Ekspertët / Reforma territoriale të mos zbatohet në zgjedhjet lokale

0
149

Florenc Drizari

 

Ish-kryetari i KQZ-së: Reforma territoriale paralelisht me ndryshimet në Kodin Zgjedhor

votaKomisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale ka nisur prej disa ditësh seancat dëgjimore me grupet e interesit, ndërkohë që paralel me këto zhvillime kanë reaguar edhe ekspertët e zgjedhjeve në Shqipëri. Ekspertë të kësaj fushe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve theksojnë se fillimisht duhet pritur produkti i reformës administrativo-territoriale dhe më pas të flitet për ndryshime në Kodin Zgjedhor, si dhe ndikimet që ky produkt pritet të ketë në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor.

“Nëse flitet për qeverisjen vendore e cila është me dy nivele, edhe komuna edhe qarqe, reforma nuk ka ndikim, nëse qarqet bëhen me zgjedhje e jo me përfaqësim siç është tani, atëherë është problem tjetër dhe varet se si do të bëhet reforma”,-theksojnë ekspertë nga KQZ-ja.

Ndërkaq, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, deklaron se reforme territoriale duhet të zhvillohet paralel me reformën në Kodin Zgjedhor. Nëse kjo nuk ndodh sipas tij, atëherë produkti i kësaj reforme të mos zbatohet në zgjedhjet e ardhshme. Për këtë çështje eksperti i zgjedhjeve në Shqipëri, Kume, i referohet edhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias që një reformë Administrativo-Territoriale të realizohet në mënyrë të tillë, që produktet që ajo sjell, të mos zbatohen në zgjedhjet e radhës, siç janë ato për pushtetin vendor.

“Komisioni i Venecias, ndër të tjera, në rastet kur ndodhemi përpara të tilla proceseve rekomandon që një reformë territoriale-administrative të realizohet në mënyrë të tillë që produktet që ajo sjell të mos jenë objekt pune, të mos zbatohen në zgjedhjet e radhës. Në kuptimin që nëse do të bëjmë një rindarje administrative të territorit të Shqipërisë, rekomandojmë që në zgjedhjet e radhës për organet përkatëse që afketohen nga kjo rindarje, të mos përdoret kjo rindarje e re. Eshtë shumë e rëndësishme që reforma administrativo-territoriale të përfundohet kohë më përpara se sa të bëhen zgjedhjet e radhës. Jemi aktualisht në kushtet kur pas një viti do të bëhen zgjedhjet për organet e pushtetit vendor”,-ka deklaruar Kume gjatë një inteviste televizive për News24.

Sipas tij, nëse reforma nuk do të përfundojë dhe ndarja e re administrative e Shqipërisë nuk do të jetë efektive të paktën një vit përpara zgjedhjeve të ardhshme, atëherë do të ndodhemi përpara problemeve të mirë zbatimit të kërkesave të Kodit Zgjedhor, në konfigurimin e ri të ndarjes administrative. Këtë argument zoti Kume e mbështet në faktin se zbatimi i Kodit Zgjedhor realizohet në një pjesë të madhe, në çdo proces zgjedhor, edhe si produkt i plotësimit të detyrimeve që vijnë nga organet e zgjedhura të pushtetit vendor. Lidhur me ndryshimet që priten nga procesi i reformës së ndërmarrë nga shumica parlamentare, Kume thotë se produkti i kësaj nisme pritet të ketë ndikim në produktin e zgjedhjeve.

 

Kryetarët e bashkive të majta: Duam modelin e para viteve ’90

Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën administrativo-territoriale zhvilloi pak ditë më parë seanca dëgjimore me krerët e bashkive në vend. Në këto konsulta morën pjesë disa prej krerëve të njësive vendore të zgjedhur nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e shkuara si, Qazim Sejdini kryetar i Bashkisë së Elbasanit, Vangjush Dako kryebashkiak i Durrësit, Baftjar Zeqo kryetar i Bashkisë së Fierit etj. Duke dhënë mendimet e tyre për iniciativën e mazhorancës për ndarjen e re administrativo-territoriale, në tërësi krerët e bashkive të majta theksuan rikthimin e modelit të para viteve ‘90. Ky qëndrim u mbështet nga kryetarët e dy prej bashkive kryesore në vend, si Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini. Të dy vendorët deklaruan se modeli i para viteve ‘90 ofron zgjidhje të mira edhe për kohën në të cilën ndodhemi, paçka sistemit komunist që i ngriti atë model.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency