Standard.al

Incidente dhe protesta në panairin e punës / Ministri Veliaj i përgjigjet të shkarkuarës nga puna: Kinge, të gjej punë me 1000 euro  

Florenc Drizari

 

Rama: Hyni në panair, keni 6000 vende pune

perplasja e veliaj me protestuesen Përfaqësues të qeverisë, me në krye Kryeministrin Edi Rama, morën pjesë dje në panairin e punës të hapur prej tri ditësh në Tiranë, duke prezantuar paketën e re në mbështetje të punësimit. Në ditën e 1 Majit, Festës Ndërkombëtare të Punëtorëve, qeveria organizoi një ceremoni për çeljen e fondit prej 2.7 milionë dollarësh, drejtuar kompanive që punësojnë të rinj. Ceremonia u zhvillua në Pallatin e Kongreseve, aty ku mbahet edhe panairi, ndërkohë që në këtë ngjarje nuk munguan edhe incidentet. Para se përfaqësuesit e qeverisë të mbërrinin në mjediset e panairit, punonjës të shkarkuar nga puna zhvilluan një protestë, duke kërkuar të drejtat e tyre për humbjen e vendeve të punës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Punës, Erion Veliaj, të cilët edhe pas hyrjes në mjediset e Pallatit të Kongreseve, dy nga protestueset e Shoqatës së të Shkarkuarve nga Puna tentuan të protestonin edhe brenda aktivitetit. Pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë, aktiviteti u zhvillua normalisht, ndërkohë që protestuesit vijonin të kërkonin të drejtat e tyre jashtë mjediseve të panairit. Pasi krerët e qeverisë prezantuan planin për hapjen e vendeve të reja të punës dhe nxitjen e bizneseve për punësimin e të rinjve, incidentet filluan sërish mes forcave të sigurisë dhe protestuesve.

Protestuesit e Shoqatës së të Shkarkuarve nga Puna iu drejtuan Kryeministrit Rama dhe ministrit Veliaj me thirrje “Qeveri mashtruese”, “Kryeministër mashtrues”, “Duam punë”, “Largohu mashtrues”. Pas këtyre thirrjeve Kryeministri u ndal për pak çaste për të biseduar me njërën prej grave që kërkonte punë, duke i bërë thirrje që t’i drejtohej panairit se aty do të gjente një vend të ri pune. Por protestuesit kërkuan rikthimin e tyre në vendet e mëparshme të punës dhe të drejtat se përse ishin larguar nga pozicionet e tyre. “Brenda ke 6 mijë vende pune, hyr dhe kërko”, – deklaroi Rama. Ndërkohë, një grua e pushuar nga puna u shpreh: “Nuk më merr njeri në punë mua, aty kishte punë në sektorin fason, unë jam inxhiniere. Pse më hoqët nga puna?” Replikat mes Kryeministrit dhe të pushuarës nga puna vijuan më tej, ndërkohë që paslargimit të Ramës nga panairi, protestuesja iu drejtua edhe ministrit Erion Veliaj.

Gjatë bisedës së shkëmbyer para Pallatit të Kongreseve, Veliaj iu drejtua zonjës se ishte i gatshëm t’i gjente një punë, por me kushtin që ajo t’u drejtohej mjediseve të panairit e jo të protestonte në rrugë. Situata u tensionua më tej, kur ministri Veliaj iu drejtua njërës prej protestuesve me fjalët: “Kinge, shiko ta shpjegoj unë”, lidhur me pretendimet e zonjës për shkarkimin nga puna, ndërkohë që gruaja reagoi ashpër, duke thënë se me moshë ishte nëna e tij dhe se në panair nuk ofroheshin punë për profesionin e saj si inxhiniere. Gjatë debateve pati edhe keqkuptime ku gruaja tha se ishte inxhiniere mekanike, ndërsa ministri Veliaj premtoi se do t’i gjente punë si inxhiniere ndërtimi. “Jam në profilin tim, jam inxhiniere mekanike, isha atje, isha mirë, pse më hoqët? Pse duhet të sillni juve të tjerët?”, – deklaroi gruaja e shkarkuar nga puna, ndërsa ministri Veliaj tha: “Në qoftë se do punë, më jep dorën dhe hajde shkojmë të gjejmë punë. Punë 1 mijë euro, inxhiniere ndërtimi, 1 mijë euro punë, hajde të të çoj”.

Më herët, të shkarkuarit nga puna në administratën publike kanë protestuar edhe para Kuvendit të Shqipërisë, në ditën kur ka pasur seanca plenare. Gjatë këtyre protestave deputetët e opozitës u kanë premtuar atyre se do t’i kërkojnë qeverisë rikthimin e tyre në punë.

 

 Replikat mes të shkarkuarve nga puna, Kryeministrit Rama dhe ministrit Veliaj

 

Rama: Brenda ke 6 mijë vende pune, hyr dhe kërko.
Gruaja: Nuk më merr njeri në punë mua, aty kishte punë në sektorin fason, unë jam inxhiniere. Pse më hoqët nga puna?
Rama: Shko brenda dhe kërko punë, ka edhe për ty.
Gruaja: Aty ka punë ordinere, nuk janë për mua…
Pas largimit të Kryeministrit, protestuesja ka biseduar edhe me ministrin Veliaj.
Gruaja:
Ne ishim, pse na hoqët?
Veliaj: Kinge, shiko ta shpjegoj unë?
Gruaja: Nuk ka nevojë për kinge, se unë jam sa nëna jote, mos më fol në atë gjuhë. Tregohu më serioz se je fëmija im. Mua më 29 mars më kanë hequr nga puna.
Veliaj: Tani je gati të fillosh punë?
Gruaja: Ku? Jam në profilin tim, jam inxhiniere mekanike, isha atje, isha mirë, pse më hoqët? Pse duhet të sillni juve të tjerët?
Veliaj: E do përgjigjen apo do të bërtasësh?
Gruaja: Jo, nuk dua përgjigje fare, unë do bërtas që të më çoni në vendin e punës, por jo të më hiqni. Po ti çfarë ke bërë 8-9 vjet? Bërtite, llape dhe ti 8 vjet.
Veliaj: Në qoftë se do punë, më jep dorën dhe hajde shkojmë të gjejmë punë.
Gruaja: Unë të jap dorën ty për atë punë ordinere?
Veliaj: Jo, jo, punë 1 mijë euro, inxhiniere ndërtimi, 1 mijë euro punë, hajde të të çoj. E do punën, hajde të të çoj.
Gruaja: Jo, jo, dua vendin tim të punës.
Veliaj: Hajde të të çoj tek puna, më jep dorën.
Gruaja: Po ik se ju mashtroni, ju jeni gënjeshtarë.
Veliaj: Jo pension në shtet, po do punë hajde, hajde në punë.

Gruaja: O zotëri, unë isha mirë në vendin e punës, pse më hoqët, pse më hoqët?

 

Panairi i Punës/ Rama: Kemi hapur 25 mijë vende pune

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, 1 Maji, u shfrytëzua nga Kryeministri Rama për të bërë një bilanc të shkurtër të punësimeve të reja në administratën publike dhe në sektorin privat, si dhe për nisjen e një projekti për të mbështetur financiarisht ata sipërmarrës që punësojnë të rinj në bizneset e tyre. Kreu i qeverisë ishte i pranishëm në ceremoninë e çeljes së fondit prej 2.7 milionë dollarësh akorduar kompanive që punësojnë të rinj. Kjo ceremoni u zhvillua në mjediset e Pallatit të Kongreseve, ku është hapur dhe panairi i punësimit. Në fjalën e tij, Rama tha se është sektori privat ai që rrit mundësitë për punësim dhe krijon vende të reja pune. Kryeministri Edi Rama u shpreh i lumtur që ditën e 1 Majit ndodhej në panairin e punësimit 2014, dhe jo në Kuvendin e Shqipërisë që, sipas tij, është shndërruar në një arenë debatesh pa fryt. “E enjtja përkoi me 1 Majin, jemi këtu të flasim për punën dhe punësimin në vend që të humbisnim kohën në Parlament. Ne jemi shumë të bindur se me ndryshimin radikal të drejtimit të qeverisjes dhe sfidës së luftës me papunësinë, po i japim të gjithë shqiptarëve që janë të gatshëm për punë mundësinë që të mund të trokasin, të tentojnë shansin e tyre jo vetëm në zyrat e punës por dhe në hapësirat e tjera siç është ky panair”. Sipas kreut të qeverisë, që në vitin e parë është 3-fishuar fondi i punësimit, ndërsa theksoi se deri më tani janë hapur 25 mijë vende të reja pune, këto të regjistruara dhe jo të fabrikuara. “Qysh në vitin e parë e kemi 3-fishuar fondin e punësimit. Qeveria po hedh hapa konkrete për punësimin. Deri tani flasim për mbi 25 mijë vende pune të regjistruara. Nuk flas për shifra të fabrikuara por këto të dhëna vijnë nga lista e kontribuuesve në sigurimet shoqërore”, – tha Rama.

 

Kadilli: Të ardhurat nga kontributet 6% më të ulëta, 27 mijë vende pune më pak

 Ish-deputeti demokrat, koordinatori i PD-së për degën e Lushnjës, Fatbardh Kadilli, në një reagim ndaj deklaratave të përfaqësuesve të qeverisë lidhur me hapjen e vendeve të reja të punës, duke theksuar se të ardhurat nga kontributet për sigurimet shoqërore tregojnë të kundërtën. “Qeveritari po deklaron se janë hapur 25 mijë vende pune më shumë në muajt e fundit. Një gënjeshtër e madhe. Të ardhurat nga kontributet për sigurimet shoqërore janë 6% më të ulëta se e njëjta periudhë një vit më parë. Masa e kontributit nuk ka ndryshuar. Atëherë, ose kemi humbur 6% të vendeve të punës në sektorin privat jobujqësor, ose ai paguan rroga më të ulëta. Ky 6% është gati 27 mijë vende pune më pak. Ndoshta është një “gabim” i vogël, nuk kemi hapur, kemi humbur 25 mijë vende pune”, – theksoi Kadilli.

 

Comments are closed.