Trafiku i drogës/ Basha: Informacione dhe dëshmi të reja për kamionë e avionë, urgjent hetimi në Komision  

0
90

Gëzim Saliu

 

Kreu i PD-së: Krimi dhe narkotrafiku drejtojnë rendin, s’bëhet dallimi ku mbaron karteli e ku fillon qeverisja

 “Informacionet për trafikun e drogës i kemi ne, i ka qeveria si edhe partnerët e Shqipërisë”

Basha ne grup Kur kanë kaluar 10 ditë nga votimi në Parlament për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e akuzave për trafikun e drogës, opozita kërkon me ngulm fillimin e punës së tij. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryetari Basha theksoi se ka informacione dhe dëshmi të reja që raportohen edhe nga partnerët e vendit, lidhur me rrugët e transportit të drogës drejt pikave të grumbullimit. “Njoftime të reja vijnë, informacione të reja dalin, denoncime të freskëta po depozitohen, indice të reja po raportohen nga burime zyrtare të brendshme, nga partnerët tanë që punojnë bashkë me shqiptarët për rendin, sigurinë dhe demokracinë në këtë pjesë të rajonit, të gjitha këto të mbështetura edhe me dëshmi të reja okulare të dhjetëra e qindra qytetarëve shqiptarë që po dëshmojnë me kurajo, përkundër kërcënimeve, për rrugët e transportit të drogës drejt pikave të grumbullimit, për kamionët, gomonet dhe avionët e drogës. Këtë informacion që sa vjen e bëhet kapicë e kemi ne, e ka pala qeveritare, e kanë partnerët tanë”, – tha kreu i PD-së. Në këtë kontekst, Basha bëri të ditur kërkesën e opozitës për emergjencën e ngritjes dhe fillimit të punës së Komisionit Hetimor për trafikun e drogës. “Të ngrihet komisioni dhe të fillojë menjëherë nga puna! Kjo është kërkesa jonë, kjo është thirrja jonë dhe kryefjalë e aksionit tonë opozitar gjatë kasaj jave dhe në ditët në vazhdim”.

 

Rendi dhe krimi

Sipas kreut të opozitës, debatet e fundit për drogën treguan qartë se akuzat e të djathtëve nuk ishin të mbështetura mbi trillime por fakte. “Nuk është e vërtetë se jemi ngutur, por jemi vonuar për shkak të përpjekjeve dhe pengesave të qeverisë për ta bërë qesharak dhe të paqenë fenomenin, derisa u detyrua përballë fakteve të pakundërshtueshme të pranonte se kishte informacion. Vetëm një kryeministër dhe një qeveri dorëbrenda mund të sillen siç u soll Rama dhe qeveria e tij ndaj një çështje me ndjeshmëri kaq të lartë kombëtare e ndërkombëtare”, – theksoi Basha, duke theksuar se kurrë si më parë situata duket alarmante. “Kurrë nuk ka ndodhur që vendi të shfaqet në radarët e partnerëve tanë si një kartel i drogës me kufij fluidë, ku nuk dallohet ku mbaron karteli e ku fillon qeverisja, apo anasjelltas”, – pohoi kreu i demokratëve. Në këtë kontekst, Basha bëri thirrje ndaj deputetëve demokratë që të jenë në këmbë për të siguruar e garantuar sundimin e ligjit e të demokracisë në vend të ligjit të xhunglës dhe parave të pista. “Shpërthimi i narkotrafikut ka si anë të pasme të medaljes përkeqësimin e vazhdueshëm të gjendjes së rendit dhe sigurisë publike në tërësi. Nuk mund të ndodhë ndryshe, sa kohë që ministri dhe kupola e tij e Policisë së Shtetit kanë dhënë prova se e kanë një punë të dorës së fundit çështjen e sigurisë publike. Komisioni hetimor për drogën ka një mision të madh; të hetojë gjithë informacionet për implikim të kupolës në trafikun e lëndëve narkotike, të ndajë njëherë e mirë drogën nga sheqeri, krimin me uniformën e shtetit nga antikrimi”, – u shpreh kryetari i PD-së Lulzim Basha.

 

Legalizimet falas/ Kreu i PD-së: Mazhoranca ka ngecur keq, minarja s’futet dot në thes. Faktojmë mashtrimin

Një ndër përparësitë e opozitës për punimet e kësaj jave në Kuvend do të jetë edhe projektligji për legalizime falas, ku lidhur me të kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha se qeveria ka ngecur keq me premtimet e saj boshe. “Kanë ngecur keq në premtimin e tyre të legalizimeve falas, që do të jetë kësaj jave në fokus të veprimtarisë tonë opozitare, për të treguar me fakte konkrete, në dritën e projektligjit të tyre për legalizimet, mashtrimin e madh të Edi Ramës gjoja për legalizime falas. Minarja nuk mund të futet në thes dhe këtë javë çdo përpjekje për ta futur në thes do të dështojë.Oligarkia Rama-Meta u ka hyrë njëherë në hak shqiptarëve duke i gënjyer me premtime boshe një pjesë të së cilave i braktisi që të nesërmen e zgjedhjeve. Ora e llogaridhënies për gënjeshtrat dhe mashtrimet po troket. E dinë edhe ata vetë”, – deklaroi kreu i opozitës Lulzim Basha.

 

5 Maji/ Vizita në familjet e dëshmorëve, Basha: S’ lejojmë tradhtimin e idealeve të demokracisë e lirisë

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar dje homazhe tek varrezat e dëshmorëve, në nderim të të rënëve për liri. Në homazhet e zhvilluara në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit kanë marrë pjesë dhe ish-kryeministri Sali Berisha, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, kryetarë të njësive bashkiake të Tiranës, veteranë të luftës e qytetarë të shumtë. Sipas Bashës, në këtë ditë, shqiptarët nderojnë të gjithë ata bij dhe bija që dhanë jetën për lirinë, dinjitetin kombëtar dhe demokracinë. “Sot, 70 vite pas përfundimit të luftës antifashiste, duke nderuar të rënët e kësaj lufte, kujtojmë gjithashtu se u deshën dekada të tëra që idealet për të cilat ata u flijuan të jetësoheshin, do të duhej një kohë edhe më e gjatë, për të përfunduar ëndrrën e lirisë kombëtare, me çlirimin e Kosovës dhe garantimin e dinjitetit të shqiptarëve anembanë trojeve të tyre stërgjyshërore”, – tha ai. Më tej, kreu i opozitës theksoi se duhen akoma përpjekje, në nderim të sakrificës së dëshmorëve për konsolidimin e idealit të demokracisë, lirisë dhe dinjitetit individual të shqiptarëve. “Ndaj detyra jonë sot nuk është vetëm të kujtojmë e të nderojmë sakrificën e tyre por të bëjmë çdo përpjekje për të mos lejuar te tradhtohen këto ideale, duke i shërbyer kauzës së lirisë, dinjitetit, demokracisë, shtetit ligjor dhe duke çuar përpara ëndrrën e tyre për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe evropiane. Lavdi dëshmorëve të kombit, i paharruar, kujtimi i tyre!” Po ashtu dje, Basha ka zhvilluar vizita në familjet e dëshmorëve të atdheut dhe demokracisë, të rënë në luftën për lirinë e Shqipërisë, Muharrem Alla dhe Sefer Ismail Imeri. Një homazh të veçantë Lulzim Basha u ka kushtuar dje dhe heronjve të demokracisë, ku u ndal në familjen e Azem Hajdarit, lider i Lëvizjes së Dhjetorit, “Pishtar i Demokracisë”. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka rivendosur pllakatën në vendin ku më 6 mars 1991 u vra 14-vjeçari Spartak Deliu. Si të gjithë të rinjtë tiranas, ai kishte dalë në shesh për të protestuar kundër regjimit komunist, i cili nuk e kurseu jetën e tij të re, duke u vrarë në zemër të Tiranës. “Sot, si kryetar i Bashkisë së Tiranës kam kënaqësinë që së bashku me prindërit e Spartak Deliut, familjarët, vëllain e tij dhe me qindra qytetarë të Tiranës, të rikthejmë në këtë vend shenjën e përkujtimit të Spartak Deliut, shenjë e cila u zhduk pas vitit ’97 dhe që ndodhet sot këtu, i ringritur nga Bashkia e Tiranës. Sot, përulem me nderimin më të madh para dëshmorëve të demokracisë, para më të rinjve mes tyre, siç ishte Spartak Deliu, 14 vjeçari i përjetshëm dhe u bëj thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë, që duke përkujtuar dëshmorët e rinj të demokracisë të japin maksimumin e tyre, për të mbrojtur e çuar përpara këto vlera”, – tha ai, duke shtuar se është detyre e të rinjve, opozitës dhe e të gjithë qytetarëve së bashku për të çuar deri në fund idealin e demokracisë evropiane.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency