Atentati/ Patrulla policie 24 orë në banesën e kryekomunarit të Farkës  

0
112

 Anxhela Tato

Sulmi me armë gjahu ndaj makinës së djalit të Fatbardh Plakut, merret në mbrojtje familja

 Policia cakton shërbime me nga tri turne për të mbajtur nën vëzhgim dhe ruajtur Fatbardh Plakun

makina plaku Patrulla policie në banesën e kryekomunarit Fatbardh Plaku. Vetëm një ditë pas sulmit që iu bë dy djemve të kryekomunarit, policia e ka marrë në mbrojtje familjen Plaku. Nga burime të uniformave blu bëhet me dije se është caktuar një shërbim prej tri turnesh në afërsi të banesës së kryekomunarit të Farkës. Vendimi është marrë pas atentatit të dytë, i cili kësaj herë vuri nën rrezik dy djemtë e Fatbardh Plakut. Edhe këtë herë para oficerëve të policisë kryekomunari ka mohuar që të ketë konflikte apo probleme, ndërsa nuk ka dyshime se kush mund të jetë autori. Për kryekomunarin dy atentatet janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe kjo është një shenjë paralajmërimi. Ndërsa nga policia bëhet me dije se është qëlluar me armë gjahu në drejtim të makinës së djalit të Fatbardh Plakut. Nga të dhënat e bluve mësohet se kanë qenë dy djem me skafandër të zezë në kokë, të cilët i kishin zënë pritë automjetit. Në momentin kur kanë parë makinën njëri prej tyre ka hapur zjarr dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Fatmirësisht plumbi ka përfunduar në kofanon e automjetit. Ndërkohë që pritet ende ekspertiza e automjetit, e cila mësohet se do të depozitohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke iu bashkuar kështu dosjes së parë të atentatit. Dyshimet se dy atentate kanë lidhje me njëra-tjetrën do të hetohen nga Krimet e Rënda, së cilës i kaloi hetimi për mungesë kompetence nga Prokuroria e Tiranës. Por ende asnjë provë apo dyshim i akuzës për autorin apo motivin e krimit. Ndërsa nuk është gjetur asnjë gjurmë në antitankun e zbuluar para ca ditësh në liqenin e Farkës nga banorët. Ndonëse dyshimeve se kjo mund të ishte arma e përdorur në atentatin ndaj Plakut, nga ekspertiza nuk u gjetën prova. Hetimet për atentatin e parë ndaj banesës kanë ngecur në mungesë të provave themelore. Prokuroria ka hasur në vështirësi duke mos gjetur elementë që të çojnë në identifikimin e autorëve apo aludime rreth motivit. Situata është komplikuar edhe më tej në mungesë të dyshimeve nga vetë kryekomunari.

 

Sulmi

Rreth orës 15:30 minuta të ditës së hënë, kreu i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku, njoftoi median për sulmin me armë ndaj makinës së familjes së tij. Sipas tij, ngjarja ku është sulmuar makina ku udhëtonin dy djemtë F. Plaku dhe K. Plaku, 19 dhe 11 vjeç, ka ndodhur mesditën e së hënës rreth orës 15:00, në zonën e Farkës së Vogël kur ata po ktheheshin në banesë nga shkolla. Dy persona me motor dhe me skafandra në kokë mësohet se kanë qëlluar makinën në ecje të djemve kryekomunarit të Farkës përballë derës së fshatit SOS. Dy djemtë e kryetarit të Fatbardh Plakut janë F. Plaku dhe K. Plaku, 19 dhe 11 vjeç. Mësohet se nga ngjarja nuk ka të lënduar. Makina që drejtohej nga djali 19-vjeçar i kryetarit të komunës, mësohet se është qëlluar me një armë të llojit shotgan. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme kur dy djemtë e Plakut ishin duke u kthyer nga shkolla për të shkuar në banesën e tyre. F. Plaku, djali 19-vjeçar kishte përfunduar mësimin dhe me automjetin e tij kishte marrë në një shkollë private vëllanë 11-vjeçar K. Plaku dhe ishte drejtuar për në banesë. Pas marrjes së informacionit, uniformat blu kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje. Ndërkaq, në datën 25 mars 2014 persona të paidentifikuar ende kanë qëlluar me një armë kundërtank banesën e kryetarit të Komunës Farkë, Fatbardh Plaku. Mos shpërthimi i predhës së antitankut bëri që nga goditja të kishte vetëm dëmtime të lehta në banesë, pa cenuar asnjë nga familjarët që ndodheshin në shtëpi. Policia disa javë pas ngjarjes ka gjetur edhe antitankun, por ende nuk ka një autor.

 

Peshkopi/ Lekë në këmbim të notës, pranga pedagogut

Kërkonte ryshfet për të lëshuar notën, ndërsa është denoncuar nga studentët. Lajmi bëhet me dije nga ana e forcave të policisë të Peshkopisë, të cilët kanë vënë në pranga pedagogun e Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Ai është Fatmir Çeka, 23 vjeç, banues në rrethin e Matit, me detyrë pedagog i jashtëm. Ndalimi i këtij shtetasi u bë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Mashtrim”. Nga hetimet e kryera nga strukturat e sektorit për Krimin Ekonomik dhe Financiar, ka rezultuar që ky shtetas duke qenë në detyrën e pedagogut të jashtëm në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, filiali Peshkopi, u merrte studentëve të këtij Universiteti shuma të konsiderueshme parash, të cilat varionin deri në 15.000 lekë, në këmbim të notës kaluese. Nga hetimet e deritanishme, janë arritur të identifikohen dhe dokumentohen nëntë raste, ku ky shtetas iu kishte marrë studentëve të këtij Universiteti shumën prej 15.000 lekë të reja duke iu premtuar një notë kaluese. Ndërsa nga të dhënat e policisë mësohet se denoncimi është bërë nga vetë studentët, të cilët kanë akuzuar se pedagogu u kërkonte lekë, në të kundërt do t’i vinte notë ngelëse në provim. Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme, ndërkohë po punohet për identifikimin dhe dokumentimin edhe të rasteve të tjera korruptive në të cilat dyshohet se ky pedagog ishte implikuar.

 

Sarandë/ Sekuestrohen 700 kg kanabis, destinacion Greqinë

 Policia e Sarandës ka kapur ditën e djeshme 700 kg lëndë narkotike, që ishte gati për t’u trafikuar drejt Greqisë. Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, Strukturat e Policisë së Sarandës dhe agjenci të tjera ligjzbatuese morën informacion në rrugë operative se një sasi e konsiderueshme lënde narkotike ishte transportuar në fshatin Varfaj, Delvinë me qëllim për t’u trafikuar në drejtim të Greqisë. U organizua një operacion i përbashkët policor i koduar “SOPOT 2014”. Si rezultat i tij, rreth orës 10:00 të ditës së sotme, pikërisht në vendin e quajtur Bushec të Varfajt, u sekuestruan 17 çanta të mbushura me rreth 700 kg lëndë narkotike kanabis sativa, të fshehura nëpër shkurre”, – theksojnë burime nga MB. Sipas MB, mendohet se lënda narkotike të jetë transportuar deri atje me mushka dhe më pas do të trafikohej në drejtim të Greqisë. Po punohet për identifikimin e autorëve të këtij rasti trafikimi lëndësh narkotike të mbetur në tentative, përfundojnë burimet nga MB.

 

Bulqizë/ Eksploziv makinës, dyshime për konflikte

 Një sasi tritoli ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të djeshëm në një automjet tip “Mercedes-Benz” në lagjen “Gjeologu” të qytetit të Bulqizës. Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 4:30 të mëngjesit të djeshëm, ndërsa lënda shpërthyese ishte vendosur në një automjet tip “Mercedes-Benz” në pronësi të shtetasit Ardjan Duriçi. Nga të dhënat paraprake, mësohet se makina ishte e parkuar brenda oborrit së banesës kur ndodhi shpërthimi, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar por vetëm dëme materiale. Forcat e policisë mbërritën në vendngjarje dhe po punojnë për identifikimin e autorëve të vendosjes së lëndës shpërthyese si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency