De Biazi dhe Bunjaku: Vendimi, i logjikshëm dhe i duhuri  

0
130

 

de biaziTekniku i kuqezinjve, De Biazi, komentoi para disa kohësh për çështjen “Januzaj” se ishte e vështirë për të mos thënë e pamundur. Kjo, pasi pavarësisht tentimeve të stafit të FSHF nuk mund të bëhej asgjë për të folur me lojtarin. Për zgjedhjen e lojtarit De Biazi deklaroi: “Zgjedhje logjike për atë, duke qenë se është lindur në atë vend. Të vjen keq për faktin se nuk ishte i qartë që në fillim. Ushqeu shpresa false ose ishte shumë i paqartë në atë çfarë donte. Gjithsesi, qëndron ende fakti që i ati nuk iu përgjigj qoftë edhe një mesazhi dhe ca më pak telefonatave. Dhe kjo e fundit nuk ka nevojë për asnjë koment”, – është shprehur italiani.

Tekniku i kishte shkruar edhe një letër babait të Adnan Januzajt, duke i kërkuar një takim, por ky i fundit nuk ktheu asnjë përgjigje. Por, nuk duhet harruar se për të sjellë Januzajn te Shqipëria u investua edhe zv.kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili deklaroi se kishte nisur “sulmin” për ta bindur talentin shqiptar që të vishej kuqezi. Ndërsa Albert Bunjaku ka uruar Adnan Januzajn për vendimin e tij. “Unë mund të flas vetëm në aspektin sportiv dhe mendoj është vendim i pritur i tij. Ndoshta është vendimi më i mirë, kur merret parasysh se bëhet fjalë për një 18-vjeçar që është në një shpërthim të karrierës së tij në një klub mjaft të mirë”, – u shpreh Bunjaku. Përzgjedhësi kosovar theksoi se me këtë vendim, Januzaj u ka mbyllur derën të gjitha kombëtareve të tjera të interesuara për të, duke lënë të hapur vetëm derën për Kosovën, pas pranimit në FIFA e UEFA. “Deri në këtë moment, kanë qenë 7-8 kombëtare që kanë qenë pas tij, duke i dhënë një zgjidhje të vështirë. Tani është vetëm një kombëtare, Belgjika, dhe në momentin e pranimit të Kosovës do të jenë dy shtete që ai mund të zgjedh. Nga shtatë shtete tani kemi vetëm dy”, – tha përzgjedhësi kosovar. “Rasti i Kosovës është pak më unik, pasi ne nuk jemi si të tjerët, ngaqë zgjedhja që e bën atë për Belgjikën e heq prej sistemi të gjitha vendet tjera të interesuara. Në anën tjetër, pas pranimit të Kosovës, Adnani e ka mundësinë për të zgjedhur edhe një herë”, – është shprehur tekniku i Kosovës. Përzgjedhësi Bunjaku deklaroi se fakti se Januzaj do të luajë në Kupën e Botës në Brazil do të thotë shumë për reputacionin dhe përvojën që mund ta fitojë atje. “Pjesëmarrja e tij në Kampionat Botëror me një skuadër shumë të mirë dhe që besoj se do të jetë befasia e Botërorit, ia ngre atij vlerën, si nga aspekti sportiv, ashtu edhe për nga përvoja. Kjo është një zgjedhje e mirë e tij”, – përfundoi Bunjaku.

 

 

E vështirë të luash në botëror

 

Përveç ekipit në tërësi që përbëhet nga shumë yje të mëdhenj, reparti i mesfushës, aty ku luan Januzaj, është i tejmbushur me yje të futbollit ndërkombëtar. Nga Eden Hazard e deri tek të tjerët si Radja Naingolan, Maruan Fellaini, Dries Mertens, Aksel Vitsel e Kevin Mirallas, Januzaj do të ketë punë mjaft të vështirë për të siguruar një vend në formacionin bazë. Një detyrë jo e lehtë. Kjo, pasi të gjithë do të duan që të tregojnë aftësitë e tyre në botëror. Një ekip si Belgjika duket se do të ketë më shumë rivalitet se të gjithë. Të gjithë lojtarët e rinj, të gjithë duan të konfirmohen si yje dhe kjo nuk është e lehtë. Për të shkuar në këtë stad do të duhet që të dallohesh ashtu siç bëri Ozili me shokë në Botërorin e 2010-ës, duke e kthyer Gjermaninë në një skuadër të frikshme, por kjo për Januzajn nuk do të jetë e lehtë. Lojtari nuk ka shumë minuta dhe do t’i duhet që të luajë deri në fund të sezonit në të gjitha sfidat rregullisht, në mënyrë që të ketë shansin që të futet në 11-shen përfundimtare. Roli i ri i Gigsit si trajner te ekipi i “djajve” mund ta favorizojë, pasi i jep më shumë mundësi të aktivizohet duke parë dhe simpatinë që ka veterani për të riun.

 

 

Januzaj iku, por a do ta ketë të lehtë te Belgjika…

 

 

Talenti shqiptar i Mançester Junajtid, Adnan Januzaj, vendosi të përfaqësonte ngjyrat e kombëtares së Belgjikës. Lajmi i bujshëm se ylli kosovar do të jetë pjesë e ekipit të tij u dha nga vetë tekniku belg Mark Vilmots në profilin e tij në “Twitter”. Januzaj injoroi thirrjet e Shqipërisë, Anglisë, Turqisë, por edhe Kosovës, duke përzgjedhur Belgjikën. Por tek kjo kombëtare djaloshi me origjinë nga Istogu do të hasë në një konkurrencë të madhe për një vend në formacionin bazë, mbi të gjitha tani që po i afrohemi edhe Kupës së Botës “Brazil 2014”. Presioni i madh nga sponsorët, por edhe fakti që luan te Junajtid, ka bërë që Januzaj të shkojë drejt Belgjikës. Një ekip që mund t’i ofrojë më shumë prestigj në arenën ndërkombëtare. Januzaj, i lindur në Bruksel nga prindër kosovarë, deri më tani i kishte mbajtur të gjithë pretendentët pezull për sa i përket të ardhmes së tij, duke i lënë të hapura të gjitha opsionet. Trajneri i Belgjikës, Mark Vilmots, shkaktoi një reagim mjaft të fortë me publikimin në faqen e tij zyrtare në “Twitter” të komentit: “Kam marrë konfirmimin zyrtar se Adnan Januzaj dëshiron të luajë për kombëtaren belge të futbollit për pjesën e mbetur të karrierës së tij. Ky është një lajm i mirë dhe unë jam i kënaqur që një futbollist kaq i talentuar është i disponueshëm për t’u grumbulluar me djajtë e kuq”. Lojtari pati shumë oferta nga disa shtete ku përfshiheshin Anglia, Serbia, Turqia, Shqipëria, por edhe Kosova së fundmi. Opsione këto që u dogjën për të shkuar për të luajtur me Hazardin me shokë.

 

Mediat belge: Januzaj veproi drejt

 

Mediat belge bashkohen njëzëri për çështjen “Januzaj”. Pak orë pas vendimit të mesfushorit për t’i dhënë fund enigmës për kombëtaren që do të përfaqësojë, mediat online dhe ato të shkruara e cilësojnë vendimin e 19-vjeçarit si më të mirin që ai mund të bënte në këtë situatë. Sipas tyre, Januzaj që bëri një zgjedhje inteligjente, bëri një zgjedhje me zemër dhe logjikë të ftohtë. E përditshmja “Lesoir” e hap versionin e saj sportiv me titullin: “Januzaj ka zgjedhur ‘djajtë'”. Kjo gazetë çel gjithashtu edhe një sondazh nëse talenti duhet të bashkohet me skuadrën e Vilmotsit për të udhëtuar në Brazil. Ndërkohë, për “Lanouvellegazette.be”, lajmi i afrimit të Januzajt me Belgjikën është pozitiv. “Lavenir.net” thellohet edhe më shumë në vendimin e marrë nga Januzaj, duke theksuar se bëhet fjalë për një veprim të ndikuar nga ndjenjat dhe logjika e ftohtë pasi në kombëtaren e Belgjikës, mesfushori i Mançester Junajtid ka një të ardhme të madhe përpara. Edhe e përditshmja “Demorgen.be” e shikon bashkimin e Januzajt me kombëtaren e Belgjikës si një element ekstra në organikën e trajnerit Mark Vilmots, i cili ka më shumë alternativa për mesfushën e tij.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency