Standard.al

400 vjet klasikë “të fshehur”  

Suzana Varvarica Kuka

 

Koleksioni me 40 vepra të fondit klasike prej 1500-1900 të autorëve të huaj ekspozohet në Galerinë Kombëtare të Arteve deri më 18 maj, kuruar nga Suzana Varvarica

 

IMG_3692Kohë pas kohe, në mjediset ekspozuese të GKA-së janë paraqitur për publikun, ekspozita të kuruara me vepra nga koleksioni I madh i veprave të piktorëve të huaj. Ekspozita “Piktura klasike, artistë nga 1500 – 1900” u ndërtua duke veçuar vlerën si veti parësore.

Përzgjedhja e veprave formoi grupin e imazheve, i cili e krijon atmosferën figurative të një kohe të shkuar, përmes temave të pikturuara. Klasika e hershme e sjellë nga piktorë evropianë italianë, hungarezë, francezë dhe rumunë evidentohet prej disa vetive të përbashkëta si: koha e krijimit, temat dhe subjektet e pasqyruara, shkollat në emër të mjeshtrave të historisë së artit dhe mënyrat e tyre të pikturimit.

Në Shqipëri, fundi i viteve 40 të shekullit të kaluar shënoi fillimin e jetës së Pinakotekës së parë të artit dhe sot është Galeria Kombëtare e Arteve, institucioni i rëndësishëm i arteve pamore. Veprat e para të saj, të blera e të trashëguara në vitin 1949, janë disa punime të artistëve tradicionalë e kryesorë shqiptarë, si edhe një koleksion i pikturave të autorëve të huaj dhe anonimë. Veprat e tyre krijuan koleksionin e parë të piktorëve të huaj, i cili kohë pas kohe u pasurua me vepra të tjera.

Në vitin 1999, në GKA, u dhurua një koleksion i rëndësishëm me vlera, nga piktori i njohur holandez Jan Dibbets, i cili u mblodh me dëshirë dhe humanizëm prej tij. Koleksioni mori emrin “Jan Dibbets” dhe është i përbërë nga vepra të artistëve më të shquar të shekullit 20. Ardhja e këtij koleksioni organizoi strukturën e koleksionit të piktorëve të huaj, rriti vlerën dhe rëndësinë e institucionit, duke e ripozicionuar fondin e gjërë të veprave të artit në trashëgiminë figurative kulturore të GKA-së.

“Piktura klasike, artistë nga 1500 – 1900” është ekspozitë figurative, koncepti i së cilës përpiqet të paraqesë nivelin artistik të koleksionit më të hershëm në GKA, i cili përcaktohet nga vendi që zënë piktorët e huaj në historinë e artit, metodave të krahasimit, vlerësimit dhe gjykimit mbi stilin e artistëve të shquar evropian si Tiziano Vecellio, Peter Paul Rubens, Giovanni Antonio Canal, i njohur si Canaletto, nxënësit e tyre dhe shkollave Guido Reni dhe Hyacinthe Rigaud, gjurmë të të cilëve gjenden në disa piktura anonime të koleksionit të piktorëve të huaj.

Politika e re, kryesore dhe drejtuese e veprimtarive artistike në GKA është edukimi i publikut bashkëkohës përmes kulturës.

Situata e re ka sjellë mendësi dhe vizione të reja, të cilat bëjnë aktive, të ekspozueshme dhe të prekshme pasurinë figurative dhe vlerat artistike, që ruhen në fondin e saj. Rivështrimi impenjues mbi pikturat e autorëve të huaj dhe anonimë, studimi dhe kërkimi i fakteve në vazhdimësi mbi jetën dhe krijimtarinë e piktorëve të huaj si: Francesco Malacrea, Giuseppe Mantessi, Alfredo Müller, Antal Peczely, Umberto Zini, Guido Cadorin dhe dallimi i subjekteve dhe temave të pikturave anonime inicioi kurimin e ekspozitës “Piktura klasike, artistë nga 1500 – 1900”, e cila do të shërbejë në informimin e vazhdueshëm

të publikut shqiptar dhe edukimin e tij me një kulturë figurative evropiane.

Titulli është redaksional

 

 

Comments are closed.