“Përplasje” pozitë-opozitë/    Reformë territoriale të njëanshme?! Opozita paralajmëron mbajtjen e referendumeve  

0
100

Florenc Drizari

 

 

Bylykbashi: Ta harrojë Rama dhe Meta se mund të shmangin vullnetin e zgjedhësve

 Meta: Askush s’duhet të abuzojë me konsensusin dhe të ngatërrojë konsensusin me veton

 

 

oerd_4_dhjetor2013001Pas kërkesës që kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, dorëzoi pak ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë për ndryshimin e përbërjes së komisionit të posaçëm për reformën administrative-territoriale, mazhoranca duket e vendosur për t’i miratuar këto ndryshime në seancën plenare të së enjtes. Edhe pse këtë të martë, rreth orës 11:00, pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve pikërisht për këtë çështje, vetë kreu i Kuvendit, Ilir Meta, deklaroi se do të jetë seancë e plenare ajo që do të vendosë lidhur me përbërjen e komisionit.

“Konferenca e Kryetarëve ku do të diskutohet dhe vendoset lidhur me iniciativën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të zhbllokuar funksionimin e këtij komisioni. Natyrisht që kjo është një çështje që në fund fare do të vendoset në seancën plenare të ditës së enjte. Shpresojmë që të ketë reflektim nga ana e opozitës, e cila i ka të gjitha mundësitë për të dhënë konsensusin dhe për ta kërkuar atë nga mazhoranca, por natyrisht që askush nuk duhet të abuzojë me konsensusin dhe të ngatërrojë konsensusin me veton”, – deklaroi Meta. Ndërkaq, nëse reforma administrative-territoriale vetëm me votat e mazhorancës në seancën e radhës në Kuvendin e Shqipërisë, opozita pritet të përshkallëzojë qëndrimet e saj politike në raport me koalicionin qeverisës. Një rrugë e mundshme për pakicën parlamentare duket se është edhe ajo e pyetjes së drejtpërdrejtë e qytetarëve lidhur me reformat e miratuara nga qeveria nëpërmjet referendumeve. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, paralajmëroi një ditë më parë se nëse krerët e mazhorancës do ta miratojnë në mënyrë të njëanshme këtë reformë, nuk mund të shmanget vullneti i zgjedhësve për të thënë fjalën e tyre.

“Nëse do të kishim konsensus shumë shpejt do të arrinim në të peshonim shpejt divergjencat e të arrinim në konsensus teknike, me një asistencë të shkëlqyer ndërkombëtare dhe vendase. Do të bënim të gjitha zgjidhjet e nevojshme, të miratonim ligjin në draft dhe ta konsultonim me të gjithë, ne me pjesën tonë, ata me pjesën e tyre dhe do të kishim një përfshirje të plotë, qoftë në nivelin horizontal politik, qoftë në nivelin vertikal që është politika me elektoralin, dhe kjo do ta bënte të panevojshme konsultimet që mund të shkojnë deri në nivelin e referendumeve. Ta harrojë z. Rama dhe z. Meta dhe kushdo tjetër se mundet të shmangin vullnetin e zgjedhësve në të gjithë Shqipërinë për të thënë fjalën e tyre për një nga reformat, për sa kohë nuk ka konsensus”, – deklaroi Bylykbashi një ditë më parë. Përtej këtyre qëndrimeve, një tjetër pikë që pozita dhe opozita ndahen lidhur me reformën administrative-territoriale, është fakti sesa ndikon kjo reformën në Kodin Zgjedhor dhe në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor. Përfaqësuesit e mazhorancës cilësuar si “përralla” qëndrimet se pas reformës administrative-territoriale fshihen qëllime elektorale dhe se këto nuk mund t’i besojë askush.

“Ne e kemi bërë të qartë se nuk synojmë të bëjmë asnjë hap aq më tepër pa konsensusin e opozitës lidhur me sistemin zgjedhor apo me kodin zgjedhor pa arritur një konsensus. Pra, kjo ka të bëjë thjesht me reformën administrative-territoriale dhe nuk ka të bëjë thjesht me reduktimin e numrit të bashkive dhe komunave, por ka të bëjë me zgjidhjen një herë e mirë të disa probleme madhore, që nuk mund të zgjidhen me këtë fragmentarizim të jashtëzakonshëm të vendit”, – deklaroi dje Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Ndërsa nga ana e tij, nënkryetari i opozitës në Komisionin e Ligjeve, Bylykbashi, argumentoi se njësitë vendore njihen si zona zgjedhore në kodin elektoral, dhe ndryshimi i këtij numri do të sjellë pasoja në vetë sistemin, e për pasojë edhe tek zgjedhjet. “Nëse zmadhohet ose zvogëlohet një qark, ndikojmë në mënyrën sesi funksionon sistemi zgjedhor dhe si zgjidhen deputetët. Pra, për këdo që kupton sa pak nga kjo fushë, kupton se impakti që ka reforma, pra sjell dizenjimin e një harte të re, që nuk është reformë. Është të bësh kufij të ri të bashkive dhe Komunave pa prekur asgjë tjetër, dhe kjo do të ndikonte tek kodi zgjedhor që do të na duhej ta rishikonim, përndryshe, do të shihnim çudira në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe ato parlamentare”, – tha Bylykbashi. Lidhur me reformën administrative dhe territoriale priten debate dhe qëndrime të ashpra në seancën e ardhshme plenare, ndërkohë që referuar deklaratave të fundit të përfaqësuesve të pozitës dhe të opozitës, palët duken larg gjetjes së një konsensusi politik mes tyre.

 

 

 

Komisioni i Ligjeve/ Auditimi i tatimeve përplas PS-PD dhe KLSH

 Leskaj: Po e çoni vendin drejt Zimbabvesë

Komisioni i Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë miratoi në parim projektligjin “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”. Diskutimi i këtij drafti u shoqërua me debate dhe përplasje qëndrimesh mes anëtarëve lidhur me auditimin e administratës tatimor nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, kërkoi më shumë kompetenca për institucionin që ai drejton dhe të drejtën që të auditojë edhe administratën tatimore, ndërkohë që kërkesa e tij u argumentua si antikushtetuese nga mazhoranca dhe si e drejtë nga opozita. “Ju jeni që administrata tatimore të auditohet, pra të kontrollohet nga jashtë apo jeni që administrata tatimore të qëndrojë si ishull i izoluar? Ligji e pengon. Ligi lejon një auditim të pjesshëm. Ju keni lënë një formulim të tillë për t’i lënë të qetë ata. Për këtë ju cenoni edhe të drejtat e tjera. Standardi e thotë qartë: Qasje e pakufizuar për institucionet supreme të auditimit. Dhe ky parim zbatohet në të gjithë botën demokratike”, – tha Leskaj. Sipas kreut të KLSH-së, nëse mazhoranca nuk pranon ndryshimet e ardhura, të mbështetura edhe nga BE, atëherë më mirë është sipas tij, të lihet në fuqi ligji aktual. Nga ana e deputetëve të mazhorancës u pretendua se këto argumente nuk qëndrojnë. Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, theksoi se Komisioni i Ligjeve drejtohet nga principi i hartimit të ligjeve në përputhje me Kushtetutën në funksion të punës së institucioneve.

Më tej, deputeti i PS-së, Armando Subashi, theksoi se KLSH nuk mund të ketë të drejtë të auditojë në informacionin e klasifikuar. “Nuk mund të dalim jashtë kornizave kushtetuese, mosmarrëveshjet mes KLSH-së dhe institucioneve nuk mund të zgjidhen nga Gjykata Kushtetuese, por nga ajo Administrative. KLSH nuk mund të ketë akses në informacionin e klasifikuar, Kushtetuta nuk e parashikon”, – deklaroi relatori i këtij projektligji, Subashi.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e opozitës u shprehën kundër qëndrimit të mazhorancës, duke deklaruar se nëse limitohet kompetenca e KLSH-së, ligji do shkonte kundër standardeve evropiane. “Nëse nuk garantojmë pavarësinë e KLSH-së, kontrolli i tij ndaj administratës do kishte pak vlerë. Nëse ndërhyjmë në strukturën e tij, do i cenonim në autonominë e vetëfunksionimit, do cenonim pavarësinë e KLSH-së. KLSH-ja duhet të kontrollojë administratën tatimore. Duhet të auditojmë të hyrat në të ardhurat e shtetit”,-theksoi deputeti i opozitës, Bylykbashi. Pas diskutimeve, Komisioni miratoi vetëm me votat e mazhorancës në parim projektligjin “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”.

 

 

Debate për KLSH-në mes Finos, Mediut dhe Xhafajt

 Xhafaj: Z. Mediu, do të flisni?

Mediu: Atë po bëj, por s’do flas atë që do ti, por ashtu siç dua unë.
Xhafaj: As kam ndërmend të ndërhyj në atë që thua ti.
Mediu: Duhej bërë një ballafaqim idesh mes hartuesve dhe relatorëve.
Fino: E kur e kemi bërë kështu?
Mediu: Gjithmonë kështu është bërë.
Fino: Asnjëherë! Apo e ke mik ti Bujarin (Leskajn) dhe do t’i japësh leje të flasë Bujari.
Mediu: S’e kuptoj çfarë ka ngrënë ky?!
Fino: Lëre se çfarë kam ngrënë unë, por fol aty, se kam të drejtë të flas edhe unë.
Mediu: Tani po flas unë.
Fino: Dhe kujdes kur flet me mua ti Fatmir!
Mediu: Ruaj qetësinë!
Fino: Ore kujdes kur flet me mua! Qetësinë e kam unë, por bëj kujdes.
Mediu: Unë s’po flas me ty.
Fino: Lëre tani, mos më provoko mua ç’kam ngrënë e ç’nuk paskam ngrënë…
Mediu: Zoti kryetar, kur të bëni vlerësimet, i bëni me shkrim që të paktën të reagojmë pak më thellë…
Fino: Ore më dëgjon këtu mua, se po flet me mua, mos iu kthe Fatmirit!
Mediu: Ka mundësi të vendosësh rregull! (Xhafajt)
Fino: Edhe mos të lë më mënyrën se si po sillesh…
Mediu: Po bëje dakord… ti po sillesh dhe jo unë se s’po të marr vesh.
Fino: Më tregon mua se ç’kam ngrënë apo jo.
Xhafaj: Zoti Fino, ju lutem!
Fino: Kështu e kemi bërë gjithmonë. Ka folur relatori e pastaj…
Mediu: Zoti kryetar!
Fino: Fatmiri po bën teatër, mos bëj teatër tani.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency