Dënohet dhuna ndaj protestuesve/ Bregu: Në 8 muaj, 7 mijë familje në rrugë. Taksat e larta shkurtuan punëtorët tek biznesi  

0
134

Gëzim Saliu

 

1 Maji, deputetja e PD-së: Panairi i Ramës është tallje oligarkësh, mijëra të rinj të papunë

Majlinda-Bregu Partia Demokratike denoncoi dje dhunën e gardës ndaj protestuesve në panairin e punës, të organizuar nga qeveria, duke akuzuar Kryeministrin për retorikë boshe që nuk krijon asnjë vend të ri pune. Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, deklaroi se në 8 muaj pushtet, qeverisja e majtë jo vetëm që nuk ka hapur vende pune, por ka dëmtuar 7 mijë familje me largimet nga puna. Kujtuam se paradat e 1 Majit morën fund, por shihet se kanë rilindur me panairet e “punësimit”. Ky 1 Maj e gjen Shqipërinë në ditën më të vështirë për sa i përket punësimit. Teksa zyrtarisht është rritur numri i të papunëve në vend, kur prej 8 muajsh qeveria udhëheq një fushatë largimesh të paligjshme nga administrata duke dëmtuar mbi 7 mijë familje, dhe ndërsa biznesi privat shkurton çdo ditë stafin për shkak të taksave të larta dhe rënies së ekonomisë, Edi Rama organizon panaire dhe flet e flet pa fund, me një retorikë që nuk hap asnjë vend të ri pune, që nuk krijon as edhe një shans për përmirësimin e jetës që qytetarëve”, – deklaroi ligjvënësja demokrate.

 

Protesta

Për Partinë Demokratike, panairi i djeshëm i qeverisë për punësimin, në kuadër të ditës së 1 Majit, ishte një tallje me qytetarët shqiptarë. Sipas Bregut, në ditën e punës, qytetarët shqiptarë u dhunuan sërish nga qeveria dhe Kryeministri. “U dhunuan jo vetëm gratë që u nxorën me forcën e gardës nga aktiviteti qeveritar sepse prishën humorin e shefit, por u dhunuan të gjithë të papunët nga një propagandë tallëse e fyese deri në kockë, e një kryeministri që refuzon të dëgjojë e të shohë se çfarë po ndodh në realitet. Në realitet, çdo ditë, burra e gra, të rinj e të reja, profesionistë të fushave, po humbin vendin e punës. Në realitet mijëra të rinj të papunë kanë humbur shpresën për një vend pune”, – pohoi deputetja demokrate. Më tej, ajo e cilësoi panairin e qeverisë si një penel që nuk e zbukuron dot realitetin e zymtë të keqqeverisjes dhe paaftësisë së Kryeministrit. “Panairi i Ramës nuk i mbulon dot të gjitha kotësitë e kësaj qeverie. Panairi i Ramës është veçse tallje oligarkësh që u intereson vetëm pushteti i tyre”, – pohoi deputetja e PD-së, Majlinda Bregu.

 

 Reagimi ndaj Veliajt/ PD e Korçës: Masa administrative ndaj të ndjerës Meka s’ishte në fuqi, nuk duhej zbatuar

Partia Demokratike e degës Korçë ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, për rastin e të ndjerës 52-vjeçare Brunilda Meka, duke i cilësuar ato si shpifje. Pasi ministri kishte theksuar se ndaj Mekës kishte një masë administrative për shkelje, PD e Korçës theksoi se kjo masë nuk kishte më fuqi që prej 20 shkurtit të 2014-ës. “Për rrjedhojë, drejtoresha aktuale nuk mund të bazonte asnjë vendim të sajin, për shkarkim apo transferim, në një shkresë që nuk kishte më fuqi ekzekutive. Theksojmë se e njëjta masë i është dhënë përgjegjëses të të njëjtit sektor ku punonte znj. Meka, ndaj së cilës e njëjta drejtoreshë ende nuk e ka parë të arsyeshme që të bëjë ndonjë transferim”, – theksohej në deklaratë. Më tej, PD e Korçës bëri të ditur se ish-drejtori ka pajisur të ndjerën Brunilda Meka, në muajin nëntor 2013, me një dokument reference për aftësi në punë, dokument i cili, sipas demokratëve, ndodhet në pirgun imagjinar të letrave. “Pyes znj. Verushi, cili ka qenë motivi i transferimit të znj. Meka!? Si e justifikon ministri largimin nga puna të rreth 40% të punonjësve të ISSH Korçë deri në momentin që flasim, teksa vetë drejtoresha është duke ezauruar periudhën e provës në punë!? Me ç’motiv drejtoresha thyen çdo ligj për administratën publike dhe Kodin e Punës? Fatkeqësisht ky është 1 Maji që po u ofron rilindja shqiptarëve dhe administratës publike!”, – theksoi përfaqësuesi i PD-së në degën e Korçës.

 

 Në panairin e 1 Majit/ Berisha: Protestuesit demaskuan panairin e Ramës si panairin e mashtrimit

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, komentoi dje panairin e organizuar nga qeveria për 1 Majin si edhe protestën e qytetarëve para Pallatit të Kongreseve për largimet abuzive nga puna. Duke e cilësuar protestën si demaskimin e panairit të mashtrimit, Berisha theksoi se përgjigjja e Kryeministrit ndaj tyre ishte diskriminuese. “Nderim protestueseve dhe protestuesve që demaskuan sot panairin e Ramës si panairin e kotësisë, mashtrimit dhe të papunësisë. Ata me protestën e tyre frymëzuese bllokuan për dy orë Ramën dhe Velinë e tij në Pallatin e Kongreseve. Protestuesit trima, që kishin dalë aty për bukën e fëmijëve të tyre, Rama në fjalën e tij i quajti me cinizëm “delegacioni i SHQUP-it”. Por pavarësisht nga forca të panumërta civile dhe me uniformë që rrethuan zonën dhe Ramën e Velinë për t’i nxjerrë nga pallati, ata me guxim shoqëruan daljen e tyre me thirrjet: Qeveri e mashtrimit! Mashtrues! Mashtrues! Turp! Turp!”, – shkruante Berisha në rrjetin social “Facebook”. Më tej, ish-kreu i qeverisë shprehu mirënjohje dhe përgëzim për protestuesit e djeshëm që sipas tij, “ndrynë në pallat 2 orë kryemashtruesin e vendit. Le të konsiderojmë protestën kundër klikës Rama -Meta si detyrën tonë qytetare kryesore!”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency