Ismail Kadare/ Si dështoi “aksioni” i letrave erotike deri në kërcënuese të Dhora Lekës  

0
143

Ismail Kadare në një intervistë për letrat e Dhora Lekës dhe hapjen e arkivave të fshehta në emisionin “Debati” në “Channel One”

foto kadare Intervistoi: Roland Qafoku

Përshëndetje zoti Kadare! Në median e shkruar ditët e fundit është botuar një letër që kompozitorja Dhora Leka i ka dërguar diktatorit Enver Hoxha në vitin 1967, në të cilën shprehet se ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit dhe synonte që t’ju fuste ju në kurth. Ju, si e keni pritur botimin e kësaj letre unikale, që nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, ndoshta edhe në tërë Evropën ish-komuniste?

Është e vërtetë që është rast i rrallë, me sa e njoh unë jetën e shkrimtarëve, kolegëve të mi në shtete të ndryshme komuniste. Ka patur kurthe të vazhdueshme, të ngritura, por që të ekzistojë një letër e tille ose e ngjashme, sigurisht që kanë ekzistuar, por një rrëfim i tillë ndaj shefit komunist të një vendi, unë nuk di të ketë ndodhur. Ose, të paktën nuk është botuar, nuk është bërë e njohur. Ngjarjen e kam ditur gjithmonë, ka ndodhur gjysmë shekulli më parë, por letrën nuk e kam ditur as që ekzistonte, pale të kem ditur përmbajtjen e saj.

Si u ndiet në momentin që e lexuat të gjithë letrën?

Jam befasuar jashtëzakonisht. Nga vetë letra, përmbajtja e saj dhe nga stili, toni i saj, në një lloj ekstaze e aktit të denoncimit.

Ajo që mua më ka bërë përshtypje, zoti Kadare, ndoshta edhe që i përkas një brezi tjetër, ishte vetofrimi që kompozitorja Dhora Leka bënte për të bashkëpunuar me organet e Sigurimit. Madje, duke bërë edhe vërejtje, duke treguar edhe detaje të asaj që ajo e quante komplot, që ajo e kishte në mendje dhe që Sigurimi e kishte në plan si ide. Çfarë ishte ky? Ishte një rast sporadik apo kështu funksiononte sistemi dhe sidomos ndaj shkrimtarëve dhe konkretisht ndaj jush?

Ishte sistemi natyrisht. Nuk ka gjë sporadike, nuk ka gjë të pazakonshme, është në logjikën e mbrapshtë të gjërave të një diktature. Zakonisht, në një diktaturë shkrimtarët e njohur, filozofët e njohur, artistët e njohur janë në përgjim. Kur ka diktaturë në një vend, ka përgjim njerëzish të shquar, qofshin këta të sferave politike, artistike, filozofike, kështu që nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme. E jashtëzakonshme është tregimi me pasion i këtij aksioni, se si është e mundur që njeriu që e ka bërë këtë përpjekje për të futur në kurth një njeri tjetër, një koleg të saj artist, nuk ka kurrfarë pendimi, madje ka një lloj krenarie. Kjo tregon që edhe ai që e merrte denoncimin, edhe ai që e përgatiste, se këtu ka dy anë. Njëra anë që përgatit kurthin i kërkon denoncuesit të ngrejë kurthin, pastaj ai që e merr këtë rezultat për ta shfrytëzuar. Këtu ka ndodhur një gjë pak e çuditshme. Ka një mister, që jo gjithçka kuptohet e qartë. Njeriu që e ka marrë këtë, udhëheqësi i vendit, diktatori, shefi si ta quajmë, ka ditur diçka apo s’ka ditur asgjë. Personazhi nuk është gjallë që të japë sqarime. Ndoshta ka dokumente të tjera të fshehura me shumë kujdes.

Por edhe mund të jenë zhdukur?

Edhe mund të jenë zhdukur, pa dyshim. Ato që janë më “kompromentuese”. Ndoshta çdo sistem zgjedh dokumentet që duhet t’i zhdukë. Ato që mund t’i ruaj njëfarë kohe, ato që i djeg përgjithmonë pa mëshirë, sepse turpi është kaq i madh, saqë është i padurueshëm edhe kohë më vonë, sikur të zbulohen.

Zoti Kadare, ishte moment që ju ishit në Berat. Ky ishte shfrytëzimi i rastit që zonja Dhora Leka të bënte atë bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit. A patët ndonjë moment me të vërtetë të vështirë që ju e kuptuat që shërbimi sekret ju survejonte?

Jo, kur erdhën këto letra… Historia është shumë e ndërlikuar, nuk është kaq e thjeshtë. Ka pasur dy lloj letrash. Letra pasionante, romantike, erotike në fillim e më pas letra kërcënuese. Sigurisht nga letrat e para nuk ishte ndonjë dramë, për një shkrimtar të marrë letra nga një vajze, e cila mund të ketë një ngarkesë erotike, por të përmbajtur. Letrat ishin shumë korrekte, shumë të përmbajtura, pa asgjë të tepruar. Është normale. Shkrimtarëve u qëllon të marrin letra të tilla, nuk të bën ndonjë përshtypje. Letra të tjera janë të pazakonshme krejtësisht, sepse ato janë letra që të vënë ty në pozitën e një komplotisti. Ajo shkruante: “Pse ti nuk vepron bashkë me ne, besnikët e Moskës, për të përmbysur regjimin?” Është e habitshme, ku e gjeti ajo. Nuk e njihja këtë grua, e kisha parë vetëm në rrugë.

Ju e diskutuat me njeri këtë?

Po, e kam diskutuar me shokët e mi. Me disa, jo me një. Kjo, me sa duket, e bëri që të dështonte ky aksion, sepse e humbi fshehtësinë. Këto letra nuk mundej më të m’i kapte dikush mua, në një bastisje, e të më thoshte ‘pse s’i ke treguar’. I bëra bisedë me shokët e mi, kisha shumë shokë atëherë të qarkulluar në Berat, inxhinierë kryesisht, ndonjë shkrimtar. Edhe kjo prishje e sekretit dogji rezultatin e tyre.

Pas vitit ‘90 zonja Leka mori njëfarë vlerësimi ose rivlerësimi. Si e vlerësoni ju figurën e saj? Kur edhe produktet e saj muzikore u vlerësuan, madje edhe një shkollë në Tiranë mori emrin “Dhora Leka”. Si i komentoni?

Unë nuk kam dëshirë të merrem më një bisedë të tillë, të them të drejtën. Ajo s’është më në jetë. Ajo e ka marrë mbi ndërgjegjen e saj këtë që ka ndodhur, ndoshta ka lënë shpjegime në një ditar të sajin, në një letërkëmbim me dikë të afërt, por që unë kam shprehur mendimin dhe i përmbahem këtij mendimi. Që ajo ka qenë një grua që ka vuajtur vërtet, për fat të keq vuajtja e çoi në një humbje drejtpeshimi mendor, moral, të logjikës. Në radhë të parë është një letër e pikëllueshme, që të arrijë një kompozitor i njohur shqiptar. Ka pasur një arsye të fshehtë, arsyeja e parë që të shkon ndërmend është që ka dashur të shpëtojë vetë ajo nga një survejim i keq i shtetit. Paska gjetur një mënyrë që me një shërbim të tillë, të rregullojë biografinë e saj, të cilën, në fakt, as nuk e rregulloi, as nuk e përkeqësoi. Pak a shumë, u duk sikur shteti do ta shqyente 400 copash që doli ky sekret, që ajo tha ato fjalët e famshme në mbledhje, që nuk e kam bërë me kokën time. U mat t’i thoshte dhe nuk e lanë të fliste. Ajo do të tregonte, me sa duket, e zemëruar, me një zemërim që më ka habitur dhe ka habitur të gjithë, e patrembur. Me kuptimin që unë i shërbeva Partisë, i shërbeva Sigurimit, siç kërkohej prej meje dhe unë kërkoj të respektohem. Kjo ka qenë çudia, befasimi i kësaj ngjarjeje.

Zoti Kadare, në të vetmin rast mes shkrimtarësh që kemi një pendesë është ajo e shkrimtarit Fatos Kongoli, i cili ka shkruar një roman, ku shpreh pendesën që ka bërë një dëshmi në gjykatë për një kolegun e tij, i cili ishte dënuar.  Ky është rasti i parë dhe i vetëm që një shkrimtar e bën këtë gjë. Përse nuk kemi raste të tjera zoti Kadare që të kenë atë pendesën e madhe?

Varet. Pendesa pritet nga një njeri që ka diçka për t’u penduar. Mund të jetë një kërkesë e përgjithshme. Secili përgjigjet përpara ndërgjegjes së vet.

Si e vlerësoni ju rastin e Fatos Kongolit?

Ishte një rast i kuptueshëm për një njeri që e vret ndërgjegjja për diçka, është normale.

Më bëri përshtypje, kur po përgatisja intervistën, ju keni shpëtuar nga burgu një të ri me emrin Maks. Jam befasuar nga ajo që ju keni bërë, nga ajo shpirtgjerësi. Ai ishte i arrestuar, por mund ta dënonin edhe me pushkatim, edhe ju e keni shpëtuar duke i bërë atë relacionin hetuesit që nuk ka lidhje që kjo poezi të jetë bërë kundër pushtetit dhe kundër regjimit të asaj kohe. Pse z. Kadare e keni fshehur këtë anë, që ju me ato ekspertiza keni ndihmuar?  

Ky është rasti i vetëm që ka ndodhur. Nuk më ka ndodhur rast tjetër. Mua s’më drejtoheshin për ekspertizë. Por ka qenë një rast unik. Një hetues i cili gjithashtu ishte në dilemë dhe mbante në pranga dikë në burg, i bëri thirrje ndërgjegjes sime si profesionist. “Z. Kadare kam një poet të mbyllur në qeli. A mund t’ju tregoj juve lutem një vjershë të tij, vetëm kaq”. Dhe më la të kuptoja që nuk i mbushej mendja se ishte fajtor. Nuk mund t’ia refuzoja, sepse kjo nuk është ekspertizë. Përkundrazi, kapa nuancën që e mundon diçka këtë hetues. Nuk i mbushej mëndja.

Nuk e tha haptas, por me sa kuptova unë. Me shume sjellje, shumë mirësjellje. E pashë që ishte tmerruar. Unë nuk kam dashur t’i bëj reklamë një gjëje që është normale për një shkrimtar, n.q.s. ti ke në dorë të shpëtosh një njeri, n.q.s. të vjen dikush dhe të thotë dëgjo se i kemi kapur në dorë një vjershë këtij armikut. Ai më tha se si mendonte zyra e tij. I thashë që këtu nuk ka asgjë armiqësore. E bëra pa mëdyshjen më të vogël, kjo ekziston, gjendet dhe dokumentet janë. Hetuesi më duket se jeton. Nuk e kam bërë bisedë, për të mos u dukur si një sjellje e pazakonshme. Nuk ishte as heroizëm, ishte një sjellje që nuk pësoi asgjë nga kjo. Krejt normale si sjellje.

Zoti Kadare, ju e bëtë këtë gjest, por nga ana tjetër dhe Sigurimi i Shtetit ju ka survejuar në format më të ndryshme. A keni ndonjë moment kulmor që me të vërtetë që ju e keni vuajtur më shumë sesa denoncimi apo synimi për kurth që donte të bënte Sigurimi i Shtetit me Dhora Lekën?

Jo. Këtë gjë e dija, e merrja me mënd edhe prapë më dukej normale për një shtet si yni. Unë kisha studiuar në Moskë, në kryevendin e përgjimeve të gjithë shkrimtarëve të shquar ishin të përgjuar. Edhe ishte krejtësisht normale. Për të mos thënë që ndonjë shkrimtar që ishte i papërgjuar fare, dukej si i pavlerësuar. Nuk kishte pse të shqetësonte kjo gjë. Ne ishim mësuar të gjithë.

Domethënë shkalla e përgjimit lidhej me shkallën e nivelit të shkrimtarëve?

Jo gjithmonë, por shkrimtari është shumë i lehtë të përgjohet. Ka raste kur edhe në Perëndim janë përgjuar ndonjëherë shkrimtarët. Kaq e lehtë është për një shtet, për një polici, për një shërbim sekret të përgjojë një shkrimtar. Është si një sport zbavitës.

Zoti Kadare, sa herë diskutohet një denoncim, një debat i tillë, bëhet pyetja e famshme: “Pse nuk hapen dosjet?” Më ka bërë përshtypje që në 1994 është përmendur fraza që në qoftë se hapen dosjet e Sigurimit në Shqipëri, Shqipëria ka për të kaluar një tragjedi kombëtare. Si e komentoni ju ?

Kjo është një alibi. Njëfarë përpjekje për të përligjur moshapjen e arkivave të fshehta. Unë e kam pasur mendimin të prerë gjithmonë. Madje, kam bërë shumë armiq me këtë. Një pjesë e njerëzve që më sulmojnë, ata s’mund të thonë që ne po të sulmojnë që të hapen dosjet. Por është shumë e lehtë të akuzosh një shkrimtar, nga drejtimet më të ndryshme. Pra, mendimi im ka qenë i prerë që duhen hapur dosjet, duhen hapur arkivat e fshehta. Duhet që çdo vend kur kapërcen, kalon nga një diktaturë, gjëja e parë që bën shqyrton pjesën e keqe të ndërgjegjes së vet. Pa këtë nuk ka asnjë emancipim. Ose duket sikur ka ecje përpara, por në fakt ka ngecje në vend.

Ky është momenti që Kasem Trebeshina ka thënë për momentin e zonjë Leka, se nuk është faji i saj po i Ismail Kadaresë.

Nuk kam asnjë koment. Për mua edhe për asnjë njeri normal, Kasem Trebeshina nuk duhet të jetë një referencë morale. Ka një biografi shumë të rënduar nga kjo anë.

Në ç’kuptim?

Ka shërbyer vetë. Ka qenë oficer i Sigurimit i Ministrisë së Mbrojtjes që quhej në atë kohë Ministri e Brendshme. S’kam dëshirë të flas për të.

Përse një pjesë e shkrimtarëve, edhe pse kanë këtë njollën që ju thatë, vazhdojnë pas vitit 1990 të nderohen edhe me çmime, edhe me rritjen e vlerës publike? A është kjo e moralshme z. Kadare?

Kurrsesi. Sigurisht nuk është e moralshme për asnjë moral njerëzor, në asnjë rend, në asnjë kohë, në asnjë sistem shoqëror. Këta njerëz në heshtje duhet të vuajnë ato që kanë bërë, sa kanë bërë, pa bujë. Ky është ndëshkimi më i madh për ta. Të vuash në heshtje edhe pa bujë atë që ti gjen të papastër në ndërgjegjen tënde. Që të bëhen nderime kur shteti e di çfarë janë, nuk është normale. Është të kapërcehet, të bëhet një mbrapshti morale e pakapërcyeshme. S’ka pse t’u bëhen nderime. S’po them a duhen ndëshkuar më vonë apo jo. Ky është një ndëshkim moral, secili e vuan në mënyrë private. Por ta nderosh një denoncues, një njeri që ka marrë në qafë njerëzit është akti më i keq i njerëzimit. Të nderosh Judën, i cili është personazhi më i zi i referencës morale botërore të njerëzimit, njeriu më i afërt i Krishtit, i cili e tradhtoi atë. Prandaj, paradigma e Judës e njerëzve të afërt që rrinin disa herë rrotull shkrimtarëve për t’i përgjuar është e pafalshme. Akti i tyre është i pafalshëm. Për fat të keq, tek ne falen.

Po të kthehem tek ajo që thatë ju, që nëse hapen dosjet, Shqipëria ka për të kaluar një tragjedi kombëtare. Nuk ka një tragjedi kombëtare nga një pastrim i ndërgjegjes. Tërë vendet e botës e kanë kryer këtë proces të detyrueshëm, i cili është i dhimbshëm. Por mund të them se ata nuk kanë pësuar një tragjedi, asnjëri prej tyre. E filloi Gjermania, Çekia, Polonia, me shumë vështirësi, Rusia. Askund nuk mund të thuhet se ka ndodhur ndonjë tragjedi. Përkundrazi, tragjedia ndodh kur nuk hapen. Jemi ne që jemi ndërkaq tragjedi. Në mbyllje të kësaj të fshehte.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency