendësimin e katër anëtarëve, tre anëtarëve të thjeshtë dhe anëtari i katërt, i cili është kryetari aktual në detyrë zonja Bushati. Projektvendimi është shqyrtuar, si dhe Komisioni dhe parlamenti do të fillojnë procedurat ligjore për zëvendësimin e katër vendeve vakante, përfshi edhe vendin e kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizuale”, – tha nënkryetari i Komisionit, Alfred Peza.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency