Zgjedhjet në PD-në e Tiranës Zbardhet udhëzimi i Bashës për anëtarësimet, emrat e koordinatorëve

0
128

Gëzim Saliu

Në maj mbyllet procesi i anëtarësimeve, në qershor zhvillohen zgjedhjet për degën e Tiranës

 

lulzim Basha-pdddd_1Zbardhet udhëzimi që do t’u hapë rrugë zgjedhjeve në degën e PD-së së Tiranës. Në mbledhjen e zhvilluar dje nga kreu i PD-së, Basha, me koordinatorët e njësive bashkiake të Tiranës dhe rrethinat për të, u shpërnda udhëzimi i cili vendos si afat të fundit datën 2 qershor për rifreskimin e të dhënave të anëtarësisë në grup-seksionet e PD-së dhe më pas verifikimin e të dhënave në formularë. Pas përfundimit të këtij procesi nëpër rrethe dhe vijimit me zgjedhjet në seksione, grup-seksione dhe degë, i njëjti proces vijoi edhe në kryeqytet, ku përveç 11 njësive bashkiake do të krijohet baza e re e të dhënave për rrethinat e kryeqytetit. Pas përfundimit të mbledhjes një prej koordinatorëve, ish-deputeti Jemin Gjana, tha se numri i koordinatorëve do të jetë prej 30-40 vetash vetëm për Qarkun e Tiranës. Çdo njësi bashkiake e Tiranës do të ketë 4 koordinatorë, ndërsa komunat nga një koordinator, ku në total në degën e PD-së së Tiranës me procesin e zgjedhjeve do të jenë të angazhuar 60 koordinatorë. Gjatë muajit maj pritet të mbyllet procesi i anëtarësimeve e ndërsa në qershor do të nisë fushata për zgjedhjet në degën e PD-së së Tiranës.

Udhëzimi

Në krye të udhëzimit të PD-së thuhet se zgjedhjet e përgjithshme të PD-së së Tiranës, të cilat do të zhvillohen së afërmi, si edhe analiza e veprimtarisë politike dhe e zgjedhjeve të fundit parlamentare, e bëjnë të domosdoshme përgatitjen e anëtarësisë për këtë proces të rëndësishëm. “Për këto arsye, mbështetur në nenet 12, 13, 14, 15 dhe 38 të Statutit të PDSH-së të merren masa të menjëhershme për zgjerimin e anëtarësimeve, ripërtëritjen dhe popullimin e bazës së të dhënave të anëtarësisë së Partisë Demokratike për degën e Tiranës. Fushata e anëtarësimeve të reja dhe ripërtëritjes së të dhënave të regjistrimit të anëtarësisë të përfshijë çdo strukturë të PD-së në degës e Tiranës me synim zgjerimin e bazës së anëtarësisë dhe rifreskimin e të dhënave të Regjistrit Themeltar të Anëtarësisë së PD-së”, – nënvizohej në udhëzim. Ndër objektivat e përfshira në këtë udhëzim në kuadër të rritjes së performancës opozitare të PD-së në të gjitha strukturat organizative e drejtuese të saj është zgjerimi i mëtejshëm i anëtarësisë drejt grupimeve të ndryshme shoqërore si edhe brezit më të ri e më përfaqësues në opinion publik. “Po aq e rëndësishme për aktivizimin e strukturave bazë si edhe përgatitjen e bazës së të dhënave për procesin e afërt të zgjedhjeve të përgjithshme të PD-së është edhe verifikimi i anëtarësisë ekzistuese si edhe saktësimi përfundimtar i bazës ekzistuese të të dhënave si në çdo degë të Shqipërisë edhe në atë të Tiranës”. Lidhur me procedurat dhe afatet e këtij procesi, udhëzimi kërkon që çdo grup-seksion i degës së PD-së në Tiranë të bëjë organizmin e fushatës së anëtarësimeve dhe procesit të ripërtëritjes së të dhënave. “Brenda dy ditëve nga dalja e udhëzimit, çdo grup-seksion duhet të depozitojë në selinë qendrore të PD-së, një kopje të listës së votuesve potencialë të PD-së, identifikuar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Çdo votues potencial i PD-së, identifikuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, të ftohet për t’u anëtarësuar në PD”, – thuhej në udhëzim.

Koordinatorët

Në mbledhjen ku u prezantua udhëzimi i ri për anëtarësimet në bazën e kryeqytetit u bënë të ditur nga kreu demokrat Basha edhe emrat e koordinatorëve për secilën njësi. Burimet nga selia blu bënë të ditur se për hartimin e listës është ndjekur i njëjti parim si për pjesën tjetër të degëve, ku janë angazhuar ish-deputetë, prurje të reja si dhe ish-drejtues të agjencive dhe drejtorive gjatë kohës që PD-ja ishte në pushtet. Ndër emrat kryesorë janë: ish-deputeti i Tiranës Tritan Shehu, ish-deputeti Jemin Gjana, koordinatorja e Marrëdhënieve me Publikun dhe ish zv.ministrja e Integrimit Grida Duma, ish-drejtori i Departamentit Antikorrupsion në Kryeministri Ivi Kaso, ish-drejtori i Tatimeve Gazmend Spahia, ish-drejtorja e AIDA-s Eneida Guria si edhe Genti Minarolli. Koordinatorët kanë për detyrë të monitorojnë procesin e regjistrimit të ri të PD-së si dhe organizimin e zgjedhjeve në grup seksionesh.

 

 

Zgjedhjet në PD

Partia Demokratike nisi dje fushatën e anëtarësimeve në Tiranë, ku përveç 11 njësive bashkiake do të krijohet baza e re e të dhënave për rrethinat e kryeqytetit. Pjesë e rëndësishme e këtij procesi do të jetë regjistrimi i anëtarësisë përmes formularëve që do të shpërndahen në secilin seksion. PD numëron rreth 30 mijë anëtarë në Tiranë, ndërkohë që parashikohet rritja e këtij numri, për shkak të angazhimit të simpatizantëve të cilët deri tani nuk kanë pasur teserë. Në intervistën e fundit për mediat, kreu i PD-së, z. Basha, deklaroi se parashikohet përfundimi i zgjedhjeve në të gjitha degët, përfshi Tiranën, në muajin maj dhe në qershor do të mblidhet Kuvendi Kombëtar. Ky Kuvend do të zgjedhë fillimisht Këshillin Kombëtar dhe do të miratojë, nëse do të ketë ndryshimet në statusin e selisë blu. Më pas do të jetë Këshilli Kombëtar, i cili do të zgjedhë kryesinë e re, nënkryetarët, sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët e çështjeve specifike.

 

 

Rifreskimi i të dhënave edhe për deputetët, kryetarët e bashkive si edhe të zgjedhurit në këshill

Në udhëzimin e kreut të PD-së, Basha, përfshihen në procesin e rifreskimit të të dhënave të tyre edhe deputetët si edhe të zgjedhurit vendorë, banorë të degës së Tiranës. Të ftohen gjithashtu të rifreskojnë të dhënat e tyre në degët përkatëse dhe në selinë qendrore të PD-së: a. Deputetët e zgjedhur apo me banim në territorin e degës; b. kryetarët e komunave dhe bashkive që janë anëtarë të PD-së dhe banorë të degës Tiranë; c. të gjithë të zgjedhurit në këshill qarku/bashkiak/komunal që janë anëtarë të PD-së dhe banorë të degës Tiranë; d. anëtarët e strukturave drejtuese kombëtare të PD-së me banim në degë”.

 

 

Koordinatorët nisin punën sot, Shehu: Brenda 45 ditësh e mbyllim të gjithë procesin

Një prej koordinatorëve të zgjedhur për procesin e anëtarësimeve dhe më pas zgjedhjet në PD, Tritan Shehu, deklaroi dje se, sipas udhëzimit të kreut të demokratëve, i gjithë procesi do të mbyllet brenda 45 ditësh. Në një prononcim për gazetën, ish-deputeti demokrat, i cili nuk mori pjesë në takimin e djeshëm, për shkak të një vizite jashtë vendit theksoi: “Sipas udhëzimit për 45 ditë do të mbyllet ky proces. Nesër (sot) kemi lënë një mbledhje me grupin e njësisë dhe do të vazhdojmë punën normalisht. Ky është një proces që do ta mbyllim në një kohë 45-ditëshe sipas udhëzimit. I tërë procesi domethënë mbyllet brenda këtij afati kohor”. Sipas udhëzimit të djeshëm të kreut të PD-së, Basha, në çdo grup-seksion të degës së PD-së së Tiranës, do të delegohen koordinatorë nga selia qendrore e PD-së, të cilët bashkërendojnë punën për të gjithë procesin e regjistrimit të të dhënave të anëtarësisë ekzistuese dhe regjistrimin e anëtarësimeve të reja. “Koordinatorët e caktuar pranë çdo grup-seksioni duhet të depozitojnë çdo tri ditë në selinë qendrore formularët e plotësuar dhe mbledhur nga seksionet”, – theksohet në udhëzim.

 

 

Koordinatorja e PD-së

Grida Duma: S’është diskutuar në PD për emra kandidatësh për Bashkinë e Tiranës

Koordinatorja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma, e zgjedhur tashmë si një ndër koordinatorët e zgjedhjeve brenda PD-së për degën e Tiranës, deklaroi dje se brenda një muaji do të zgjidhet kryetari i ri i kësaj dege. “Koordinatorët do kujdesen për procesin e anëtarësimeve të reja, do dalin në terren, do takohen me njerëzit, do dëgjojnë opinionin e tyre. Tirana ka më shumë koordinatorë, shpresojmë të rivendosim kontaktin me anëtarët e PD-së, të jemi të bindur dhe të besueshëm. Brenda 1 muaji do zgjidhet kryetari i degës së PD-së”, – tha ajo për “News 24”. Ndërkohë, e pyetur nëse do të ishte ajo kandidatja e mundshme e PD-së për të drejtuar Bashkinë e Tiranës, Duma tha: “Unë jam në pjesën e njerëzve që ende pyet se kush do jetë kandidati i PD-së për Tiranën. Nuk është diskutuar ende për emra, por unë arrij të lexoj kush ka ambicie”, – theksoi ajo.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency