Mbreti lakuriq

0
222

Artan FUGA

 Mbi etikën në dokumentacionin shkollor

 Artan_Fuga

Nuk thonë kot se në shoqëri ka gjithmonë ndërvarësi strukturore midis ngjarjeve, prirjeve, aspekteve të ndryshme që formojnë të përditshmen e saj. Sado të jemi të apasionuar pas një universi dytësor që krijon letërsia, faktet e përditshme na kthejnë përsëri në tokë duke na treguar se edhe letërsia nuk është e shkëputur nga tronditjet morale, nga agjendat politike, nga mënyra e funksionimit të institucioneve shkollore, nga mediat etj., që i përkasin një shoqërie të caktuar.

 

Nuk ka veçse pak javë që në Francë, vendi i lirisë të shprehjes dhe i respektimit të imagjinatës krijuese letrare përtej kufizimeve të censurave administrative dhe editoriale, debati shoqëror mbi letërsinë dhe librin për rininë u bë mbizotërues duke përfshirë botues, politikanë, mësues, letrarë, përfaqësues të organizatave shoqërore, gazetarë, dhe gjithfarë komentuesish në rrjetet sociale në web.

 

Çfarë ndodhi?

 

Një përfaqësues i rëndësishëm i krahut të djathtë politik, në një emision televiziv, ngriti shqetësimin se në sistemin shkollor të nivelit të ulët po qarkullonte një libër me piktura, shoqëruar me tekste të shkurtër, i titulluar “Tous à poil” (“Të gjithë lakuriq”).

 

Kritika ndaj këtij libri, realizuar nga dy autorë, një burrë dhe një grua, të cilët bashkëjetojnë, bazohej në faktin se ai tregonte pa dorashka, piktura trupash njerëzorë në pozicione të ndryshëm, të zhveshur thuajse krejtësisht, dhe me pamje krejt të qarta dhe të fokusuara mirë e të plota, të të gjitha pjesëve të trupit. Vëmendja natyrisht përqendrohej te organet gjenitale apo te pjesët erotike të tij.

 

Përpos kësaj, kritikët ishin skandalizuar edhe sepse tekstet që shoqërojnë pikturat trondisin, sipas tyre, autoritetet e shoqërisë në të gjitha nivelet, meqë përmbajnë formulime pak a shumë si këto:

 

–          Zysha kujdestare duke u zhveshur për në dush,

–          Mami duke u përgatitur për t’u vizituar nga doktori,

–          Pronari i ndërmarrjes lakuriq etj.

Në fakt, me këtë libër që bashkon imazhet me tekstet në një krijim artistik, sikurse është edhe literatura vizatimore, kemi një dukuri novatore, e cila trondit marrëdhëniet midis institucionit të shkollës dhe librit artistik, pra letërsisë për fëmijë.

E para, sepse nëpërmjet kësaj të fundit lakuriqësia hyn në shkollë, dhe e dyta, meqë, për më tepër, njerëz të veshur me autoritet shoqëror, tejet simbolik, në sytë e publikut, aq më shumë në sytë e fëmijëve, paraqiten të zhveshur nga rrobat, në pozicione paksa qesharake, por të përditshme për këdo, dhe me pamje të përqendruara në zonat intime të trupit të tyre.

 

Në një farë mënyre, mbreti na shfaqet lakuriq, në fakt sikurse edhe në përrallë, vetëm fëmija është i aftë ta shohë. Të tjerët e shohin të veshur me rrobat më të mrekullueshme.

 

Dhe jo vetëm kaq, por nxënësit i tregohen pjesët e turpshme, intime, seksuale, gjenitale të “mbretit”, të cilin, ata edukohen nga të rriturit ta shohin të veshur me mëndafsh e flori, me kurorë me diamante të mrekullueshëm në kokë, mbajtur në dorë një bastun doreza e të cilit bart margaritarë të çmuar.

 

Simbolet sociale kanë rënë sepse edhe “mbreti”, autoriteti social, ka një trup, ka organe seksuale dhe gjenitale, dhe i përdor ato njësoj si të gjithë frymorët e tjerë shoqërorë.

 

  Si ta shpjegoj???

 

Është po aq tronditëse dhe qesharake, ndofta e papranueshme për disa, sa të paraqiten vizatime me tekste shoqëruese si:

 

Ja hallatet e presidentit të firmës!

Ja vithet e drejtoreshës!

Ja bibilushi i kryetarit të qarkut!

 

Sigurisht që kritika e bërë i hodhi benzinë një zjarri që ishte tashmë i ndezur.

 

Shoqata prindërish të revoltuara u paraqitën në drejtori të ndryshme shkollash dhe me fuqinë e kompetencave dhe të drejtave që u rezervon dhe parashikon ligji, kërkuan heqjen e librit nga programet mësimore. Shkuan edhe më tej. U paraqitën nëpër biblioteka lagjesh dhe komunash, duke kërkuar që libri në fjalë të mos shërbehej për fëmijët e tyre dhe të vendosej urgjentisht në indeksin e rezervuar.

 

Reagimi i pjesës tjetër të shoqërisë ishte po aq pasionant. Menjëherë shitjet e librit në amazon.com u dyfishuan. Një nga autorët e librit deklaroi se politikani që kishte nisur kritikat ndaj librit të tij sigurisht që nuk e kuptonte as letërsinë për fëmijë as librat artistikë me kode të konverguara: imazhe dhe tekste. Duke u bërë “ylli” i televizioneve për disa javë, ai tha se qëllimi i librit të tij ishte krejt i moralshëm dhe shërbente për një dobi shoqërore: Jepte mundësinë që fëmijët të njiheshin me pjesët e trupit njerëzor, veçanërisht me ato pjesë intime për të cilat familja konservatore shpesh i mbulon me heshtje duke i mbështjellë me tabu, të cilat ndikojnë negativisht në njohjen e pakët dhe të vonuar, brutale, që fëmija i bën vetes së vet ekzistenciale.

 

   Botuesin thërritën: Censurë!

 

Në shenjë proteste dhjetëra botues pozuan nudo para një fotografi, dhe poshtë fotos që qarkulloi në Internet vendosën tekstin: “Ne të gjithë jemi lakuriq!” Në fakt, kishin bërë një mundim që organet e tyre intime i kishin mbuluar me ndonjë libër në formë albumi që si rastësisht e mbanin sipër tyre. Të gjithë ishin burra.

E vërteta, sipas meje, është se poshtë gjithë kësaj historie qëndron një kuptim tjetër simbolik, i cili nuk thuhet. Sigurisht, gjërat e rëndësishme vetëm naivët dhe budallenjtë i thonë në zjarrin e debatit midis aktorëve që ndeshen midis tyre! Në trupin tonë, ajo çka na jep mundësi të jetojmë, trupi pra, baza e qenies sonë ekzistenciale, na shenjon me një barazi fatale. Për më tepër organet gjenitale të dikujt me status social më të ulët mund të funksionojnë më mirë sesa ato të ndonjë individi me pozitë sociale më të lartë. Përpara detit, diellit, doktorit, divinitetit, ditës së fundit, drobitjes, dalldive erotike, ne të gjithë jemi të barabartë. Lakuriqësia na shfaq lakuriq barazinë tonë antropologjike fizike, të fshehur nga veshje të përcaktuara nga statuset tona sociale e simbolike si zyshë, ministre, police, avokat, pasanik, drejtor…

 

Nuk është vështirë të kuptojmë logjikën nudo të barazisë tonë, mjafton të flakim tej simbolikisht veshjet që nuk janë natyrore, pra të natyrshme. Nuk thoshte kot Rusoi se njeriu lind i lirë, por kudo ai jeton në pranga.

 

Sipas meje, debati mbi estetizimin e lakuriqësisë fsheh në inkoshientin tonë kolektiv një debat të dytë të pathënë, të pashprehur, sipas të cilit, thellë – thellë, barazia themeltare e qenieve njerëzore e ka zanafillën dhe shkruhet fillimisht pikërisht te barazia parimore trupore, duke përfshirë edhe pjesët intime të trupit njerëzor. Duke i mbuluar këto të fundit, njeriu nuk ka më turp nga kuptimi i tyre i hapur simbolik, por ka në fakt turp nga barazia që fshehin rrobat e tij, nga e gjithë strategjia e vendosjes në skenën simbolike të përditshme para të tjerëve, ka turp sepse hierarkia sociale është një gjendje jonatyrore për individin, kurse ajo që është e vërteta natyrore tij quhet si e denjë për t’u fshehur.

 

Veshjet bëhen kështu shprehja e turpit që ka shoqëria prej së vërtetës.

Nejse, t’i le pak mënjanë këto interpretime, duke u rikthyer te çështja e fillimit.

 

Zjarri tashmë ishte ndezur. Pak javë të tjera më parë sesa të ndodhte kjo ngjarje, debati shoqëror ishte fokusuar te libra të tjerë artistikë për fëmijë dhe adoleshentë që estetikisht ishin frymëzuar nga ideja se fakti që njerëzit kanë sekse të ndryshme, e dhënë natyrore fatale për çdo individ, nuk e përcakton asfare sjelljen e tyre seksuale, aq më pak, jo domosdoshmërisht mund të parathotë edhe statusin dhe rolin e gjithkujt në familjen e tij të ardhshme. Si më provokativë u shenjuan në këtë drejtim një libër me pinguinë titulluar “Tango për dy baballarë! Pse jo?” dhe një libër tjetër me një bebe gjitar që kishte dy mama.

 

Shkolla po edukon fëmijët tanë me homoseksualizëm! – u revoltuan në të drejtën e tyre mjaft prindër dhe agjenci sociale që nuk e honepsin fare homoseksualizmin. Janë të guximshëm sepse tani këta duken jashtë mode!

 

Ndërkaq, ata që u konsideruan mbrojtës të teorisë të “llojit” u justifikuan duke thënë se tanimë ligji i lejonte martesat gay dhe çiftet gay mund edhe të adoptonin fëmijë për t’i rritur në familjet e tyre, duke i konsideruar të ligjshëm si të gjithë prindërit e tjerë heteroseksualë.

 

Pse ta censurojë shkolla formën letrare të diçkaje të ligjshme? Pastaj, shtuan ata, çfarë të keqe ka të thuash të vërtetën? A nuk është e vërtetë që ndonëse natyra na ka pajisur me organe gjenitale jashtë vullnetit tonë, se në çfarë mënyre i përdor njeriu ato, a nuk varet kjo nga vullneti i tij i lirë?

 

A mundet që një gjë e ligjshme të jetë e pamoralshme?

 

A mundet që një letërsi që nga pikëpamja ligjore ka një përmbajtje krejt legale, të konsiderohet si amorale?

 

A mundet që edukimi qytetar në shkollë të konsiderohet si një formë prishjeje e moralit të shkollarëve të vegjël?

 

Si i bëhet kur morali i familjes, apo forma morale e familjes brenda së cilës edukohet fëmija, kundërshtohet nga tekstet letrare ose shkencore që përdor shkolla?

 

A do të shtrihet roli i prindërve edhe në ushtrimin e së drejtës të përzgjedhjes të teksteve letrare nga shkolla dhe mësuesit?

 

Cfarë do të bëjë mësuesi i letërsisë, filozofisë, sociologjisë, i edukimit qytetar me tekste letrare apo filozofike që bien në kundërshtim me botëkuptimin e tij personal, apo bien ndesh me bindjet e shkollarëve, me edukatën familjare të këtyre të fundit, e që për pasojë mund të mos pranojnë t’i përdorin?

 

Si do të bëhet kur tekste letrare, filozofike, juridike që përdoren në shkolla janë kontradiktorë me njeri tjetrin nga pikëpamja e vlerave botëkuptimore që përmbajnë?

Këtu, megjithatë, jemi duke prekur fare ciktazi, disa probleme serioze që shtrihen përpara edukatorëve, studiuesve dhe institucioneve arsimore në shoqërinë e sotme të karakterizuar nga globalizimi dhe migrimi i vrullshëm i kulturave, nga teknologjitë e reja të komunikimit, dhe nga liberalizimi i zakoneve dhe normave morale. Ndërkohë shkolla shqiptare do të ndodhet shumë shpejt përpara problemeve të tilla.

 

Ka menduar njeri sesi do t’i përballojë ato, apo do të ecim me metodën e strucit duke bërë sikur nuk i shohim që po trokasin në derën tonë dhe kanë të bëjnë me formimin e brezave të rinj të shqiptarëve.

Arsimi, mjekësia, media, kërkimi shkencor, kultura, kanë nevojë për një orientim etik, kanë nevojë për komitete etike, përndryshe shumë shpejt do të dalin jashtë binarëve edhe më shumë sesa kanë dalë në mjaft drejtime.

Gjithsesi, duke mos dashur të hyjmë këtu në debate të thella lidhur mesa më sipër, sepse nuk është vendi, theksojmë se ja, edhe një tekst i vogël artistik për fëmijë hapi një debat të madh që na bën të mendojmë se jetojmë në një epokë transformimesh të mëdha konceptuale ku normat ligjore nuk sanksionojnë dot plotësisht si më parë bazat universale të moralit, kur morali e ka humbur shumë universalitetin e tij, edhe për sa i përket madje edhe normave themelore të tij dhe kur shkolla jo medoemos ka edhe mund të ketë një orientim unik moral, e kur, mbi të gjitha, marrëdhëniet midis institucionit të shkollës dhe letërsisë e artit po hyjnë në një fazë të re, në të cilën ajo që përzgjidhet nga shkolla si vlerë letrare për shkollarët, mund të konsiderohet si antivlerë estetike për fëmijët nga familja.

Dhe në këtë rast lind pyetja dilematike:

 

Cfarë ndodh me edukatën e brezit të ri, atëherë kur edukata shkollore dhe ajo familjare nisin të ecin në kahe të kundërta?

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency