“Kabineti qeveritar i padukshëm”

0
259

Artan Fuga

        Artan_Fuga Teksti që është përkthyer këtu prej meje nga anglishtja për lexuesit e gazetës “Standard” vjen nga dora e një personazhi të njohur të shkencës dhe të administrimit. Jo rastësisht është sjellë në këtë faqe. Autori i tij shpesh ka pasur fatin e keq, por edhe të mirë, sepse për kollaj e shkurt, shpesh e kanë identifikuar me një lidhje shumë të rëndësishme familjare që ai ka pasur. E thërrisnin: “Nipi i Frojdit”.

            Sigurisht Frojdi nuk dinte se çfarë bënte i nipi.

            Ai, në fakt, quhet Edward Bernays dhe është ndofta i pari që formuloi teorikisht se çfarë janë marrëdhëniet publike në përgjithësi dhe ato të sipërmarrjeve prodhuese dhe të shërbimeve ku mikstohet marketingu dhe marrëdhëniet publike në një sintezë të vetme.

            Nipi i Frojdit, por në fakt nuk dihet nëse ai përfitoi nga influenca shkencore e Frojdit, me siguri në fazën e parë, apo më pas i dha psikanalizës një dimension të ri duke e pasuruar me analizën e sjelljes kolektive të konsumatorit, që larg së qeni thjesht racionale, është shumë e ndërlikuar, sikurse ajo e çdo publiku: e votuesit, e blerësit, e spektatorit, e përdoruesit të teknologjisë etj.

            Konsumatori nuk sillet në mënyrë racionale. Ulini çmimin një prodhimi luksi duke i ruajtur po atë cilësi. Konsumatori i mirëfilltë dhe tradicional i tij e braktis. Marrëzi??? Nuk e besoj.

            Pjesa e përkthyer është zgjedhur duke ndjekur historinë e koncepteve shkencore në marrëdhënie publike dhe të marketingut në media për të shkuar atje ku zënë fill pikat e para të ujit që gradualisht pastaj kanë formuar një rrjedhë të gjerë lumore, të përbërë nga gjithë ajo pasuri intelektuale dhe përvojë praktike në këto fusha.

            Libri i Bernays, ende i papërkthyer në shqip nga ku është nxjerrë kjo copëz themeluese quhet “Propaganda”. Ai ka meritën sepse e nxori këtë term nga oqeani i konotacioneve negative që kishte pasur deri atëherë duke e konsideruar “propagandën” si ndërtuesen e lidhjeve sociale dhe të formatimit të modeleve shoqërore pavarësisht llojit të tyre. Mbi të gjitha, ai me fuqinë e tij abstraguese, arriti edhe të gjejë anët e përbashkëta midis veprimtarive që në pamje të parë duken pa shumë lidhje me njëra-tjetrën, sikurse janë përpunimi i opinionit publik në kohë lufte, marketingu i mallrave, strategjitë e klientelës e sipërmarrjeve dhe firmave, sjellja konsumatore. Sipas tij, marrëdhënia publike është një disiplinë më vete midis psikologjisë dhe sociologjisë, midis administrimit dhe artit, dhe mbi të gjitha pa strategjitë dhe teknikat e saj shoqëria bie në një kaos. Evitimin e kaosit e paguajmë shpesh edhe me të qenit të manipuluar.

            I përdorur si ekspert prej një prej industrive më të mëdha, asaj të duhanit, punuar për reputacionin e drejtuesve të sipërmarrjeve më të mëdha elektrike, i thirrur për mbështetje nga administrata e Presidentit, dhe nga CIA për të parë e vrojtuar ngjarje ndërkombëtare, Bernays pati një karrierë të gjatë. Kjo edhe sepse jetoi gjatë, plot 104 vjeç, çka nuk ka lidhje me shkencën që ai lëvroi, por mbase edhe ka. Libri u botua në vitin 1929, dhjetë vjet pasi kishte përfunduar lufta e parë botërore, përvojën amerikane në komunikim të secilës e studioi fund e krye, dhe pikërisht në vitin e krizës së madhe, kur dihet se marketingu në kohë krize është ndofta muri i fundit ku mbështeten themelet e tronditura të një ekonomie. Deri në vitin 1995, ai pati kohë sigurisht të shihte transformimin e shkencës dhe praktikës që themeloi bashkë me pionierë të tjerë.

            Aq shumë i vlerëson ekspertët e marrëdhënieve publike dhe të marketingut Edward Bernays në këtë tekst themelues të një historie shekullore saqë i konsideron si pjesëtarë të një kabineti qeverisës të padukshëm.

            Ndofta, nëse duam që një lloj kaosi në opinionin tonë publik ta evitojmë, shqyrtimi kritik i rolit, vendit, statusit, dhe vlerësimi lidhur me specialistin e marrëdhënieve publike në sipërmarrjet tona apo në administratë, bëhet detyrë nga më parësoret.

             Edward Bernays, “nipi i Frojdit”, na e sjell nga e shkuara këtë mësim, duke i quajtur ata “qeveritarët e padukshëm”.  

 

———————————————————————————————–

 

Në disa drejtime, pushteti i atyre që formojnë opinionin publik është krejt i dukshëm… Këta njerëz në sytë e opinionit publik tipizojnë llojin e sundimit që na sjellin ndërmend fjalët «qeveri e padukshme». Por, ne asnjëherë nuk pushojmë së menduari se ka diktatorë të vërtetë në fusha të tjera, influenca e të cilëve është po aq vendimtare sa edhe ajo e politikanëve që kam përmendur më parë. Ja, Irene Castle ka mundur të imponojë modën e flokëve të shkurtër, e cila mbizotëron te nëntë të dhjetat e grave që pretendojnë të jenë të modës. Drejtuesit e modës në Paris vendosën modën e fundeve të shkurtër, të cilët po qe se do të mbaheshin veshur këtu e njëzet vjet më parë, cilado grua që do ta bënte këtë thjesht do të ishte arrestuar e plasur në burg nga policia e Nju Jorkut, dhe pas kësaj mode, e gjithë industria e veshjeve për gra, një kapital ky që shkon deri në qindra miliona dollarë, duhej të riorganizohej për të qenë në përputhje me këtë diktat.

Ka sundues të padukshëm që kontrollojnë fatet e miliona njerëzve. Në përgjithësi as nuk na shkon mendja të dimë se deri në çfarë mase fjalët dhe veprat e njerëzve tanë publikë, nga më të njohurit, janë në fakt të diktuara nga njerëz të tjerë që në mënyrë informale qëndrojnë pas tyre.

Tani, më e rëndësishmja është të dihet sa deri në çfarë mase mendimet dhe zakonet tona janë të përcaktuara nga këto autoritete.

Në disa fusha të jetës sonë të përditshme, ku ne e konsiderojmë veten sikur jemi veprues të lirë, në fakt, jemi të sunduar nga diktatorë të vërtetë, të cilët ushtrojnë një pushtet të madh. Dikush që blen një kostum imagjinon se duke bërë këtë ai ka zgjedhur në përputhje me shijen dhe personalitetin e vet veshjet që parapëlqen. Realisht, ndofta ai është duke iu bindur një zotërie rrobaqepës në Londër, i cili mbetet anonim për të. Ky personazh mund të jetë një bashkëpunëtor i heshtur i një ndërmarrjeje modeste prodhimi rrobash të gatshme, e cila është në pronësinë e një zotërie që kontrollon modën apo e njerëzve me gjak princëror. Ai u sugjeron aristokratëve britanikë dhe të tjerëve që të veshin më shumë kostume ngjyrë blu sesa gri, me dy kopsa në vend të tri kopsave, apo me mëngë afërsisht një çerek inçi më të ngushta sesa në sezonin tjetër. Klientët më të shquar e aprovojnë idenë në fjalë.

Por, në çfarë mënyre ky fakt prek Xhon Smithin nga Topeka?

Zotëria rrobaqepës në Londër meqë ka nënshkruar një kontratë me ndonjë firmë të madhe amerikane, e cila prodhon kostume burrash, i dërgon asaj menjëherë dizajnet e kostumeve të zgjedhura nga yjet e modës në Londër. Me të marrë dizajnet, bashkë me specifikimet për ngjyrën, peshën, llojin e copës, firma porosit menjëherë prodhimin e rrobave me një vlerë prej disa qindra mijë dollarësh. Kostumet e prodhuara sipas këtyre specifikimeve atëherë nisin të reklamohen si moda e fundit e veshjeve. Njerëzit e modës në Nju Jork, Çikago, Boston dhe Filadelfia i veshin ato. Edhe, qytetari nga Topeka, i cili e pranon të orientohet prej tyre, bën edhe ai si ata.

Gratë gjithashtu, po sikundër burrat, janë të varura nga komandat që u jepen nga qeveria e padukshme. Një fabrikues mëndafshi duke kërkuar treg të ri për prodhimet e veta i sugjeron një fabrikanti këpucësh se këpucët për gra duhen veshur nga sipër me mëndafsh, në mënyrë që ato të shkojnë me veshjet e tyre. Kjo ide ndodh që mirëpritet dhe propagandohet në mënyrë sistematike. Arrihet pas një farë kohe që një artiste me reputatcion të gjerë në publik të bindet për t’i mbajtur veshur këto këpucë. Moda e tyre nis e përhapet. Firma e këpucëve është e gatshme që me furnizimet e saj ta plotësojë këtë kërkesë që sapo ka lindur. Po ashtu, kompania e mëndafshit është gati të prodhojë më tepër mëndafsh për më tepër këpucë të këtij lloji.

Njeriu që e injektoi këtë ide në industrinë e këpucëve ishte pra një grua me pushtet në sektorin e jetës sociale të grave. Njerëz të ndryshëm na sundojnë në sektorë të ndryshëm të jetës sonë: Mund të jetë dikush i pushtetshëm përtej fronit të politikës, një tjetër që manipulon uljet e ngritjet e normave të interesit në Bankën Federale, dhe akoma dikush tjetër që ka fuqinë të diktojë llojet e kërcimeve për sezonin tjetër. Nëse ka një kabinet qeveritar të padukshëm që kontrollon fatet tona (diçka që nuk është e pamundur të konceptohet), ai punon me disa udhëheqës komunitetesh ditën e martë për të arritur disa qëllime, me krejt të tjerë të mërkurën dhe për diçka tjetër. Ideja e qeverisë së padukshme është relative. Mundet që ka, për shembull, një grusht njerëzish që kontrollojnë metodat edukative në pjesën më të madhe të shkollave tona. Nga një tjetër këndvështrim, ta zëmë edhe një prind është drejtues i një grupi dhe ushtron autoritet mbi fëmijët e vet.

Qeveria e padukshme ka prirjen të përqendrohet në duart e një grushti të vogël njerëzish sepse është shumë e kushtueshme të manipulosh makinerinë sociale që kontrollon opinionet dhe zakonet e masave. Të komunikosh në një shkallë e cila kërkon të kapë pesëdhjetë milionë njerëz është e kushtueshme. Për të kapur dhe për të bindur drejtuesit e opinioneve të grupeve të ndryshme shoqërore, të cilët diktojnë mendimet e publikut, është po ashtu e kushtueshme.

Për këtë arsye vihet re një prirje në rritje për ta përqendruar funksionin e propagandës në duart e specialistëve të kësaj fushe. Ky lloj profesioni po merr një vend dhe funksion gjithnjë e më të veçantë në jetën tonë të përditshme.

Veprimtari të reja kërkojnë profesionistë të rinj që të dinë t’i ushtrojnë ato. Propagandisti që është specializuar në interpretimin e ndërmarrjeve dhe të ideve për llogari të publikut dhe në interpretimin e publikut përpara zhvilluesve të sipërmarrjeve dhe ideve të reja, ka nisur të quhet me emrin “këshillues për marrëdhëniet publike”. Kjo po ndodh në sajë të varësisë në rritje të çdo forme të organizuar pushteti prej të gjitha llojeve të opinionit publik. Të gjitha format e qeverisjes, si do që të jenë, mbretërore, kushtetuese, demokratike apo edhe komuniste, në suksesin ose jo të përpjekjeve të tyre, varen nga fakti sesa ato kanë pasur mirëkuptimin e opinionit publik, dhe në fakt, një qeverisje bëhet një qeverisje pikërisht nga merita se ka arritur të ketë mirëkuptimin e publikut. Ndërmarrjet industriale, shërbimet publike, lëvizjet emancipuese, në të vërtetë të gjithë grupet që përfaqësojnë një koncept apo një projekt, pavarësisht nëse janë ide që kanë shumicën me vete apo janë në pakicë, arrijnë të kenë sukses vetëm në sajë të aprovimit të opinionit publik. Opinioni publik është partneri shpesh i pavlerësuar i të gjitha përpjekjeve të mëdha të kohës.

Këshilltari në marrëdhënie publike, atëherë, është agjenti, i cili, duke punuar me mediat moderne të komunikimit dhe me grupet e formuara në shoqëri, sjell një ide deri te ndërgjegjja kolektive e publikut. Por, puna e tij është shumë më tepër sesa kaq. Ai merret me rrjedhën e veprimeve, doktrinave, sistemeve, dhe me sigurimin e mbështetjes publike për to. Gjithashtu, ai merret me gjëra materiale sikurse janë prodhimet e fabrikuara apo lëndët e para. Ai merret me nevojat e publikut, me grupet e gjera që formësojnë tregun, dhe me shoqata që përfaqësojnë industri të ndryshme.

Në radhë të parë ai funksionon si një këshilltar për klientin e tij, ashtu sikurse bën edhe një avokat. Një avokat përqendrohet te aspektet juridike të sipërmarrjes të klientit të tij. Një këshilltar në marrëdhëniet publike përqendrohet në kontaktet me publikun të sipërmarrjes të klientit të tij. Çdo fazë e evoluimit të idesë të klientit të tij, e prodhimeve, apo e veprimtarive që mund të ndikojnë te publiku apo që publiku mund të tregojë interes, është pjesë e funksionit të tij.

Për shembull, lidhur me problemin specifik të industrialistëve, ai analizon produktet, tregjet, mënyrat sesi reagon publiku lidhur me produktet, qëndrimin e punonjësve ndaj publikut dhe ndaj produkteve, dhe marrëdhëniet me agjencitë e shpërndarjes. Këshilltari për marrëdhëniet publike, pasi i ka analizuar të gjithë këta faktorë, edhe të tjerë, vepron për t’i formatuar veprimet e klientit të tij, në atë mënyrë që ato të fitojnë interesimin, aprovimin dhe pranimin e publikut.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency