Denoncimi/ PD: Emërimet nepotike në shëndetësi, po punësohen mjekë të dënuar. Minisitri shkeli ligjin

0
129

 

PS: Shqipërisë i duhet një opozitë e përgjegjshme, PD po kalon ditë të turbullta

laura-vorpsiSistemi shëndetësor është kapur nga dukuria e nepozizmit, ku po favorizohen të afërm të qeveritarëve si edhe po rehabilitohen mjekë që janë ndëshkuar më parë për abuzime. Akuza erdhi dje nga zëdhënësja e Partisë Demokratike Laura Vorpsi, e cila theksoi se  drejtori i ri i shëndetit publik në Tropojë, vetëm dy ditë pasi ka marrë detyrën, ka emëruar mjeke familjeje gruan e tij, e cila nuk ka arsimim përkatës. “ Me Edi Ramën kryeministër, nepotizmi në shëndetësinë e Tropojës ka njohur raste të padëgjuara kurrë më parë. Drejtori i shëndetit publik të këtij rrethi, Kongres Imeraj,  i caktuar nga rilindja, vetëm dy ditë pasi ka marrë detyrën, ka emëruar mjeke familjeje gruan e tij. Gruaja e drejtorit është infermiere dhe pa shkollën e lartë. Meqënëse shkelja ishte e madhe dhe nepotizmi edhe më i madh, drejtori e emëroi më pas gruan e tij shefe të higjienës në rrethin e Tropojës”, tha zëdhënësja e selisë blu. Më tej ajo bëri publik një tjetër rast, ku theksoi se pak vite më parë emisioni investigativ “Fiks Fare” zbuloi rastin e një mjeku në Krujë, i cili i dërgonte pacientët për të bërë analiza dhe eko në klinikën e tij private që drejtohej nga bashkëshortja. “Mjeku Durim Herri u akuzua për shpërdorim detyre dhe u pezullua për 9 muaj, si masë administrative. Sot ky mjek është bërë drejtor i Spitalit të Krujës. Ky është vizioni i Edi Ramës për shëndetësinë, ky është modeli i tij i ofrimit të këtij shërbimi”, deklaroi Vorpsi. Po ashtu, Partia Demokratike akuzoi ministrin e Shëndetësisë se ka shkelur ligjin me ndërhyrjne në tenderin e ilaçeve.  “Çmimi i ilaçeve po rritet, dhe Ministri shkel ligjin, ndërhyn në tender për interesa klienteliste duke hequr dhe sigurinë e medikamenteve. Përtej kësaj, shëndetësia në terren është kapluar nga nepotizmi, nga favorizimi i kushërinjve qeveritarë dhe familjarëve të drejtuesve, me farmacitë e reja që kanë mbirë në dyert e spitaleve”.

 

Reagimi

Ndaj akuzave të Partisë Demokratike lidhur me sistemin e shëndetësisë, ka reaguar dje deputetja socialiste Olta Xhaçka, e cila i kërkoi opozitës të tregohet e përgjegjshme dhe të shkëputet nga e shkuara. Në një deklaratë nga selia e PS-së, deputetja e kësaj partie u shpreh se Shqipërisë nuk i duhet vetëm një qeveri e përgjegjshme por edhe një opozitë e tillë, ku theksoi se opozita po kalon ditë të turbullta .  “Opozita po kalon ditë të turbullta me avionë imagjinarë që ulen nëpër rrugët e vendit, me naftën që rritet e bllokon lëvizjen e makinave, me ilaçet që shtrenjtohen përditë dhe me gjithfarë fantazish që po gajasin dynjanë. Por nuk është aspak për të qeshur sepse një opozitë e turbulluar kaq keq, është një problem i madh për shoqërinë”, tha deputetja e PS-së. Sipas Xhaçkës, Shqipërisë po i mungon opozita. “Ne urojmë dhe shpresojmë me gjithë zemër që Partia Demokratike të bëjë një orë e më parë atë që populli shqiptar bëri në 23 qershor dhe të çlirohet nga pengmarrësit e saj. Sepse një Parti Demokratike e çliruar prej të shkuarës është garancia që i mungon sot në opozitë Shqipërisë ”, deklaroi deputetja e PS-së Olta Xhaçka.

 

Preshevë/Ish-Presidenti Moisiu: Beogradi të heqë dorë nga politika antishqiptare nëse do BE-në

Beogradi duhet të heqë dorë nga politika antishqiptare, nëse pretendon hyrjen në Bashkimin Evropian. Kështu deklaroi dje ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu gjatë vizitës në Preshevë,, ku mori pjesë në tubimin me moto “Të jetosh për hir të të tjerëve”. Ish-presidenti ka kërkuar falje që s’ka pasur mundësi ta vizitonte Preshevën në kohën kur ishte president.  “Ardhja ime për herë të parë në viset e banuar me shqiptarë është kënaqësi e madhe për mua që pata rastin t’ju përshëndes dhe për të parë hallet e juve që ne dhe komuniteti ndërkombëtar kemi njohur dhe jemi të shqetësuar se me vite të tëra mbaheni të diskriminuar. Prandaj, Beogradi nëse pretendon të hyjë në BE duhet ndryshuar kursin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, – ka pohuar Moisiu për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë”, pas tubimit. Sipas tij, nëse Beogradi i ka harruar shqiptarët e kësaj lugine, ketë nuk duhet ta bëjë Tirana e Prishtina.  “Nëse Beogradi i ka harruar këta shqiptarë, ketë nuk duhet ta bëjë Tirana e Prishtina. Prandaj, Shqipëria dhe Kosova duhet të përkujdesen për shqiptarët e Luginës së Preshevës.Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian mund të ndihmoj shumë në realizimin e të drejtave të pakicave”, theksoi ish-Presidenti Alfred Moisiu.

 

Uashington/ Bushati merr pjesë në konferencën e Këshillit Atlantik, diskutohet integrimi në BE

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati u nis dje në Uashington, ku do të marrë pjesë në Konferencën e organizuar nga Këshillit Atlantik. Në këtë Konferencë do të marrin pjesë Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes nga vendet e anëtarësuar në NATO, gjatë dekadës së fundit. Aktiviteti i nivelit të lartë do të ketë në qendër të diskutimit të tij tema që lidhen me integrimet në BE dhe në NATO të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, vlerat e NATO-s në rajon, e ardhmja e komunitetit euroatlantik, zhvillimet aktuale në Ukrainë dhe sfidat për arritjen e një Evrope të bashkuar, të sigurt dhe të lirë.

 

Shenjtërimi i dy Papëve/ Berisha: Papa Gjon Pali i II, shenjtor i lirisë. Fitoi pavdekësinë e merituar

Dy prej udhëheqësve më të suksesshëm të papatit në shekullin e 20, Gjon Pali II dhe Gjoni XXIII janë kanonizuar dje si shenjtorë në një ceremoni solemne në Vatikan. Për ktë ngjarje, reagoi dje edhe ish-kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili e cilësoi papa Gjon Palin e II-të si shenjtorin e lirisë. “Sytë e mbarë njerëzimit janë të drejtuar sot në ceremoninë e shenjtërimit të Papes Gjon Pali i II, Papa i Lirisë, miku i madh i shqiptarëve dhe të gjitha kombeve të shtypura, kollosi që së bashku me presidentin Regan udhëhoqi rrëzimin e komunizmit. Papa Gjon Pali II ishte Papa i parë që vizitoi Shqipërine. Ai lutej cdo ditë për shqiptarët. Sot ai fiton pavdekësinë e merituar!”, shkruante Berisha nw rrjetin social facebook.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency