Nderimi me grusht në Përmet

0
166

Gëzim Saliu

 

Debati i plotë/ Marku, Milos: Kriminel. Kreu i PDS : Ik ore maskara. Lë emisionin live

Berisha e Tafaj: Rikthyen pionierët e Enverit, politizim i arsimit. Reagimi: S’ishin në orar mësimi

“Nën petkun e reformës ka një ide përmbysëse: kthim tek sistemi parauniversitar 8+4. Grupi i historianëve politikanë do të ndryshojë tekstet e historisë me frymë nostalgjie për diktaturën”

nderimi me grusht ne permet femijet Ngjarja e ndodhur në Përmet ku nxënësit nderonin me grusht dëshmorët e këtij qyteti ka hapur debat të nxehtë jo vetëm mes dy palëve politike në vend, por edhe në studio televizive. Kjo temë është trajtuar dje në emisionin “opinion” në tv klan, ku është hasur një debat i nxehtë mes kreut të PDS-së Paskal Milo dhe ish-deputetit të PD-së dhe pedagogut të gazetarit Mark Marku. Pas acarimit të debatit me Markun, Milo është larguar në transmetim live nga emisioni. Debati mes Milos dhe Markut është acaruar së tepërmi në momentin e diskutimeve për praninë e fotove të Enver Hoxhës në disa prej ceremonive që u mbajëtn për 5 majin, ku pjesa më kresyore e debatit ka qenë për ngarjen e ndodhur në Përmet.   Pas replikave me Markun, Milo është larguar nga emisioni. Ndërkohë ish-deputeti i PD-së ka deklaruar lidhur me Milon duke thënë se: “të komentosh me gjakftohtësi nderimin me grusht të fëmijëve në Përmet është gjakftohtësi kriminale”.

Partia Demokratike, përmes përfaqësuesve të lartë të saj e cilëson si një kthim pas dhe politizim të sistemit arsimor ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në qytetin e Përmetit, ku nxënës të një shkolle 9-vjeçare u caktuan nga drejtoria e shkollës të nderonin me grusht tek varrezat e dëshmorëve, gjatë kohës kur drejtuesit e lartë të pushtetit vendor po bënin homazhe. Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, dhe ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, denoncuan ngjarjen, duke theksuar rolin negativ që kanë pasur në arsim konkurset fiktive për drejtorët e drejtorive arsimore. Me publikimin e fotos në rrjetin social “Facebook”, ku nxënësit nderonin me grushtin lart, ish-kreu i ekzekutivit theksoi: “Reforma në arsim e Edi Ramës: pionierët e Enverit! Kjo pamje nuk vjen nga Koreja e Veriut. Ajo nuk është nxjerrë nga arkivi i Enver Hoxhës. Kjo është një foto e djeshme që vjen nga Përmeti i Rilindasve tanë që dëshmon se për Edvin Kristaq Ramën dhe neobllokmenët e tij thelbi i reformës arsimore është rikthimi tek pionierët e Enverit. Kësaj i thonë me vrap drejt etërve, drejt të shkuarës!” Po ashtu, Berisha komentoi edhe foton e deputetit socialist Pandeli Majko, që nderoi me grushtin lart dëshmorët e kombit si edhe përuljen para fotos së Enver Hoxhës të ministrit të Drejtësisë Nasip Naço. “E shndërruan 5 Majin në ditën e Enverit. Festojnë duke nderuar me grushtin terrorist. Ministri i Drejtësisë i qeverisë Rama-Meta, i një vendi anëtar të NATO-s, përkulet para portretit të Enver Hoxhës, Hitlerit të Pasluftës së Dytë Botërore. Nderimi i të rënëve duke u përkulur me nderim para armikut më mizor të lirisë së shqiptarëve, është një profani e pafalshme!”.

 

Reagimet

Ndërkohë, ish-ministri i Arsimit, deputeti demokrat Myqerem Tafaj, nënvizoi në denoncimin e tij politizimin e sistemit arsimor. “Pamjet nga festimet e 5 Majit në Përmet, ku nxënësit janë detyruar të nderojnë me grusht vizitorët në varrezat e dëshmorëve, flasin shumë për politizimin e arsimit. Me siguri që drejtorët e emëruar nga konkurse false po mbajnë premtimet! Në fakt, kjo është vetëm ana e jashtme. Hapi tjetër që është hedhur me ngritjen e një grupi historianësh (me pjesëmarrjen e disa historianëve të angazhuar në politikë) premton shumë që edhe tekstet e historisë që do të përgatisë ky grup, të jenë thellësisht të ndikuara nga kjo frymë nostalgjie për periudhën e diktaturës”, – theksoi ai. Më tej deputeti i PD-së pohoi se me reformën e arsimit të lartë, qeveria po synon të rikthejë sistemin parauniversitar 8+4. “Nën petkun e reformës se arsimit te lartë po shfaqet edhe një ide tjetër përmbysëse: kthim tek sistemi parauniversitar 8+4, ndërkohë që sistemi 9+3 u vendos gjatë qeverisjes socialiste dhe, gjatë dekadës së fundit, është bërë një punë e madhe nga mijëra mësues në mbarë vendin për zbatimin e këtij sistemi. Për më tepër, sistemi parauniversitar 9+3 është një sistem që zbatohet nga shumica e vendeve evropiane”, – theksoi Tafaj. Lidhur me ngjarjen e ndodhur në qytetin e Përmetit, ku nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Nonda Bulka” u caktuan nga drejtoria e shkollës të nderonin me grusht tek varrezat e dëshmorëve, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit. Burime pranë kësaj Ministrie bënë të ditur se urdhri për të çuar fëmijët në këtë ceremoni dhe për të përdorur simbolet komuniste ka ardhur nga drejtoria e shkollës, me kërkesë të organizatorëve të ceremonisë, ku drejtuesit më të lartë vendorë në Përmet bënë homazhe për dëshmorët e këtij qyteti. Po ashtu, burimet zyrtare theksuan se ceremonia është kryer rreth orës 11 dhe se, sipas tyre, nxënësit i përkisnin një shkolle që zhvillon mësimin pasdite, pra nuk ishin në mësim në momentin që po zhvilloheshin nderimet.

 

 Nderimi me grusht/ Majko: Është simbol i bashkimit kombëtar, e ka bërë edhe ambasadori amerikan

Pas reagimeve të shumta, si nga klasa politike ashtu edhe nga qytetarët lidhur me nderimin me grushtin lart të deputetit socialist Pandeli Majko e disa qytetarëve në ditën e 5 majit, ish-kryeministri i vendit shprehu dje qëndrimin e tij. Sipas Majkos, nderimi me grusht është simbol i bashkimit kombëtar kundër pushtuesve, gjë të cilin, pohoi ai e ka bërë edhe ish-ambasadori amerikan Frouik. “Për ata që çuditen pse kam ngritur “grushtin” në varrezat e dëshmorëve, u them shkurt se ai ishte simboli i bashkimit kombëtar kundër pushtuesve të vendit. Ata që ranë e kishin simbol të përpjekjes në të cilën dhanë jetën. Mirënjohje në kujtesën time zë sot ambasadori amerikan dhe miku im Frouik që në festen e çetës së Gore-Oparit përshëndeti me grushtin lart veteranët e LANÇ-it. Nuk na bën komunist përshëndetja miqtë e mi, ashtu si opozitën nuk e bën “të djathtë” diskutimi për tema të tilla”, – shkruante Majko në reagimin e tij.

 

 Homazhet e 5 majit/PD: Mazhoranca përbalti shqiptarët me nderimin e figurës së Enverit dhe simboleve të tij

 Përpjekjet e përsëritura të mazhorancës së majtë për risjelljen në vëmendje të figurës së diktatorit Enver Hoxha janë një përbaltje dhe fyerje ndaj dhjetëra mijëra qytetarëve që kanë vuajtur nga regjimi komunist. Ky ishte qëndrimi që mbajti dje Partia Demokratike ndaj ngjarjeve të ndodhura në homazhet për dëshmorët, ku zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, theksoi se provokimet e dyshes Rama-Meta me foton e Enverit dhe grushtet lart ishin të papranueshme. “Nderimi i figurës së Enverit dhe simboleve të tij janë një fyerje dhe përbaltje e kujtimit të dhjetëra mijë shqiptarëve të persekutuar, të internuar, të burgosur të dënuar me vdekje, të pushkatuar pa gjyq. Dyshja Rama-Meta po shfrytëzojnë çdo rast, në mënyrë të përsëritur, për të rehabilituar dhe rikthyer figurën e diktatorit më të egër të Lindjes”, – tha ajo. Më tej, zëdhënësja e PD-së theksoi se forca më e madhe opozitare në vend e dënon ashpër vijën politike të mazhorancës së majtë. “Ne i kërkojmë dyshes Rama-Meta të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga provokimi i qytetarëve shqiptarë me kujtimet më të këqija të së kaluarës, me plagën më të dhimbshme të shoqërisë sonë. Mazhoranca e majtë, Rama dhe Meta, le ta mbajnë idhujtarinë e tyre për Enverin në dhomën e gjumit dhe të mos guxojnë ta bëjnë pjesë të protokollit dhe të skenës publike, vetëm e vetëm pse aktualisht qeverisin vendin”, – deklaroi Vorpsi. Dy ditë më parë, në kuadër të ditës së dëshmorëve, përfaqësues të mazhorancës së majtë kanë përshëndetur dhe kanë nderuar me grusht, ndonëse e kanë cilësuar këtë gjest si një shaka. Një ndër këto figura ishte dhe Pandeli Majko, deputet i Partisë Socialiste, i pranishëm së bashku me banorë të Tiranës e zonës së tij elektorale në homazhet tek Varrezat e Dëshmorëve. Ai ka nderuar edhe me grushtin komunist, ashtu siç kanë bërë qytetarët që e shoqëronin, për dëshmorët. Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, duke bërë homazhe në Berat, u përkul para një lapidari, ku ishte vendosur edhe fotoja e Enver Hoxhës. Naço tha më pas se nuk e kishte parë foton, por ishte ulur në nderim të Kristaq dhe Margarita Tutulanit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency