A do të përfundojë 2014 si 1914?

0

1914-to-2014-unending-warPo ta mendoni mirë, 2014-a është një vit përvjetorësh. Është 100-vjetori i 1914-ës, një moment kur bota nuk diti të vetëkontrollohet dhe e pagoi këtë “keqadministrim” të vetvetes në mënyrën më të tmerrshme që kish ndodhur ndonjëherë. Një fuqi e madhe por e lodhur, Britania, nuk arriti të veprojë me mençuri dhe konsistencë përpara një makinerie ekonomike dhe autoritare gjermane, që vetëm po rritej. Të tjerë u pozicionuan për të nxjerrë sa më shumë avantazhe, lejuan dëshirat dhe forcat nacionaliste që të legjitimonin qeveri të diskutueshme, të cilat nuk po ofronin asgjë ekonomikisht. Konfuzioni, vetëkënaqësia dhe vetëbesimi i hapën rrugë afrimit me shpejtësi të madhe të kataklizmës, dhe bota nuk ishte më si më parë.

 

1939

75 vjet më parë ishte 1939-a. Ishte menduar që lufta që nisi në vitin 1914 ishte një luftë për t’u dhënë fund gjithë luftërave. Atëherë, ndërkohë që luftohej, askush nuk kishte menduar ta quante Lufta e Parë Botërore. Pas fundit të saj, fitimtarët vepruan pa mençuri. Ata ngatërruan ankesat e tyre legjitime me interesin vetiak të së ardhmes dhe imponuan një paqe e cila pashmangshmërisht do të ushqente më shumë pakënaqësi. Një fuqi e cila kishte udhëhequr dhe I kishte dhënë formë sistemit ekonomik global, e gjeti veten të tkurrur, dhe ndërkohë që kjo zvogëlohej, një fuqi e re me aftësinë për të udhëhequr nuk e zuri tërësisht boshllëkun, ndërkohë që nuk u zhvillua as edhe një sistem integrimi ekonomik. Bota u zhyt në depresion. Kombet u stresuan për situatën e ekonomive të tyre. Njerëzit e varfëruar nuk arritën të hedhin sytë jashtë, për të dalluar rreziqet në rritje, dhe në 1939-ën, bota ishte në prag të një lufte të dytë, edhe më të tmerrshme.

 

1964

Pesëdhjetë vjet më parë ishte viti 1964. Në atë pikë, bota nuk ishte në prag të ndonjë kataklizme të madhe. Ekonomitë e botës së industrializuar ishin në mesin e një periudhe me performancën më spektakolare të historisë së tyre. Por 1964-a ishte disa muaj pas vrasjes së Presidentit John F. Kennedy. Ishte viti kur SHBA hynë në Vietnam. Ishte një ngjarje që e ndau më dysh shoqërinë tonë, për shkak të kuptimit që ajo kishte për një brez të tërë amerikanësh. Ishte gjithashtu një ngjarje që ndryshoi një herë e mirë, dhe jo për mirë, mënyrën se si bota e shihte Amerikën. 1964-a dhe forcat që lidhen me Vietnamin ishte gjithashtu – në kuptimin historik dhe jo aritmetik – fillimi i viteve Gjashtëdhjetë. Kjo ishte një periudhë kur në të gjithë botën e industrializuar, funksionimi i shoqërive demokratike dhe pranimi i shoqërive demokratike nga të rinjtë e tyre u vunë seriozisht në dyshim. Ajo krijoi terrenin për inflacionin, humbjen e besimit, dhe ngadalësimin e produktivitetit që do të vinte në vitet Shtatëdhjetë.

 

1989

25 vjet më parë ishte viti 1989. Ishte një vit kur, në kuptimin historik, mori fund shekulli 20. Përfundoi me një fitore spektakolare, për të cilën të gjithë duhet të jemi krenarë. Një ideologji dhe një perandori totalitare u mundën pa as edhe një të shtënë.

 

Si ndodhi?

Ndodhi pjesërisht për shkak të fuqisë së kontrastit mes mënyrës së jetesës së njerëzve në Perëndim dhe mënyrës së jetesës së njerëzve në botën komuniste. Ndodhi pjesërisht, thjeshtë sepse I mbaroi karburanti një sistemi, të cilit i mungonte kapaciteti për dinamizëm, që e zotëron kapitalizmi i tregut. Dhe ndodhi pjesërisht për shkak të një strategjie të qetë, të vendosur dhe të integruar të forcës, e projektuar nga vendet aleatë të Perëndimit.  Kjo strategji në fund doli fituese në Luftën e Ftohtë, dhe prej saj bota është kryesisht një vend më i mirë. Nëse besoni në numerologjinë, nëse besoni tek shekujt dhe çerekshekujt, atëherë ky është një vit i jashtëzakonshëm. Historia nuk përsëritet, është thënë shpesh, por ajo bën rimë. Nëse mendoni sfidat që përshkrova më lart, të cilat ndonjëherë u përballuan me sukses dhe ndonjëherë u la për të dëshiruar, atëherë jehonat e shumë prej tyre mund të dëgjohen sot. Sërish, një fuqi e madhe dhe e fortë, e cila nuk po rritet aq shpejt dhe me aq vetëbesim sa dikur, e gjen veten në një sistem global me një tjetër fuqi në rritje dhe me forca nacionaliste.  Sërish një komb që ka humbur një luftë e gjen veten të pakënaqur me pozicionin e vet global dhe me një qeveri, e cila fiton legjitimitet ndoshta përmes impulsit ekspansionist. Sërish një grup fuqish më të vogla, secila e motivuar prej interesave të veta mendjengushtë dhe nacionalistë, ofron perspektivën e konfliktit. Sërish sfidat e integrimit ekonomik global janë të mëdha. Një komb që, për një kohë të gjatë ka qenë garantuesi final i integrimit global, e gjen veten me një prej partive të veta më të forta politike pothuajse jo të gatshme të mbështesë çfarëdolloj marrëveshjeje tregtare, dhe partinë tjetër politike pothuajse jo të gatshme të mbështesë pjesëmarrjen në çfarëdolloj organizate ndërkombëtare. Kështu që, aftësia e këtij kombi për të udhëhequr vihet në dyshim. Nuk ka pasur asnjë vit, të paktën me aq sa mbaj mend unë, kur sfidat globale kanë qenë kaq të rëndësishme sa sot, për qytetarët e secilit prej vendeve tanë. Dhe kjo, pa përmendur ato lloj problemesh që ndeshim aktualisht, dhe të cilëve nuk mundemi t’u gjejmë analogji kaq të forta në histori. Sfida si ngrohja globale. Sfida si përhapja e armëve bërthamore dhe çfarë domethënie mund të ketë ajo për grupet e vegjël terroristë. Sfida si siguria kibernetike në një kohë kur një sistem, duke u bërë gjithmonë e më i ndërvarur dhe përfituar prej kësaj ndërvarësie, bëhet njëkohësisht edhe më i cenueshëm. Kështu që, ky është një moment I jashtëzakonshëm. Do të thoja se sot ka një numër të vogël parimesh të gjithëpranueshëm, që mund të na ndihmonim të ecnim përpara.

 

Çfarë duhet bërë?

Së pari, suksesi ekonomik nuk garanton paqe, por dështimi ekonomik dhe disintegrimi pothuajse me siguri garanton konfliktin. Është e domosdoshme që udhëheqësit e vendeve më të mëdhenj të votës të gjejnë rrugën për një rritje ekonomike më të shpejtë dhe të qëndrueshme.  Nëse ka rritje ekonomike më të shpejtë në botën e industrializuar, atëherë raportet e borxhit ndaj GDP-së do të fillonin të binin me shpejtësi. Shembulli i demokracisë do të ishte shumë më joshës. Nëse nuk kemi sukses në garantimin e rritjes ekonomike së bashku, borxhet do të rriten dhe do të bëhen më problematikë, nacionalizmi do të forcohet, dhe tendenca autoritare do të bëhet më tërheqëse. Kështu që, angazhimi për një prosperitet të përbashkët global duhet të jetë në qendër të politikës së jashtme të çdo kombi të madh. Së dyti, angazhimi për të ruajtur forcën, rendin ndërkombëtar është jetik për një sistem global të suksesshëm. Fuqitë e mëdha nuk mund të luajnë asnjëherë me blofin. Kur blofojnë, kur qëllimet e tyre janë të pasigurtë, atëherë vihen në provë. Kur ato vihen në provë, ngrihen pikëpyetje, dhe kështu rritet mundësia për konflikt. Kohët e fundit kam lexuar librin e famshëm të John Kennedy “Përse Anglia fjeti gjumë?” Në fakt, ai nuk thotë atë që unë mendoja se thoshte, por diçka që nuk e prisja. Thotë se Chamberlaini në Mynih nuk kishte zgjidhje tjetër, sepse Britania nuk kishte forcë për të folur. Kështu që, Chamberlaini nuk kishte alternativë tjetër, përveçse të luante për të fituar kohë. Sot, nuk ka asgjë në skenën globale që të mund ta krahasosh me Hitlerin e 1937-ës.  Por do të thoja që ky mësim vlen edhe sot. Që të jesh i përgatitur për çdo situatë, të jesh I angazhuar në çdo vend, është thelbësore për të ruajtur paqen. Gjithçka që dimë prej histories na mëson se izolacionizmi nuk qëndron përherë i izoluar, por vetëm sjell konflikte më të mëdhenj më vonë. Së treti, do të thoja se një mësim nga kjo përvojë është që “Thelbi i diplomacisë është që të jetë në gjendje të dallojë shkallën e të keqes”. Që asnjë komb, pavarësisht se sa i fortë është, pavarësisht se sa i madh, se sa i vendosur, nuk mund të ndreqë çdo problem, nuk mund t’i jape formë çdo rezultati, apo nuk mund të përgjigjet ndaj çdo padrejtësie. Kështu që, një qasje e shëndoshë ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare duhet të bazohet mbi dallimin mes atyre interesave që janë themelorë, nga ata që janë të dëshirueshëm, por më pak themelorë.  Kombet që hyjnë kollaj në konflikte lodhin vetveten dhe e bëjnë të vështirë që të përgjigjen në momentin kur reagimi i tyre është më i rëndësishëm.

Larry Summers,President Emeritus dhe Profesor në Universitetin Charles W. Eliot University, Profesor në Universitetin e Harvardit, explorerunivers.com