Standard.al

“Zhurma” e futbollit italian në vitet 2000

futbolli italian Futbolli italian është ndër më të shikuarit dhe më të ndjekurit të botë. Kjo për shkak të yjeve, por edhe historisë që ka skuadra axurre. Më poshtë janë dhe disa nga momentet më të famshme të kësaj kombëtareje.

 

(2009) – Plani për stadiumet

Një nga kritikat më të ashpra që futbolli italian ka marrë gjatë këtyre dhjetë viteve, është paaftësia për t’u përshtatur me pjesën tjetër të futbollit evropian. Sidomos prirjes evropiane për të ndërtuar stadiume të rehatshme, familjare, të ngrohta dhe miqësore për tifozët dhe mbi të gjitha të mëvetësishme, Italia nuk ka ditur t’i përgjigjet. Prandaj, vendimet e Juventusit, Fiorentinës, Romës dhe ndoshta Interit për të ndërtuar stadiume të reja, mund të shihen si një shenjë optimizmi. Në të ardhmen ky mund të bëhet një fenomen mjaft i përhapur në futbollin italian, megjithatë duhet të presim vitin 2019 për të parë.

 

 (2006) – Fabio Kanavaro fiton “Topin e Artë”

 Pas paraqitjeve të shkëlqyera që ndihmuan Italinë të fitonte Kupën e Botës në Gjermani në vitin 2006, Fabio Kanavaro me të drejtë u shpall fitues i “Topit të Artë”. Mbrojtësi i fundit që e kishte fituar këtë trofe ishte Franc Bekenbauer në vitin 1976. Gjithashtu, Kanavaro është lojtari i parë italian që e merr këtë çmim, pas Roberto Baxhos, i cili e fitoi në vitin 1993.

 

 (2003) – Finalja e Ligës së Kampioneve, e gjitha italiane

 Edhe pse nuk ishte një ndeshje spektakolare, përballja e dy ekipeve italiane me më shumë trofe në finalen e “Old Traffordit” në vitin 2003, ishte një kënaqësi për të gjithë tifozët e futbollit italian. Arritja e vërtetë për këto dy klube ishte eliminimi i “gjigantëve” në fazat e mëparshme. Juventusi la jashtë Barcelonën dhe Realin e Madridit, ndërkohë që Milani u rendit i pari në grupin ku bënte pjesë Reali dhe Borusia e Dortmundit dhe në gjysmëfinale eliminoi Interin.

 

(2004/2007) – Rikthimi i Fiorentinës dhe Napolit

 Pas falimentimit përkatësisht në vitin 2002 dhe 2004, Fiorentina dhe Napoli u ringjitën në Serinë A, aty ku gjithmonë kishin qenë në vendet më të larta të renditjes. Historia e këtyre klubeve është e lidhur me kulturën e ngritjes dhe rrëzimit të disa klubeve italiane gjatë viteve ’90, të cilat ishin të detyruara të paguanin për spekulimet me shifrat e parave. Tashmë ata janë përsëri në nivelet e larta të futbollit në Itali dhe jo vetëm.

 

(2000/2001) – Titujt kampionë njëri pas tjetrit për skuadrat kryeqytetase

Për Lacion ishte titulli i parë pas 26 vitesh, i cili menjëherë më pas u ndoq nga Roma, që e ngrinte kupën e Serisë A pas 18 vjetësh “agjërimi”. Megjithëse të dy klubet prej asaj kohe kanë pasur probleme të vazhdueshme financiare, suksesi i dyfishtë i Romës dhe i Lacios çoi në një “ringjallje” të futbollit jugor në Itali. Sot kjo është bërë më e dukshme me praninë e Barit, Napolit, Palermos apo Katanias, të cilët përfaqësojnë ato rajone të harruara të gadishullit.

 

(2008) – Ndeshja e 1000-të e Paolo Maldinit

Megjithëse si zëvendësues në një ndeshje të zakonshme të Serisë A ndaj Parmës në transfertë, 16 shkurti i vitit 2008 do të mbahet mend për ndeshjen e 1000-të të Paolo Maldinit si profesionist, më tepër se 23 vite pas debutimit. Kapiteni legjendar ia kushtoi gjithë karrierën e vet Milanit, me të cilin fitoi gjithsej 27 tituj. Megjithatë, ai nuk arriti të fitonte asnjë trofe me kombëtaren, edhe pse fitoi 126 ndeshje, derisa zhveshi përfundimisht fanellën “azurre” në vitin 2002.

 

 (2000) – Françesko Toldo sfidon Holandën

Amsterdam 2000. Është momenti i Françesko Toldos. Përveçse priti dy penallti, portieri italian bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në gjysmëfinalen e Kampionatit Evropian ndaj Holandës, të cilën Italia e mundi 3-1 me penallti (për të shkuar në finale, ku u mposht 2-1 nga Franca në kohën shtesë). E paharrueshme është pritja e penalltisë së Pol Bosvelt.

 

(2007) – “Hakmarrja” e Milanit

 Pas turpërimit në finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 2005, kur kryesonte me tre gola epërsi ndaj Liverpulit, dy vjet më vonë, kuqezinjtë realizuan “hakmarrjen” e shumëpritur në Athinë. Në një periudhë kur futbolli italian dukej i zhytur në krizë, dy golat e Inzagit i dhanë titullin e shtatë evropian Milanit.

 

 (2006) – Fabio Groso si Tardeli

“Gjermanët nuk i humbasin penalltitë”. Ky ishte mendimi që qarkullonte në mendjen e tifozëve italianë dhe i bënte ata pesimistë mbi mundësitë e Italisë për të vazhduar më tej në Kupën e Botës, kur kishin mbetur vetëm dy minuta nga përfundimi i kohës shtesë në gjysmëfinalen përballë Gjermanisë. Por një pasim i Andrea Pirlos nxjerr të lirë Fabio Groson dhe anësori që në atë kohë luante me Palermon, lëshon një të majtë të fuqishme, duke mposhtur portierin Jens Lemanin. Mënyra e festimit të Grosos nuk ishte parë prej 24 vitesh…

 

(2012) Italia shkon në finale të Euro 2012

Italia ka mposhtur 2-1 Gjermaninë, duke arritur në finale të Kampionatit Evropian, pas një ndeshjeje spektakolare të zhvilluar në stadiumin e Varshavës. “Pancerat” nuk kanë mundur dot të hakmerren për disfatën e 6 viteve më parë, duke dalë sërish jashtë kompeticionit nga të kaltrit. Mario Baloteli ka qenë heroi i Italisë, duke realizuar dy gola vendimtarë për fatet e gjysmëfinaleve, edhe pse lojtari ishte me i kritikuari përpara startit të ndeshjes. Italia rikthehet në finale pas 12 vjetësh, duke bërë të ëndërrojnë tifozët e shumtë të kësaj skuadre, ndonëse humbi përballë një skuadre si Spanja që është kampionia në fuqi e turneut. Ndaj Gjermanisë, të kaltrit arritën të merrnin atë çfarë donin, duke u ndihmuar disi nga fati dhe në fillim dhe më pas, duke shënuar dy gola të rëndë, të cilët kanë qenë të vështirë për t’u përmbysur edhe nga një “supergjermani” e drejtuar nga Lëv.

 

(2006) – Lavdia e Kupës së Botës

Triumfi i papritur në Berlin i bëri italianët “mbretër” të botës për të katërtën herë në histori, duke mbetur vetëm një trofe pas Brazilit, që ka fituar pesë Kampionate Botërore. Në një kohë kur kujtimet e skandalit të “Calciopolit” ende nuk ishin shuar, djemtë e Marçelo Lipit treguan një mentalitet fitues që nuk ishte parë prej vitit 1982. Triumfi i italianëve u vu në dyshim nga disa momente të veçanta, duke përfshirë barazimin 1-1 ndaj SHBA-së, ku gjyqtari u detyrua të nxjerrë tre kartonë të kuq, penalltia e dyshimtë e Françesko Totit që i dha fitoren Italisë përballë Australisë dhe goditja me kokë e Zidanit ndaj Materacit në finale. Megjithatë, këto episode ia vlejtën për fitoren historike në Berlin.

 

 

Comments are closed.