Rrëfen muxhahedini kosovar i kthyer nga Siria: Jam penduar që shkova atje, ajo luftë nuk na përket neve  

0
98

photo-kushtrim-ternava2Luftoi për tre muaj në Siri, por po të mund ta kthente kohën mbrapsht nuk do ta bënte më këtë. Tani thotë që kjo luftë nuk u përket kosovarëve. I ishte bashkuar kësaj lufte duke luftuar përkrah formacionit paramilitar islamik “Xhabhatu Al-Nusra”, por thotë se nuk shkoi veç për motive fetare, ndërsa mohon plotësisht mundësinë që ka shkuar atje për para. “Express” sjell rrëfimin e muxhahedinit kosovar të kthyer nga lufta në Siri, rrugën deri te kjo luftë dhe arsyet që e shtynë t’i bashkohet dhe pastaj ta braktisë atë

Nuk ka mjekër, pantallona të shkurtër e as nuk përshëndet me “selam”, por tashmë është njëfarë veterani kosovar i luftës së Sirisë. Një muxhahedin i kthyer kohë më parë nga llogoret e luftës në Siri, që vjen nga një qytet i vogël kufitar i Kosovës, në një rrëfim për Express pranon ta ndajë përvojën e tij në “tokën e Shamit”, por pa fotografi e pa iu zbuluar emri.

“Një rrugë e lehtë për të shkuar, me shpenzime të paguara, por një jetë e rëndë për ta jetuar atje”, kështu e nis përshkrimin e përvojës së tij prej muxhahedini kosovar, 27 vjeçari, i cili tash thotë se po tenton të rikthehet në jetën që bënte dikur. Ai kishte punuar si kamerier për afro një dekadë.

Thotë se nuk di të punojë mirë në “Facebook”, por i ndjek mediat, e sidomos shkrimet për luftën në Siri.

“Po ka shumë të pavërteta për atë luftë. As për së afërmi nuk mund të përshkruhet se çka po ndodh atje. Lufta e Kosovës është si një lojë karshi asaj që po ndodh në Siri”, – thotë ky muxhahedin për “Express”.

Ai pranon që në luftën e Sirisë ka kosovarë, por edhe të tjerë, që shkojnë të motivuar nga interpretimet radikale të imamëve, që ka edhe të tillë që shkojnë për të fituar para, por vetë thotë që nuk ka shkuar krejtësisht as për njërin e as për tjetrin motiv.

“Unë nuk jam i rregullt me namaz (rituali islam e faljes ndaj Zotit që bëhet pesë herë në ditë). Shkoj veç në xhuma dhe kështu kam bërë edhe para se të shkoj në Siri, kështu vazhdoj edhe sot. Me këta mjekrat nuk kam ndejt, as atëherë e as sot nuk rri shumë”, – rrëfen ai.

Dëshiron t’i kthehet profesionit të vjetër

Ky i ri kosovar, që po e lyp punën e kamerierit në qytetin e tij të vogël, thotë se janë dy motive që e kanë shtyrë të shkojë në Siri.

“Si kamerier kam pasur kohë të lirë shpesh edhe kam hy në internet. Për mua kanë qenë tronditëse videot me krimet që Assadi po u bënte fëmijëve në Siri. Doja ta luftoja atë qenie kriminale. Por, doja ta provoja edhe vetë ndjenjën e luftës, pasi që kur u bë lufta e Kosovës isha shumë i ri për të marrë pjesë në të dhe ndihesha sikur kam diçka mangut”, – shprehet ai për Express.

Një rrugë e shkurtër dhe e lehtë për t’iu bashkëngjitur xhihadit në Siri, por e vështirë për ta bërë atë jetë, kështu e përshkruan ai involvimin në luftën e Sirisë, konflikt që tash ka eskaluar pos në frontin islamikët kundër Asadit edhe në grupet islamike në luftë mes vete, dhe grupet islamike në luftë me Ushtrinë për Çlirimin e Sirisë, një formacion i opozitës siriane që lyp demokraci për Sirinë pas largimit të Assadit. Ky konflikt tash ka prekur edhe krahinën Al-Anbar të Irakut, një krahinë ku valëvitet flamuri i organizatës terroriste “Al-Kaida”.

“Pasi që u binda që duhet të marr pjesë në këtë luftë, një të mërkurë kam shkuar në xhami te personi që të gjithë e dinim që çon njerëz për Siri dhe pas disa ditësh unë veç kam qenë në kampin stërvitor të muxhahedinëve në Alepo. Jemi nisur me aeroplan nga Prishtina në Stamboll, pastaj me një makinë që na priti nga Stambolli në kampet e refugjatëve sirian dhe prej atje e kemi kaluar kufirin ilegalisht deri në kampin në Alepo”, rrëfen i riu kosovar për “Express”.

Ai thotë se rruga deri atje i kanë thënë në fillim që kushton 101 euro, shumë që e ka kursyer nga puna e tij prej kamerieri për ta paguar, por “organizatori i udhëtimit për xhihad” në fund nuk ia ka marrë paratë – ka shkuar pa asnjë shpenzim.

Ai thotë që kur ka mbërritur atje, kishte një rregull.

“Kemi pasur kazermë – që ka qenë një kompleks banesor, me kushte të mira, përfshirë edhe rrymën e internetin si dhe ushqim të mjaftueshëm”, – thotë ai.

 

Ka dëshirë të bëhet pjesëtar i FSK-së

Ky i ri kosovar i cili ka një dëshirë të flaktë: t’u bashkëngjitet Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), nëse do t’i jepej mundësia. Ai thotë se në kampin stërvitor në Alepo kanë bërë përgatitje për luftë prej 20 ditësh, por tërheq vërejtjen se nuk janë pak.

“Ushtrimet kanë qenë intensive, tërë ditën, sa që pas 10 ditësh u bindëm se mund të hidheshim në frontet e luftës”, – thotë ai dhe përmend që instruktorët që i mësoni me përgatitje fizike në përdorimin e armatimit, kryesisht flisnin turqisht.

Mohon që të ketë marrë pagesë. “Ndoshta ka pasur mercenarë atje, por unë nuk kam marr asnjë cent. Unë nuk kam vjedhur, madje as nuk kam parë për tre muaj në front asnjë vjedhje. Komandanti i skuadrës sime prej 8 ushtarësh na kishte thënë që është haram të vjedhim”, – thotë ai. Në kamp, thotë ai, i kanë pasur të gjitha të mirat që u janë dashur.

“Sistemi i luftimeve atje janë të përcaktuara po thuajse shumë saktë. Afro 15 ditë duhet të jesh në front, pastaj të takojnë 5 ditë pushim”, – rrëfen ai.

“Luftimet kanë qenë të ashpra. Është luftuar deri në 50 metra afërsi, në qytet. Kushdo që shpëton prej atyre luftimeve është thjesht që Zoti s’ka thënë që ai person të vdes”, – rrëfen ky i ri kosovar për Express.

Takova rreth 80 kosovarë në Siri, Lavdrim Muhaxeri është veç përgjegjës, jo komandant

Ky i ri kosovar thotë që nuk është ishte i vetmi shqiptar i Kosovës në këtë luftë.

“Atje i kam parë e fol me afro 80 shqiptarë të Kosovës. Janë prej krejt regjioneve”, – thotë ai.

Sipas tij, i përfoluri si komandant i shqiptarëve në Siri, Lavdrim Muhaxheri nga Kaçaniku, nuk është tjetër pos një përgjegjës për ta.

“Ai nuk është komandanti i shqiptarëve. Ai vjen edhe të pyet si je dhe mos po të duhet diçka, kurrgjë më shumë. Lavdrimi garanton për ty që mos je spiun, sepse ka pasur edhe tendenca nga spiunë për t’iu bashkuar luftës. Unë kam pasur një komandant që ka folur turqisht”, – thotë ai, dhe habitet se pse po bëhet çështje pjesëmarrja e shqiptarëve në luftën e Sirisë.

“Po në këtë luftë ka prej krejt botës. Ka shumë prej Evropës. Bile më së shumti ka myslimanë prej Anglisë që janë në xhihad. Ka edhe serbë myslimanë nga Beogradi në atë luftë”, – thotë ai, por konfirmon që për tre muaj nuk ka takuar asnjë jo-mysliman që iu ka bashkuar kësaj lufte.

 

Kjo luftë nuk na përket neve

Në Siri tani dihet që ekzistojnë së paku tri formacione të mëdha në luftë kundër Bashar- Al Assadit, Shteti Islam i Irakut dhe i Shamit (ISIS), i njohur edhe e si “Deuleja”, ku Lavdrim Muahxeri është njëri nga komandantët, grupi i afërt me “Al-Kaidan” – “Xhabhatu Al-Nusra” grupe që synojnë një Siri me Sheriat Islam dhe Ushtria për Çlirimin e Sirisë, një formacion që në mënyrë të heshtur ndonjëherë përkrahet dhe nga Perëndimi. Dy grupet e para, megjithëse punojnë mbi parimet e “Al-Kaidas”, çuditërisht në kohën e fundit janë duke zhvilluar luftime të përgjakshme. Këto përplasje janë edhe njëra ndër arsyet që muxhahedini kosovar që rrëfen për Express ka vendosur ta braktisë atë luftë.

“Në fillim kemi qenë krejt bashkë, “Deuleja”, “Al Nusra” e Ushtria për Çlirimin e Sirisë. Tani filluan me u përplas mes vete dhe situata u komplikua. Nuk mendoja që duhet të qëndroj më në këtë luftë”, – thotë ai. Ai thotë se muajin e fundit të luftimeve në Siri, nga tre muaj sa ka qëndruar atje, e ka kaluar në gjirin e grupit paramilitar islamik “Xhabhatu Al-Nusra”, një formacion që tash për tash është në luftë ta hapur me “Deulen”, – ku komandon edhe Lavdërim Muhaxheri. Pavarësisht kësaj, thotë se me Lavdrimin ruan raporte korrekte, edhe pse nuk komunikojnë shumë. “Një ditë ma kish çuar një selam. Kish vet se qysh jam”, thotë ky muxhahedin, i cili njerëzve të rrethit të Lavdërimit ju referohet si “mjekrat”.

I pyetur tash për rrjedhën e kësaj lufte, ky muxhahedin, thotë se atje rezistenca kundër Assadit ka dështuar nga luftërat e brendshme. “I vetmi që po fiton atje është Assadi”, – thotë ky i ri kosovar. E pamundur, por thotë që po të mund ta kthente kohën mbrapsht kurrë nuk do të shkonte për të luftuar në Siri.

“Jam penduar që kam shkuar atje. Nuk është lufta të cilës i përkasim”, – thotë ai për “Express”.

(Gazeta “Express”)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency