Avionat me drogë?  Rrethohet nga Ushtria pista e Gjadrit, PD: Blloqet s’e mbulojnë përgjegjësinë e qeverisë

0
109

Gëzim Saliu

Zv.ministri : E kemi mbyllur çështjen e avionëve. MM: Aksioni për ruajtjen e objekteve

 Kruja: Hetimi dhe dalja e përgjegjësive në të mirë të interesit publik, të nisë punën Komisioni

 

theme1_8623_ushtria-gjader-web_380_255Rrethohet me blloqe betoni pista e aerodromit të Gjadrit. Forcat e Ushtrisë prej dy ditësh kanë nisur aksionin për rrethimin e pistës prej 3.5 km të gjatë, ku barrierat janë vendosur rreth 50 metra larg njëra-tjetrës. Veç këtij aksioni, i cili po mbikëqyret nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, si edhe forca të policisë ushtarake, po shemben edhe disa objekte të Ushtrisë, që përdoreshin nga banorë të zonës së Gjadrit. Sipas parashikimeve, pritet që aksioni për vendosjen e barrierave të betonit të përfundojë më datë 6 maj. Ky veprim vjen pas akuzave të opozitës, sipas të cilave në këtë aerodrom janë ulur avionë të Ushtrisë përmes të cilëve është bërë transport i lëndëve narkotike. Po ashtu, një tjetër indice për këtë çështje ishte edhe publikimi i dokumentit të SHISH, ku citohej se në bazën ushtarake të Gjadrit ishte ulur një avion i vogël me të cilin dyshohej se kryhet trafik droge. Disa orë pas aksionit, Ministria e Mbrojtjes institucionalisht dha shpjegime për betonizimin e aerodromit të Gjadrit. Sipas këtij dikasteri, aksioni është ndërmarrë në kuadër të masave për ruajtjen e objekteve në konservim. “Ministria e Mbrojtjes, në kuadër të përmirësimit të masave për ruajtjen e objekteve në konservim të forcave të armatosura merr masa të tilla si në rastin e aerodromit të Gjadrit”, – thuhej në reagimin e ministrisë. Ndërsa zëvendësministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, i pyetur nëse kjo masë po merret pas akuzave për trafik droge me avionë në bazat ushtarake të braktisura, pohoi për “News 24”: “Ministria e Mbrojtjes e ka të mbyllur çështjen e avionëve. Për çështjen e avionëve u prononcuan institucionet”.

Reagimi i PD-së

Lidhur me aksionin e ndërmarrë nga Ministria e Mbrojtjes për rrethimin me blloqe betoni të pistës së aerodromit të Gjadrit ka reaguar dje Partia Demokratike, e cila pasi përshëndeti Forcat e Armatosura për marrjen e masave fizike për pamundësimin e fluturimeve të dyshimta në këtë bazë, theksoi se këto nuk mbulojnë dot përgjegjësinë e qeverisë. “Masat e marra do të ndihmojnë në mosdëmtimin e mëtejshëm të imazhit të vendit dhe të Forcave tona të Armatosura, anëtarë të NATO-s. Por betoni në Gjadër dhe në aerodrome të tjera, nuk e mbulon përgjegjësinë e Kryeministrit dhe ministrave të tij në këtë aferë të drogës. Rritja shumëfish e trafikut të narkotikeve siç është evidentuar edhe nga sasitë e interceptuara nga fqinjët tanë, nuk mund të bëhet pa dijeninë dhe implikimin e qeveritarëve”, – tha deputeti demokrat Keltis Kruja. Më tej, ai theksoi se Partia Demokratike kërkon fillimin sa më shpejt nga puna të Komisionit parlamentar Hetimor, në mënyrë që të zbardhet mekanizmi dhe të dalin përgjegjësitë për trafikun e drogës. “Hetimi dhe dalja e përgjegjësive është në të mirë të interesit publik, është në të mirë të vendit. Ballafaqimi me këtë aferë mund të prishë rehatinë e Kryeministrit dhe ministrave të tij, por lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe parandalimi i përsëritjes së kësaj dukurie të rrezikshme janë më të rëndësishme se interesat personale të dyshes Rama-Meta”, – deklaroi deputeti i PD-së, Keltis Kruja.

 

 

Denoncimi i PD-së

Vorpsi: Me Ramën, vendet e punës për ish-të dënuarit

Partia Demokratike ka vazhduar dje serinë e denoncimeve ndaj emërimeve të qeverisë në poste publike, ku përmes zëdhënëses Laura Vorpsi ka theksuar se Kryeministri Rama po merr në punë ish-të dënuarit. Sipas PD-së, drejtori rajonal i Shërbimit të Transportit në Berat është dënuar në vitin 2011 nga Gjykata. “Me Edi Ramën papunësia po rritet çdo ditë. Fjalët dhe retorika boshe e Kryeministrit, panairet me ngjyra, nuk po krijojnë asnjë vend të ri pune. Këtë krizë të papunësie, nuk po e vuajnë vetëm disa ish-të dënuar për korrupsion, që me Edi Ramën kanë gjetur vendet më të mira të punës. Në Berat,rilindja ka bërë drejtor rajonal të shërbimit të transportit, një të dënuar me 8 muaj burg dhe 200 mijë lekë gjobë për shpërdorim detyre. Myqerem Xhaferri është proceduar dhe është dënuar nga Gjykata në fillim të vitit 2011, por kjo nuk është pengesë për Edi Ramën që ti besojë atij një nga shërbimet më të rëndësishme publike të rrethit të Beratit”, – tha Vorpsi. Më tej ajo theksoi: “Këto janë veprat e Edi Ramës, në kohën e krizës së punës. Fjalë të bukura për etikë, meritokraci, profesionalizëm e shanse të barabarta. Por në realitet, Kryeministri po u thotë qytetarëve, bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”.

 

 

Theu embargon e SHBA-së

PD, akuza qeverisë: Pse Shqipëria është renditur përkrah Sirisë?

Deputeti i Partisë Demokratike, ish-ministri i Jashtëm Aldo Bumçi, ka deklaruar se Shqipëria është një ndër vendet që ka dalë kundër vullnetit të SHBA-së, duke iu shtuar listës së blerësve të naftës nga Irani, i cili ka thyer sanksionet e vendosura nga Perëndimi, për të mos shitur më shumë se 1 milion fuçi në ditë. Referuar një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ku Shqipëria dhe Siria rezultojnë ndër blerësit e rinj të naftës së Iranit, deputeti i PD-së kërkoi nga Kryeministri Rama që të sqarojë pse vendi ynë është renditur përkrah Sirisë. “Sanksionet lejojnë të eksportojë 1 milion fuçi në ditë e gjatë kësaj periudhe ka eksportuar 1.65 milionë fuçi në ditë. Në këto muaj që është thyer embargo, agjencia raporton që blerësit e rinj janë Shqipëria dhe Siria. Shqipëria që duhej të ishte rreshtuar përkrah SHBA-së me vendet e tjera perëndimore për të mbështetur sanksionet ndaj Iranit rezulton të jetë e rreshtuar pranë Assadit dhe Sirisë. Ne i kërkojmë Kryeministrit shqiptarë që të sqarojë urgjentisht publikun a është në dijen që naftë nga Irani ka hyrë në Shqipëri, pse e ka lejuar të ndodhë dhe të sqarojë pozicionin e Shqipërisë në këtë çështje të rëndësishme të sigurisë botërore”, – tha Bumçi. Raporti në publikimin e tij nuk e çon më tutje shpjegimin duke thënë vetëm se në listën e importuesve të naftës, përveç blerësve të zakonshëm, që janë Kina, India, Koreja e Jugut e Turqia i shtohen listës Shqipëria e Siria. Të dhënat e agjencisë janë të bazuara në statistika të marra nga organizata përmes vendeve anëtare dhe joanëtare në të, si dhe nga të dhënat e lundrimeve të anijeve. Në nëntor të viti të shkuar, SHBA i vendosi sanksione naftës iraniane duke e ndaluar të eksportonte në limitin e 1 milion fuçive në ditë, limit që Irani e ka kaluar duke eksportuar 650 mijë fuçi më shumë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency