Nata e fantazmave

0
163

Gani MEHMETAJ

ludovico Natë e ftohtë, akull. Nga alpet sllovene frynte veriu që të priste fytyrën dhe të fshikullonte trupin nga koka e mbuluar me helmetë deri të këpucët alpine në këmbët e mpira. Ishim në një pllajë mali. Nuk e përcaktoje dot vendin. S’kishte asnjë vendbanim në afërsi, nuk dëgjohej asnjë blegërimë delesh a pëllitje lopësh, as britma katundarësh. Ndjenja e braktisjes ndjehej gjithandej.

Ruanim objektin ushtarak, rrethuar me tela gjemborë. Rrëmujë e pasiguri gjithandej në vendin ku nuk na kishin ftuar. Flitej se shpërthimi i një lufte pritej së shpejti. Largësia mes rojave nuk qe më shumë se katërqind metra. Por nuk e shihnim njëri-tjetrin. Në të majtë bënte roje Stipe, djaloshi nga Posavina e Kroacisë, në të djathtë ruante bashkëmoshatari i tij Zorani nga Shumadia e Serbisë. Tutje tyre ishte Senadi nga Bosnja dhe Lajoshi nga Panonia në kufi me Hungarinë. Unë mes tyre rrija i mpirë në këmbë më pushkë supeve. Ndiqja më vëmendje lëvizjet në pyll, i mbështetur për një pemë të trashë që më mbulonte pjesën më të madhe të trupit nga era, po edhe nga gjuajtjet e mundshme armike. Hendekun në rast sulmi e kisha afër, mund të hidhesha më të vërejtur lëvizje në pyll. Rojet e tjerë nuk i shihja, por e dija ku janë dhe gati e dija gjendjen e tyre shpirtërore. Me frikë e filluan ndërrimin e tyre që nga fillimi. Nuk guxonin të kundërshtonin, por nuk donin as të rrezikonin.

Pa e hetuar mu afrua hija nga e majta. E mora me mend kush mund të ishte, megjithëse një herë nga paraqitja e bëftë u rrëqetha dhe mu duk që flokët e mia të ngritura si tela telefoni e preken çelikun e ftohtë te helmetës. Ende pa e pyetur pse e braktisi vend rojën filloi të më pëshpëriste: – Kam frikë. Mos më dëbo. I vetëm nuk rri më.

Kur u afrua edhe më, i çatalluar nga frika mu betua se në terrenin e tij endeshin hije njerëzish a lugetërish nuk e dinte me saktësi. Dridhej. Nuk thash asgjë. E dija me siguri se hije as fantazma s’kishte në afërsi, por s’kisha si ta bindja se kjo është vetëm paranoja e tij. Fundja nuk më bëhej vonë: do ta qortonin, arrestonin apo do ta dënonin nesër për braktisje të vendrojës. Nuk brengosesha as për të nesërmen time. Sonte ta kaloja thellimin dhe pasigurinë pa të nesërmen le të bëhej çka të donte.

Si të ishin marr vesh në mes veti, nga krahu i djathtë ia bëhu ushtari tjetër-shumadinasi. Edhe ai gati me gojë të marrtë mu drejtua: – Frikësohem nga lugetërit. Ka lëvizje nëpër gjithë pyllin, më shihte më vëmendje athua e besoja.

-Me një karikator do t’i vrasë gjithë lugetërit e kësaj bote, -u përpoqa ta shndërroja në shaka këtë frikë irracionale të dy ushtarëve të armatosur deri në dhëmbë me pushkë automatike, bajonetë që shkëlqente në natën e pistë, dhe 100 plumba në çantën e vogël ushtarake.

Ai shakasë sime iu përgjigj i shqetësuar: – Lugetërit nuk i zë plumbi. Kot që i gjuan. Ndërkaq, komandot nuk i heton, pos kur ta çajnë gabzherrin.

S’kisha përgjigje. Më vinte siklet dhe mërdhija. Rrinim të shushatur duke lëvizur këmbët e mpira nga të ftohtit. Pastaj më i riu nga Posavina pasi mori vetën nga prania jonë, filloi të tregonte ndodhi interesante nga katundi i tij:

– Një shtrigë ngrihej natën nga varri më daljen e hënës së plotë dhe e tmerronte gjithë katundin. I bënte rrëmujë shtëpitë, i priste në fyt gjënë e trash dhe i lemeriste katundarët. Me perëndimin e hënës çdo gjë qetësohej. Por një natë u bë shumë agresive, i lemerisi të gjallë e të vdekur: kërkonte ta kthenin në jetë, sepse gabimisht e futën të gjallë në varrë, – rrëfente ai më zë të ulët në pëshpërimë, ndërsa ne e dëgjonim të strukur si të prisnim se mos shtriga që u ngritë nga varri do të na drejtohej me hakërrimë.

– Tre katundarë që patën punë me shtrigën u çmenden, ndërsa dy të tjerë nuk u panë më. Shtriga i kishte fërfëlluar në humnera të frikshme në shenj hakmarrje, – na shihte shoku i armëve drejtë në sy, megjithëse të gjithë e dinim se ai s’mund të kapte asnjë lëvizje të fytyrës as sytë e gapërruar, por sa herë përpiqej të na zhbironte në errësirë, kthenim kokën anash sikur ndiqnim ndonjë lëvizje tej shkurreve e lisave.

– Për ta, – tha ai, ndërsa përpiqej të zhbirilonte në sytë tanë që vështirë të na i shihte nga emocionet e të rrëfyerit, – fliste i gjithë katundi.

Shoku ia pohonte më kokë me sy të çakërritur nga frika. Nuk ia prishja, megjithëse as në këtë natë të errët burg nuk u druaja lugetërve. U druaja njerëzve nga mishi e gjaku që mund të na zinin pusi. U druanim vendësve që ishin organizuar të na kundërviheshin, nëse dilnim nga rrethojat tona- telat me gjemba e kazermat e izoluara. Ishim ushtarë të huaj në vendin që s’na donte, as na kishte ftuar. Rrëfime për rojat e prera në fyt kisha dëgjuar plotë ditëve të fundit para se të na sillnin këtu.

Dhe s’doja të më vriste dikush si qen në këtë humbëtirë të huaj.

Sikur ta kishte pritur shokun t’i hapte rrugë, ushtari tjetër e vazhdoi rrëfimin rrëqethës se si njërit në katundin e tij i doli shtriga natën, ndërsa ai duke menduar se është e dashura e afroi për trupi. Ajo befas i hipi në qafë. Kur ndjeu kthetrat, me britma e ulërima fatkeqi, duke u përpjekur ta shqiste shtrigën, iu afrua shtëpive të para, por ajo e shndërruar në Zorken e tij sa për ta mashtruar e çau në fyt. U lemerisën katundarët. E dashura, më të pa kufomën e djaloshit mori malin, fliste ai si të qe në fund të hendekut.

Bashkëmoshatari i tij dridhej derisa dëgjonte

– Po rrëqethëm për shpirt të nënës, ma prek zemrën se si me rreh -na drejtohej më zërin gati të panatyrshëm.

Ndërkaq, rrëfimtari betohej në Zot, tokë e në qiell se e gjithë kjo qe e vërtet.

– Njerëzit që e kanë përjetuar këtë tmerr janë gjallë, – na thoshte i bindur në atë që fliste.

Nuk e kundërshtoja, s’kishte asnjë efekt edhe po t’u thosha se këto gjëra janë rrëfime plakash. Të dytë i besonin këto rrëfime.

Rrinim të shushatur në këmbë, prapa pemës së trash. Pastaj pa ndonjë marrëveshje u shtrimë në hendek, ndërsa sipas urdhrit duhej të silleshim më hap ushtarak nga një pikë kontrolli në tjetrën, “sa për t’ia bërë me dije armikut ku jemi”, tallej shoku ynë, i cili bënte kokrrën e gjumit në kazermën malore, sepse ishte në ndërrimin e mëvonshëm.

Ftoma dhe errësira e shtrinin pushtetin e pakundërshtueshëm mbi gjithë hapësirën. Sa herë lëvizte diçka në pyll, ne i bënim veshët pipëz, e ndërprisnim frymëmarrjen dhe prisnin nga do të vinte armiku. Ata i druanin lugetërve. Një varrezë e vjetër e braktisur austro- hungareze ishte në afërsi. Prania e këtyre varreve i lemeriste “bashkëluftëtarët” e mi…

Komandot e armikut ishin tmerri tjetër i rojave të natës. Disa ditë rresht para se të vinim në këtë humbëtirë, oficeri i sigurimit na thoshte se magazinat e municionit shpesh bëheshin cak i sulmeve të armikut. – Ndërkaq, – tregonte ai, – armiqtë i kemi të shumtë. Më të egër janë komandot që s’të falnin, – e theksonte ai shpesh herë këtë gjë.

– Po ju zuri gjumi në vendroje, – nuk do të zgjoheni kurrë më, komandot do t’ua çajnë gabzherrin, – na i hapte sytë me tmerr.

Si për dreq të gjithëve sonte na kujtoheshin fjalët e tij. Pastaj ata filluan të kujtojnë më pëshpërima rrëfime ushtarësh se si u vra filani në pikën tetë të rojës. Tjetrit në pikën pesë, thoshin, ia gjetën kokën disa hapa larg trupit. Fatkeqi pushkën ende e mbante më të dyja duart, flitej gjithandej në kazermë. Askush nuk e kundërshtonte, megjithëse askush nuk e pa kufomën.

Kur shteronin shembujt e këtyre tregimeve rrëqethëse, ushtari nga Shumadia, i prirë për drama të forta emocionale, tregonte detaje makabre të shpërthimit të gjakut, të gabzherrit që i gurgullonte fatkeqit nga ajri e gjaku kur dilnin me vrushkuj. Përshkruante edhe tmerrin e atyre që shikonin grahmat e fundit të të therurit, por që s’mund ta ndihmonin. Ai qe i sigurt që sonte komandosët ishin diku afër.

Kur shtangeshin nga frika, të cilën e ushqenin gjithë kohën, shihnin si të luajtur fiqirit përreth. Pastaj e vërtetonim edhe një herë instinktivisht e kanë pushkën e mbushur apo jo.

Nga ajo atmosferë e nderë herë na dukej se lëvizte një lis, herë na bëhej se fëshfërinin gjethet e shkelura të pyllnajës nga këmbët e dikujt. Por pastaj kur e ndjenim fortësinë e armës së ftohtë na bëhej se pushonte çdo lëvizje.

Pasi ngopeshin së rrëfyeri për komandosët që vrisnin, hidhnin në erë depo municioni, zhduknin njësi e çeta, fillonim serinë tjetër të rrëfimeve për lugetërit, dhe shtrigat në katundet e rrafshultës së Posavinës apo lugajave të Shumadisë.

Ata herë përtypnin rrëfimet e dëgjuara netëve të dimrit në vatrat e tyre, herë përsërisnin serinë e shkrimeve nëpër revistat e ilustruara që vinin në kazermë. Kësaj ua shtonin besimin e patundur në ato që u thoshin eprorët për komando armik që të prisnin në fyt sa hap e mbyll sytë.

Vazhdonin të rrinim të shushatur në errësirë. Më bëhej se nga frika irracionale të dy ushtarët ishin bërë si bombë e kurdisur me sahat, që vetëm momentin e shpërthimit kërkonin. Fillova t’ua kem frikën. Duhej të ruhesha nga çarturia e tyre. Prisja më makth zbardhimin e ditës apo ardhjen e ndërrimit tjetër të rojave. Koha nuk ecte. Ata dikur filluan ta shohin më frikë njëri-tjetrin.

Dhe derisa unë luftoja me nervat e mia jo nga hija e lugetërve, as nga komandosët sa nga reagimet e papritura të dy ushtarëve pranë meje, nata e pafund me të ftohtit më paralizonte. Nga mënyra se si shihnin rrotull u përpoqa prapë t’i shpërqendroja, t’i shkarkoja nga paniku.

– S ’ka lugetër! Janë përralla plakash gjithë ato që kishin dëgjuar, le të me dalin para të gjithë lugetërit e botës dhe do t’i çaj me bajonetë pa e shkrepur asnjë fishek, ndërsa ata heshtnin.

– S’ka as komandos, – përpiqesha të jem bindës . Por ata s’ më besonin. Duket më as s’ më dëgjonin.

Çuni nga Posavina ashtu si ishte i shushatur me kokën që e lëvizte si drugëza sa majtas djathtas, papritmas u ngritë në këmbë dhe doli nga hendeku. U përpoqa ta ulja duke e kapur për këmbëzën e pantallonave, por më rrëshqiti, duke më rënë shqelm në gjoks. Në qetësinë e frikshme të natës u dëgjua britma e thekshme: Ndal! Pastaj krisi rafali i kallashit.

U shtangëm. Nuk e dinim kujt i urdhëronte dhe në kë gjuante: në ndërrimin që ende kishte kohë të vinte? Në komando që mund t’i ketë pikasur? Apo u hakërrohej hijeve të natës që ua pati frikën më shumë se të gjithë armiqve së bashku. Ai shihte fantazma që dilnin nga varret, sepse filloi të kërcënonte e të shante lugetërit.

Bashkëmoshatari i tij nuk vonoi dhe hapi zjarr të përqendruar, duke e zbrazur gjithë karikatorin. Pastaj e futi karikatorin tjetër. Unë u ngjesha edhe më pas dheut të hendekut, në përpjekje për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave kuturi të shumadinasit që filloi të qëllonte nga të gjitha anët dhe të klithte me zë jonjerëzor. Vazhdonin klithmat tjera në thellësi të malit. Zërat e tyre largoheshin njëri pas tjetrit. Pas një kohe ngrita kokën dhe hapa sytë sa si shqeva në terrin e natës, por nuk e shihja as posavinasin që u zhduk në thellësi, as shumadinasin që komandonte: “zjarr” disa qindra metra larg meje dhe shkrehte herë pas herë kallashin.

Dikur u bë heshtje e frikshme. Ata nuk u kthyen.

Më të zbardhur dita hodha pushkën në hendek, u shkarkova nga pajimet ushtarake dhe u drejtova nga kufiri perëndimor. Askush nuk erdhi të na zëvendësonte as të gjurmonte për fatin e dy ushtarëve, për të cilët kurrë më nuk dëgjova.

 

Kujtimi yt, Orija

 Le Clézio

Natën sjell në mend emrin tënd, Orija, që je gruaja ime dhe emrat tuaj, Sandra, Xhamila dhe Ali, fëmijët e mi që ju dua. E fillova me emrin tënd dhe me emrin tënd dua ta mbyll, Orija, gruaja ime, sepse ti je ajo që dua më shumë në jetë. Kur u nisa nga Tata, para tre vjetësh, duke lënë prapa gjithçka që kam dashur dhe kam njohur që prej fëmijërisë, shtëpinë e tim eti dhe të mëmës, s‘kisha asgjë për të marrë me vete. Ne ishim aq të varfër sa më duhej të ikja. Mora me vete atë që kisha më të çmuar, emrin tënd. Vetëm emrin tënd, Orija. Ai është shumë i ëmbël. Unë e përsëris atë çdo ditë, çdo natë. Emri yt më jep forcë për të punuar. Ai është bekimi im.

Orija, emri yt më turbullon e më mbush me lumturi kur e shqiptoj. Ai ka hyrë aq thellë në shpirtin tim sa më duket sikur kam lindur me të. Çdo mbrëmje, kur, i lodhur nga kantieri i Giglionit, hyj në dhomë, që gjendet te Rruga e Italisë, bashkë me tunizianin Malik dhe shtrihem. Nuk e dëgjoj më zhurmën e televizorit, s‘e shoh dritën e kaltër që fërgëllon në dhomë, as ato figurat e çmendura, të cilave ti Orija, nuk do t’u përkasësh kurrë. Maliku e ndjek televizorin derisa e merr gjumi. Ai nuk flet, shikon gjithçka: Çmimin e madh për automobila, garën e anijeve me vela, uraganin mbi Kenë, gruan e mrekullueshme, horoskopin, zjarret e dashurisë, Botërorin ‘90, Supermenin etj. I ndjek këto imazhe me aq vëmendje, sa ndonjëherë kam përshtypjen se do të luajë mendsh.

Unë mbyll sytë ashtu shtrirë pranë dritares dhe më shfaqesh ti, Orija. Maliku nuk të sheh. Vetëm unë të shoh në këtë dhomë të ngushtë, sepse unë e kam emrin tënd të shkruar thellë në zemër dhe pres ditën kur do të kthehem. Emri yt është i shkruar në një frazë tepër të gjatë që s‘mbaron kurrë, një frazë që vjen butësisht drejt teje, drejt anës tjetër të botës ku më pret ti. Jam aq larg teje në këtë qytet, në këtë dhomë! Gjatë dimrit, poshtë tarracës është ftohtë dhe verës të zihet fryma. Shtrojat tona janë thuajse në tokë. Maliku fle pranë derës, unë pranë dritares. Në mes janë shtrojat e Shimanit, vëllait të Malikut. Ka një javë që Shimanin e zuri një mur përforcues në kantierin e Giglionit. Humbi dorën e djathtë. Ai nuk mund të punojë më. Kur të dalë nga spitali do të kthehet në Tunizi, pranë gruas dhe fëmijëve. Ma tha Maliku këtë, pastaj ai vazhdoi të shihte televizor i mbushur me zemërim. Pa dashur, unë mendova se si do të dukej ty, Orija, nëse do të më ndodhte mua ajo gjë? Nëse do të përfundoja në shtëpi i gjymtuar ç‘do të thoshin fëmijët tanë?

Mua më pëlqen që fle pranë dritares. Mëngjeseve në pranverë mund ta shquaj ç‘kohë do të bëjë ditën. Dëgjoj zogjtë që këndojnë. Më duket sikur shoh pakëz dritë nga Tata, dritën që sheh ti, Orija, me sytë e tu.

Edhe emrin Tata kam dëshirë ta shqiptoj. Këtu, ky emër i bën njerëzit të qeshin. Ata nuk e kuptojnë. Unë e them me zë të ulët për t‘u justifikuar, sepse ky emër u duket i çuditshëm, e bëj që t‘i paralajmëroj, se s’mund ta ndryshoj. Sidoqoftë, është emër shumë i ëmbël, emër si i yti, Orija, që më jep forcë e jetë. Unë përmend, gjithashtu, emrat që njoh, fshatrat, qendrat tregtare. Ata janë si emrat e familjes sime: Suk, Ileto, Tazar, El Khemia, Aixhe, Imitek. Unë i përsëris me sy mbyllur dhe e ndiej veten pranë teje, Orija, edhe pse trupi im gjendet larg trupit tënd, edhe pse duart e mia nuk mund të të prekin, edhe pse nuk ha nga buka që gatuan ti, edhe pse nuk pi nga uji që sjell ti.

E shoh buzëqeshjen tënde. Në veshët e mi vjen murmurima e zërit tënd duke i kënduar ninullë vajzës sonë që ende s‘e njoh. Vështroj shkëndijëzën e syve të tu robërues, qepallat e tua të lyera me khol, i marr erë parfumit të flokëve të tu kur i kreh nën diellin e mëngjesit në oborrin e shtëpisë. Të sodis, si atëherë kur zgjatja kokën përmes perdeve të dritares në dhomën e burrave.

Stinët kaluan larg teje, Orija, larg jush fëmijët e mi. Në dimër bën aq ftohtë kantiereve, sa vetëm kujtimi juaj, kujtimi i zërit dhe i vështrimit tënd Orija, më mbajnë gjallë. Pë ty ngre gurë, derdh beton mbi skeletet prej hekuri të ndryshkur, shtrëngoj vidat në rrjetat e tavaneve, patinoj mure. Emri im është Abdelah, emri i tim eti është Rebo, nëna ime quhej Khadija. Padroni Giglion as emrin tim nuk e mban mend ose nuk do. Ai më thërret Ahmed. Të gjithë patinuesit quhen Ahmed. Por, ç‘rëndësi ka kjo? Për ty unë ngre lopatën, për ty hedh çimento, për ty gdhend fasada. Ditë pas dite, muaj pas muaji ngre mure, patinoj allçi. Kam ndërtuar aq shumë shtëpi sa do të mjaftonin për tërë familjet e Tatës; kam ndërtuar qytete të tëra. Kur të kem grumbulluar aq para, do të kthehem Orija dhe kurrë më s’do të ndahemi.

Dielli më djeg trupin, të ftohtët më plasarit lëkurën, pesha e lopatave m‘i këput gjymtyrët. Por tani u mësova. Kur erdha në këtë qytet para tre vjetësh, isha ende i dobët dhe i druajtur si fëmijë. Mbrëmjeve isha aq i lodhur dhe ndihesha aq i vetmuar sa shtrihesha përtokë e më dilnin lot nga sytë. Banoja në një fjetore me zezakë dhe tunizianë, sipër një bari. Drita e neoneve krijonte një njollë gjaku mbi dritare. Në rrugë kishte zhurmë makinash. Vinin gjer aty ulërimat e njerëzve të dehur, që grindeshin, të grave që thërrisnin. S‘kishte as fëmijë dhe as ëmbëlsi. Atëherë fillova të kujtoj emrin tënd, Orija, dhe emrin e secilit prej fëmijëve, dhe emrin e Tatës.

Ato çaste sillja në mend kujtimin e asaj dite që të takova ty, Orija, gruaja ime, në pemishten e madhe të lumit, ditën e festës kur ti erdhe me kortezhin e vajzave të reja për t‘u hedhur polen luleve të hurmave.

Ajri ishte i lehtë, e mbaj mend mirë. Pluhuri i artë pluskonte në ajri. Lugina jehonte nga këngët. Kur kortezhi kaloi para meje, unë të pashë, Orija, shkëndija e vështrimit tënd hyri në mua dhe nuk doli më. E kuptova, ti ishe gruaja ime.

Në dimrin e hirtë e të bardhë të kantiereve, në këtë qytet aq larg nga ti, kujtimi i asaj dite është përherë i pranishëm. Ai më jep forcë, më mban lopatën, ai ngre thasët me çimento dhe allçi. Edhe në të dielat e zbrazëta, në bulevardet e pluhurosura, në tarracat e frikshme, kur jam fillikat, pa fëmijët pranë, i rrethuar me ligësinë e njerëzve që kërkojnë një viktimë, kujtimi i asaj dite në luginën e hurmave nuk më lë vetëm. Të shoh ty, Orija, veshur me fustanin plot hir, me fytyrë dhe duar të mbuluara nga ngjyra e artë e polenit dhe shkëndija e vështrimit tënd rihyn përjetësisht në vështrimin tim.

Përktheu: Feride Papleka

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency