Skema e subvencionimit të fermerëve/ Projektet që përfitojnë mbështetje nga shteti dhe financim të normës së interesit  

0
150

Gëzim Saliu

 

Peleshi: 71% fonde më shumë krahasuar me 2013-ën. Panariti: Do ta kthejmë bujqësinë në formale

 

fermeretQeveria zbardh skemën e mbështetjes financiare në bujqësi për vitin 2014. Në një veprimtari të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, ku ishin të ftuar fermerë, specialistë të bujqësisë dhe aktorë të tjerë të prodhimit bujqësor, zv.kryeministri Niko peleshi dhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, bënë të ditura pikat kryesore të kësaj skeme, duke nënvizuar rritjen me 7% të buxhetit krahasuar me një vit më parë për bujqësinë. “Skemat e reja të mbështetjes parashikojnë financim deri në 50% të vlerës dhe në shumën deri 150 milionë lekë për investime inovative. Një mbështetje kjo në formën e grantit publik, të akorduar në bazë të kritereve të qarta dhe impaktit transformues në terren. Për më tepër, duhet rinënvizuar se skemat përfshijnë dhe financimin e normës së interesit deri në masën 70% për një periudhë 7-vjeçare në rastet e investimeve të mbështetura në kredimarrje”, – deklaroi Peleshi, duke theksuar se kjo mbështetje nuk do të kufizohet vetëm në shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, por do të përfshijë edhe individë, subjekte juridike dhe sipërmarrje të sapokrijuara. Sipas zv.kryeministrit, kriteret e përzgjedhjes kanë të bëjnë me efektin e investimit dhe jo detyrimisht me zbatuesin e tij.

 

Takimi

 

Në prezantimin e skemave të mbështetjes, ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, deklaroi se përmes tyre do të krijohet mundësia për ta identifikuar dhe regjistruar prodhuesin, duke e shndërruar bujqësinë shqiptare nga 90 për qind informale që është sot në tërësisht formale. “Mbështetja dhe pagesat tona direkte për fermerët janë të orientuara me një masë të madhe drejt rimbursimit të çmimit për prodhimet që dorëzohen në qendrat e autorizuara të grumbullimit dhe përpunimit të produkteve. Këtë vit kemi rritur 60 për qind masën e investimeve të drejtpërdrejta në bujqësi. Këto fonde do të shkojnë për ndërtimin e asaj që i mungon më shumë bujqësisë tonë. Ju dhe ne me këto para jemi të vendosur të inkurajojmë e të investojmë në ndërtimin e serave, pikat e grumbullimit, të ruajtjes dhe shitjes së prodhimit”, – u shpreh ministri. Më tej, ai nënvizoi se qeveria nuk do të hezitojë në asnjë çast për të paguar fermerët për futjen dhe zbatimin e teknologjive të përparuara dhe që garantojnë rendimente të larta për të bërë të mundur, sipas tij, konkurrencën në tregje. “Shërbimi më i madh që ne mund t’i bëjmë fermerit është t’ia tërheqim dhe t’ia blejmë prodhimin e tij nga serat, stallat dhe këtë do ta bëjmë duke e ndihmuar dhe stimuluar atë që ta dorëzojë në pikat e grumbullimit dhe të magazinimit”, pohoi Panariti. Ndërkaq, zv.kryeministri Peleshi vlerësoi se skemat edhe pse nuk janë zgjidhje përfundimtare dhe nuk do të zgjidhin të gjitha problemet e mbartura të bujqësi, do të sjellin një vizion të qartë për organizimin dhe zhvillimin e bujqësisë. “Për herë të parë, mbështetet financiarisht kultura ujore dhe me qëllim rritjen e potencialit prodhues, shumëllojshmërinë e produkteve, standardizimin e një pjese të tyre, si dhe rritjen e cilësisë. Ne besojmë se harmonizimi i politikave për mbështetjen e peshkimit dhe i kulturave ujore do të krijojë mundësi për prodhime specifike ujore, të cilat promovojnë dhe identifikohen me lokalitete të vendit”, – deklaroi Peleshi.

 

 

Pikat kryesore të skemës së subvencioneve në bujqësi

-1.66 miliardë lekë fondi dedikuar bujqësisë për 2014-ën

-Mbështetje financiare deri në 50% të vlerës së projektit dhe deri në 150 milionë lekë për idetë inovative

-Financim i normës së interesit deri në 70% për investimet e kredituara

-Mbështetje financiare për kulturën ujore me qëllim rritjen e potencialit prodhues, shumëllojshmërinë e produkteve, standardizimin e një pjese të tyre, si dhe rritjen e cilësisë.

 

Përmes këtyre synohet

-Rritja e investimeve dhe ndërtimi i një infrastrukture moderne bujqësore

-Integrimi rajonal dhe bashkërendimi i potencialit shqiptar bujqësor me atë të Kosovës

-Rritje e prodhimeve, cilësisë së tyre dhe eskporteve dhe rritje e mirëqënies në fshat

 

 

LegalizimetLame: I mbyllim brenda 4 viteve për ndërtimet informale. Procesi për shtesat e pallateve

 

 

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, deklaroi dje se qeveria do të mbyllë procesin e legalizimeve brenda mandatit katërvjeçar për ndërtimet informale e ndërsa theksoi se për shtesat e pallateve dhe ndërtimet me problem gjyqësore do të duhet më shumë kohë. Në raportimin në Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, i cili miratoi dje me vetëm votat e mazhorancës miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar””, Lame tha: “Blloku i madh i zonave informale përfundon pa diskutim brenda mandatit të parë qeverisës”. Më tej, në përgjigje të pyetjeve të deputetëve që kishin të bënin me përmirësimin e koordinimit mes institucioneve që përfshihen në këtë proces, afatin brenda të cilit parashikohet të përfundojë, si edhe mënyrën se si do të veprohet për legalizimin e objekteve pa leje në zonat bregdetare, kreu i ALUIZNI-t pohoi: “Në rrjedhën e shumë viteve është deformuar qëllimi i ligjit. Edhe ato rreth 20,000 legalizime do të ishte mirë të mos ishin bërë, pasi Shqipëria do të ishte më e bukur”. Sipas Lames, ekziston një mungesë e theksuar në dokumentacionin e dosjeve të legalizimit, z. Lame tha se për periudhën 1 mars-15 prill 2014 numri i dosjeve që janë bërë nga e para arrin në 6600. “Siguria në dokumentacion është baza e projektligjit. Ne jemi aq të kujdesshëm për këtë gjë sa një ndër objektet e para që është futur në proces legalizimi nga ana jonë është ndërtesa e ALUIZNI-it, e cila është ndërtuar pa leje”, – tha ai. Ndërkohë, në argumentimin e votës kundër, deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, tha se ndryshimet e propozuara nuk adresojnë një sërë problemesh dhe nëpërmjet tyre qeveria thjesht po përpiqet të fitojë kohë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency