Dokument i Sigurimit/ Rrëfimi i ushtarit nga Tropoja, Si u vra Qemal Stafa?!  

0

Nga Veli HAKLAJ*

Loading...

Një ndër enigmat e zhvillimeve në të majtën shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore, është edhe vrasja e Qemal Stafës, më 5 maj 1942

Qemal-Stafa Menjëherë pas marrjes së pushtetit, udhëheqësit komunistë të Tiranës u kujdesën posaçërisht dhe orientuan organet e diktaturës që të sajonin prova dhe të akuzonin persona të pafajshëm për vrasjen e Qemal Stafës. Kjo këmbëngulje e oficerëve të Mbrojtjes së Popullit, të Sigurimit të Shtetit dhe prokurorëve e gjyqtarëve të asaj kohe e bën akoma dhe më enigmatike këtë ngjarje.

Dy ndër personat e akuzuar padrejtësisht nga organet e pushtetit komunist për vrasjen e Qemal Stafës ishin Zef Rrok Deda nga Shkodra dhe Tahir Curran Kërrnaja nga Tropoja, të cilët u arrestuan dhe u dënuan si “armiq të popullit”

Një ndër enigmat e zhvillimeve në të majtën shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore, është edhe vrasja e Qemal Stafës, më 5 maj 1942, në një bazë ilegale, afër spitalit të Tiranës. Duke qenë një ndër drejtuesit kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe sekretar politik i Rinisë Komuniste Shqiptare, i evidentuar që në fillim si lider i perspektivës për të majtën shqiptare, duke u vrarë në një bazë ilegale që mendohet se u dekonspirua nga shokët e tij të idealit, Qemal Stafa është një personalitet për të cilin janë bërë shumë publikime, por pa sqaruar plotësisht rrethanat e eliminimit të tij.

Menjëherë pas marrjes së pushtetit, udhëheqësit komunistë të Tiranës u kujdesën posaçërisht dhe orientuan organet e diktaturës që të sajonin prova dhe të akuzonin persona të pafajshëm për vrasjen e Qemal Stafës. Kjo këmbëngulje e oficerëve të Mbrojtjes së Popullit, të Sigurimit të Shtetit dhe prokurorëve e gjyqtarëve të asaj kohe e bën akoma dhe më enigmatike këtë ngjarje.

Dy ndër personat e akuzuar padrejtësisht nga organet e pushtetit komunist për vrasjen e Qemal Stafës ishin Zef Rrok Deda nga Shkodra dhe Tahir Curran Kërrnaja nga Tropoja, të cilët u arrestuan dhe u dënuan si “armiq të popullit”.

Në vijim, po sjellim për lexuesin e “Standard”, fakte të konsultuara në dokumentet arkivore për këtë ngjarje.

 

1. Zef Deda nuk bie në kurthin e “Mbrojtjes së Popullit”

Që në mesin e vitit 1945, strukturat e Mbrojtjes së Popullit, në Shkodër, do të sajonin akuza për vrasjen e Qemal Stafës në ngarkim të Zef Rrok Dedës dhe Tahir Curran Kërrnajës. Ndërsa i pari u kap në muajin gusht 1945, i dyti jetonte në malet e Malësisë së Gjakovës (Tropojës) së bashku me luftëtarë të tjerë të lirisë, duke punuar për rrëzimin e pushtetit komunist të Tiranës.

Më 23 korrik 1945, me shkresën nr. 683/V, Prefektura e Shkodrës do t’i kthente përgjigje kërkesës zyrtare të Seksionit të Mbrojtjes së Popullit të Krahinës III (Seksioni II), në Shkodër, ku do njoftonte se “nga burime të sigurta informohemi se Zef Deda, së bashku me të quejtunin Tahir Gashi, ka marrë pjesë në vrasjen e Heroit të Popullit Qemal Stafa… Tahir Gashi tash ndodhet në ilegalitet…” Kjo shkresë iu dërgue për njoftim Komisionit të Hetimeve në Shkodër, të formuar prej kryetarit Shefqet Dibra dhe anëtarë Aristidhi Gjoni (përfaqësues i Ushtrisë Nacional Çlirimtare), Drita Totozani (përfaqësuese e Gruas Antifashiste) dhe Brahim Alija (përfaqësues i Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare).

Zef Deda, i biri i Rrokut dhe Karolinës, 27 vjeç, ish-oficer policie, lindur dhe banues në Shkodër, i pamartuem, me seminarturë, më 14 gusht 1945, para Komisionit Hetues do pohonte se “policin Tahir Gashi nuk e njeh, por ai njeh një polic me emen Tahir Kërrnaja, që ky ishte i skuadrës politike, por nuk është e vërtetë akuza që na është bërë, sikurse unë bashkë me atë paskena vra Qemal Stafën. Unë, në minutën kur ka ndodhë ngjarja, kam ndodhun në kazermën e policisë tuj hangër drekën dhe, posa janë ndigjue pushkët dhe bombat, simbas një urdhëni të një marshallit italjan, jemi nisë të gjithë personeli i kuesturës për në vendin e ngjarjes. Kur mbërritëm tek Medreseja, aty gjetëm skuadrën politike të kuesturës bashkë me Milicinë, të cilët na njoftuan se në përpjekje e sipër ishte vra Qemal Stafa”.

Në vijim të pohimeve të tij para këtij Komisionit Hetues, Zef Deda mohoi që të ketë bashkëpunuar me Man Kukaleshin dhe Simon Oroshin.

Kurse në seancën gjyqësore të datës 5 tetor 1945, me trup gjykues kryetar toger Mustafa Iljazi, anëtarë kapiten Namik Qemali dhe Pjeter Daragjati, prokuror kapiten II Aranit Çela dhe sekretar Shaban Dautaj, i pandehuri Zef Deda, i pyetur për akuzën që i bëhej, do deklaronte se “në vrasjen e Qemal Stafës nuk është e vërtetë që kam marrë pjesë, gjë kjo që u faktue edhe në hetimet e Gjyqit Ushtarak të Tiranës. Unë nuk di se kush ka marrë pjesë në vrasjen e Qemal Stafës…”

Edhe avokati mbrojtës Myzafer Pipa, pasi do evidentonte faktin se për të pandehurin Zef Deda mungon akt – akuza e rregullt, që duhej të ishte formuluar nga procesi relativ i Hetuesisë, do theksonte se “për shërbimin në Tiranë, të pandehurit i hidhen akuza që nuk kanë asnjë saktësi e asnjë vërtetësi. Akuzohet sikur të ketë gisht në rrethimin e Qemal Stafës. Nuk do shtyhemi gjatë t’i komentojmë këto akuza, mbasi ato rrëzohen vetvetiu. Vetëm theksojmë se i pandehuri u dërgue apostafat në Tiranë, por hetuesia e atjeshme nuk konstatoj as fajin më të vogël rreth këtyre akuzave. Na rezulton pra se në Tiranë Zef Deda na del i pastër…”

Siç rezulton nga akuzat e paraqitura nga Prokuroria, nga hetimet në Komisionin Hetues në Shkodër dhe në Gjykatën Ushtarake në Tiranë dhe nga procesi gjyqësor i zhvilluar në Shkodër, skenari ishte përgatitur që të implikonin Zef Dedën dhe persona të tjerë për vrasjen e Qemal Stafës ose minimumi, të mbështetnin akuzën e sajuar për përfshirjen në këtë vrasje të Tahir Kërrnajës, gjë që nuk e realizuan.

Ndërkohë, më 6 tetor 1945, Zef Deda, për akuzat e tjera si “armik i popullit”, u dënue me 10 vjet burg punë të rëndë, me bjerrjen e të drejtave civile e politike baras me kohën e ndëshkimit, si dhe konfiskimin e pasunisë së tundshme dhe të patundshme të tij.

 

2. Procesi hetimor – gjyqësor i Tahir Curran Kërrnajës

 2.1 Tahir Curran Kërrnaja rrëfen momentet e vrasjes së Qemal Stafës

I arrestuar më 25 shtator 1946, Tahir Curran Kërrnaja do të përballej me seancat e pyetjes zyrtare, më 3 dhjetor 1946, në Seksionin e Sigurimit të Shtetit, në Kukës. Pas seancës së parë të pyetjes nga kapiteni I Beqir Ndou, u pa e nevojshme dhe u rithirr duke u pyetur nga oficeri Pilo Shanto posaçërisht për akuzën e vrasjes së Qemal Stafës. Me cilësinë e të pandehurit, Tahir Curran Kërrnaja deklaroi sa poshtë vijon:

“Sikundër kam deklaruar dhe në proces-verbalin tem të parë, kam qenë gjatë kohës së okupacionit Italjan për shumë kohë në shërbim të kuesturës-policisë në Tiranë, me gradën kapter i II-të dhe më vonë kapter i I-rë.

Gjatë kohës që kam qenë me shërbim në Tiranë e gjetkë, nuk kam marrë pjesë në arrestime, torturime e rrethime kundra njësiteve partizane të vendeve ku kam qenë, veçse në rrethimin që është bërë në Tiranë, afër spitalit, më datë 5 maj 1942, ku u rrethua dhe u vra Qemal Stafa.

Ka qenë ora 11:30 me 12 dhe, ndërsa qemë tue ngrënë bukë, ka ardhur e na ka lajmërue një polic, se duhet të shkonim në një rrethim dhe neve menjëherë kemi hypun në një kamjoçinë ku, përveç ne të katërvet që shkuem së bashku, gjetëm dhe pesë policë të tjerë, ndërmjet të cilëve qe toger Man Kukaleshi, një i burgosun, polici civil Sytki Toptani, reshter Jani Kristo, kapter Xhelal Peza, reshter Refik Dardha dhe të tjerëve nuk ua mbaj mend emrat, por gjithsejt qemë 9 (nëntë) veta.

Me makinë kemi shkuar deri në shtëpinë ku do ta rrethonim dhe, mbasi kemi zbritur, tre policët hynë në oborr të shtëpisë dhe, pa u kompletuar rrethimi i shtëpisë, plasi pushka, meqenëse ata që ishin brenda iken.

Unë nuk di se kush ka qëlluar dhe sa herë dhe, për më tepër, nuk e di se kush me dorën e tij e ka vrarë Qemalin. Mbas nji çerek ore që filloj përpjekja, ka ardhur nji maqinë e madhe me policë dhe mbasi u bëmë shumë nuk mund të kuptoheshe.

Unë për veten time nuk është e vërtetë që të kem qëlluar dhe pse qeshë me nëntë policët e parë që banë rrethimin, mbasi, me qenë se takova i veshun civil, nuk mora dot armë të gjatë, veçse revolverin.

Ndërsa po bëhej ndeshja, mue më prunë nji vajzë, e cila kishte qenë së bashku me Qemalin, dhe ishte kapur prej shokëve të mij. Kësaj unë nuk i dhashë mundësi për të ikur, meqenëse ajo nuk ishte në gjendje, po i kishte rënë të fikët.

Në lidhje me këtë rrethim, për aktivitetin dhe vëmendjen që treguan për vrasjen e Qemalit, të nëntë vetat që qenë të parët atje u graduen dhe për këtë unë mora gradën kapter i I-rë nga i II-të që isha.

Unë nuk jam interesue të pyes se kush e ka dhënë këtë informatë, veçse udhëheqës për në shtëpi ka qenë Sitki Toptani.

Përsa përmenda më sipër nuk kam tregue në proces-verbalin tim të parë, sepse nuk më është pyetur nga ju”.

 

2.2 Akuza e Prokurorisë Ushtarake

Prokuroria Ushtarake e Zonës Ushtarake të Shkodrës, në Kukës, me akt-akuzën e saj me nr. 356, datë 26 gusht 1947, i solli Gjykatës Ushtarake aktet hetimore kundër të pandehurit Tahir Currani, nga Kërrnaja, Tropojë, për fajin se “gjatë okupacionit nazifashist ka qenë në shërbim të xhandarmërisë kuislinge, ku ka marrë pjesë në kontrolle, arrestime dhe torturime që u baheshin elementave të Luftës Nacionalçlirimtare dhe për meritë shërbimi është gradue kapter i dytë. Në majin e vitit 1942, kur Heroi i Popullit Qemal Stafa është rrethue në afërsi të spitalit të Tiranës, ai ka marrë pjesë aktive në vrasjen e tij dhe për këtë aktivitet është gradue kapter i parë i kuesturës fashiste. Mbas çlirimit të Shqipërisë, ka marrë rrugën e arratisë dhe tue u bashkue me kriminelat e tjerë t’arratisur kan organizue mbledhje të ndryshme në të cilat janë marrë vendime me rëndësi për kryengritje me armë kundra pushtetit të sotëm dhe ku është caktuar si komandant. Ka qenë dora e djathtë e kriminelit Tahir Hoxha. Faj ky që parashikohet prej nenit 3, paragrafit 3, 4, 7, 8 e 14, të Ligjit 372”.

Këto akte u regjistruan nën nr. 351 të Regjistrit Themelor dhe për ditë gjyqi u caktue data 29 gusht 1947.

 

 2.3 Procesi gjyqësor

Më 29 gusht 1947, ditën e premte, ora 9:00, para dreke, në Kukës, u formue trupi gjykues me kryetar kapiten I Misto Bllaci, anëtarë kapiten II Pertef Alizoti dhe aspirant Kristofer Martiro, prokuror kapiten Namik Qemali, sekretar Shaban Qamil Dautaj, avokat Dhimitër Pogaçe.

I pandehuri, Tahir Curran Kërrnaja, tha se akuza në përgjithësi është e vërtetë. Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksionin e Sigurimit të Shtetit, në Kukës, dhe i vërtetoi. Kurse deklaratën dhe dëshminë e dëshmitarit kryesor për akuzën e vrasjes së Qemal Stafës, Tahiri nuk e pranoi duke deklaruar prerazi se nuk është e vërtetë.

Nga ana e tij, prokurori kërkoi aktet për shqyrtim dhe shtyrjen e gjyqit për një ditë tjetër.

Më datën 30 gusht 1947, ditën e shtunë, para dreke, në Kukës, trupi gjykues u formua si më parë. Prokurori bëri pretencën me shkrim dhe përfundimisht kërkoi cilësimin fajtor të të pandehurit simbas nenit 3, paragrafi 3, 4, 7, 8, të Ligjës nr. 372, dhe në bazë të nenit 4 të po kësaj ligje kërkoi dënimin e tij me vdekje.

Mbrojtësi i të pandehurit avokat Dhimitër Pogaçe bëri mbrojtjen me shkrim, e cila, mbasi u këndue, u bashkue me aktet relative.

Pas argumentave mbrojtës për të pëndehurin, avokati Pogaçe, duke pasë parasysh se i pandehuri ishte i pasqaruar dhe meqenëse nga ana tjetër ishte dorëzue brenda afatit të thirrjes së Presidiumit për me u dorëzue, kërkoi që trupi gjykues të ketë parasysh këto rrethana, kurse caktimin e dënimit e la në ndërgjegjen e tyre dhe të paktën të ndjenjave të tyre të peshuara mirë.

Po më datën 30 gusht 1947, trupi gjykues, mbasi shqyrtoi aktet dhe bisedoi çështjen në tërësi, konstatoi se fajësia e të pandehurit ka dëmtue rëndë interesat e popullit dhe të pushtetit të tij dhe, si e tillë, parashikohet prej nenit 3, paragrafit 3, 4, 7, 8 e 14, të ligjës nr. 372, dhe dënohet prej nenit 4, të ligjës nr. 372, “Mbi fajet kundra Shtetit dhe Popullit”.

Megjithëse gjatë procesit gjyqësor nuk u provua fajësia e tij, në vendimin e trupit gjykues citohej e plotë pjesa e aktakuzës së prokurorisë sipas së cilës “në majin e vitit 1942, kur Heroi i Kombit Qemal Stafa është rrethue në afërsi të Spitalit të Tiranës, Tahir Currani (Kërrnaja) ka marrë pjesë aktive në vrasjen e tij dhe për këtë aktivitet është gradue kapter i parë i Kuesturës fashiste”.

Për këtë arsye, gjykata, mbasi studioi të kaluarën dhe të ardhmen e tij, me vota të përbashkëta, konform kërkesës së prokurorit, e cilësoi të pandehurin fajtor dhe, në bazë të nenit 4, të ligjës së sipërme, e dënoi Tahir Curran Kërrnajën me VDEKJE, por, duke marrë parasysh se ai ishte dorëzue brenda afatit të caktuar nga amnistia e Presidiumit të Kuvendit Popullor, këtë gjykata ia cilësoi shkak lehtësor të rëndësishëm dhe dënimin e tij, nga me vdekje, ia ktheu në privim lirie dhe punë të detyrueshme për jetë, duke vendosur njëkohësisht dhe konfiskimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme.

 

2.4 Lehtësimi shpirtëror i Tahir Kërrnajës

 Siç del nga analiza e dokumenteve arkivore për këtë ngjarje, as në procesverbalin e pyetjes së të pandehurit Tahir Curran Kërrnaja, as në tërësinë e procesit hetimor gjyqësor të tij nuk sillen prova dhe fakte për akuzën e paraqitur në vendimin e Gjykatës Ushtarake të datës 30 gusht 1947, për vrasjen e Qemal Stafës. Por kjo akuzë – brengë do ta ndiqte pas luftëtarin e lirisë, Tahir Kërrnajën, në SHBA, në jetën aktive të tij në funksion të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare.

Publicisti Dalip Greca, në shkrimin e tij “Vdekja e paralajmëruar e Babë Tahirit, ushtarit të kombit, lajmëtarit të lirisë”, publikuar në gazetën “Illyria” (SHBA), më 6 – 9 shtator 2002, për sa i përket akuzës së bërë Tahir Kërrnajës për vrasjen e Qemal Stafës, evidenton faktin se vetë Babë Tahiri e quante “akuzë absurde dhe se e kishte ndier veten të lehtësuar, kur i kishin sjellë një revistë nga Tirana, në të cilën Enver Hoxha, sipas revistës, ishte protagonisti i asaj vrasjeje dhe emri i Babë Tahirit nuk përmendej në atë vrasje kurth” .Në gjyqin e Kërrnajës, shumë dëshmitarë provuan pafajësinë e tij, kështu që dënimi u ul në masën e 10 vjetëve.

Loading...