Intervista, flet Aldo Bumçi / Si do të zhvillohen zgjedhjet në PD  dhe pse Tirana ndahet në tri degë

0
140

“Përçarje në PD?”, Bumçi: Nuk janë të vërteta. Shqipëria është një vend i vogël dhe merret vesh gjithçka

 

ALDO BUMCI NE ABC_1Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, propozon që dega e PD-së për kryeqytetin të ndahet në tri degë. Në një intervistë për gazetën “Standard”, Bumçi argumenton se përse dega e Tiranës duhet t’i nënshtrohet kësaj ndarjeje të re dhe deklaron se këtë propozim ia ka paraqitur edhe strukturave më të larta drejtuese. Në intervistën e tij, Aldo Bumçi e cilëson veten si ish-kryetar të degës së Partisë Demokratike për Tiranën dhe këtë për faktin se mandati zyrtar tashmë i ka përfunduar, paçka se në strukturat e PD-së nuk janë bërë zgjedhje të reja vitin që shkoi. Deputeti i Partisë Demokratike komenton edhe udhëzimin e ri që u shpërnda pak javë më parë nga kryetari Lulzim Basha, si dhe fazën në të cilën ndodhet përgatitja e zgjedhjeve për strukturat drejtuese në parti. Gjithashtu, Bumçi komenton edhe debatet e fundit, kryesisht në media, për mosrikandidimin e deputetëve apo të të zgjedhurve vendorë në krye të degëve të Partisë Demokratike.

 

Intervistoi Florenc Drizari

-Zoti Bumçi, pak ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, inicioi hapjen e procesit për anëtarësimet e reja në Tiranë si dhe rifreskimin e bazës së të dhënave për PD-në. Pse Tirana e fundit?

Aldo Bumçi: Nuk ka pasur ndonjë arsye, por duke qenë se partia është në Tiranë, është menduar se do të avancojë më shpejt se qytetet e tjera dhe prandaj u la në fund. Këtu do të përdoret një mekanizëm ndryshe për anëtarësimet, përdorimi i internetit është shumë më i zgjeruar në qytetin e Tiranës sesa në rrethe. Pra, do të përdoret mekanizmi online i aplikimeve.

-Ky proces do jetë vetën online apo do të shkojë paralel me anëtarësimet siç janë bërë në qytetet e tjera të vendit?

Aldo Bumçi: Anëtarësimet e reja mund të bëhen edhe online që është një mënyrë që shkurton kohë dhe u jep një hapësirë më të madhe atyre që duan të bëhen pjesë e Partisë Demokratike. E dyta, do të përdoren edhe mekanizmat e tjerë si ftesat derë më derë dhe mendojmë se këtu do të avancojmë më shpejt. Nuk ka pasur asnjë arsye tjetër se përse Tiranë u la në fund dhe për të avancuar procesi për zgjedhjet për Këshillin, Kuvendin dhe gjithçka tjetër duhet të përfundojë dhe Tirana, kështu që duhet të përfundojnë të gjitha, pastaj do të vazhdojë faza tjetër, ajo e zgjedhjeve.

-Pak ditë më parë Partia Demokratike shpërndau një udhëzim për bazën dhe anëtarësinë e saj që pritet të rregullojë zhvillimin e zgjedhjeve brenda strukturave të partisë. A jeni ju dakord me këtë draft dhe çfarë sjell ky? I referohem edhe mosrikandidimit të deputetëve apo vendorëve në degët e PD-së në rrethe.

Aldo Bumçi: Mendoj se çdo dokument, çdo vendim duhet parë në kohën që merret. Pra, vlerësimi bëhet dhe nuk ka nevojë që të shikohet si një dokument, se nuk po shkruajmë këtu librin e shenjtë dhe udhëzimet e Zotit, të cilat janë të pandryshueshme. Në pozitë një forcë politike ka nevojë të motivojë njerëz. Në qeverisje ti ke një mijë mundësi të motivosh njerëz nga pozicionet e larta, ministra, zëvendësministra, kabinetet politike, drejtuesit e agjencive kryesore, prefektë, drejtorët e mëdhenj, e kështu me radhë. Pra ke një armatë me njerëz që janë pozicione politike të administratës që mund të motivosh njerëz; dhe në këtë mënyrë njerëz të cilët nuk zgjidhen dot kryetarë partie kanë mundësi të jenë në pozicione të tjera dhe të jenë pjesë e ekipit dhe të kontribuojnë për të nxjerrë në pah aftësitë e tyre për të vazhduar karrierën. Në opozitë të gjitha këto nuk kanë mundësi. Atëherë nuk është se një deputet nuk ka kohë apo nuk e bën dot punën e kryetarit të partisë, mendoj se një person i dedikuar tërësisht një pune e bën më mirë se një person që ka dy funksione, por një deputet mund ta kryejë atë detyrë, por ne kemi nevojë të motivojmë njerëz. Ne kemi një grup parlamentar që në qoftë se aleatët në një moment i lëmë jashtë, jemi 50 deputetë, atëherë, nëse ne motivojmë edhe 50 të tjerë, a është kjo diçka e mirë? Mendoj se është shumë e mirë. Pra, unë si ish-kryetar i degës së Tiranës mund të quhet tashmë, jam deputet, kam një platformë dhe kam mundësi që të kontribuoj për forcën time, për qytetarët dhe të kem mundësi të dal në pah nëse unë realisht kam vlera. Pra, e kam një platformë të rëndësishme siç është Kuvendi i Shqipërisë, por të tjerë të rinj ose të tjerë me përvojë që duan të kontribuojnë do të kenë mundësi që të kenë një platformë të rëndësishme që është ajo e kryetarit të degës në Tiranë apo në të tjera qytete të mëdha. Këtë e shikoj me vend që kjo ndarje na shërben shumë sot në opozitë për të motivuar njerëz, për të ngritur ekipe dhe në këtë krijohet më shumë energji. Kjo vlen edhe për zgjedhurit vendorë. Ai që është kryetar bashkie apo komune i dedikohet punës së tij.

-Z. Bumçi, është aluduar kohët e fundit në disa media se në Partinë Demokratike ka pasur përplasje lidhur me këtë udhëzim. Sa të vërteta janë këta zëra?

Aldo Bumçi: Nuk janë të vërteta. Shqipëria është një vend i vogël dhe këtu merret vesh gjithçka. A ka gjë që s’merret vesh këtu e jo më në një forcë të madhe politike, në diskutime që bëhen kur janë me dhjetëra deputetë apo ekipe? Si mund të mbahet diçka e fshehtë? Nëse dikush pret që në Partinë Demokratike të ketë përçarje, nuk ka. Nëse dikush ëndërron dhe ka vënë shpresën që këtu të ketë një përçarje dhe ne të jemi të qetë, përsëri e ka gabim dhe duhet ta vendosë shpresën diku tjetër e jo këtu. Ka pasur diskutime normale, madje më pak sesa unë kam pritur. Pse më pak? Mund të jetë një frymë e përgjithshme që duke qenë në opozitë, ne dëshirojmë të ruajmë kohezionin, frymën e përgjithshme, pra, unë mendoj se më shumë diskutime mund të kishte, por ka pasur më pak sesa unë prisja. Mendoj se ka qenë kjo frymë që i ka bërë të gjithë që të jenë më të motivuar drejt një vullneti të përbashkët.

-Ju keni hedhur propozimin që dega e Tiranës të ndahet në tri degë. Pse ky propozim?

Aldo Bumçi: Ky nuk është një propozim i ri. Unë, që kur mora detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike të Tiranës, që ishte muaji maj i 2009-ës, vura re që ishte e pamundur fizikisht. Ti duhet të ndjekësh Tiranën, çdo minibashki në Tiranë është një qytet i madh i Shqipërisë dhe në kryeqytet ka 11 të tilla. Jashtë Tiranës ke Kamzën, qytetin e 6-të të Shqipërisë. Paskuqani me Kasharin për numër popullsie janë ndër 12 të parët ose brenda dhjetëshes së parë. Më pas ke Vorën Bashki, ke Farkën që është shumë e madhe, ke Dajtin dhe një sërë komunash të tjera nga Zall-Herri, Petrela, në Bërzhitë, në Ndroq, Prezë e kështu me radhë. Atëherë, kjo nuk mund të ndiqet. Nëse do ta bësh punën tamam, nuk e bën dot. Atëherë le të ketë tri degë. Në këtë mënyrë edhe motivon njerëz, sepse vijnë persona me karrierë dhe me potenciale. Kryetari i qytetit; kryetari i zonës Paskuqan, Kamëz, Zall-Herr. Pra, kjo zonë ku mbizotërojnë kryesisht ata që kanë ardhur pas viteve ‘90 dhe kurora e Tiranës që fillon nga Dajti, Farka, Petrela, Kashari, Preza, Ndroqi, Vora e pjesa tjetër. Dhe përsëri brenda kësaj për qytetin duhet gjetur një mënyrë tjetër. Minibashkitë e Tiranës nuk mund të quhen grup-seksionesh se janë më të mëdha se Korça, më të mëdha se Lezha apo Gjirokastra. Atëherë edhe kryetarët e minibashkive duhet të kenë një status më të ngritur. Kjo është një mënyrë që i shërben organizimit më të mirë, motivon njerëz, rrit dinamikën e partisë dhe mendoj se i shërben këtij momenti më mirë.

-A ka gjetur propozimi juaj një mbështetje në Partinë Demokratike?

Aldo Bumçi: Po, mbështetje ka pasur, por ne nuk patëm proces zgjedhor nga 2009-a e deri më sot. Ka gjetur mbështetje nga të gjithë ata me të cilët unë kam biseduar. Ka gjetur mbështetje nga ish-kryetari i partisë, zoti Berisha, kur unë ia kam propozuar pas zgjedhjes, por duhet të hynim në proces zgjedhor për ta bërë. Edhe me zotin Basha kam biseduar dhe besoj se duhet lëvizur në këtë drejtim.

-Pritet kjo të diskutohet gjatë këtij procesi?

Aldo Bumçi: Unë mendoj se kjo duhet të bëhet në këto zgjedhje.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency