Mblidhet Konferenca e Kryetarëve/ Shtyhet seanca e së enjtes, opozita kërkon tërheqjen e amnistisë për vjedhjen e votave  

0
126

Paloka: E dyta herë që shkelet ligji

konferencaKonferenca e Kryetarëve miratoi dje kalendarin e punimeve për periudhën trejavore, ndërkohë që pozita dhe opozita vijojnë të mos gjejnë konsensusin për axhendën e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë. Kalendari u miratua nga votat e majta, ndërkohë që opozita depozitoi në Kuvend disa amendamentet lidhur me amnistinë dhe hetim për gjobat e vëna nga policia.

Fillimisht Konferenca e Kryetarëve miratoi draft-kalendarin e punimeve për periudhën 5-23 maj 2014, ndërkohë që kryetar i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, ngriti shqetësimin për mos zhvillimin e punimeve të seancës ditën e enjte. Nga ana e tij, Kryetari Meta u shpreh se “Dita e enjte është pushim, pasi është festë kombëtare “1 MAJ” dhe ftoj opozitën që, së bashku mund të vendosim për zhvillimin e dy seancave javën që vjen, nëse ju jeni dakord”. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka paraqiti disa kërkesa lidhur me kalendarin. “Kemi kërkuar që Nënkomisioni i të Drejtave të Njeriut, në Komisionin e Ligjeve të fillojë një hetim për gjobat e vëna nga policia, kemi kërkuar informacion për tenderat e zhvilluar nga ministritë, për lëvizjet në administratë, kemi depozituar në parlament një amendament lidhur me “Amnistinë”. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, tha gjithashtu se opozita nuk është dakord për futjen në kalendar të ligjit për “Nëpunësin civil”. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, sqaroi se të gjitha çështjet e ngritura nga ana e opozitës do të ndiqen nëpërmjet procedurave parlamentare.

Ndërkohë, lidhur me rikthimin e amnistisë për “blerjen e votave”, opozita e ka diskutuar këtë çështje edhe në seancën e fundit plenare. Deputetit i PD-së në Komisionin e Ligjeve, Oerd Bylykbashi, ka theksuar se mazhoranca ndryshoi amendamentet e draftit për amnistinë pa u konsultuar me opozitën dhe se këto ndryshime, bënë të mundur që nga ky proces të përfitonin edhe persona që janë akuzuar për blerjen e votave. Kujtojmë këtu procesin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në qytetin e Korçës, ku pas denoncimit në media për blerjen e votave në shtabin e PS-së të këtij qyteti, organi i akuzës nisi hetimet, ndërkohë që opozita e bëri këtë çështje një diskutim të gjerë politik, shqetësimet e të cilave ia paraqiti edhe përfaqësuesve diplomatik të akredituar në vendin tonë. Por përpos qëndrimeve të opozitës, deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve kanë deklaruar se drafti nuk është ndryshuar dhe se pakica parlamentare, i ka pasur të gjitha mundësitë për ta kontrolluar këtë proces në të gjitha fazat e tij. Gjatë shqyrtimit të draftit të amnistisë në Komisionin e Ligjeve, opozita u shpreh dakord me amnistinë, por nuk e votoi atë në Kuvendin e Shqipërisë për shkak se kishte braktisur seancën e punimeve gjatë kohës që do të votohej projektligji i ardhur nga Ministria e Drejtësisë, në kuadër të marrëdhënieve të kushtëzuara me mazhorancën. Kjo çështje pritet të rikthehet sërish në fokus të debateve mes pozitës dhe opozitës, ndërkohë që Kuvendi ka shtyrë seancën e ditës së enjte me argumentin se punimet bien në datën “1 Maj” dhe për shumicën parlamentare është gjykuar si ditë pushimi.

 

Ndarja e fondeve, KQZ rrëzon kërkesën e pesë partive të vogla

 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje kërkesën e pesë partive të vogla, përkatësisht Partisë Demokristiane, Partisë Socialdemokrate, Partisë Demokracia Sociale, Fryma e Re Demokratike, Aleanca Kuq e Zi, subjekte të cilat kërkonin rishikimin e vendimit të KQZ-së “Për shpërndarjen e fondeve vjetore partive politike në formën e ndihmës financiare vetore për vitin 2014”, i miratuar në janar 2014. Kërkesa, e prezantuar nga administrata zgjedhore, konstaton se akti i miratuar nga KQZ në fillim të këtij viti duhet të rishikohet pasi nuk i përgjigjet ndryshimit që i është bërë së fundi nga parlamenti ligjit “për financimin e partive politike”. Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi duke iu drejtuar trupës së KQZ-së kërkoi që ndryshimi i ligjit të reflektohet në vendimin e marrë nga Komisioni. “Ndryshimi i bërë në ligjin për financimin e partive politike”, i miratuar së fundi në Kuvend, është negociuar mes partive parlamentare, të cilat përfundimisht kanë vendosur ta bëjnë këtë ndryshim, i cili nuk ka asnjë efekt prapaveprues”, – tha Gjinushi.

 

Kryeparlamentari kroat takon krerët e shtetit: Shqipëria meriton statusin e kandidatit

 Kryetari i Parlamentit të Republikës së Kroacisë, Josip Leko, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, duke takuar krerët më të lartë të shtetit. Gjatë takimit që ai pati me Presidentin e Republikës Bujar Nishani, u theksua rritja e ndërveprimit mes dy shteteve në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, të Nismës Adriatiko-Joniane, zbatimin e Projektit TAP dhe Autostradën Adriatiko-Joniane dhe integrimin evropian. Presidenti shprehu besimin në marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë në qershor të këtij viti. Nga ana e tij, Kryeparlamentari Leko nënvizoi se Kroacia mbështet integrimin e të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë edhe Kosovën, në Bashkimin Evropian dhe në të gjitha nismat rajonale, duke shtuar se vendi i tij ka qenë dhe mbetet në favor të marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, bazuar në arritjet e mëdha dhe përkushtimin në reforma.

Më herët Kryeparlamentari kroat zhvilloi një takim edhe me homologun e tij shqiptar. Meta vlerësoi anëtarësimin e Kroacisë në BE, duke thënë se Shqipëria ka tashmë një aleat më shumë në familjen evropiane që e mbështet. “Integrimi i Kroacisë është kuptimplotë dhe me rëndësi edhe për Shqipërinë. Në BE kemi fituar një aleat të rëndësishëm nga i cili mbështetemi që të përshpejtojmë axhendën evropiane”, – tha Meta. Ndërkaq, Kryeparlamentari kroat u prit në takim edhe nga Kryeministri Edi Rama. Kryeministri Rama dhe Presidenti i Parlamentit kroat Leko vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency