Debate tek Komisioni i Ligjeve/ Rikthehen akuzat për “serverat e Tatimeve”, Ristani e Braho përplasen tek Ligjet

0
99

Florenc Drizari

 

Braho: Çefa ka bërë batërdinë tek AKKP-ja, të hetohet veprimtaria e tij

 Ristani: Zotërisë që i djeg, tregon që miza nën kësulë po i lëviz nga kjo punë

 Komisioni-i-Ligjeve (1)Çështja e ndërhyrjeve në serverat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve rikthehet sërish në fokus të debateve parlamentare. Gjatë shqyrtimit të projektligjit  “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar”, deputetët e pozitës dhe të opozitës rikthyen çështjen e serverave të Tatimeve. Fillimisht ishte deputeti i LSI-së, Spartak Braho, i cili ngriti akuza në drejtim të ish-kreut të AKKP-së, Elvis Çefa, duke deklaruar se kalimi i tij nga kjo agjenci në postin e nënkryetarit të KLD-së u bë për shkak të shkeljeve të kryera në këtë agjenci. Sipas Brahos, veprimtaria e Çefës në AKKP duhet rishikuar dhe i kërkoi drejtores së re, zonjës Qato, që t’i bëjë këto mbikëqyrje.

“Në thelb duhet ndryshuar ligji nga e para sepse në thelb ne nuk kemi pasur agjenci të kthimit dhe të kompensimit të pronave, ne kemi pasur agjenci të vjedhjes së pronave. Një agjenci të cilën Elvis Çefa ka bërë batërdinë. Ka kthyer dhe ka kompensuar pronat e tija, të shokëve të tij dhe shumë shpejt letrat e tij do të hapen. Kjo është arsyeja që Elvis Çefa u lëviz nga drejtues i agjencisë për të mos dhënë llogari dhe vajti nënkryetar i KLD-së.
Do t’ju lutesha si deputet, juve që jeni drejtues të kësaj agjencie që të bëni transparencën e kësaj çështjeje”, – deklaroi Braho. Pas këtyre akuzave reagoi edhe deputeti i opozitës, Arben Ristani, i cili i quajti këto akuza të pabazuara dhe në të njëjtën kohë, kërkoi hetimin e ndërhyrjeve në serverat e Tatimeve. Gjatë një debati të shkurtër që Ristani pati me kryetarin e Komisionit të Ligjeve për faktin se diskutimi i tij ishte jashtë rendit të ditës, deputeti i PD-së tha se do t’u përgjigjej akuzave të pabazuara ndaj njerëzve dhe fenomeneve të caktuara që ngrihen në atë komision. “Nëse ka njeri që akuzohet për vjedhje, janë ata që vodhën serverin e Tatimeve dhe që normalisht duhet të japin përgjigje”, – deklaroi Ristani. Pas këtij qëndrimi rikthehet në sallën e seancave të Komisionit të Ligjeve edhe deputeti Spartak Braho, i cili u largua për pak minuta nga mbledhja e Komisionit duke dalë në hollin e Kuvendit. Deputeti Braho foli edhe për disa filmime të dala në media në momentet kur ai kishte hyrën në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, kohë në të cilën PD kishte ngritur akuza për ndërhyrje të jashtëligjshme në serverat e këtij institucioni. “Kjo çështje është në Prokurori. Skema e mashtrimit dhe vjedhjes në Tatim-Taksat arrin në 200 miliardë lekë dhe shumë shpejt autorët do të vihen para drejtësisë”, – tha Braho. Pas akuzave të Brahos për shpërdorime në Tatime, reagoi sërish deputeti i PD-së, Ristani, i cili argumentoi se në replikën e tij nuk iu drejtua me emër deputetit të LSI-së, por meqë ky i fundit reagoi, ai tha se ka diçka që nuk shkon lidhur me çështjen në fjalë.

Ndërkaq, disa muaj më parë, Partia Demokratike pati denoncuar në Kuvendin e Shqipërisë atë që ajo e ka quajtur ndërhyrje të paligjshme në serverat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke thënë se në këtë drejtori janë vjedhur rreth 4 milionë deklarata tatimore për t’u përdorur më pas si mjet presioni nga qeveria apo segmente të saj. Çështja u ankimua edhe në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që paralelisht me këto zhvillime, prokuroria nisi hetimet.

 

Komisioni Hetimor për serverin e Tatimeve, Kushtetuesja rrëzoi Kuvendin

 Gjykata Kushtetuese rrëzoi disa javë më parë vendimin e marrë në Kuvendin e Shqipërisë për mospranimin e kërkesës së PD-së për ngritjen e një Komisioni Hetimor lidhur me hetimin e zbatueshmërisë në serverat e Tatimeve. Sipas Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën. Përfaqësuesit e opozitës pretendojnë se kërkesa për Komision Hetimor u rrëzua pa shkaqe ligjore dhe se argumenti që për këtë çështje po hetonte Prokuroria, nuk qëndron. Nga ana e tyre, përfaqësuesit ligjorë të Kuvendit argumentuan se Parlamenti nuk mund të ndërhynte në kompetencën e Prokurorisë, e cila kishte nisur hetimin për këtë çështje. Serveri i Tatimeve u bllokua pak muaj më parë duke krijuar probleme për të dhënat e bizneseve. Sipas demokratëve kjo situatë krijoi pasiguri të sipërmarrja dhe krijoi hapësira për evazion fiskal.

 

DEBATET RISTANI – BRAHO PËR NDËRHYRJET NË SERVERAT E TATIMEVE

Braho: Ligji duhet tërësisht i ri, por qeveria ka kërkuar vetëm një vit kohë dhe le t’ia japim këtë mundësi. Në thelb duhet ndryshuar ligji nga e para, sepse në thelb ne nuk kemi pasur agjenci të kthimit dhe të kompensimit të pronave, ne kemi pasur agjenci të vjedhjes së pronave. Një agjenci të cilën Elvis Çefa ka bërë batërdinë. Ka kthyer dhe ka kompensuar pronat e tij, të shokëve të tij dhe shumë shpejt letrat e tij do të hapen. Kjo është arsyeja që Elvis Çefa u lëviz nga drejtues i agjencisë për të mos dhënë llogari dhe vajti nënkryetar i KLD-së.
Do t’ju lutesha si deputet, juve që jeni drejtues të kësaj agjencie që të bëni transparencën e kësaj çështjeje.
Ristani: Do t’u përgjigjem akuzave të pabazuara ndaj njerëzve dhe fenomeneve të caktuara.
Nëse ka njeri që akuzohet për vjedhje, janë ata që vodhën serverin e tatimeve dhe që normalisht duhet të japin përgjigje.
Xhafaj: Zoti Ristani, fokusohuni tek ligji.
Ristani: Atje do të fokusohem, por nuk mund të lejoj që të hidhen akuza të padenja në këtë formë.
Braho: Dola në një moment jashtë kur po fliste zoti Ristani edhe për të përmbajtur pak veten dhe për t’u qetësuar, por edhe për të thënë që e ke gabim. I zoti i shtëpisë nuk vjedh veten e tij.
Ristani: Nuk ju përmenda ju, thashë për ata që vodhën serverat e Tatimeve.
Brabo: Zoti Ristani, zoti i shtëpisë, kam parasysh Drejtorinë e Tatim-Taksave, Ministrinë e Financave dhe unë si përfaqësues i kësaj mazhorance, deputet që lidhet me zbatimin e një skeme të llahtarshme mashtrimi në Tatim-Taksat që qeveria juaj ka qenë në pushtet. Ky është i tërë thelbi i atij kontrolli që ju më keni filmuar mua duke shkuar atje tek zyra dhe harroni se keni vajtuar tek Mziu njëqind herë dhe s’ka thënë njeri pse keni vajtur në burg. Por kjo çështje është në Prokurori. Skema e mashtrimit dhe vjedhjes në Tatim-Taksat arrin në 200 miliardë lekë dhe shumë shpejt autorët do të vihen para drejtësisë.
Xhafaj: Nuk ka replikë, ju lutem.
Ristani: Unë ju thashë që çdo veprimtari kundër ligjit, e mira është që të hetohet dhe të vihen para drejtësisë. Zotërisë që i djeg, hyn dhe del e përmend emrin tim, tregon që miza nën kësulë vërtet që po i lëviz nga kjo punë.
Xhafaj: Zoti Ristani, mos e personalizo debatin.
Ristani: Gabim është që të hyhet në serverin e Tatimeve.
Xhafaj: Mos u besoni të gjithë atyre që keni thënë edhe vetë.
Ristani: Prandaj kemi ngritur Komision Hetimor për të hetuar se çfarë ka ndodhur.
Xhafaj: Dakord, por jo në këtë Komision.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency