Diskutimet/ Reforma në arsimin e lartë, pedagogët kundër: Cenohet autonomia e universiteteve  

0
180

Artan Fuga: Unë e kuptoj shumë mirë qeverinë për të rritur buxhetin, duke përfshirë edhe biznesin, por nuk mund të përfshihet në menaxhim një personalitet që nuk i përket fushës specifike

5367894634aabQë në nisje të debatit publik për diskutimet e reformës në arsimin e lartë, pedagogët kanë kundërshtuar draftin e Ministrisë së Arsimit. Gjatë një tryeze diskutimi, pedagogët e gazetarisë, por edhe të departamenteve të tjera në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë janë shprehur se modeli anglosakson cenon autonominë e universiteteve. Është e patolerueshme, sipas pedagogëve, që në universitete të përfshihen njerëz nga bizneset apo edhe të emëruar që do të kontrollojnë mënyrën e organizimit të aktiviteteve në universitetet publike. “Në draft thuhet se në qoftë se kemi një të mirë publike, nëse është shteti që financon një pjesë shumë të madhe, atëherë edhe kjo e mirë menaxhohet nga njerëz të emëruar. Pjesa e administruar me rroga që të mos jenë pedagogë dhe drejtues, por të paguhen me rroga fikse, mundet që të mirën publike ta menaxhojnë mirë, kurse trupa të tërë pedagogjike të cilat edhe ato përfaqësojnë të mirën publike dhe janë njerëz publikë, me status publik, nuk e bëjnë dot”, – tha Artan Fuga, shef i departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjis. Më tej, Fuga u shpreh se në studimet master kalojnë njësoj si një student që mbaron me mesatare 5 dhe një student me mesatare 9. “Thuhet që janë hedhur para dhe në të vërtetë janë hedhur, por si mund të ketë meritokraci në momentin që një student i cili mbaron bachelor me mesatare 5, kalon në master njësoj me një student me mesatare 9. Pjesa më e madhe e studentëve, rreth 80% të tyre, nuk punojnë në profesionet që kanë mbaruar”, – theksoi Artan Fuga gjatë tryezës së diskutimeve për reformën në arsim.

 

Pedagogët

“Ka futur sistemin e menaxherëve, kjo e vërtetë është çudi shumë e madhe. Kishim një drejtues i mirë i keq. Ai ishte një drejtues që merrte një vendim. Tani çfarë bëhet, vihet një linjë paralele dhe me këtë linjë paralele praktikisht ne do të kuptojmë që s’do të merret vesh se kush ka të drejtë dhe si do të merret vendimi”, – tha Aleksandër Kocani, pedagog në Universitetin e Tiranës. Drafti për arsimin e lartë do të diskutohet nga të gjitha fakultetet e universiteteve publike, ndërkohë që më pas do të ketë një raport të dytë final, i cili do të jetë edhe drafti i ri për arsimin e lartë.

 

Drafti

Drafti i grupit të punës për reformën në arsimin e lartë parashikon një sërë ndryshimesh radikale, duke filluar që nga ndryshimi i kritereve për t’u futur në universitet deri te heqja e programeve të studimit me kohë të pjesshme. “Vendoset një notë mesatare dysheme, (6 fillimisht, kriter i cili mund të rishikohet me kalimin e kohës gjatë zbatimit të reformës, me qëllim rritjen e këtij pragu brenda 3 viteve pasardhëse në 7), si kriter kombëtar për hyrjen në testim në programin bachelor të organizuar nga IAL. Të ndalohet ndjekja e njëkohshme dhe regjistrimi i çdo studenti në më shumë se një program studimi, referuar të gjitha cikleve. Kjo të arrihet me akte normative dhe nëpërmjet sistemit të matrikullimit. Të mbyllet sistemi i studimeve me kohë të pjesshme për të gjitha ciklet dhe programet e studimit si në IAL-të publike edhe ato private. Ky sistem ligjërisht u jep studentëve të njëjtën diplomë me sistemin me kohë të plotë, pa asnjë dallim në standardet e përdorura në procesin e vlerësimit dhe akreditimit. Studentët mund të futen në të lehtësisht, pa kritere përzgjedhëse, pa u shpallur fitues, bazuar në sistemin e maturës shtetërore, me mesatare minimale, pa kuota të studiuara në raport me nevojat e tregut dhe vendit”, – parashikohet në draftin e përgatitur nga grupi i punës.

 

 Komisioni i Ligjeve/ Deputetët e LSI-s kundër draftit për arsimin e lartë, Vasili largohet në momentin e votimit

Ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë kanë sjellë debate të ashpra në Komisionin e Ligjeve. “Projektligji parashikon ndryshime në nenin 5 dhe 6, të cilat konsistojnë në riorganizimin në pikëpamjet arsimore dhe të autoriteteve drejtuese të institucioneve arsimore, duke përfshirë departamentin si strukturë shumë të nevojshme në organizimin e institucionit të arsimit të lartë. Duke marrë parasysh veçantinë e shërbimit, me varësi të dyfishtë dhe rëndësinë e funksionimit normal të shërbimit për të ofruar një shërbim shëndetësor cilësor, por edhe mësimdhënie bashkëkohore, projektligji ka parashikuar që mënyra e organizmit të shërbimeve si dhe kriteret e përzgjedhjes së përgjegjësive të shërbimit të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të ministrit përgjegjës për shëndetësinë”, – drejtori i Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Arsimit, Erzen Tola. Gjatë diskutimeve “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, u shpreh se këto ndryshime nuk sjellin risi. “Asgjë e re nuk i vjen shërbimit as në dobi të popullatës, as në dobi të saj, sepse praktikisht nuk ka që ndërtohet një shërbim i ri, pra do të thotë një shërbim i munguar. Nuk ka ndonjë thelb të ri se cilat janë ato kritere, të cilat janë të veçanta, s’kanë qenë më parë dhe futen tani, të cilat rrisin shkallën e përzgjedhjes së një shefi edhe e bëjnë këtë që të jetë shumë më superior nga ana akademike, por edhe nga ana e shërbimit. Jemi po në të njëjtën rutinë. Kriteret nga një përzgjedhje kolegjiale që kalonte dy filtra, kjo përzgjedhje e miratuar që i jepet në dorë një personi është kundër rrymës. Nuk është një përzgjedhje as kolegjiale, as pozitive dhe krijon atë klientelizëm përreth një figure të caktuar të mjekësisë të cilës nuk i duhet”, – u shpreh Petrit Vasili. Deputeti i PD-së, Oerd Bylykashi, u shpreh kundër ndryshimeve, duke deklaruar se ato do të shtojnë konfuzionin. “Ndryshime të shpeshta në ligj nuk janë gjë tjetër veçse shkaktojnë konfuzion. Janë ato që edhe Gjykata Kushtetuese i konsideron si cenuese të sigurisë juridike. Konfuzioni që shkaktojnë ato tek ata që do të zbatojnë ligjin, qoftë duke përfshirë edhe çështjen e mandateve, pavarësisht se si janë krijuar, vetëm shton konfuzionin”, – tha Bylykbashi. Drafti është miratuar në parim në Komisionin e Ligjeve, por ajo që ra në sy ishte largimi i deputetit të LSI-së, Petrit Vasili, vetëm pak momente para votimit të projektligjit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency