Spanjë/ Barça del e pafajshme, asnjë parregullsi me çështjen “Nejmar”

0
119

Katalanasit janë shpallur nga gjykata të pafajshëm, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat për skandalin “Nejmar”

barca Lajme të mira për Barcelonën, pasi, sipas vendimit të fundit, nuk ka asnjë parregullsi nga ana e Barcelonës në lidhje me çështjen e blerjes së Nejmarit. Një çështje që shkaktoi aq shumë zhurmë pak muaj më parë brenda klubit. Ky është përfundimi i arritur nga Komiteti i Kontrollit Ekonomik në Ligën e Futbollit Profesionist të Spanjës, vendim që më pas është publikuar nga vetë “blaugranat”. Gjithsesi, kjo çështje që kulmoi me dorëheqjen e ish-presidentit Sandro Rosel, nuk mund të quhet tërësisht e ezauruar, sepse në të njëjtën kohë është Gjykata e Lartë në Spanjë që po shqyrton deklaratat kontradiktore të Barcelonës në lidhje me shifrat për blerjen e kartonit të sulmuesit brazilian nga Santosi. Në deklaratën e klubit katalanas, veç mirënjohjes dhe kënaqësisë për këtë konkluzion të hetimeve nga ana e Ligës së Futbollit në Spanjë, shprehet edhe gatishmëria për të vënë në dispozicion çdo dokumentacion të nevojshëm që ka lidhje me transferimin e Nejmarit. Kjo është beteja e dytë e fituar nga Barça në një hark kohor shumë të shkurtër. Para pak ditësh, FIFA pranoi kërkesën e blaugranave për të pezulluar përkohësisht bllokadën e vendosur në merkato, duke u hapur rrugë plotësisht hyrje-daljeve të lojtarëve nga Barça në fund të sezonit. Gjithçka nisi me një hetim ndaj Roselit, mirëpo prokuroria vendosi të hidhte në gjyq klubin “blaugrana” për dëmet që i ka shkaktuar thesarit të shtetit. Sipas hetuesve, provat ekzistonin dhe në këtë rast nuk kishte aspak rëndësi kush e drejtonte shoqërinë në atë periudhë, prandaj ishte vetë klubi i Barcelonës që u përball me akuzën. Sipas të dhënave, shoqëria “blaugranase” theu normat e artikullit 310 të Kodit Penal, që u modifikua në vitin 2010, pikërisht në pikën kur trajtohen të tilla raste, duke i deleguar përgjegjësitë nga personi juridik në kompaninë për të cilën ka punuar apo punon. Pas këtij vendimi, Barcelona punësoi një përfaqësues ligjor. Nga përllogaritjet, doli se thesari i shtetit ishte dëmtuar me 9.1 milionë euro nga veprimet e paligjshme të ish-presidentit Sandro Rosel. Ish-presidenti dha dorëheqjen pak ditë më parë, pikërisht për shkak të kësaj çështjeje. Rosel u akuzua se pagoi më shumë se 57 milionë euro për të afruar në “Camp Nou” talentin brazilian. Ndërkohë, në arkën e Santosit, por edhe në xhepat e familjarëve të futbollistit, mendohet të kenë shkuar rreth 100 milionë euro. Ndërsa pak kohë më parë, klubi ka reaguar në qëndrimin zyrtar ndaj raportit të prokurorit Hoze Perals në Gjykatën e Lartë të Spanjës. Kjo, pasi ai hodhi dyshime të forta mbi ligjshmërinë e marrëveshjes për blerjen e Nejmarit nga Santosi për 57,1 milionë euro. Mirëpo gjithçka duket se ka shkuar drejt normalitetit dhe është sqaruar. Shumë probleme duket se u kanosën mbi ekipin katalanas këtë sezon. Mirëpo me dy vendimet e fundit, ai i marrë nga FIFA dhe ky i marrë nga Gjykata, e ka çuar në paqe ekipin për sa u përket çështjeve ligjore.

 

Garsia: Konte, shumë i tensionuar

Luftë mediatike midis Kontes dhe Garsias. Lufta midis dy skuadrave në kampionat duket se ka ndikuar edhe në tensionin e krijuar midis dy teknikëve. Garsia për komentet e Kontes, që e ka quajtur provincial, është shprehur: “Kolegu im më duket pak nervoz, por nuk kam se çfarë të them, nuk është dita për të folur për ndonjë gjë tjetër, përveçse për këtë çmim”. Garsia ishte në Kieti për të marrë çmimin “Prisco”, dhe në njëfarë mënyre shmangu që të ushqente të tjera polemika duke u kufizuar me këtë koment pas fjalëve të Kontes ndaj tij. “Por unë jam i qetë, të shohim këtë mbrëmje se çfarë do të ndodhë. Ne duhet të fitojmë takimin e ardhshëm në Katania, por fati ynë nuk është në duart tona, të shohim se çfarë do të ndodhë më pas”. Gjithsesi, Garsia nuk ka asnjë peng pas një kampionati të tillë, edhe pse është i detyruar të ndjekë bardhezinjtë në klasifikim. “Kur bën një zgjedhje, ashtu si dhe në jetë, është gjithmonë më e mira në momentin që e bën. Pastaj mund të gabosh, por unë nuk kam asnjë peng. Kemi 85 pikë, kur mbeten 3 ndeshje nga fundi, u kualifikuam në Ligën e Kampioneve, 4 javë para mbylljes së kampionatit, kur erdha këtu ambienti dhe pritshmëritë ishin të tjera, ndaj dhe jam shumë i lumtur, mbi të gjitha për djemtë e mi, që kanë bërë diçka vërtet të mrekullueshme”.

 

Lindegard: Gigs është Guardiola i ri

Portieri Anders Lindegard beson se “djajtë” kanë zbuluar “Pep Guardiolën e ri” e që është ushtruesi i detyrës së trajnerit, Rajën Gigs. Legjenda e Mançesterit do ta drejtojë skuadrën deri në fund të sezonit, pas shkarkimit të David Mojesit, ndërsa në debutimin e tij, Junajtid fitoi me rezultat 4-0 kundër Noruiç Sitit. “Fjalimi i tij i fundit para se skuadra të dilte në fushë përpara ndeshjes kundër Noruiçit, ishte ngacmues në një mënyrë që e kam dëgjuar vetëm nga Sir Aleks. Ndoshta duket naive ose e vrullshme dhe e kuptoj skepticizmin e njerëzve për konkludimin tim. Sipas meje, kemi të bëjmë me ‘Guadiolën e ri’”, – ka deklaruar danezi. Sido që të jetë, raportohet se Junajtid tashmë ka arritur marrëveshje me përzgjedhësin e Holandës, Luis van Gal, që ta marrë përsipër skuadrën pas përfundimit të Kampionatit Botëror.

 

Pjaniç nuk interesohet për PSG-në

Miralem Pjaniç ia ka bërë të qartë Paris Sent Zhërmenit se nuk është i interesuar të shkojë në Ligë 1. Mesfushori i Romës është një nga futbollistët më të kërkuar në muajt e fundit, mirëpo nuk e ka në plan që të largohet nga “Stadio Olimpico”. Mediat italiane raportojnë se 24-vjeçari tashmë e ka refuzuar një ofertë nga kampioni i Francës. Për më shumë, ai është i gatshëm që të fillojë bisedimet rreth rinovimit të kontratës me Romën. Skuadra kryeqytetase në sezonin e ardhshëm do të luajnë në Ligën e Kampioneve, prandaj boshnjaku nuk ka arsye që ta ndërrojë skuadrën.

 

Roi Kin: Liverpuli, ende në garë për titull

Ata që mendojnë se Liverpuli nuk do ta fitojë titullin e Premier Ligës këtë sezon, e kanë gabim, thotë Roi Kin. “Redsat” pësuan me rezultat 2-0 në “Anfield” nga Çelsi duke lejuar që Mançester Siti të afrohet në tri pikë, me një ndeshje më pak të zhvilluar dhe me gol-diferencë më të mirë. Aktualisht, ekipi i Manuel Pelegrinit është bërë favorit nga bastexhinjtë, pasi nëse i fiton tri ndeshjet e mbetura, atëherë do të shpallej kampion. “Ata nuk janë jashtë akoma. Janë në pozitë të mirë. Nuk do t’i përjashtoja. Fundi i sezonit nuk ka të bëjë vetëm me aspektin fizik, por edhe me anën psikike. Duhet të jesh në gjendje të mirë mendore”, – ka deklaruar ish-futbollisti i Junajtidit.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency