Konfindustria: Të shqetësuar për situatën në tregun e karburanteve

0
124

karburant-03

Konfindustria ka shprehur shqetësimin lidhur me vazhdimësinë e gjendjes së vështirë në ndërtimin dhe funksionimin e tregut të karburanteve në vend dhe kërkon nga qeveria shqiptare marrjen e masave për dhënien e zgjidhjeve të qëndrueshme në afatgjatë. “Tregu i karburanteve në Shqipëri është mbi 10% e PPB me një qarkullim vjetor mbi 1 miliard euro/vit dhe me ndikim të fuqishëm në bizneset, qytetarët dhe zhvillimin ekonomik tërësor të vendit”, bëhet e ditur në njoftimin e Konfindustrisë.

Gjithashtu në deklaratë thuhet se duke mbështetur në parim penalizimin dhe publikimin nga ana e Inspektorati Qendror Teknik/IQT të afër 50 pikave të karburantit shkelëse të ligjit për cilësinë njëkohësisht vlerëson, se masat e ndërmarra janë të pamjaftueshme.
“Shqetësues është fakti, se Inspektorati i Metrologjisë nuk ka bërë ende publike pikat e karburantit të gjetur pothuaj 10 muaj më parë në shkelje të ligjit për spekulime në volumet e shitjes për konsumatorët”, – thuhet në njoftim.
Në përfundim, Konfindustria vlerëson se të marra në tërësi pasojat e ardhura nga mungesa e rregullimit të tregut të karburanteve shprehur në cilësinë jashtë standardeve, abuzimin me volumet e shitura dhe fshehjen fiskale shkaktojnë rritje kostosh prej qindra milionë euro/vit krejtësisht të paarsyeshme për biznesin, qytetarët, ekonominë kombëtare në tërësi dhe të ardhura për buxhetin e shtetit.

 

Çmimi në ulje

Çmimi i karburantit gjatë kësaj jave ka shënuar rënie krahasuar me një javë më parë, edhe pse muaji Janar nisi me një rritje të menjëhershme të çmimit të naftës e benzinës në vend.

Tregtarët me pakicë e kanë shfrytëzuar këtë situatë duke u justifikuar me rritjen e taksës së qarkullimit për çdo litër karburant. Megjithatë, rritja nuk ka qenë asnjëherë në përputhje me taksën e re, pasi javën e parë të muajit Janar karburantet u rritën me 8 lekë për litër, javën e dytë u rritën me 5 lekë më shumë nga java e parë.

Kështu, nëse rritja e taksës së qarkullimit ka qenë 10 lekë, çmimi i një litri karburant është rritur me 13 lekë. Pa marrë parasysh këtu se, efekti i taksës së re duhet të ndihej nga muaji prill i këtij viti. Prej vëzhgimit të bërë nga media në pikat e karburanteve në kryeqytet, vërehet se gjatë kësaj jave një litër naftë është tregtuar nga 185 deri në 186 lekë për litër, ndërkohë që javën e kaluar çmimi maksimal arrinte në 197 lekë për litër.

Edhe çmimi i benzinës ka pësuar një rënie të ndjeshme krahasuar me javën e kaluar, ku është shitur me 187-189 lekë për litër. Rritja që pësuan çmimet e karburanteve në dy javët e para të muajit janar nuk është për shkak të paketës së re fiskale të miratuar në Dhjetor, pasi si rregull karburantet duhet të kenë rezerva 3-mujore dhe rritja e çmimeve nuk reflektohet direkt.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency