Standard.al

Denoncimi i PD-së / Bumçi: Ligji i ri s’lejon legalizimin e banesave me më pak se 5 kate të pas 2009-ës, do t’i prishë

Gëzim Saliu

 Deputeti i PD-së: Në asnjë prej 26 neneve të projektligjit nuk flitet për legalizim falas. Shqiptarët do të paguajnë 1.3 miliardë lekë çdo vit deri në 2017-ën, qeveria do të marrë 52 mln USD

Legalizime Nuk do të ketë legalizim për banesat me më pak se 5 kate të ndërtuara pas janarit të vitit 2009, por në të kundërt, në bazë të projektligjit të ri, këto objekte në zonat urbane parashikohet të prishen. Kështu denoncoi dje deputeti demokrat, njëkohësisht kreu aktual i PD-së për Tiranën, Aldo Bumçi, duke iu përgjigjur njëkohësisht edhe deklaratave të Kryeministrit Rama, i cili dy ditë më parë shpalosi strategjinë për legalizimet, duke theksuar se do të ketë legalizim në zonat ku ndërtohen pallate dhe se planet urbanistike do të zmbrapsen. Sipas ligjvënësit demokrat, me ligjin e ri të legalizimeve, qeveria synon të favorizojë klientelën e saj të ndërtimit, duke penalizuar qytetarët që kanë investuar kursimet e jetës. “Të gjithë ata që kanë ndërtuar banesa, lokale apo garazhe pas 15 janarit 2009 apo nuk kanë aplikuar deri tani për legalizim, sipas nenit 1, pika 1 dhe pika 5 e projektligjit, nuk do të legalizohen dhe investimet e tyre do të prishen. Të gjithë ata që në zonat me studim urbanistik, kanë banesa me më pak se 5 kate, nuk do të legalizohen. Këtë thotë pika 4 e nenit 1 te projektligjit te firmosur nga Edi Rama, Kryeministër. Ata që kanë ndërtuar pallate mbi 5 kate do legalizohen, ndërsa ata fukarenjtë, emigrantet, që mezi kanë ndërtuar 1 kat për të futur kokën apo dhe banesa më pak se 5 kate, nuk do të legalizohen. Kjo, sipas zëdhënësit të tij Lame, është presion ndaj qytetarëve, që të lidhin kontrata me ndërtuesit e pallateve”, – tha Bumçi.

 

Legalizimi jo falas

Për deputetin demokrat, me projektligjin e ri ka rënë poshtë premtimi i Kryeministrit Rama për legalizime falas. Sipas Bumçit, në pikën 9 të ligjit për legalizimet, thuhet se falas do të jetë vetëm tarifa fillestare prej 20 mijë lekësh. “E kemi paralajmëruar Edi Ramën që në krye të herës se dita e përballjes me popullin për megamashtrimet elektorale nuk do të ishte e largët. Sot kjo ditë ka ardhur dhe Edi Ramës i duhet të japë llogari për çdo mashtrim, duke nisur nga ai për legalizimet falas. Çdo shqiptar e ka kuptuar sot se legalizimet falas ishin kryemashtrimi i Ramës, legalizimi falas është tullumbacja e tij e cila ka plasur dhe si e tillë çfarëdo që të bëjë Edi Rama, nuk e fryn dot me. Në asnjë prej 26 neneve të projektligjit me firme e vulë të kryeministrit, nuk flitet për legalizim falas. Sipas nenit 9 të projektligjit, vetëm tarifa do paguhet nga shteti. Kjo tarifë për ata që nuk e kanë paguar, është maksimumi 20 mijë lekë”, – deklaroi ai. Më tej, Bumçi theksoi se qeveria ka planifikuar të arkëtojë nga pagesat e legalizimeve të ndërtimeve pa lehe, afërsisht 52 milionë dollarë deri në vitin 2017. Legalizim “falas” për Edi Ramën do të thotë që qytetarët të paguajnë mbi 1.3 miliardë lekë çdo vit, për vitet 2014, 2015, 2016 dhe 2017. Nuk ka sot shqiptar që beson se një qeveri mund të arkëtojë një shumë të tillë, nga një proces falas”, – theksoi deputeti i PD-së. Sipas demokratëve, i pari premtim i dështuar për të cilin kreu i qeverisë dhe mazhoranca duhet të japin llogari është pikërisht ai për legalizimet falas. Duke kujtuar edhe protestën e banorëve të Kamzës, të cilët akuzuan qeverinë për mashtrime lidhur me këtë proces, Bumçi pohoi se Kryeministri i kërcënoi ata nga zyra e tij me deklarata hakmarrëse. “Edi Rama bën mirë që është i frikësuar nga populli i tij, por kërcënimi veçse e bën dhe më të vështirë mbijetesën e tij politike. Qytetarët shqiptarë nuk harrojnë dhe nuk kanë për ta harruar mashtrimin e Kryeministrit për legalizim falas”, – u shpreh deputeti i PD-së Aldo Bumçi.

 

Reagimi/ PS: Legalizimet do të bëhen në të gjithë vendin

Në përgjigje të akuzave të opozitës, deputeti socialist Pjerin Ndreu kritikoi dje sjelljen e demokratëve në qeveri lidhur me këtë proces. “Për tetë vjet PD premtoi legalizimet dhe asnjëherë nuk i bëri dhe tani që kjo po jetësohet nga qeveria “Rama”, ata derdhin lot krokodili. Ne mbajtëm premtimin tonë dhe do të realizojmë me përpikmëri, ashtu siç edhe kemi dëshmuar të gjitha legalizimet, sipas zonave”, – theksoi ai nga selia e PS-së. Më tej, anëtari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të bashkëpunojnë me qeverinë në këtë proces, i cili, sipas tij, vjen në të mirë të të gjithëve. “U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të bëhen pjesë e këtij procesi dhe të presin me qetësi ekipet e ALUIZNI-t të cilët do kryejnë detyrën ashtu siç ua cakton ligji dhe në respekt të qytetarit. Legalizimet do të realizohen në të gjithë vendin, Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Paskuqan, Kamëz, Vlorë, Fier, Korçë, Elbasan, Sarandë etj.”, – tha Ndreu.

 

Përgjigje Kryeministrit/ Vorpsi: Letrat me vlerë mbulojnë dy herë më pak tarifat, Rama histori mashtrimi me legalizimet

Partia Demokratike ka reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit Rama për çështjen e legalizimeve. Zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, bëri me dije se raporti i tij me këtë proces është, sipas saj, një histori e turpshme mashtrimi, abuzimesh dhe nëpërkëmbje të dinjitetit të qytetarëve. “Si kryetar Bashkie, Edi Rama e kishte detyrim ligjor të plotësonte dokumentacionin tekniko-ligjor për mijëra familje që kishin nevojë për legalizim. Por ndonëse ALUIZNI i mori dosjet nga Bashkia vetëm në vitin 2008, ato ishin bosh, të paplotësuara. Si kryebashkiak Edi Rama nuk e ka zbatuar këtë detyrim ligjor, ka abuzuar, ka mashtruar dhe ka shembur shtëpi duke e bërë pluhur mundin dhe djersën e shumë qytetarëve”, – tha ajo. Më tej, Vorpsi nënvizoi se historia e mashtrimeve të kreut të qeverisë me legalizimet vazhdon me premtimin elektoral për legalizim falas. “Projekti që ai ka, vërtetohet plotësisht se do t’u kushtojë qytetarëve më shumë se më parë. Do t’u kushtojë 1.3 miliardë lekë në vit. Dhe letrat me vlerë tani do të mbulojnë dy herë më pak tarifat e legalizimit, se sa më parë. Tarifën e shërbimit, që Rama premton se nuk do t’ua marrë qytetarëve e kanë paguar tashmë 80% e atyre që kanë nevojë të legalizohen”, – theksoi Vorpsi, duke shtuar se deri më tani meritat e vetme të mazhorancës janë centralizimi i shërbimit, duke rritur shanset për abuzim dhe korrupsion. “Tapitë që po shpërndan me regji qendrore janë po ato të përgatitura nga qeverisja e Partisë Demokratike. Edi Rama ka një problem me legalizimet. Ato i kujtojnë çdo shqiptari dhe atij vetë megamashtrimin për legalizime falas. Gënjeshtra mbetet gënjeshtër sado ta zbukurosh me regji qendrore”, – pohoi zëdhënësja e selisë blu Laura Vorpsi.

 

 

 

 

 

 

 

 

Comments are closed.