Atentati/ Qëllohet me armë zjarri makina e djalit të kryekomunarit të Farkës  

0
113

 Anxhela Tato

 

Dëshmia e Fatbardh Plakut: Nuk kam konflikte, dy djem me shotgan tentuan të më vrisnin fëmijët

 Rrëfimi i djalit për policinë: Një motor na preu rrugën dhe na qëlloi, plumbat goditën kofanon e makinës

 Fatbardh-PlakuSulmohet me armë zjarri makina e djalit të kryekomunarit të Farkës. Nga të dhënat e policisë bëhet me dije se djali 19-vjeçar i Fatbardh Plakut po kthehej në banesë, pasi kishte marrë nga shkolla vëllain, kur dy djem me skafandër kanë qëlluar në drejtim të automjetit. Rreth orës 15:30 minuta, kreu i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku, njoftoi median për sulmin me armë ndaj makinës së familjes së tij. Sipas tij, ngjarja ku është sulmuar makina me të cilën udhëtonin dy djemtë, F. Plaku dhe K. Plaku, 19 dhe 11 vjeç, ka ndodhur mesditën e djeshme rreth orës 15:00, në zonën e Farkës së Vogël, kur ata po ktheheshin në banesë nga shkolla. Ndërkaq, burime zyrtare nga policia e Tiranës e kanë konfirmuar ngjarjen e tentativës së vrasjes ndaj djemve të Fatbardh Plakut, por nuk kanë konfirmuar faktin se mjeti i tyre është qëlluar me armë. Dy persona me motor dhe me skafandra në kokë mësohet se kanë qëlluar makinën në ecje të djemve kryekomunarit të Farkës përballë derës së fshatit SOS. Dy djemtë e kryetarit të Fatbardh Plakut janë F. Plaku dhe K. Plaku, 19 dhe 11 vjeç. Mësohet se nga ngjarja nuk ka të lënduar. Makina që drejtohej nga djali 19-vjeçar i kryetarit të Komunës, mësohet se është qëlluar me një armë të llojit shotgan. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme kur dy djemtë e Plakut ishin duke u kthyer nga shkolla për të shkuar në banesën e tyre. F. Plaku, djali 19-vjeçar, kishte përfunduar mësimin dhe me automjetin e tij kishte marrë në një shkollë private vëllain 11-vjeçar K. Plaku dhe ishte drejtuar për në banesë. Pas marrjes së informacionit, uniformat blu kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje. Ndërkaq, në datën 25 mars 2014, persona të paidentifikuar ende kanë qëlluar me një armë kundërtank banesën e kryetarit të Komunës Farkë, Fatbardh Plaku. Mosshpërthimi i predhës së kundërtankut bëri që nga goditja të kishte vetëm dëmtime të lehta në banesë, pa cenuar asnjë nga familjarët që ndodheshin në shtëpi. Policia disa javë pas ngjarjes ka gjetur edhe kundërtankun, por ende nuk ka një autor.

 

Rrëfimi

Ndërkaq, në lidhje me ngjarjen ka folur edhe vetë kryetari i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku. Sipas tij, ai nuk ka pasur asnjë lloj debati apo problemi me njeri. “Asnjë lloj debati me askënd nuk kam pasur. Dy djemtë në makinë nga shkolla “Rreze drite” janë nis për në shtëpi, treqind metra larg shkollës, para hyrjes së fshatit SOS i vjen përballë një motor i lartë me dy veta me skafandër zezë e qëllojnë me shotgan ku një plumb godet mbi kofanon e makinës”, – ka deklaruar kryekomunari i Farkës, Fatbardh Plaku.

 

Familjarët

Kryetari i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku, ka njoftuar se dy persona kanë qëlluar me armë makinën e djemve të tij, por fatmirësisht pa lëndime. Ndërkaq, policia nga ana tjetër thotë që ka pasur një kërcënim për vrasjen e dy djemve të kryekomunarit të Farkës, por nuk është qëlluar me armë ndaj saj. Ndërkohë, ngjarja bëhet edhe më e mistershme kur vetë kryetari i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku, dhe familjarët e tij kanë fshehur makinën që ata thotë se është sulmuar me armë. Fillimisht, kryetari i Komunës, Fatbardh Plaku, nuk e ka treguar makinën me të cilën udhëtonin dy djemtë e tij, duke e hequr nga vendi i ngjarjes dhe duke e fshehur. Ndërkaq në media, vetë familja Plaku ka nxjerrë dy foto që tregojnë vetëm dy dëmtime në një makinë që sipas tyre është mjeti i sulmuar me armë shotgan, por nuk tregohet makina e plotë.

 

Selia e Partisë Demokratike ka reaguar në lidhje me sulmin e ndodhur dje ndaj fëmijëve të kryekomunarit të Farkës, Fatbardh Plakut. Në një deklaratë për shtyp, Keltis Kruja, deputet i PD-së bëri me dije se sulmi i ndodhur ndaj dy fëmijëve është tepër i rëndë. “Një akt i rëndë terrorist ka ndodhur sot në mes të ditës, në mes të Tiranës, teksa dy persona të maskuar kanë qëlluar me armë ndaj dy djemve të Fatbardh Plakut”, – tha Kruja. Sipas Keltis Krujës, policia nuk e ka zbardhur ende atentatin e parë që iu bë familjes Plaku. “Ky krim i rëndë ndaj familjes së kryetarit të zgjedhur të Komunës së Farkës është i dyti brenda muajit, kur ende nuk është zbardhur nga policia atentati i parë me antitank”, – vijoi më tej Keltis Kruja.

 

Policia Shkencore/ Marrëveshje me OSBE-në për ndërtimin e laboratorit të ADN-së

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Laboratori Qendror i Policisë Shkencore të Polonisë nënshkruan dje një marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e aftësive të policisë shkencore shqiptare. Ky partneritet synon rritjen e standardeve të punës së policisë shkencore në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Prezenca do ta mbështesë Drejtorinë e Policë Shkencore në përmirësimin e ekzaminimit të provave dhe të proceseve analitike. Kjo do të bëhet përmes zhvillimit të trajnimeve të standardizuara dhe blerjes së pajisjeve. Prezenca e OSBE-së do të punojë nga afër me aktorë të tjerë ndërkombëtarë për ta ndihmuar Shqipërinë në ngritjen e një baze të dhënash të AND-së dhe për akreditimin e procesimit dhe analizës, për të siguruar që vendi të plotësojë standardet më të larta të laboratorëve ndërkombëtarë të policisë shkencore. “Lufta kundër krimit ndërkombëtar kërkon standarde dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Shqipëria duhet të ketë shërbime të policisë shkencore të plota dhe të qëndrueshme”, – tha Robert Wilton, nënkryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i cili firmosi marrëveshjen në emër të Prezencës. “Këto duhet të përfshijnë jo vetëm ekspertizën në një sërë disiplinash, por edhe aftësinë për të plotësuar standardet ndërkombëtare në mbledhjen e provave, analizimin dhe raportimin, përfshirë akreditimin”, – theksoi Wilton. Nga ana polake, marrëveshja u nënshkrua nga Wlademar Krawczyk, drejtor i Laboratorit Qendror të Policisë Shkencore të Polonisë, i cili ndodhet në Shqipëri për të forcuar bashkëpunimin profesional dhe për të shqyrtuar aftësitë e policisë shqiptare në këtë fushë. Në veprimtari morën pjesë edhe ambasadori i Polonisë në Shqipëri, Marek Jeziorski, zëvendësministri i Brendshëm Ilirjan Mustafaraj dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi.

 

Durrës/ Konflikti mes dy familjeve, plagoset 50-vjeçari

 Një person ka mbetur i plagosur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit. Bëhet fjalë për shtetasin Pjetër Tosku, rreth 50 vjeç, me origjinë nga Mirdita. Sipas informacioneve që vinë nga policia, i plagosuri është dërguar në spitalin rajonal të qytetit bregdetar. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 1 të qytetit, për shkak të një konflikti mes dy familjeve nga Mirdita. Aktualisht, forcat e policisë që ndodhen në vendin e ngjarjes kanë identifikuar autorin e plagosjes dhe janë vënë në ndjekje të tij.

 

 Lezhë/ Gjendet këmba e djathtë e një njeriu, nisin kërkimet

I ngjan skenarit të një trilleri, ajo e gjetjes së një gjymtyre njeriu në Shëngjin të Lezhës. Sipas informacioneve që vijnë nga policia, këmba e djathtë e një njeriu është gjetur dje anës detit. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie. Ndërkohë, vijon puna për zbardhjen e ngjarjes dhe identitetit të viktimës, ndërsa nuk dihet nëse këmba ka qenë e varrosur apo e ka sjellë deti.

 

Aksidentet/ Automjeti bie në greminë, vdes 21-vjeçarja

 Dy aksidente, njëri me pasojë vdekjen ka ndodhur pasditen e djeshme në kryeqytet dhe në hyrje të tunelit Tiranë-Elbasan. Burime nga policia thanë se në aksidentin e ndodhur tek tuneli ka humbur jetën vajza 21-vjeçare, Elsa Rakipi, ndërsa është plagosur një person tjetër, drejtuesi i makinës. Burime nga policia thanë se automjeti i aksidentuar është tip “BMW”. Shkak për aksidentin mësohet se ka qenë humbja e kontrollit si pasojë e lagështirës. Ndërkaq, një tjetër aksident tjetër ka ndodhur si pasojë e kohës së keqe. Një makinë ka përplasur një endacak pranë urës së Rrugës së Elbasanit. Endacaku mësohet se është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës. Policia ka shoqëruar edhe drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin.

 

Sarandë/ Sekuestrohen 145 kg kanabis dhe 7 kallëpe tritol

 Në një fshat në Sarandë në kufi me Greqinë pasditen e djeshme është sekuestruar një sasi droge dhe janë gjetur kallëpe lëndë plasëse dhe granata. Sipas policisë së Sarandës, në fshatin Ninat në vendin e quajtur Vulister, janë gjetur dhe sekuestruar 145 kg kanabis sativa të ndara në 4 çanta, që sipas policisë, në një moment të dytë do të transportohej në shtetin fqinj, Greqi. Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Halit Hasani, 53 vjeç, si zotëruesi i lëndëve narkotike. Gjithashtu, gjatë operacionit të koduar “Piramida” në banesën e poseduesit të drogës janë gjetur dhe sekuestruar: 7 kallëpe lënde plasëse e ngjashme me atë të tritolit, një sasi fitil zjarrpërcjellës, 3 ndezës (1 granate dhe 2 lënde plasëse) dhe 2 granata, (1 ofensive dhe 1 difensive).

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency