Shpirti i fjalës, si trashëgimi

0
188

Shaban Sinani

Botimet “Toena” hedh në qarkullim “Shpirti i fjalës” i akademikut Jorgo Bulo me studime, kërkime, polemika dhe profile në miniaturë. Profile në miniaturë, gjenden 15 portrete dijetarësh e shkrimtarësh, që mund të cilësohen dhe skica minimaliste, shkruar me cilësime të shkurtra e fjalë të kursyera. Ndër to përmendim Nolin, Migjenin, Aleks Budën, Çabejn, Idriz Ajetin, Mahir Domin, A. Kostallarin, S. Luarasin, Anton Pashkun, Ilia Dilo Sheperin, D. Agollin, Dhimitër Xhuvanin, Piter Priftin, Viktor Eftimiun. Janë personalitete që autori i ka njohur për së afërmi…

 jorgo buloMe dy fjalë kaq të thjeshta e të zakonshme, pak dhe figurative, marrë njëra prej vargjeve të Asdrenit dhe tjetra prej një distihu të Firdeusiut, që mirëpresin lexuesin sapo hap librin si një bekim dhe besojmë e autorit, Jorgo Bulo pagëzon librin e tij të fundmë me studime për dukuri, zhvillime, personalitete dhe vepra të trashëgimit letrar shqip prej fillimeve deri në kohët e sotme. Është një libër i shkruar nga koha në kohë, jo si një qëllim më vete, pa ndonjë projekt fillestar, por si një përgjegjësi që kërkuesi ndjen ndaj gjithçkaje që lidhet me punën dhe përvojën e tij, me njohjen, kuptimin dhe shpjegimin e letërsisë.

E para gjë që mund të thuhet duke e lexuar atë është se në këtë libër nuk ka mure, korniza, data që shpesh janë kthyer në njëfarë limitus-i. Me fjalë të kursyera, ashtu si vetë titulli i librit, dhe me kërkesën ndaj vetes për të nyjëtuar mendime origjinale, autori udhëton nëpër shekujt letrarë herë si historian i letërsisë, herë si filolog, herë si kërkues në burime, me kompetencën që i jep zotërimi i argumentit të zgjedhur duke kërkuar të realizojë atë që nuk kanë mundur ta bëjnë të tjerët.

Në pjesën e parë, që bashkon studime e kumtime, gjenden trajtesa shkencore që u kushtohen 27 individualiteteve dhe çështjeve letrare, prej Buzukut dhe Mesharit të tij deri tek pikëpyetjet e proceseve etnoidentifikuese në rrjedhat e kohës së sotme. Në çdo studim ka një pyetje shkencore dhe një përgjigje të argumentuar. Për Mesharin e Gjon Buzukut shërbehen të dhëna të një rendi parësor për të argumentuar se libri i parë shqip u shkrua jo vetëm në pikëpamjen kronologjike pikërisht në vitet kur Koncili i Trentit ishte ndërprerë përkohësisht, kur Reforma nuk kishte përfunduar dhe Kundëreforma nuk ishte autorizuar. Fryma humaniste e lartësimit të gjuhëve vulgare dhe një varg datash që e historizojnë gjithë procesin e shkrimit dhe të botimit të Mesharit, përforcojnë tezën e një përkatësie jo thjesht të supozuar të tij në rrjedhat e letërsive kishtare popullore, pavarësisht se në botën shqiptare kjo nuk u shoqërua dhe me dukurinë e protestanizmit.

Për burimet kulturore të lëvizjes kombëtare vështruar sa përmes veprës, po aq dhe përmes arkivit të Th. Mitkos, ende thuajse të panjohur, që ai vetë u kujdes ta zbulonte dhe ta sillte në Shqipëri katër dekada të shkuara, autori avancon idenë se procesi i përveçimit etnik të shqiptarëve nisi që në shekullin e 18-të. Në vijim me shumë interes është përfundimi se romantizmi përbën shkollën e parë kombëtare letrare, pa përjashtuar zhvillimet pararomantike përgatitëse të këtij procesi homogjenizues.

Në studimin për poezinë shqipe me alfabete orientale lexuesi shkencor gjen fakte e vlerësime të rëndësishme për relativizimin e disa pohimeve të debatueshme rreth vendit të saj në zhvillimet letrare shqiptare, duke përfshirë qasjet krahasuese në rrafshin e motivit me poezinë e disa vendeve të Ballkanit: greke e bullgare. Një vërejtje e mençme në këtë artikull është pohimi se poezia e shkruar me alfabete orientale mori prej botës së Lindjes modele dhe kode ligjërimi, por ruajti ritmet dhe masat që ishin tradicionale në poezinë popullore shqiptare. Duke veçuar e pahësuar vetëdijen e përkatësisë entike-gjuhësore të autorëve bejtexhinj, njëkohësisht vëren se rilindësit i sollën gjuhës shqipe të njëjtin nder, duke e çliruar prej barbarizmave, si kombëtarizimi i gjuhës së liturgjisë prej shkrimtarëve më të vjetër.

Në studimin për De Radën dhe kulturën shqiptare zgjerohet argumenti për rolin e shkrimtarëve romantikë, që e krijuan Shqipërinë e tyre, Shqipërinë e së ardhmes, si një atdhe poetik, shumë kohë para se të krijohej Shqipëria politike vetë. Me të drejtë i njihet pikërisht De Radës dhe Naimit merita e ndarjes së letërsisë shqipe prej traditës së saj si letërsi qëllimore-utilitare.

Për tipologjinë e lirikës së Naim Frashërit Jorgo Bulo ka botuar prej vitesh një studim monografik, me vlera të njohura gjerësisht prej studiuesve, ndërsa në librin e ri fiton vëmendje vetë zhvillimi historik i poemës në letërsinë shqipe, prej novelave morale të bejtexhinjve dhe poemave omilike si Ghiella e Shën Mëriis Virghiër, deri tek tri poema jo aq të njohura e të studiuara të Naimit: Shqipëria, Parrajsa dhe Pellasgët-Shqiptarët. Për Naim Frashërin studiuesi paraqet dhe dy punime të tjera: i pari për ndërthurjen e iluminizmit perëndimor me misticizmën lindore dhe i dyti për përkufizimin tipologjik të poemës Qerbelaja, të cilën ai e njeh si epope heroike religjioze. Me këtë rast bëhen dhe saktësime interesante për lexime të gabuara, të shkaktuara jo prej tekstit të poetit por prej interpretimit të studiuesve, si rasti i masnavisë Filozofì në librin Tehajjylat, gabimisht e cilësuar prej tyre si poezi për filozofin, njeriun që merret me këtë dije. Ndërsa fillimet e Qerbelasë ai i gjen qysh në vëllimin Lulet e verësë.

Me studimin Sami Frashëri dhe kodifikimi i shqipes mund të thuhet se hapet një cikël shkrimesh kushtuar njësisë gjuhësore si nyje përbërëse themelore e identitetit shqiptar. I rëndësishëm për studiuesin është sidomos njoftimi për një fjalor [fjalëtore] të shqipes hartuar prej Samiut, që pohohet në një letër të Jani Vretos, të cilën autori e ka gjetur vetë gjatë kërkimeve në Egjipt, vepër që nuk është zbuluar ende. Çështjes së njësimit të shqipes si proces historik i realizuar dhe njëherësh i rrezikuar deri në kohën e sotme në këtë kapitull autori i kushton dhe dy studime të tjera, për t’iu rikthyer sërish në kapitullin e tretë, Polemika, me artikujt Shqipja standarde përballë kompleksit të Rozafës dhe Mallkimi i dytë gjuhës shqipe, një përballje e denjë me kuturisjet donkishoteske që nuk mungojnë herë pas here në historinë e shtetit shqiptar dhe në ditët tona, si propozimi për një shkollë publike ku gjuhë komunikimi do të ishte anglishtja, duke e zbritur shqipen në statusin e një gjuhe të penguar për sferat e komunikimit dituror.

Shkrimet për Çajupin dhe të vërtetat e tij letrare e jetësore zënë vend në kreun e parë dhe në të tretin dhe mund të cilësohen një libër brenda librit. Në studimet shqiptare për letërsinë ekziston një prirje për studime krahasuese dhe kushtëzuese midis shkrimtarëve vendës dhe personaliteteve të huaja [De Rada e Lamartini, Konica e Apolineri, Noli dhe Shou, Skiroi e Pirandelo, Migjeni e Niçe, Lasgushi e Bodëleri]. Por pak njihen raportet mes vetë shkrimtarëve shqiptarë me njëri-tjetrin. Thuajse nuk ka asgjë të shkruar për të gjetur shkakun e pakënaqësisë së Konicës me poezinë e De Radës, marrëdhëniet e tij me Naimin më shumë janë përfolur se studiuar, ndërsa për miqësinë së largu të Konicës me Çajupin për herë të parë ofrohen fakte të sistemuara në këtë libër. Paracaktues i vendit të Çajupit në letrat shqipe, Konica do t’i gjendej pranë mikut të tij në kohërat më kritike, kur e përbaltnin dhe kur e harronin, deri në prag të ikjes nga kjo jetë, kur e quante si njeriun më të përshtatshëm për të shërbyer në poste të larta të administratës së shtetit të ri shqiptar. Për shkaqe të njohura, nuk është bërë e ditur më parë se poemën Baba Musa lakuriq poeti zagorit ia kushtoi të birit Etjenit dhe Faik Beut. Në dy studime të tjera, Çajupi i patjetërsueshëm dhe Falsifikatorë e mistifikatorë, autori zgjidh një herë e mirë problemin e disa ngatërresave spekulative të autorësisë së një pamfleti me frymë të theksuar përulësie ndaj sulltanëve, si dhe të një shkrimi të gjatë për historinë e feve në Shqipëri, nënshkruar me heteronimin Baba Tomorri, që, duke iu referuar një kujtese të gazetës Demokratia, provohet se i përket një kleriku bektashi, Baba Ali Tomorrit [Gjysh Ali Gjirokastrës] dhe jo Çajupit. Po ashtu vërtetohet me mjete gjuhësore, stilistike, tekstore, se Kënga e kandarit, për të cilën ngulmohet se i takon Çajupit, është thjesht një krijim apokrif, ndoshta dhe i kohëve të vona, që nuk ka asnjë lidhje me trashëgiminë e poetit. Për skicën Konstitucjoni në Turqi, lidhur me autorësinë e Çajupit, megjithëse në krye përdor termin in dubbio, së fundmi vërteton në mënyrë të padyshimtë, përmes veçorive të stilit dhe krahasimeve të sigurta dhe të shumanshme ndërtekstore me Klubin e Selanikut, se është shkruar pikërisht prej tij.

Modelit të marrëdhënieve midis Çajupit e Konicës, Çajupit e Filip Shirokës, Kutelit dhe Lasgushit, Fishtës dhe Gjeçovit, i shtohet studimi për lidhjet e vjershërisë së poetit të liqerit me Naimin, në rrafsh tematologjik e në frymëzimin poetik.

Në mënyrë lakonike poema e G. Varibobës Ghiella e Shën Mëriis Virghiër,cilësohet si fenomen i ri në letërsinë arbëreshe e shqiptare përgjithësisht, e shkruar jo si një epos heroik i sakrifikimit të Shën Bambinit, por si dhimbje njerëzore, e ndryshme prej diskursit teologjik e katekistik. Mjeda, për studiuesin, megjithëse nuk u nda krejt prej romantizmit, i dha fund poezisë rrëfimtare të mëparshme dhe krijoi vjershëri moderne. Lahuta e Malcìs, vepër emblematike e letërsisë shqipe, sipas shprehjes së autorit, është gjithashtu një shkas për të udhëtuar me poetë të më se një shekulli, që tentuan secili në mënyrën e vet, të pajisin kombin e shtetin me një ep heroik historik. Për princeshën e letrave Elena Gjika autori mendon se i takon asaj mënyre të menduari që De Rada e shprehte me fjalët: as të mos thithemi prej të tjerëve, as të mos izolohemi. Proza e Kutelit shihet në pikëvështrimin e narrativës dhe të raporteve midis autorit dhe karaktereve dhe kushtëzimit të të dyve prej rrëfenjës popullore. Aksioni i Kadaresë në gjysmë shekulli letërsi çmohet i njehsueshëm me një shkollë letrare, me rëndësi për emancipimin intelektual dhe shpirtëror të epokës. R. Qosja, veç të tjerash, cilësohet si institucionalizues i historiografisë letrare. Me mjaft interes është studimi Rilindja shqiptare në vështrimin e prof. A. Guxetës, në të cilin sërish ofrohen hapësira të reja diskutimi për një kronologji të re të historisë së letërsisë dhe kulturës shqiptare, që do të mbante në konsideratë dhe rolin e kolegjeve, seminareve dhe manastireve të arbëreshëve. Në një karakterizim të shpejtë të personalitetit të Dh. S. Shuteriqit, një makinë pune me energji të pashtershme, siç shprehet për të studiuesi, na duket me vend vënia në spikamë e veprës Shkrimet shqipe dhe e romanit Sytë e Simonidës. Duke vlerësuar punëtorin e dijes albanologjike T. Dizdari studiuesi gjen rastin të njohë përgjegjësitë institucionale ndaj një brezi orientalistësh, latinistësh e helenistësh që punuan pa emër e në heshtje.

Në kreun e dytë, me titull Kërkime dhe tekste, veç sa u përmend, gjenden dy studime të tjera dhe dy vepra të botuara prej tij me parime filologjike, me tejshkrim dhe pajisje me shenjime. Në të parin bëhet i ditur interesimi i Thimi Mitkos për tri poezi të Hasan Zyko Kamberit [Kolonjarit], rishkruar prej mbledhësit të njohur të folklorit me alfabetin e greqishtes, si dhe përkthyer në këtë gjuhë, me sa duket për qëllime botimi. Këto poezi ai i ka gjetur vetë gjatë kërkimeve arkivistike dhe i boton të transkriptuara. Botimi i këtyre vjershave merr rëndësi edhe si një hap i parë dhe më i hershmi i njohur deri tani për një shprehje interesi për publikim të një përdoruesi të alfabetit të greqishtes për një vepër të ruajtur në sisteme shkrimorë orientalë. Edhe në studimet variantistike botimi i këtyre poezive ka një rëndësi, sidomos për të konstatuar ndryshimet që sjell procesi i ndërlikuar i komunikimit brenda gjuhës e jashtë saj, sepse në thelb gjendemi para tejshkrimit të tejshkrimit. Ndërsa studimi i dytë i kushtohet tipologjisë së poemës Kënkat e Krujës të Kosimo Serembes, që botohet aq sa ka mbijetuar në formën e dorëshkrimit, për të cilin merita e shpëtimit të këtyre fragmenteve i takon po studiuesit e botuesit të saj. Me këtë botim bëhet e mundur që këto fragmente, që i takojnë një poeme të gjatë me dhjetëra mijë vargje, të integrohen më së fundi në thesarin e trashëgimit letrar shqiptar.

Në kreun e tretë, që, siç patëm rast të përmendim, e përbën para së gjithash një qerthull studimesh për Çajupin, gjendet dhe studimi Kush e shkroi tekstin shqip të aktit të Shpalljes së Pavarësisë, një pyetje që u shqiptua në 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Vullnetarë të dijes, që nuk mungojnë asnjëherë, në të njëjtën kohë që në Shkodër busti i Luigj Gurakuqit po zhvendosej në periferi, nxituan t’i heqin atij dhe meritën e hartimit me dorën e tij të këtij dokumenti, duke ia atribuuar Mustafa Krujës, i cili, siç provon studiuesi, ka shkruar vetë shumë dekada para se të fabrikohej ky debat, duke i lënë doemos të zhgënjyer manipulatorët e sotëm, se ky tekst ishte jo i tiji, as i ndonjë tjetri, por pikërisht i dorës së Luigj Gurakuqit.

Në kreun e katërt, që autori e titullon Profile në miniaturë, gjenden 15 portrete dijetarësh e shkrimtarësh, që mund të cilësohen dhe skica minimaliste, shkruar me cilësime të shkurtra e fjalë të kursyera. Ndër to përmendim Nolin, Migjenin, Aleks Budën, Çabejn, Idriz Ajetin, Mahir Domin, A. Kostallarin, S. Luarasin, Anton Pashkun, Ilia Dilo Sheperin, D. Agollin, Dhimitër Xhuvanin, Piter Priftin, Viktor Eftimiun. Janë personalitete që autori i ka njohur për së afërmi, ka punuar e bashkëpunuar me ta, dhe të tjerë që kanë lënë gjurmë në jetën e tij shkencore. Disa prej këtyre miniaturave janë premtime për studime më të plota, që shihen në perspektivë.

Kreu i fundmë përmban shenjime për librat, prej kujtimeve të Ismail Qemalit deri tek monografia e V. Toles për himnin kombëtar. Janë kryesisht autorë dhe vepra të parapëlqyera të studiuesit, që risillen në kujtesë me qëllim vëmendje në bashkësinë e studiuesve të dijeve shqiptare. Në kohën e sotme, kur kritika për letërsinë rrjedhëse është në kurth, kurse ajo për studimet është thuajse krejt e munguar, ky cikël artikujsh merr një vlerësim më vete.

Në këtë paraqitje lexuesi gjen vetëm një prej leximeve të librit të ri të Jorgo Bulos Shpirti i fjalës. Është e sigurt që në çdo lexim nga ky libër mund të nxirren jo vetëm pohime e përfundime, por dhe fakte e burime shumë të rëndësishme për njohjen e traditës letrare shqiptare. Këto janë studime në prerjen problematike e tematologjike, tipologjike e strukturore, variantistike e filologjike, tekstore e ndërtekstore, me rëndësi jo vetëm për rinjohjen e autorëve dhe zhvillimeve letrare, por dhe për ndryshimin e përfytyrimit të deritashëm për karakterizimin e përgjithshëm të dukurive letrare, për periudhizimin e tyre në një mënyrë më shkencore, për historizimin dhe kronologjizimin, për një lexim të ri të saj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency