Standard.al

Politika e re fiskale shqetëson investitorët

Ervin Kaduku

rrobaqepesi–   Kompanitë gjermane të pranishme në Republikën e Shqipërisë deklaruan se rritja e taksave për biznesin nuk është e mirëpritur

–   “Ishte shqetësues fakti që mungoi transparenca në hartimin e sistemit të ri dhe faktit se shumë ndryshime u bënë në momentin e fundit nga qeveria”, – tha Anette Kasten, sekretare e Përgjithshme e Dhomës Gjermane të Tregtisë

–   Shqipëria renditet në listën e katër vendeve të fundit me më pak interes për të investuar për këtë vit

–   A është shpëtim borxhi? Flasin specialistët

Kompanitë gjermane e shohin me shqetësim rritjen e taksave nga ana e qeverisë “Rama”, që ka hyrë në fuqi në fillim të këtij viti. Konfirmimi vjen nga rezultatet e anketimit vjetor të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) mbi klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri. Sipërmarrësit e huaj kanë renditur si të përkeqësuar barrën fiskale në vend, e cila është ulur me shpejtësi në renditjen e faktorëve që ndikojnë në situatën e biznesit në Shqipëri, duke zbritur nga vendi i 5-të në atë të 14-të.

“Rritja që është bërë, është e pranueshme nga biznesi gjerman, megjithëse ishte shqetësues fakti që mungoi transparenca në hartimin e sistemit të ri dhe faktit se shumë ndryshime u bënë në momentin e fundit nga qeveria. Për ne ka rëndësi që taksat të mos rriten më tej dhe që zbatimi i tyre të jetë i njëjtë për të gjithë”, – tha znj. Anette Kasten, sekretare e Përgjithshme e DIHA.

Faktorët, të cilët kompanitë i marrin parasysh në zgjedhjen e një vendi për të investuar vlerësohen veçanërisht në mënyrë kritike. Shqipëria renditet në listën e katër vendeve të fundit me më pak interes për të investuar për këtë vit. “Kjo vjen si pasojë e faktit që Shqipëria është një vend i vogël dhe informacioni për të edhe minimal dhe në rastet kur ka, ai informacion është negative. Qeveria duhet të punojë shumë në njohjen e vendit dhe përmirësimin e imazhit nëse do të tërheqë investime”, – tha Kasten.

 

A është borxhi shpëtim?

Deri tani, përveç ngarkesës së biznesit me taksa, është shpallur plani i qeverisë edhe për të dalë në tregun ndërkombëtar gjatë vitit të ardhshëm për të rifinancuar borxhin prej 300 milionë eurosh. Ky plan, sërish, shihet me dyshime nga ekonomistët. Ata dyshojnë në rritjen e kostos së këtij borxhi, pasi mendojnë se vlerësimet e ndërkombëtarëve nuk janë aq pozitive sa të mund të na ofrojnë një kosto më të ulët se 7.5%, me të cilën u emetua eurobondi i vitit 2010

“Shqipëria do të trokasë në tregjet ndërkombëtare vitin e ardhshëm, kur eurobondi i saj pesëvjeçar të maturohet”. Kështu është shprehur ministri i Financave, Shkëlqim Cani, në intervistën për “Zërin e Amerikës”. I gjendur në prag të nevojës për të rifinancuar borxhin prej 300 milionë eurosh në vitin 2010, kur qeveria shqiptare doli për herë të parë në tregun ndërkombëtar, ministri “mbështetet” tek ato që ai i lexon si avantazhe: Marrëveshjen e huasë dhe rrjedhimisht të bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe përmirësimin e lehtë të vlerësimit të agjencisë “Standard & Poor’s” krahasuar me vlerësimin në muajin dhjetor, i cili kujtojmë se mbetet gjithsesi në nivelin B/B.

Agjencia e rankimit “Standard & Poor’s” rriti vlerësimin mbi Shqipërinë në “e qëndrueshme”, nga “negative” dhe konfirmoi se rankimi në B vjen pas kredisë prej 331 milionë eurosh që vendi ka marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar

Por, në fakt, ekspertët e ekonomisë mendojnë se ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim, aq sa mund të mos mjaftojë një vit kohë. E për më tepër, kujtojnë se kushtet janë shumë më ndryshe nga 5 vite më parë, si në tregun ndërkombëtar, edhe në qasjen tonë me këtë treg. Këto opinione ata i kanë shprehur për revistën “Monitor”.

Arben Malaj, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, është dyshues nëse qeveria shqiptare do të sigurojë një normë interesi të ulët. “Duhet të kemi parasysh që kostoja e tij do të varet shumë nga vlerësimi që do t’i bëhet ekonomisë shqiptare. Nuk besoj se jemi në një moment që mund të shpresojmë të operojmë lehtë e me kosto apo interes të ulët”, – shprehet ai.

I gjithë shqetësimi është që ky rifinancim të na kushtojë më shtrenjtë nga 5 vite më parë. Sipas Besard Kadisë, drejtori i Fondacionit për Liri Ekonomike “është për t’u parë nëse në 2015-n do të kemi terma më të mirë apo jo, për vetë faktin se borxhi do të arrijë vitin e ardhshëm në 74.5%, ose 16% më i lartë se në vitin 2010”.

Por ndërsa rritja e borxhit na rrezikon emetimin e eurobondit me interes më të lartë, shpresa mbetet te një faktor ekuilibrues që mund të japë prania e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Prania e këtij institucioni, sipas Kadisë, veçanërisht nëpërmjet reformave që kërkon, mund të lexohet nga kompanitë ndërkombëtare si një garanci më shumë.

Por, jo të gjithë e vlerësojnë kështu. Për Agim Kukelin, profesor i Ekonomisë në Universitetin Evropian të Tiranës, prania e FMN-së jo domosdoshmërisht mund të lexohet si një siguri më shumë. Ai na kujton se Fondi Monetar ka shkuar në vende që kanë pasur nevojë, dhe edhe programi i asistencës në vendin tonë cilësohet i tillë.

Çështjet në të cilat bien dakord të gjithë ekspertët e ekonomisë janë dy: portofoli i borxhit të qeverisë shqiptare duhet të diversifikohet, mes tregut të brendshëm, atij të jashtëm, e institucioneve financiare, e në të njëjtën kohë, maturiteti i tij duhet të zgjatet në kohë. E për këtë të fundit, ata kanë një ide që nuk ka nevojë për pasiguritë e një tregu të panjohur si ai ndërkombëtar.

Sipas Kukelit, tregu i brendshëm nuk është ezauruar, dhe nuk është domosdoshmërisht e vërtetë që qeveria të bëhet konkurrent i sipërmarrjeve a konsumatorëve nëse kërkon financime në tregun financiar vendas. Një zgjidhje do të ishte emetimi i obligacioneve dhjetëvjeçare në tregun e brendshëm.

“Të dhënat e Bankës Qendrore konfirmojnë rritjen e depozitave, dhe ndoshta ekonomia shqiptare është në pragun e asaj që njihet si ngërçi i likuiditetit, ku bankat janë të mbushura me depozitat dhe bizneset, nga ana tjetër, nuk po e transmetojnë politikën monetare e atë qeveritare në rritjen e aktivitetit. Ato nuk po hapin vende pune”, – thotë Kukeli.

Gjithsesi, ai thekson bindjen e tij se borxhi është rritur në mënyrë galopante dhe është jashtë parametrave të shërbyeshmërisë së ekonomisë sonë.

 

Borxhet fryhen e shtyhen…

Çdo ditë e më tepër po bëhet realitet fakti që trashëgimia më e sigurt që po u lëmë fëmijëve është borxhi. Pavarësisht programit të qeverisë shqiptare për të shlyer borxhet e prapambetura ndaj sipërmarrjeve, kujtojmë se plani i huas me Fondin Monetar Ndërkombëtar prej 300 milionë eurosh, aq shumë i diskutuar në media, do të shoqërohet nga një hua tjetër po kaq e madhe nga Banka Botërore, marrëveshja për të cilën pritet të konkludohet pas rreth dy muajsh.

E prej vitit të ardhshëm, do të marrim borxh për të shlyer borxh edhe në tregun ndërkombëtar. Emetimi i dytë shqiptar i eurobondit do të bëhet për të rifreskuar, apo thënë ndryshe për të shtyrë në kohë, borxhin prej 300 milionë eurosh marrë në vitin 2010, afati i të cilit skadon pikërisht vitin e ardhshëm.

E për këtë hap, ekonomistët e ftojnë qeverinë për më shumë kujdes pasi, sipas tyre, ka rrezik që huaja të na kushtojë më shtrenjtë se ajo aktuale prej 7.5%.

Për më tepër, plani i bërë publik së fundi nga Ministria e Financave, i ka forcuar edhe më tepër pikëpyetjet e ekonomistëve për praninë e FMN-së. Sipas tyre, kjo do të thotë se qeveria shqiptare mund të siguronte financim nga tregu i lirë ndërkombëtar dhe ndoshta mund të zgjidhte mes një financimi me kosto më të lartë se ajo e FMN-së (prej vetëm 2.5%), por pa kushte shtrënguese për ekonominë.

“Fakti që Shqipëria do të dalë në 2015-ën me këtë vlerë të eurobondit tregon se Shqipëria i kishte mundësitë ta merrte borxhin për të shlyer biznesin në tregun ndërkombëtar, apo edhe në bankat e brendshme”, – thotë Kadia.

Përgjigjja mund të gjendet te nevoja për reforma sipas ekonomistëve. Qeverisë i duhej të bënte reforma, sipas tyre, dhe prania e FMN-së është një mundësi për ta bërë këtë duke pasur kështu edhe përgjigjen për shqiptarët: “E kërkon FMN”.

 

Hua në klimë të pafavorshme

Vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë mbi besimin e biznesit dhe konsumatorit vë në dukje se industritë kanë rritur besimin në ekonomi, por konsumatorët janë pesimistë edhe për të ardhmen. Të parët kanë pritshmëri të mira për shkak të planit të shlyerjes së detyrimeve nga qeveria, që duket se nuk ka ngjallur entuziazmin e konsumatorëve. Për më tepër, besimi i dobët i tyre në ekonomi, do të rrezikojë në të ardhmen afatshkurtër edhe aktivitetin e sipërmarrjeve. Blerjet e pakta rrezikojnë të sjellin pesimizëm edhe te kompanitë prodhuese.

E në këto kushte, ekspertët e ekonomisë e shohin të largët dritën jeshile. Sipas prof. Agim Kukelit, treguesit flasin për një ekonomi në faza anemike. Sipas tij, dita-ditës po shikohet një shtim i largimit të trurit, ulja e konsumit dhe rritja në mënyrë galopante e borxhit publik shton presionet në ekonomi.

 

 

Comments are closed.