Regjimi makabër që internonte edhe kufomat     

0
210

Nga Shpendi Topollaj

shpendi topollaj Kur shkrimtari i talentuar Marçel Hila më tregoi se po shkruante një roman për historinë e dhimbshme të pasçlirimit, të familjes së mikut tonë të përbashkët, gazetarit dhe kritikut të njohur Kostaq Xoxa, natyrisht që u gëzova; por, për të qenë i sinqertë, edhe e pata zili atë që shpejtoi ta trajtonte artistikisht këtë ngjarje për shumëkënd të pabesueshme dhe që çdo shkrimtar do ta dëshironte për penën e tij.

Kisha pandehur se, duke shkruar një artikull entuziast kritik për librin me kujtime të babait të tij, deputetit të nderuar dhe intelektualit e gazetarit të shquar Zoi Xoxa, e kisha kryer detyrën. Më kishte mahnitur jo vetëm kultura e tij sipërore, por edhe dashuria e paanë për atdheun e vet, gjë që e vërteton edhe puna heroike dhe pa asnjë interes për hartimin e fjalorit voluminoz, ende të pabotuar. Madje, nuk kisha lënë pa përmendur edhe bindjen e tij, kur senatori me autoritet, Mandresku, i kishte propozuar që të merrte nënshtetësinë rumune dhe ai i ishte përgjigjur: “Shkëlqesë, do të ishte një nder i madh për mua të isha një qytetar rumun, një qytetar i një kombi të madh me një histori të lavdishme, por unë kam lindur në Shqipëri. Atje i kam të gjallët dhe të vdekurit. Për atë vend dua të punoj dhe të luftoj. Atje dua të rroj dhe të vdes”.

Dhe më tej, ai nuk ngurron të shpërfaqë kredon e tij: “E quajta një tradhti të ndërroja nënshtetësinë, cilido regjim të ishte në Shqipëri, qoftë dhe ai i Neronit”.

Po si mund ta dinte ky burrë se plot dy mijë vjet më vonë nga djali i Domiciusit dhe i Agripinës, i adaptuar nga perandori romak Klod, do të sundonte në Shqipërinë e vogël dhe për të zezën e saj, një i pabesë e shpirtmizor si Enver Hoxha, i lindur nga një grua e zakonshme që shuante epshet me bimbashin dhe që, me prapësitë e tij, do t’ia kalonte Neronit dhe Kaligulës, të marrë së bashku. Se fundja, në qoftë se Kaligula vrau veten fare i ri dhe Neroni gjithashtu e pati jetën e shkurtër, pasi u detyrua të vetëvritej dhe ai, pas rebelimit të ushtrisë me gjeneralët Gulben dhe Gali, ky Neroni ynë jetoi gjatë derisa, i lodhur nga krimet ndaj kundërshtarëve, preu edhe kokat e gjeneralëve të ushtrisë së tij që, e verbuar, e adhuronte si perëndi.

E, pra, vetëm pse kishte pasur një vilë aty ku udhëheqja e re komuniste, fodulle dhe e vetëkënaqur nga fitorja, vendosi të ngrinte parajsën e saj ai, i përbuzuri, provoi tmerret e shpronësimit, të përbuzjes, të poshtërimit e deri të internimit. Ajo shtëpi qe ndërtuar me djersën e ballit dhe me fitimet nga puna e ndershme e tij; por kush nuk donte t’ia dinte. Aty, si në shumë nga ato shtëpi me oborr me kangjella, ku gjelbëronte jargavani e shermasheku, tani e tutje do të banonte një i zbritur nga mali, me familjen e tij.

Marçel Hila, tani autor i disa romaneve të suksesshme, pra, duke pasur në favor përvojën e tij, midis këtyre dy familjeve heq një paralele, në të cilat, me figura groteske dhe të vërteta të hidhura që mbërrijnë në caqet e sarkazmit dhe të satirës therëse, bien në sy menjëherë dallimet dhe kontrastet e dy botëkuptimeve, dy kulturave dhe dy mënyrave të të jetuarit. I mençuri dhe i dituri, pra njeriu me vlera, ka nisur të ulë kokën, kurse brashnjari injorant ka filluar të kapardiset dhe ta shohë “burgjezin” me përbuzje. Ai ka vënë ca grada mbi supe dhe mban një kobure në brez, ka mësuar përmendësh nja dy fjalë të mëdha dhe… o burra t`i biem! “Nashi jemi na zot këtu. Këta… në hale të gomerëve!” I njeh këto deri diku çdo revolucion. Dhe kjo është e trishtueshme. Por akoma më i trishtueshëm bëhet ky qëndrim barbar, kur vazhdon gjatë dhe vjen duke u ashpërsuar nga dita në ditë. Tani del në plan të parë diçka e panjohur më parë: lufta e kllasave. “Se s`jemi më si këmbët e dhisë. Mjaft na rropën këta me kravata. Tani e kemi radhën na”.

Dhe nuk flitet më për të drejta njerëzore. As për ndjenja. As për mëshirë.

E kjo duket fare qartë kur Zoit dhe gruas së tij të mirë, Elenit, u vdes djali i madh, Muzaka, që dergjej prej disa kohësh, pikërisht ditën që kishte ardhur urdhri për t`u nisur në internim. Djali tjetër që është gjimnazist, Kostaqi, është në aksion për ndërtimin e hekurudhës, në Golem. Me lot në sy e shpirt të copëtuar, prindërit kërkojnë pak kohë sa për të varrosur të birin, por jo! Duhet të shporren menjëherë dhe, bashkë me ca nga plaçkat e tyre, le ta marrin dhe djalin e vdekur atje sipër skarës së karrocerisë së një veture private, siç mund të gjendej në atë kohë.

Por edhe Kostaqit nuk i japin leje ata të komandës së aksionit. “I ke sytë në ballë ti!? Rron me situatën apo jo? Ku na rreh ne e ku ty! Qenke fare pa ndërgjegje derisa nuk ke parasysh realizimin e planit. Ja, këto janë mbeturinat e së shkuarës”.

Vajton i shkreti djalë dhe i bie kazmës me duart që i dridhen. Po kujt t`ia qajë hallin? Vae soli – thoshin romakët e vjetër. Mjerë ai që është i vetëm. Ai tani e kupton se kjo është fryma që ideuan dhe përhapën, në emër të proletariatit, të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit, si edhe Titos e shejtanit Enver Hoxha, Koçi Xoxja e kriminelët e tjerë frymë që, me sa duket, do t’i merrte frymën këtij populli për një kohë të gjatë.

Dhe vijojnë peripecitë e përshkruara aq bukur dhe me aq ndjenjë nga Marçeli. Andrallat e varrimit të kufomës, s`kanë të mbaruar. Ato gati-gati bëhen folklorike, për të mos thënë mitike, aq sa edhe lexuesi preket dhe është gati të marrë pjesë në atë dhimbje. Por gjithsesi, ky autor nuk bie në atë sentimentalizmin e njohur të fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, që, i lindur në Angli, pasqyronte ndeshjen e borgjezisë e cila po rritej e forcohej kundër feudalizmit të tejkaluar dhe që gjejnë pasqyrim te veprat e Goldsmithit, Sternit, Prevoit e Rusoit me shokë.

Në romanin e Marçel Hilës “Internimi i kufomës”, krahas dhimbjes, ka revoltë, por edhe thirrje për të mos harruar, gjë që fare mirë po e kryen këtë detyrë Kostaqi, që, me penën e tij të mprehtë, duke ecur në gjurmët e babait të tij, denoncon çdo ditë krimet e komunizmit nëpër gazeta, duke i bërë kështu një shërbim të vyer atdheut dhe së ardhmes evropiane të tij.

Dhe kur pashë se sa mjeshtërisht e ka realizuar edhe Marçeli këtë synim, zilia që pata për trajtimin e kësaj teme nga ai, m`u shndërrua në respekt edhe më të madh për të.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency