Grabitja e biznesmenit/ “Hajduti i pamaskuar i kërkoi babait lekët duke qeshur”

0
152

 Anxhela Tato

 

Genti Meraj: Një makinë e parkuar po priste grabitësin, qëlloi në ajër dhe i mori çantën babit

 Identikiti i autorit të krimit nga biznesmeni Hajredin Meraj, djalë i gjatë, zeshkan me një kapele në kokë

pika e skrapit 3 “Një djalë me motor i kërkoi babit lekët. Në fillim babi e mori si shaka, por kur i nxori armën dhe qëlloi në ajër, u detyrua t’i jepte çantën. Hajdutin po e priste një makinë e parkuar, me të cilën u largua”, – tregon Genti Meraj, djali i biznesmenit të pikës së mbledhjes së skrapit në Kamëz. Kanë kaluar vetëm katër ditë nga njoftimi i grabitjes së 650 mijë lekëve të reja, ndërsa policia po vijon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Për herë të dytë Hajredin Meraj bie pre e grabitësve, por këtë herë atij iu morr një sasi e madhe lekësh në afërsi të banesës. Ishte pasdite kur Hajredin Meraj po kthehej në banesë dhe në momentin që ishte tek rruga “Silvio Berluskoni”, i afrohet një djali i ri, zeshkan, me kapele në kokë. I pamaskuar, i riu i kërkon që t’i jepte lekët, duke nxjerrë armën “Kallashnikov” dhe duke shtënë në ajër. Vetëm në momentin që largohet biznesmeni vuri re se hajdutin po e priste një makinë. Djali i biznesmenit tregon se ata ishin pak metra larg babait në momentin kur ndodhi ngjarja. “Kishim mbyllur punën dhe ecëm përpara babait, ai po vinte avash-avash. Në momentin që ndodhej tek kryqëzimi tek rruga “Berluskoni” i afrohet një djalë me motor. Sipas përshkrimit që i bëri babai, ai ishte i pamaskuar, i gjatë dhe zeshkan, në kokë mbante një kapele. Sapo i afrohet i kërkon babait që t’i japë lekët. Babi kishte menduar mos ishte ndonjë i njohur dhe i kishte qeshur duke e marrë si shaka, por në këto momente grabitësi ka nxjerrë armën kallash që e mbante të fshehur dhe ka qëlluar në ajër. Babi është trembur dhe ai i ka marrë çantën, ku ndodheshin rreth 6 milionë lekë. Grabitësi nuk ishte vetëm, atë po e priste një makinë dhe babi këtë gjë e kishte konstatuar vetëm pasi ai ishte larguar. Erdhi në shtëpi dhe na tregoi se çfarë kishte ndodhur. U njoftua policia dhe babai u mor në pyetje për çka kishte ngjarë. Është hera e dytë që biznesi ynë grabitet. Para disa muajsh, teksa babi ishte duke mbyllur punën, është afruar një djalë dhe ka marrë një çantë ku ndodheshin vetëm dokumentet. Po presim nga policia që të zbardhë ngjarjen, pasi autorin e grabitjes së parë e arrestuan”, – rrëfimi i Genti Merajt.

 

Hetimet

Një person i armatosur ka vjedhur nën kërcënimin e armës 650 mijë lekë të reja që ishin në çantën e pronarit të një pike skrapi në Kamëz. Policia e kryeqytetit tha se grabitësi ka qëlluar me armë në ajër, më pas nën kërcënimin e automatikut i ka kërkuar 53-vjeçarit me inicialet H. M. çantën ku ndodhej shuma prej 650 mijë lekësh të rinj. Siç mësohet nga uniformat blu, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:40 të ditës së diel, 4 maj, në rrugën “Silvio Berluskoni” në Kamëz. Policia lokale ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, sapo janë lajmëruar në telefon nga pronari i biznesit. Në lidhje me këtë ngjarje, është ngritur një grup hetimor, ku veç specialistëve të komisariatit që ka nën administrim zonën, bëjnë pjesë edhe oficerë të sektorit të Vjedhjeve me Armë në Policinë e Tiranës. Është marrë në pyetje edhe biznesmeni të cilit i është grabitur shuma e parave. Ky i fundit ka dhënë një përshkrim të personit që i ka grabitur çantën me shumën e parave brenda. Gjithashtu, janë marrë edhe dëshmitë e disa personave të tjerë të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin kur ka ndodhur grabitja. Uniformat blu kanë organizuar disa kontrolle nëpër zonën e Kamzës për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve. Për këtë qëllim janë ngritur edhe disa postblloqe, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk është bërë i mundur ndalimi i ndonjë personi të dyshuar. Gjatë mbledhjes së provave, uniformat blu kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë kalibër 7.62 mm, që dyshohet se është qëlluar nga një armë e llojit “Kallashnikov”. Ndërkohë, policia është duke kryer hetimet e nevojshme për kapjen dhe identifikimin e hajdutit.

 

 Tiranë/ Tentoi të vriste policin, pranga të kërkuarit Zhënklaudjo Sallaku

 Policia e Tiranës arreston Zhënklaudjo Sallakun, i cili akuzohet se në muajin mars ka tentuar të vrasë një punonjës policie. Sipas burimeve policore, mësohet se Sallaku, 19 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar ditën e djeshme nga sektori i Kërkimit në afërsi të rrugës “Siri Kodra”. Ky shtetas është shpallur në kërkim, pasi më datë 29.3.2014, rreth orës 15:45 në rrugën “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me shokun e tij, pasi kishin kryer një vjedhje, në tentativë për t’u larguar nga vendi ngjarjes kanë tentuar të vrasin punonjësin e policisë, shtetasin Rasim Dogjani, duke e përplasur me motor dhe më pas janë larguar. Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprën penale të “Vrasje në rrethana cilësuese mbetur në tentativë” dhe “Vjedhje me dhunë në bashkëpunim”. Burimet policore shpjegojnë se ngjarja e ka zanafillën kur dy personat që udhëtonin me motor, kanë tentuar të grabisin një grua në zonën e ish-Bllokut, e cila sapo kishte dalë nga dyqani. Ajo ka marrë në telefon sallën operative dhe kjo e fundit ka njoftuar patrullat e policisë. Autorët e grabitjes kanë kaluar nga zona e Bllokut, drejt stadiumit “Qemal Stafa”. Aty janë ndeshur më një postbllok policor, të cilët i kanë bërë me shenjë drejtuesit të mjetit që të ndalet, por ka ndodhur e kundërta. I dyshuari për grabitje i ka dhënë motorit me shpejtësi, duke aksidentuar njërin prej efektivëve të policisë. Ata e kanë thyer postbllokun dhe kanë vijuar rrugën. Sapo kanë hyrë te zona e Pazarit të Ri, janë ndeshur me pengesën e dytë. As në këtë rast ata nuk janë ndalur, por kanë aksidentuar efektivin e dytë. Dogjani dhe Goduni janë dërguar me urgjencë drejt spitalit, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Gjithashtu, në aksidentin e që ndodhi te Pazari i Ri, personat që lëviznin me motor janë rrëzuar. Ata e kanë lënë motorin tip “Yamaha” në vendin e ngjarjes dhe janë larguar në këmbë.

 

Aksidenti/ Përplaset makina me motorin, plagoset një person

 Një person ka mbetur i plagosur në një aksident pasditen e djeshme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 në zonë pranë Kodrës së Priftit. Sipas policisë, një automjet me targë TR 3749 M dhe një motoçikletë me targë AI 909 janë përplasur me njëra-tjetrën dhe për pasojë një person ka mbetur i plagosur. Ai është nisur menjëherë në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.

 

Peshkopi/ E zë korenti, vdes punonjësi i nënstacionit elektrik

 Një punonjës i nënstacionit elektrik të Peshkopisë ka humbur jetën, pasi e ka zënë korenti teksa punonte, mëngjesin e djeshëm. Mësohet se 55-vjeçari Haxhi Lleshi ka rënë në kontakt me rrymën elektrike. Bëhet me dije se Haxhi Leshi ishte elektricist në nënstacionin në Peshkopi. Ai u dërgua mëngjesin e djeshëm me urgjencën e spitalit të Peshkopisë, por nuk ia doli dot mbanë, duke humbur kështu jetën. Policia e këtij qyteti ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency