Vrasja e kryekomisarit/ Dëshmia e Mark Frrokut: Dritan Lamaj, konflikt me 200 biznese

0
148

Sonila Mesareja

 

Deputeti i PDK-së: Para se të kalonte kufirin, lajmërova vëllain se e kërkonte policia për vrasjen e kryekomisarit, më tha se kthehej të nesërmen

 frrokuGjyqi ndaj Arben Frrokut, të akuzuarit kryesorë për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj ka vijuar dje më dëshmitë e personave të afër të familjes apo dhe miq të tij të ngushtë. I pari e ka nisur dëshminë vëllai i të pandehurit, deputeti i PDK-së, Mark Frroku, i cili ka deklaruar se viktima nuk kishte probleme vetëm me vëllain e tij, por edhe me 200 biznese të tjera. Më pas, Frroku ka dëshmuar se bashkë me vëllain gjatë ditës ka qenë një laç për një ndeshje dhe më pas Arbeni është nisur për në Greqi. Por, dëshmitari ka pranuar se i pandehuri kishte dijeni se ishte duke u kërkuar për vrasjen e kryekomisarit Lamaj para se të kalonte kufirin greko-shqiptar. Më pas, ka dëshmuar edhe djali i të pandehurit, Grand Frroku dhe pas tij biznesmeni Edmond Vlashaj, i cili ka deklaruar se me Frrokun i bashkonte i njëjti hall, pasja e bizneseve në zonën që mbulonte komisariatin që drejtonte viktima dhe dhuna e ushtruar nga ky i fundit.

 

 

Dëshmitë

 

“Vëllai im e dinte para se të kalonte kufirin shqiptaro-grek se po kërkohej nga policia, pasi dy orë pas vrasjes së Dritan Lamaj, policia zbarkoi në shtëpinë tonë për kontroll”, – ka deklaruar dje në sallën e gjyqit Mark Frroku, deputet i PDK-së. Sipas deputetit, rreth dy orë pas vrasjes së Dritan Lamajt, në shtëpinë e tyre kishte zbarkuar policia, duke kontrolluar çdo cep të banesës për objekte të paligjshme. Frroku tha se një nga ish-drejtuesit e policisë, Erzen Breçani, kishte kërkuar të fliste me të vëllain, Arbenin, por ky i fundit ishte nisur për në Greqi. “Kam folur në telefon me Arbenin atë ditë, në kohën kur policia ka ardhur për kontroll në shtëpinë time. Policia ka hyrë në shtëpinë time pa mandat kontrolli, atë natë më ka marrë në pyetje Erzen Breçani. I thashë Breçanit që dija se vëllai im do të nisej për në Greqi dhe e mora në telefon në prani të tij e të 4 policëve. Njoftova vëllain tim për kontrollin në shtëpi dhe i kërkova të kthehej në Tiranë. Arbeni më tha që ndodhej mes Korçës dhe Kapshticës dhe do kthehej në Tiranë të nesërmen”, – dëshmoi deputeti. Edhe pse ka marrë dijeni se policia po e kërkonte për ta marrë në pyetje, i pandehuri, Arben Frroku, ka kaluar kufirin dhe ka vazhduar rrugën drejt Selanikut. Deputeti tha se policia kishte ushtruar dhunë psikologjike dhe terror, veprime për të cilat nuk kishte kallëzuar në prokurori. Para gjykatës, ai pranoi se ata kishin konflikt me Dritan Lamajn, për shoqërimin pa arsye dhe dhunën e ushtruar ndaj te vëllait, të pandehurit Arben Frroku. Sipas deputetit, i ndjeri Lamaj, nuk kishte probleme vetëm me familjen Frroku, pasi ai ishte një person konfliktual dhe ushtronte presion e dhunë ndaj individëve e bizneseve në zonën e Kombinatit. Sipas Frrokut, familja e tij nuk ka pasur konflikte me asnjë familjar të Dritan Lamajt as me vetë kryefamiljarin ndërsa Lamaj ka qenë në konflikt me 200 biznese. “I ndjeri Dritan Lamaj ka pasur probleme edhe me 200 biznese të tjera, në zonën e Kombinatit, në kohën kur mbante detyrën e shefit të komisariatit numër 6”, – tha Frroku. Ai ka vazhduar më tej në dëshminë e tij se e njihte komisarin dhe kishte pirë dy herë kafe më të, madje kanë qenë për vizitë në shtëpinë e tij kur i kishte vdekur babai. Më pas, dëshmoi edhe shoferi i deputetit, Besnik Toma, për lëvizjet në ditën e ngjarjes, pasi prokurori hodhi dyshime, se Arbeni bashkë me të vëllain kanë ndjekur dhe vëzhguar të ndjerin Lamaj. Këto pretendime u hodhën poshtë nga dëshmitari. Para trupit gjykues, dëshmoi edhe djali i të pandehurit Arben Frroku, Grandi, i cili foli për shoqërimin e tij në polici, bllokimin e makinës së babait dhe palltos, që dyshohet të kishte veshur i pandehuri në ditën e vrasjes se kryekomisarit. Më pas janë marrë në pyetje edhe dëshmitarët Edmond Vlashaj, Lek Toma, Bardhok Pjetri e Vlash Gjoni, si dhe shoferi i Arben Frrokut. Dëshmitari Edmond Vlashaj, pronar i një universiteti privat, u shpreh se me Arben Frrokun i lidhi një hall i përbashkët, dhuna e komisar Dritan Lamaj.

 

Burgjet/ Vetëm në mars u dhanë 258 leje, vetëm 3 u kthyen nga të dënuarit

 

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, gjatë muajt mars ka ushtruar në 421 kontrolle në 21 ambientet e paraburgimit dhe burgjeve në vend. Nga këto kontrolle, rezulton se janë gjetur dhe sekuestruar 79 aparate celularë së bashku me SIM-kartat e tyre. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve janë ndëshkuar për mosbindje ndaj urdhrit të policisë së burgjeve 98 të paraburgosur dhe të dënuar, 8 të tjerë për prishje të pronës shtetëror për të cilat edhe është proceduar, si dhe janë dhënë 39 masa të izolimit në qeli për shkak të dhunës mes të burgosurve. Ndërkohë, burgjet njoftojnë se vetëm për muajin mars janë dhënë 258 leje shpërblyese për të dënuarit, ku në tre raste janë konstatuar shkelje. Në dy raste të dënuarit janë kthyer më vonesë në burg ndërsa në një rast nuk është respektuar leja, pasi nuk është kthyer ende i dënuari, çka është proceduar penalisht për akuzën e “largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit”.

 

 

KLD, ministrit të Drejtësisë/ Apeli: Përcakto numrin e ndihmësve ligjore në Gjykatat Administrative

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka bërë thirrje dje përmes një komunikate për shtyp Ministrisë së Drejtësisë të përcaktojë sa më shpejt numrin e ndihmësve ligjorë në Gjykatat Administrative. KLD konstaton se mungesa e ndihmësve ligjorë, pranë Gjykatave Administrative, cenon të drejtën për gjykim, brenda një afati të arsyeshëm të çështjeve. Për KLD-në, mospengimi i funksionimit të ndihmësve ligjorë në gjykatat administrative, do të ndihmojë ndjeshëm trupat gjyqësore ne ushtrimin e veprimtarisë se tyre. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, si autoriteti shtetëror ligjërisht përgjegjës për mbarëvajtjen dhe kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit, konstaton me shqetësim faktin e ngarkesës së madhe të punës në gjykatat administrative në të gjithë vendin dhe në mënyrë të veçantë të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatës Administrative të Apelit. Duke vlerësuar rëndësinë që ka funksionimi normal i gjykatave administrative, të cilat me shpejtësinë dhe korrektësinë në vendimmarrje japin një imazh pozitiv tek opinioni publik, KLD, bazuar në vlerësimin e situatës në të cilën ndodhen realisht këto gjykata në raport me përmbushjen e kompetencave dhe detyrave të tyre, si dhe duke mbajtur parasysh ngarkesën e lartë të çështjeve e cila po rrezikon seriozisht zbatimin e afateve të përcaktuara nga ligji nr. 49/2012 “Për organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, konstaton se mungesa e ndihmësve ligjorë, cenon të drejtën e qytetarëve për gjykim brenda një afati të arsyeshëm”, – bën me dije përmes kësaj deklarate KLD, duke shtuar se “për shkak të kësaj situate, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mënyrë të përsëritur, i bën thirrje Ministrit të Drejtësisë, që në zbatim të kompetencave të tij ligjore të parashikuara në nenin 6 të ligjit nr. 49/2012, të përcaktojë sa më shpejt numrin e ndihmësve ligjorë në këto trupa gjyqësore dhe të mundësojë fillimin e funksionimit të tyre”. Në përfundim të komunikimit për shtyp, KLD bën me dije se “mospengimi i funksionimit të ndihmësve ligjorë në gjykatat administrative, do të ndihmojë ndjeshëm trupat gjyqësore gjatë ushtrimit të veprimtarisë e tyre, do të shërbejë në balancimin e ngarkesës së punës në gjykata, në rritjen e efikasitetit dhe të përgjegjshmërisë në dhënien e drejtësisë. Në këtë mënyrë gjykatat administrative do të jenë në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve, në lartësinë e arsyeve për të cilat ligjvënësi i krijoi”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency