Standard.al

Kategoritë që do të përfitojnë pension social, kriteret për çdo të moshuar

 Në vitin 2015, supozohet se përfitues të pensionit social do të jenë rreth 4900 vetë dhe shpenzimet për këtë pension do të jenë rreth 390 milionë lekë

 pensionisti 2Pensioni social pritet t’i japë mundësi çdo të moshuari që kur të mbushë moshën 70 vjeç, të ketë një të ardhur nga shteti. Ky pension do të jepet për një sërë kategorish të veçanta dhe pritet t’u ndihmojë ata të moshuar apo ata familjarë që nuk kanë mundësi të tjerë për të siguruar jetesën e tyre. Përfituesit e mundshëm të pensionit social do të jenë kategoritë e mëposhtme:

-Individët e kthyer nga emigracioni që nuk kanë një historik të mjaftueshëm pune për të përfituar një pension nga skema e detyrueshme

– Individë me burime të pakta të të ardhurave, kryesisht banorë të zonave rurale që kanë qenë të vetëpunësuar në bujqësi, por që zotërojnë sipërfaqe të kufizuar toke e nuk mund ta shfrytëzojnë në moshën e pleqërisë

– Individë të cilët për shkak të gjendjes së mirë ekonomike nuk kanë punuar kur kanë qenë në moshë pune duke mos plotësuar kushtet për përfitimin e një pensioni nga skema e detyrueshme dhe që në pleqëri për arsye të ndryshme kanë pësuar një përkeqësim të gjendjes ekonomike

– Të papunët afatgjatë ose personat e dekurajuar që s’kanë punuar fare gjatë gjithë jetës së tyre ose që nuk kanë mjaftueshëm vite të siguruara për të përfituar një pension nga skema e detyrueshme

– Individë të tjerë, kryesisht gra të angazhuara në veprimtari familjare

Kushtet

-Përfitues të pensionit social do të jenë ata individë, të cilët: Janë rezidentë në Shqipëri e kanë qenë të tillë për pesë vitet e fundit para daljes në pension

-Kanë mbushur moshën 70 vjeç

-Nuk kanë të ardhura të tjera

Përfituesit

Duke qenë se pothuajse të gjithë individët e lindur ne periudhën 1945 deri në vitin 1961 e kanë  plotësuar një periudhë minimale sigurimi prej 15 vjetësh për shkak të punësimit të plotë gjatë regjimit totalitar, atëherë mund të arrihet në përfundimin se deri në vitin 2030 numri i përfituesve të pensionit social do të jetë shumë i ulët. Në vitin 2015, supozohet se përfitues të pensionit social do të jenë rreth 4900 vetë dhe shpenzimet për këtë pension do të jenë rreth 390 milionë lekë, ose 0.02% e PPB. Me daljen në pension e të gjithë individëve që kanë histori kontributive gjatë periudhës së komunizmit, do të rritet edhe numri i përfituesve të pensionit social. Kështu, në vitin 2030 përfituesit e pensionit social do të jenë rreth 12000 individë dhe shpenzimet do të shkojnë në rreth 0.03% të PBB. Në vitin 2080, numri i përfituesve do të jetë rreth 125000 individë dhe kosto rreth 0.07% e PBB.

 

Rama: Do të rritet mosha e grave dhe burrave

Gjatë konferencës për prezantimin e dokumentit të politikave të pensioneve, Kryeministri Edi Rama u shpreh se do të ketë një rritjes të moshës për gratë dhe burrat. “Një element i rëndësishëm i reformës është gradualiteti. Reforma është paraparë e shtrirë më kohë. Mosha e pensionit do të rritet me dy muaj në vit për gratë duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas do të rritet mosha e burrave dhe grave bashkë për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056. Në këtë mënyrë, mosha e pensionit do të rritet në përputhje me rritjen e jetëgjatësisë”, – u shpreh Rama. Më tej Kryeministri theksoi rëndësinë e reformës si një arsye e domosdoshme. Arsyeja themelore që e bën të domosdoshme ndërmarrjen e kësaj reforme është se në të ardhmen, pensionet do jenë gjithnjë e më të ulëta dhe deficiti në skemën aktuale, që përfaqëson diferencën mes të ardhurave nga kontributet dhe shpenzimeve totale, thellohet”, – theksoi Kryeministri.

 

 

Veliaj: Opsioni i parë është më i mirë

Gjatë prezantimit të draftit të pensioneve, ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, u shpreh se opsioni i parë i propozuar është më i mirë. “Opsioni i parë ka një performancë pakëz më të mirë. Kështu, nën skemën aktuale deficiti, i cili përfaqëson diferencën mes të ardhurave nga kontributet dhe shpenzimeve totale dhe nuk përfshin koston e pensionit social, thellohet nga 2.2% i PBB në afërsisht 2.4% të PBB në vitin 2027. Më pas nis e reduktohet gradualisht duke u ulur në 1.5% të PBB në vitin 2041, në 1% të PBB në vitin 2046 dhe mbetet në 0.5% të PPB pas vitit 2064. Nën Opsionin 2, deficiti bie menjëherë nga 1.6% i PBB në vitin 2015 në 1% të PBB në 2018. Rënia graduale e deficitit vazhdon edhe për periudhën e mbetur duke rënë nën 0.5% të PBB për periudhën 2037-2074, vit në të cilin sistemi kalon në suficit”, – përmendi ministri i Mirëqenies Sociale.

 

 

 

 

 

 

Comments are closed.