Standard.al

Debatet për territorin/ Kryetarët e bashkive të majta: Duam modelin e para viteve ’90  

Florenc Drizari

 Dako e Sejdini: Modeli i viteve para 1990-ës është një përvojë pozitive

territori Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën administrativo-territoriale zhvilloi dje seanca dëgjimore me krerët e bashkive në vend. Në seancën e djeshme të komisionit morën pjesë disa prej krerëve të njësive vendore të zgjedhur nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e shkuara si, Qazim Sejdini kryetar i Bashkisë së Elbasanit, Vangjush Dako kryebashkiak i Durrësit, Baftjar Zeqo kryetar i Bashkisë së Fierit etj.

Duke dhënë mendimet e tyre për iniciativën e mazhorancës për ndarjen e re administrativo-territoriale, në tërësi krerët e bashkive të majta theksuan rikthimin e modelit të para viteve ‘90. Ky qëndrim u mbështet nga kryetarët e dy prej bashkive kryesore në vend, si Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini. Të dy vendorët deklaruan se modeli i para viteve ‘90 ofron zgjidhje të mira edhe për kohën në të cilën ndodhemi, paçka sistemit komunist që i ngriti atë model.

 

Dako

“Modeli i viteve para 1990 është një model, përvojë pozitive. Mendoj se rrethi i Durrësit duhet të ketë një bashki. I gjithë qarku i Durrësit duhet të ketë 2 bashki, të Krujës dhe të Durrësit. Mendoj se ky model i cili para viteve ’90 në atë kohë kishim të bënim me një parti dhe nuk kishim interes politik, por ishte interes i zhvillimit”, – deklaroi kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. Në fjalën e tij Dako shkoi edhe më tej duke theksuar se reforma duhet të jetë më e thellë edhe në dy nivele të tjera. Kreu i Bashkisë së Durrësit tha se prefektura dhe qarku duhet të shkrihen. Pas kësaj fjale ndërhyri kryetari i komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale, Bashkim Fino, i cili e falënderoi kryebashkiakun e Durrësit edhe për qëndrimet që ai i quajti radikale.

Ndërkaq, lidhur me propozimin për ndarjen e re administrativo-territoriale, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, ishte në një linjë me propozimet e Dakos. Sejdini deklaroi se modeli i ndarjes në rrethe i para viteve ’90 ofronte ndarje të qarta të kompetencave për pushtetin vendor, bashkitë. Sipas tij, pushteti vendor aktual është i kufizuar dhe nuk arrin dot të kryejë funksionet e tij për shkak të ndërvarësisë nga pushteti qendror.

 

Sejdini

“Ne e kemi modelin e para viteve ‘90, modelin e rretheve. Do të thosha që edhe kompetencat ishin të asaj kohe për bashkitë. Shihni kompetencat edhe të komiteteve të qytetit. Ne jemi të cunguar, ne jemi ndërmarrje. Ne nuk jemi bashki nëse i shohim gjërat në themel. Ne varemi për të gjitha nga Thesari, nga Ministria e Financave, ministritë me radhë etj. Shihini si kanë qenë kompetencat. Ne i kemi të gjitha mundësitë, eksperiencën e kemi brenda në vend dhe marrim eksperiencën më të mirë dhe kështu i shërbehet më mirë qytetarëve”, – deklaroi Sejdini. Këto qëndrime kryebashkiaku i Elbasanit i mbajti edhe pas shkëmbimit të disa replikave me anëtarin e Komisionit Spartak Braho. Edhe pse ky i fundit mbështeti modelin Polak, Sejdni theksoi se ekziston një model vendas që sipas tij zgjidh problemet. “Modelin e para ’90-ës. Shiheni me kujdes se jo gjithçka ka qenë e keqe. I heqim politikën dhe pjesa administrative të shihet, të gjykohet e të kopjohet. E kam studiuar me kohë dhe ne që punojmë e ndiejmë këtë punë”, – tha ai.

Qëndrimet e krerëve të bashkive të majta vijnë në kohën kur mazhoranca ka ndërmarrë një iniciativë për ndarjen e re të hartës territoriale të vendit, edhe pse opozita nuk është bërë pjesë e komisionit të posaçëm parlamentare. Më herët përfaqësues të qeverisë kanë propozuar disa modele për ndarjen e vendit në gjashtë rajone, duke hequr rrethet, zvogëluar numrin e komunave etj. Por ky draft duket se është ende në fazën e konsultimeve dhe sipas qëndrimeve zyrtare, reforma për ndarjen e re territoriale pritet të mbyllet brenda muajit korrik.

 

Debate mes kryebashkiakëve dhe anëtarëve të komisionit për reformën territoriale

Shkëmbi: Ndarja e re administrativo-territoriale nuk është vetëm një hartë e re, por edhe e ligjeve të tjera mbështetëse të cilat lidhen me decentralizimin dhe mbështetjen e njësive të reja administrative.
Subashi: Kjo nuk është thjeshte një reformë territoriale, pra ne nuk po bëjmë vetëm një hartë të re territoriale dhe nga 385 bashki dhe komuna do të krijojmë një numër tjetër dhe këtu mbyllet.
Klosi: Ka ardhur koha që Këshilli Bashkiak të marrë bonus për kryetarin e zgjedhur? Kemi raste pafund ku kryetarët e bashkive bllokohen nga këshillat, pasi aleancat e ndryshme brenda këshillit krijojnë bllokim.
Dako: Nëse do të flasim për transparence, mendoj se këshillat bashkiak, sidomos kur kryetarët janë në opozitë, mendojë se i bëjnë një frenim të domosdoshëm për të mos kaluar kompetencat që kryetarët kanë.
Fino: Sa e thellë duhet të jetë reforma administrative në qarkun tuaj dhe në njësinë tuaj, nëse do të jepej mundësia që t’i të bëjë reformën administrative për qarkun e Durrësit?
Dako: Modeli i viteve para 1990, është një model, përvojë pozitive. Mendoj se rrethi i Durrësit duhet të ketë një Bashki. I gjithë qarku i Durrësit duhet të ketë 2 Bashki, të Krujës dhe të Durrësit. Mendoj se ky model i cili para viteve ’90 në atë kohë kishim të bënim me një parti dhe nuk kishim interes politik, por ishte interes i zhvillimit.
Fino: Zoti Vangjush faleminderit për mendimet e sinqerta edhe radikale.
Dako: Për deri sa të bëjmë reformë, ta bëjmë thellë.
Braho: Ne ikim nga komunat për shkak se duam t’i kthejmë në njësi shërbimesh. Këto njësi do të jenë modele qeverisëse apo modele administrimi.
Qazimi:
Modele administrimi, shërbimi. Ne duhet të shkojmë drejt një decentralizimi total. Thash modelin e kemi. Merrni modelin e Këshillit të Qarkut të para viteve ’90, është fiks fare. Shihini kompetencat që ka pasur; shëndetësinë e ka pasur, policinë rrugore e ka pasur, arsimin e ka pasur, të gjitha kompetencat i ka pasur.
Braho:
Qazim, marr spunto nga këto modele, thuhet modeli suedez, i Danimarkës dhe ai Polak. Unë jam i prirë për modelin polak. Këto njësi janë njësi qeverisëse.
Sejdini: Unë jam për modelin tonë zoti Spartak.
Braho: Modelin shqiptar?
Sejdini: Po modelin e para ’90-ës. Shiheni me kujdes se jo gjithçka ka qenë e keqe. I heqim politikën dhe pjesa administrative të shihet, të gjykohet e të kopjohet. E kam studiuar me kohë dhe ne që punojmë e ndiejmë këtë punë.
Fino: Ju jeni i drejtpërdrejtë paçka se kush është Kryeministër apo qeveria. Pyetja ime e drejtpërdrejtë për ju është: Çfarë duhet të ndryshojë në kuadrin e kompetencave dhe të financave që reforma administrative të quhet një reformë e plotë?
Sejdini: Nëse nuk bëhet decentralizimi i kompetencave, i hyjmë kohet reformës administrativo-territoriale. Kjo do të jetë një gjë formale, rritja e kapaciteteve apo e hartës së bashkisë. Modelin qëparë ua përmenda për këto arsye.
Fino: Do të marrësh pjesën e rentës me një fjalë?
Sejdini: Atë që është më e mira. O të bëhet tamam o të mos bëhet fare.
Dako: Bashki, të shtoj unë diçka këtu? Taksa e ndarë është që bashkitë të marrin para nga tatimi i vlerës së shtuar dhe nga tatimi mbi fitimin. Atëherë do të kishim decentralizim. Katër për qind të kësaj takse të jetë në favor të pushtetit vendor. Porti që është ndotësi më i madhe i qytetit, nuk paguan asnjë taksë ndaj bashkisë, paçka se është brenda territorit dhe është pronari më i madh i të gjithë qytetit.
Fino: Me kaq shumë sa kërkoni ju dhe me të drejtë, besoj se opozita që dëgjon tani ju kryetarët e bashkive, pavarësisht se jeni të forcës politike të PS-së, do të thotë që ne do të shkojmë urgjent në komisionin për reformën administrativo-territoriale sepse këta mund të bëjnë vërtetë decentralizim.
Zeqo: Kemi një model shumë të mirë siç është Kosova dhe besoj se atje kanë ndikuar edhe ndërkombëtarët. Mesa dimë atje funksionon gjithçka mirë, pra ka pak njësi. Prishtina është me qytetin dhe me periferinë, kështu janë edhe qytetet e tjera.

 

Zgjedhjet për kreun e PS-së? Majko: Kemi qenë qymez me shumë gjela

Pas replikave të shkëmbyera në distancë mes Kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të Partisë Socialiste Ben Blushi lidhur me moszhvillimin e zgjedhjeve në parti, ka ardhur edhe reagimi i ish-kryeministrit Pandeli Majko. Në një intervistë televizive Majko pranon faktin që në Partinë Socialiste nuk janë bërë zgjedhje për kreu i ri të partisë, por sipas tij, ky fakt argumentohet se nuk është një emergjencë aktuale. Edhe pse thotë se socialistët nuk mund t’i shmangen detyrimeve se çfarë është shkruar në statutin e PS-së, Majko thekson se edhe më parë ka pasur mosrespektim të statutit të partisë. “Partia Socialiste ka një emergjencë bazë që është qeverisja e vendit. Është e vërtetë që nuk janë bërë zgjedhje, por zgjidhja do të bëhet në një moment të përshtatshëm. Zgjidhja do të ndodhi në sallën më fuqiplote që është Kongresi i Partisë Socialiste”, – deklaroi mbrëmë Pandeli Majko në një intervistë për “News 24”. Më herët ishte deputeti i PS-së Ben Blushi i cili kritikoi kryetarin e partisë Edi Rama, njëherësh edhe Kryeministër i vendit, për moszhvillimin e zgjedhjeve në PS dhe mosrespektim të statutit. Blushi ka thënë se që prej tetorit të vitit 2013 në PS duhet të ishin zhvilluar zgjedhje në bazë të statutit të partisë, paçka se PS fitoi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. ndërkaq, pak ditë më parë reagoi edhe Kryeministri Rama i cili theksoi se sipas sistemit laburist, kush fiton zgjedhjet nuk bën rizgjedhje për kreun e partisë. Sipas Ramës, në çdo parti që ka parimin një anëtar, një votë, nuk bëhen zgjedhje në parti në rast se fitohen zgjedhjet e përgjithshme.

Comments are closed.