Reagon kreu i PD-së/ Basha: Mazhoranca i shpall  luftë opozitës, s’lejojmë kapjen e shtetit Rama-Meta

0
116

Florenc Drizari

 

Basha, krerëve të mazhorancës: “Zgjedhësit tuaj s’ju kanë votuar për t’i shpallur luftë opozitës”

 

basha diber“Kjo është një javë e zezë për Republikën Parlamentare të Shqipërisë. Republika Parlamentare e Shqipërisë, demokracia, shteti ligjor po kërcënohet si asnjëherë tjetër deri më sot nga rreziku i zëvendësimit me oligarkinë Rama-Meta”. Kjo ishte një pjesë e deklaratës së djeshme që kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri ndaj krerëve të mazhorancës. Basha denoncoi nismat e fundit të shumicës parlamentare si tentativa të pastra për kapjen e shtetit nëpërmjet marrjes së kompetencave të institucioneve të pavarura. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Basha foli për nismën e mazhorancës për zgjedhjen e kreut të ILDKP-së nga Kuvendi, e jo nga Presidenti siç është aktualisht; për reformën administrativo-territorila që pritet të miratohet në Kuvend pa kosensusin e opozitës; heqjen e kompetencave ndaj KLSH-së për të audituar edhe tatimet etj.

“Java që ka nisur dje ka agjendën më të ngjeshur të kësaj dysheje për uzurpimin e institucioneve të pavarura, për asgjësimin e ndarjes demokratike të pushteteve, për shkatërrimin e bashkëjetesës demokratike me opozitën duke refuzuar konsensusin me të për çështje madhore të demokracisë dhe integrimit europian të vendit”, -deklaroi Basha.

ILDKP

Gjatë kësaj jave tha kreu i PD-së, axhenda Rama-Meta ka paralajmëruar dhe kalendarizuar marrjen e të drejtës së propozimit të kandidaturave për kreun e ILDKP-së nga Presidenti i Republikës. “Emërimi i kreut të ILDKP-së nga Kuvendi me propozim të Presidentit është një instrument kontrolli dhe balance që garanton pavarësinë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, garanton rolin e saj në luftë për transparencë dhe kundër korrupsionit qeveritar. Me marrjen e kësaj kompetence të Presidentit, dyshja Rama-Meta zhbën përfundimisht pavarësinë e ILDKP-së, e fut atë nën tutelën e vet dhe legalizon kapjen e paligjshme që shumica orkestroi në Kuvend para dy muajsh”,-deklaroi kreu i opozitës.

KLSH

Duke akuzuar krerët e mazhorancës për kapjen e institucioneve të pavarura në vend, Basha foli edhe për nismën e funidt të shumicës për hapjen e rrugës për miratimin në Kuvend të ndryshimeve në Ligjin për Kontrollin e Lartë të Shtetit. sipas Bashës, përkundër zotimeve fillestare, mazhoranca u tërhoq nga transparenca e Tatim-Taksave, para KLSH. “Institucioni më i rëndësishëm që mbledh paratë e shqiptarëve, mbledh taksat e tyre, lihet jashtë kontrollit, lihet jashtë transparencës. Ky qëndrim përkon edhe me vjedhjen kriminale të serverit të Tatim-Taksave me bekimin dhe urdhrin e qeveritarëve, dhe mohimin e transparencës parlamentare në mënyrë antikushtetuese, siç e tha edhe Gjykata Kushtetuese para disa javësh”,-deklaroi kreu i opozitës.

PËR PRESIDENTIN

Një tjetër shqetësim i ngritur nga kreu partisë më të madhe opozitare në vend, ishte edhe rifutja në programin e Kuvendit të ndryshimet të ligjit të Nëpunësit Civil, e që sipas Bashës “po qarkullojnë projektligje për uzurpimin e kompetencave  të  Presidentit të Republikës në cilësinë e Komandantit të Forcave të Armatosura, projektligjin  për antireformën në Policinë e Shtetit dhe për kapjen e shërbimeve inteligjente”.

Duke i quajtur të gjitha nismat e përmedura më lart si një shqetësim për shqiptarët dhe shtetin ligjor, Basha kërko nga mazhoranca të tërhiqet nga iniciativat e saj.

Hiqni dorë nga kapja e shtetit! Hiqni dorë nga zhbërja e demokracisë parlamentare! Hiqni dorë nga agresioni kundër votës së lirë dhe të barabartë! Zgjedhësit tuaj ju kanë votuar për premtimet që keni dhënë. Nuk ju kanë votuar për të zhbërë demokracinë, për të uzurpuar institucionet e pavarura, për t’i shpallur luftë opozitës, për të lënë Shqipërinë prapa kohe e jashtë Europës. Partia Demokratike, opozita, populli shqiptar nuk do ta lejojnë në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim projektin tuaj ogurzi të oligarkisë”,-përfundon deklarata e kreytarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

 

 

 

Reforma territoriale, Basha: Mazhoranca refuzoi bashkëjetesën demokratike

Një tjetër shqetësim sipas kreut të PD-së, është edhe futja në axhendën e punimeve të Kuvendit për këtë të enjte edh të ndryshimeve lidhur me përbërjen e komisionit të posaçëm për refromën administrativo-territoriale, pa konsensusin e opozitës.

“Po këtë javë, shumica Rama-Meta ka programuar dhe futur në kalendarin e Kuvendit manipulimin elektoral dhe politik të hartës administrative territoriale të vendit, përmes një pseudoreforme, pa konsensus me opozitën, dhe kundër interesave të qytetarëve. Megjithë thirrjet tona të përsëritura për një reformë të vërtetë, me konsensus dhe për qytetarët, shumica si asnjëherë në këto 23 vite, e përsëris, si asnjëherë në këto 23 vite, refuzoi konsensusin në Kuvend, pra refuzoi bashkëjetesën demokratike”,-theksoi kreu i PD-së.

 

 

 

LSI zë vendin e PD-së tek Ligjet, kundër PS-së për deklarimin e pasurive

Deputetët e Livizjes Socialiste për Integrim kundërshtuan ndryshimet e ardhura sëfundmi nga ILDKP për ligjin për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, ndërkohë që deputetët e mazhorancës mbështetën propozimet. I ulur në vendet e lëna bosh nga deputetët e opozitës pas mungesës së konsensusit që patën me mazhorancën, deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, kritikoi ndryshimin që i ndalon funksionaret publikë, të cilët bëhen për hërë të parë subjekte të ligjit, të mbajnë ‘cash’ mbi 1.5 milionë lekë.  “Ky është një imponim që s’ka asnjë lidhje me një rend shoqër që kemi ne. Se si i trajton paratë e tij një individ, ka besim apo jo tek sistemi bankar, mund të mos ketë asnjë lloj besimi. Të drejtë që ti depozitoj jashtë nuk është korrekt dhe ky s’ka të drejtë të administrojë paratë e tij ashtu siç i ka fituar vetë?! Në rast se ne mblidhemi këtu dhe kemi këtë lloj standardi serioziteti që për çdo gjetje të tyre (ILDKP), vijmë e ndryshojmë ligjin, ky nuk është standard i ligjit”,-deklaroi Vasili. Nga ana e tij, kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha se “Zyrtarë të sapoemëruar deklarojnë ‘cash’ në vlera 200-300 mijë euro, për t’i bërë pastaj në një kohë të dytë, sikur kanë patur ose kanë ‘cash’ dhe për t’i plotësuar në proces. Për ta parandaluar këtë fenomen shumë negativ, atëherë vumë detyrimin që kur deklarojnë për herë të parë, duhet t’i depozitojnë në një bankë”. Propozimi i nismës u bë nga kreu i ri i ILDKP-së, Shkëlqim Gani. “Nga një studim paraprak që kemi ne, mendohet që janë 50-60 milionë euro zyrtarësh, që deklarojnë për herë të parë gjendje ‘cash’. Eshtë anormale që të thotë se në shtëpi ka 400 milionë nën jastëk. Nëse ju njihni dikë që mund të mbajë 400 milionë në shtëpi, në Shqipëri, për mua është anormale. Eshtë ndihmë e madhe për ne që ta ndërpresim njëherë e mirë këtë fenomen”,-u shpreh kryeinspektor Shkëlqim Gani. Më herët opozita nuk u bë pjesë e diskutimit për faktin se me heqjen e kompetencës së Presidentit për të propozuar Inspektorin e Përgjithshëm të ILDKP-së dhe kalimin e kësaj kompetencë tek Kuvendi, lufta kundër korrupsionit shndërrohet farsë qeveritare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency