Burgu i Ri

0
164

Faruk Myrtaj

faruk myrtaj Ajo i kërkoi diçka krejt të veçantë. “Një dhuratë që nuk i është ofruar asnjë femre tjetër në këto vise…!” Duke njohur natyrën e tij dhe shpirtin e saj, ai i premtoi një burg.

U bë i ditur vendimi i parë i kabinetit të ri: miratimi i fondeve për ndërtimin e një burgu.

Banorët e kryeqytetit, që gjithnjë i qenë gëzuar shprehjes “lërmë o Zot të rroj”, shtetasit e ngeshëm që ishin gati të pranonin të kishin simbol kombëtar jo shqiponjën, por kërmillin, dhe ata që u bindeshin pa kushte e pa dhimbje gjithë qeverive që pasonin njëra-tjetrën, nuk e fshehën dot befasimin. Në njoftim nuk fshihej përpjekja që burgu i ri të mos paragjykohej si vend privimi, pra si burgjet e deriatëhershme. Sipas zëdhënësit të qeverisë, shtëpia e re pa qira do mirëseardhej si respektuese e së drejtës për dinjitet qytetar. Ligji i shenjtë dhe secili i respektuar, edhe kur do t’i duhet të zhvendoset në këtë burg.

Numri i shëtitësve në “Bulevardin e Të Rënëve Pa Vetëdije”, bulevard që shkonte e urtohej tek këmbët e pallatit të qeverisë, u rrallua me shpejtësi. Tërë vendi nisi të fliste për Burgun e Ri. Çdonjëra prej qeverive të mëparshme ishte marrë me riparimin e burgjeve të vjetër, të gjitha ato patën premtuar ndershmëri për të ndershmit, ndëshkim për ata që vinin dorë mbi pasurinë publike, por askush, madje as të ardhurit në pushtet me krisma pushkësh, s’kishin premtuar qeverisje që fillonte me hapje burgu. Si për të qetësuar masën e vogëluar të qytetarëve që vazhdoi ece-jakën përgjatë bulevardit, të nesërmen u publikua një njoftim tjetër: një e teta e fondeve për ndërtimin e burgut do të sigurohej prej pagave të kryetarit të shtetit, ministrave, zv.ministrave, drejtorëve të drejtorive dhe zyrtarëve të lartë të shtetit. Madje, pak kohë më vonë, u përhapën fjalë se të tretën e pagës do ta dhuronin për burgun e ri edhe shefi i opozitës, kryetari i kontrollit të serverave të tatimeve, avokati i popullit dhe garantori i drejtësisë me ligj… Dukej se në këtë truall të bekuar më në fund po ndodhte mrekullia.

Fjala burg ishte shumë e përdorur në këtë truall ku si traditë besohej se “burgu për burrat është”. Veç pak kohë më parë, një hovardar pushteti ish bërë “banor” i kësaj lloj strehe, por sigurisht mbahej mend se në burgjet e vjetra të vendit kishin bujtur tërë kryeministrat e shekullit të fundit, me përjashtim të atij që kish përfunduar në çmendinë dhe të atij tjetrit që kish preferuar të mbetej burrë edhe pa hyrë në burg, qoftë edhe vdekur. Kurrë s’pat ndodhur, siç flitej se po ndodhte së fundi: tërë anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe shtetarëve sipërorë po u mbahej Taksa për Burgun e Ri.

Opozita kish gjithë arsyet dhe pretekstet për t’u shqetësuar. Fare lehtë, mund ta gjente veten në hapësirën e këtij lloj burgu të ri. Mbase këta rishtarët do t’i dërgonin vërtetë liderët e saj në atë burg, por një mendje tjetër qetësonte se do ta përdornin reklamën e qeverisjes me burg thjesht si mjet presioni. Dyshimet dhe momentet qetësuese përkëmbeheshin kur nisi të flitej për një burg ku, sipas shpenzimeve të parashikuara, mund të përdoreshin për herë të parë mjete përpunimi, hetimi dhe investigimesh speciale. Zëra të tjerë e lidhnin nevojën e burgut të ri me numrin e shtetasve në emigracion, në burgjet atje. Ishte njohur prej kohësh kërkesa e ministrive fqinje të drejtësisë, por edhe e të burgosurve atje, për transferimin në burgjet e atdheut të vetë. Nëse at-mëmë-dheu s’i kish mbajtur e trajtuar dot si prind, po kujtohej që së paku t’u bëhej i dhimbshur si burg.

Në ditët më pas, u përfolën detaje që mbështesnin apo rrëzonin këto hamendje. Zëdhënësi i ministrit të brendshëm, një fytyrë që përcillte optimizëm e humor (krejt ndryshe prej seriozitetit ngjethës të zëdhënësit të kryeministrit, që kumtoi lajmin për ngritjen e Burgut të Ri), ngulmoi të qartësonte se kurrkush prej votuesve të thjeshtë nuk duhej t’i druhej ngritjes së këtij burgu. Aq më pak opozita, shtoi ai. Por as që mori mundimin të jepte ndonjë hollësi, si përgjigje të pyetjes: Nëse jo qytetarët e thjeshtë dhe as opozita, kush tjetër duhet të druhej prej hapjes së këtij burgu?!

“Tërë vlerat monetare dhe materiale dalin prej djersës së popullit. Secili duhet ta ketë të qartë këtë. Burgun e Ri prandaj po e ngremë…Atje mund të shkojmë të gjithë. Absolutisht të gjithë…”

E bëri edhe më turbulluese historinë me burg të ri, rrekja e kabinetasve të rinj që, një më dy dhe përmendnin këmbimin e vajtjes në burg me dëmshpërblim monetar. Në këtë burg të ri s’mund të shkonte kollaj kushdo: një shofer që parkonte gabim, një ish-fshatar i shndërruar në kryeqytetas së voni që mbante ndezur dritat e oborrit dhe ndonjë drejtoreshë shkolle që nxirrte nxënësit për miting politik, thjesht do gjobiteshin… pa u kërkuar kush, dukej sikur paralajmëronin varfanjakët që të mos shpresonin për tu gjendur në Burgun e Ri.

Trazira u bë e lemerishme kur u mësua sasia përrallore e parave në dispozicion për burgun e ri, por sidomos trualli i zgjedhur për ngritjen e tij: një lartësi në kodrat që sundonin qytetin, denduruar me gjelbërim të ëndërruar prej gjithkujt si pikë turistike dhe çlodhjeje. Kodra zbriste gradualisht për nga qyteti, direkt në fund të “Bulevardit të të Rënëve Pa Vetëdije”. Shëtitësit filluan ta mbanin pak hapin, kur arrinin aty. Mbanin frymën dhe vështronin shoshoqin përhumshëm. Mos të duket për të qeshur, vëlla. Secilit prej nesh, një ditë të beftë, kur të ketë mbërritur këtu, dikush mund t’i afrohet dhe t’i thotë me mirësjellje: “Në emër të popullit…a mund të ngjitemi deri atje lart?! Është bukur, më besoni…” Atje lart, do të na thonë, duke bërë me dorë nga ai, Burgu i Ri…

Si për asnjë premtim tjetër, themelet e burgut të ri nisën menjëherë. Ishte vërtetë një lloj dheu i bardhë, që s’mbante lagështi. Garanci e sigurt për të ndëshkuarit e ardhëm, por edhe për gardianët e personelin në detyrë, se nuk do të vuanin prej dhimbjeve të eshtrave, si rëndom më parë burgjet e hershëm. Dukej shkoqur, për shkak të majëkodrës së zgjedhur si truall për Burgun e Ri, dielli do ta përkëdhelte ndërtesën e tij, prej rrezes më të hershme të agimit deri në çastet e shuarjes së vonë në mug. Dikur, pikërisht aty pranë, kish qenë një pikë pushimi mbretërore. Mbase për inerci shtetërore, pas abdikimit të mbretit, shërbeu edhe për shtetarët e mbramë që, ndonëse ia kishin ndaluar kthimin mbretit, gjallë e vdekur, në fund të pushtetërimeve e gjetën veten edhe më të urryer se mbreti.

Pandehmat, përfoljet, thashethemet vazhduan dhe u shtuan, teksa burgu filloi të merrte formë. Ajo që i dha shtysë edhe më shumë habisë së fillimit, ishte lënda që u përdorë për muret: qelq i trashë, i ëmbël dhe i përshkueshëm nga drita, i tejvështrueshëm nga brenda, por jo edhe nga jashtë. Të burgosurit do të mund ta kundronin qytetin, por jo qyteti ata. Më vonë, pasi muret u lartuan e kaluan bojën e njeriut, u tha se në hapësirën brenda rrethimit për burgun qe ruajtur krejt-e-krejt gjelbërimi i mëparshëm i majëkodrës.

Mos u bëni naivë, ia behte një zë, midis kësaj pëshpërime romantike. Burgu, kurrë, s’është ajo që duket, burgu s’është muret e qelqta nga jashtë, gjelbërimi, shatërvanët e ndriçuar; burgu janë qelitë, mungesa që provohet kur të mbyllin brenda. Nuk e dimë ne se, gjer vonë në mesjetë, ore edhe deri në rilindjen e vonë, se tek ne gjërat gjithnjë kanë ardhur me vonesë, zotërinjtë dhe robërit e tyre rronin në të njëjtën kështjellë. Lart bëhej qejfi, vërshonte orgjia, teksa poshtë, në bincat e qilarët e qelitë, valonte druri…As hasmit nuk i urohet burgu, e keni dëgjuar? Dakord, mirë e ka populli, edhe këtë thënie të urtë, po atëherë përse edhe opozita nuk po ndjehet më për ngritjen e këtij burgu, ma thua dot?!

Gazetat e përditshme dhe televizionet, si gjithnjë të pavarura nga populli, botonin faqe speciale, me ngjyra dhe opinione, që lexoheshin me një frymë e komentoheshin kudo. Ishte pak a shumë si ato lajmet që jepen një herë në njëzetë-tridhjetë vjet për afrimin e ndonjë komete. Që më në fund do vinte, por askush nuk garantonte dot Kur? Të gjithë sikur mezi-prisnin të vinte dita e përurimit të burgut. Pas ditës së parë, do vijonte dita më pas, ajo e ndëshkimit. Dikush, çdokush mund të ishte, cilido le të ishte, secili prej shtetasve le të ishte I Burgosuri i Parë, më në fund dikush do të shkonte në atë burg!

Edhe pse me ngarkesë të rëndë historike, fjala “Burg”, e shoqëruar nga cilësori “i Ri”, pa u vënë ende në punë, kish ndryshuar jetën e tyre, duke pikuar humor në gotën e trishtë që vetiu bartte fjala. Një mbrëmje vonë, në pasqyrën e shtypit të ditës që do shpërndahej të nesërmen, tërhoqi vëmendjen një gazetë e re, me titullin “Burgu i Ri”. Do botohej e tëra me ngjyra, prodhim luksi dhe, si për të sjellë edhe ajo pjesën e saj të habisë në këtë histori me burg të ri, u bë e ditur se do të shpërndahej falas.

Nëse numri i parë, ashtu siç pritej, u shpërnda thjesht prej kuriozitetit, nuk ish ky shkaku që në vazhdim, pothuaj tërë shtetasit, kërkuan ta kishin doemos, përditshmërisht, edhe sikur botuesi të ndërronte mendje dhe të vendoste një pullë për çmimin e shitjes. Në të, lexuesit mësuan për burgjet më të famshëm dhe të burgosurit e hershëm të burgjeve të parë të njerëzimit. Në qytet bëhej gallatë e madhe me emrin sjelljen e të burgosurve të parë të botës, përbërjen e trupit gjykues, dëshmitarët dhe nenet ku ishte mbështetur dënimi i tyre me disa muaj, disa vite, me burg të përjetshëm ose me vdekje. Gazeta “Burgu i Ri” vijoi më pastaj me tentativat e pafundme të të burgosurve për të ikur, arratitë e suksesshme dhe të dështuarat, por që secila prej tyre ishte bërë shkak në përsosjen e rregullave dhe masave të sigurisë në burg. Gjersa burgu mori trajtën prej së cilës ishte e vështirë të ikje. Në po këtë gazetë u botua edhe letra e fundit e femrës së parë të vdekur në burg, vdekje misterioze që ishte shoqëruar me ndryshime të rregullores së burgjeve. Prej atëherë ishte lejuar, më së pari vetëm një herë në vit, diku në prill apo maj, një takim privat për bashkëshortët. Diku, gruaja e një të burgosuri ish lutur ta burgosnin edhe atë, veç të gjendej me njeriun e saj, atje brenda. Më tej, një gardian pat rënë në dashuri me një grua të burgosur, thjesht prej lotëve të saj kur dilte nga orët private me burrin e lirë.

Njohuritë për funksionimin e burgjeve, rrëfimet e të burgosurve, fatet pas kryerjes së dënimeve, u bën aq familjare sa analistëve iu desh të rrëmonin në arsyet origjinore, si kulturë e vjetër. Ish vërtetë ndjellëse kur merrje vesh se në hershmëri paskej qenë legale e drejta e të burgosurve për tu këmbyer me të afërm të tyre që, krejt të pafajshëm, merrnin përsipër bërjen e burgut të të vetëve. Ndonëse asokohe s’kishte ende zyra pune, kryerja e dënimit të tjetrit u bë si zanat (“Ç’punë di të bësh, or mik?” “Burg, or dajë, burg…Burg në këmbë të atij që më merr përsipër rritjen e fëmijëve”.).

Siç ndodh me natyrën e njeriut, teprimi shpuri në ndryshimet e ligjeve e rregullave të burgjeve. Lotët dhe vdekjet e të burgosurve, mbase, sollën ndalimin me ligj edhe të kësaj praktike. Një shtresë e tërë po siguronte jetesën duke punuar si e burgosur, teksa të tjerët, porositësit, paguesit, ndjeheshin të imunizuar përballë ligjit. Më pastaj, mbase prej diferencimit të madh material, kish marrë jetë një praktikë tjetër: shlyerja në para e fajit të bërë. Kundrejt derdhjes së kuotës së caktuar për çdo shkelje të ligjit, mund të dilje nga burgu fill në momentin tjetër pas hyrjes në të, sapo depozitohej shuma në fjalë. Në bazë të kësaj praktike, u vu re se në burg po shkonin vetëm ata që s’kishin të pagunin, varfanjakë që ndjeheshin më mirë brenda burgut se jashtë tij.

Ligji ndryshohej shpesh, por gjente formë tjetër edhe orvajtja për të shpëtuar prej tij. Gjahtari fshihej, në përgjim të gjahut, por edhe gjahu mësonte si t’i vidhej syrit të tij. Meqë burgu afatgjatë dikur u pa i pafrytshëm, pa leverdi, u zgjodh ndëshkimi fizik: cungimi, prerja e gishtërinjve për raste vjedhjesh, prerja e llapave të veshëve për mos-dëshmi apo dëshmi të rreme…

Në gazetën “Burgu i Ri” u botuan dokumente për ekzistencën dikur të një dënimi të veçantë: për shkelje të rënda, abuzim me paranë e popullit, nëpunësve të shtetit u damkosej në ballë vula e shtetit, stema e mbretërisë apo e republikës, blangë që u mbetej tërë jetën në ballë. Diku ishte përdorur edhe shëtitja e detyruar, duarlidhur e kryeulur, e nëpunësit ligjshkelës, nëpër rrugët më të populluara të qyteteve të mëdhenj dhe kryeqyteteve. Turma e qytetarëve, që ndiqte pas ish-nëpunësin e dënuar si ariun në fshat, sidomos ditët e pazarit të madh, këndonte himnin kombëtar që fillonte së ekzekutuari menjëherë pasi dikush lexonte nenet e kodit moral të administratës. Edhe më interesant dukej praktika ndëshkuese diku tjetër: goditja me shtizën e flamurit e nëpunësit të zënë në faj publik. Dënimi me vdekje kishte hyrë dhe ishte hequr disa herë, gjersa pas dënimit me varje, ishte hequr edhe ai me vdekje. Përderisa jetën na i jep Zoti, vetëm ai duhej të kish të drejtën të na e merrte atë, shkruhej në gazetën Burgu i Ri. Se, në të vërtetë, a ka dënim më të madh se ta shtysh jetën në burg? Vdekja u rikthye sërish, kur u ngjitën në pushtet ata që nuk donin t’ia dinin për Zotin.

Të prekur nga historia e burgimeve, pra jo veç kuriozë, tashmë edhe më të ndjeshëm ndaj të drejtave të njeriut (hajduti e krimineli njerëz janë, në fund të fundit), kryeqytetasit u ndjenë më të respektuar kur u bë e ditur se qenë propozuar lehtësira të shumta për qiraxhinjtë e burgut të ardhmë. Atje do gëzonin jetë normale, gati gati si në familjet e tyre dhe në gjirin e shoqërisë. Dikur, diku, në një shtet që ia kishin harruar edhe emrin tashmë, ose nuk e zinin ngoje pikërisht për këtë, paskësh qenë një nen që nuk lejonte dënimin e sundimtarëve të epërm, pavarësisht fajit të provuar të tyre. Merrej vesh, sa më lart, aq më e madhe ishte mundësia për të gabuar…

Lajmi se në Burgun e Ri, muret, dyshemeja, tavanet e qelive po visheshin me shtresa materialesh të posaçme, të ftohtit në dimër dhe të nxehtit në verë nuk do t’i depërtonte, u konsiderua si element qartësisht human. Në mjediset e përbashkëta, por deri edhe në intimitetin më të thellë të qelive që po merrnin trajtën e banesave normale, do kish aparate televizive, librari, radio, dushe, shatërvanë, pishina.

Ishin kohë të tjera, vendi qe hapur, ta merr mendja edhe burgjet do hapeshin, duke qenë sidosi hapësira të mbyllura. Fonde të tjera programesh e projektesh, thuajse tërë shuma e akorduar për integrimin me botën dhe ajo prej nxjerrjes në ankand të Teatrit të Dramës Kombëtare, u livruan për përfundimin sa më të shpejt të Burgut të Ri. Në pik të fushatës së mbrame elektorale, nga të dy palët në garë, u artikulua, duke shkaktuar një mallëngjim kolektiv, e drejta e qëndrimit atje brenda e të burgosurve të veçantë bashkë me familjet. Pozita dhe opozita, nën sugjerimin human të emisarëve të huaj për harmoni elektorale, përveç taksës së pranuar si kontribut vullnetar prej gjithë atyre që pretendonin karrierë të epërme, po dhuronin tepricat e fitimet, për shpejtimin e punimeve të Burgut të Ri….

Në orët e fundit të natës, teksa publikoheshin të dhënat e para të zgjedhjeve të humbura nga një palë dhe të fituara nga pala tjetër, u bë e ditur se thuajse tërë kabineti aktual qeveritar, nën moderimin e shefave të doganave dhe drejtorëve të mediave ku botoheshin njoftimet e reklamat zyrtare, nisi zhvendosjen për në burgun e ri.

“Të gjithë po transferohen për këtu…Edhe këta, që sa po ngjiten, kanë vendin e tyre, këtu…”

Me këtë titull të madh doli numri i fundit i gazetës “Burgu i Ri”. Gjërat po ndodhnin aq gëzueshëm dhe në harmoni aq ngjethëse, sa që qytetarët e këtij vendi ende s’po e besonin atë që sekush e kish thënë qysh në krye të nisjes së punimeve: Këta sikur po e bëjnë edhe burgun për veten, o njerëz!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency