Kërkohen 80 vota të deputetëve për themelimin e Tribunalit

0
143

Parlamenti KosovesDo të nevojiten të paktën 80 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për miratimin e themelimit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës. Ky akt, në Prishtinë po konsiderohet të jetë një nga vendimet më të vështira që po merr Kuvendi i Kosovës këto vitet e fundit.

Zbutja e terminologjisë nga fjala Tribunal në Gjykatë Speciale, sadopak i ka relaksuar edhe qëndrimet e partive parlamentare.

Megjithatë, dilemat rreth miratimit të Gjykatës speciale mbeten të hapura për faktin se në Partinë Demokratike, si partia që drejton me Qeverinë e Kosovës, nuk ka një vendim të prerë dhe unik të të gjithë deputetëve të saj për apo kundër themelimit të këtij institucioni të drejtësisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se gjykata paraqet një padrejtësi ndaj Kosovës. Por, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e votimit për themelimin e kësaj Gjykate, ngaqë dështimi në Kuvend, do të kthente çështjen për miratim në Këshillin e Sigurimit.

“Ne nuk kemi lejuar asnjëherë që proceset të kthehen prapa. Miratimi në Këshillin e Sigurimit është kthim prapa dhe ne nuk guxojmë të lejojmë kthimin prapa. Por, unë e them, vendimi ynë duhet të jetë në përputhje me interesat e vendit. Mendimi ynë është se kjo Gjykatë është padrejtësia më e madhe që i bëhet vedit, por është edhe një e vërtetë e madhe që kemi një proces të hapur, e i cili duhet të mbyllet”, ka deklaruar Grabovci.

Qëndrimet e Partisë Demokratike, ku ka dilema rreth themelimit të gjykatës speciale për krimet e luftës, është përpjekur t’i zbusë lideri i saj, Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar se pavarësisht se themelimi i kësaj gjykate përbën një fyerje dhe padrejtësi për Kosovën, ajo do të duhet të themelohet ngaqë Kosova duhet të ruajë bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar.

Aktualisht, dy parti opozitare duket të jenë më të vendosura që të votojnë pro-themelimit të Gjykatës Speciale. Ato janë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Një Gjykatë Speciale që punon me ligjet e Kosovës do ta ketë mbështetjen edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk do ta mbështeste Tribunalin, siç ishte propozuar në fillim, por tani gjërat kanë ndryshuar dhe se bëhet fjale për një gjykatë që do të funksiononte me ligjet e Kosovës.

“Për tribunal nuk kam qëndrim, ndërsa për një dhomë të posacme që mund të krijohet nga Parlamenti i Kosovës, e përkrahim. Pra, ne e përkrahim votimin e një dhome të posaçme nga parlamenti i Kosovës”, është shprehur Haradinaj.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, edhe pse nuk ka folur drejtpërdrejt rreth votës për apo kundër, nuk e ka vënë në pikëpyetje vendimin për themelimin e Gjykatës së veçantë. Sipas tij, menjëherë pas marrjes së këtij vendimi dhe vazhdimit të mandatit të EULEX-it, Kuvendi duhet të shpërbëhet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se kjo gjykatë do të merret me raste individuale dhe nuk gjykon luftën e UÇK-së.

“Është çështja e formimit të një Gjykate speciale, jo kundër UÇK-së dhe nuk jam unë ai që e mbroj formimin e saj e as LDK-ja, por nëse themelohet kjo gjykatë, do të merret me individë dhe jo me luftën e drejtë të UÇK-së”, ka thënë Beqiri.

Miratimi i Gjykatës pritet t’i marrë votat edhe të partive politike nga radhët e komuniteteve pakicë.

Ndërkaq, subjekti i tretë opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, është deklaruar kundër themelimit të Gjykatës së veçantë, pasi që e ka vlerësuar si vendim të ngutshëm dhe të dëmshëm.

Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se partitë tjera po nguten me rreshtimin e tyre pro-themelimit të kësaj Gjykate.

“Në fakt, po kërkohet nga deputetët të votohet për diçka që nuk e dinë se çfarë është. Pra, po kërkohet një ‘çek blanko’ për një institucion, i cili do të merrej me hetimin pastaj të disa aludimeve absolutisht të papranueshme që kanë dalë nga një raport i një senatori të Këshillit të Evropës”, ka theksuar Ymeri.

Themelimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës ka pasuar raportin e zviceranit Dick Marty, i miratuar edhe nga Këshilli i Evropës mbi dyshimet për trafik organesh të serbëve nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rastin e ashtuquajtur “Shtëpia e verdhë”.

Kjo gjykatë pritet të ketë dy dhoma, një në Kosovë dhe tjetrën në Holandë. Kjo e fundit pritet të merret me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur për disa raste që kanë mbetur të pazbardhura nga periudha e konfliktit të armatosur.

 

 

 

Formimi i Qeverisë, shqiptarët kushtëzojnë me vota

 

Kërkesa e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, drejtuar elektoratit maqedonas për dalje sa më masive në zgjedhje për të fituar 62 deputetë apo gjysmën e përbërjes parlamentare, që të mos shantazhohet nga shqiptarët, vlerësohet si qasje diktatoriale e kreut aktual të Qeverisë, por edhe si kërkesë që mund të rrisë edhe më tej tensionet ndëretnike në vend. Alajdin Demiri, profesor universitar dhe njohës i çështjeve politike, thotë se pa parti shqiptare Qeveria nuk mund të formohet, ndërsa sa i përket pretendimeve të Gruevskit se shqiptarët e kushtëzojnë pjesëmarrjen e tyre në ekzekutiv me zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe kërkesa të tjera, ai vlerëson se nuk bëhet fjalë për kushtëzime, pasi kërkesat e tilla janë reale dhe të njohura botërisht.

“Gruevski nuk është i kushtëzuar, ai asnjëherë nuk ka qenë i kushtëzuar nga asnjë partner i koalicionit. Kërkesat shqiptare ai nuk mund t’i përjetojë si kushtëzime, s’di në cilat sferë mendon, në atë të përdorimit të gjuhës, të përdorimit të flamurit, në sferat e menaxhimit të buxhetit e kështu me radhë. Ai nuk mund të ulë pazarin nën këto nivele se askush nuk i pranon. Nuk mund që shqiptarët të hyjnë në qeveri si maqedonas, por do të hyjnë si shqiptarë. Kjo është esenca e kësaj, ai ndoshta ka ndonjë paranojë të veten se si e kupton kërkesën shqiptare apo çka nënkupton me këtë“, thotë Demiri.

Por, Sonja Stojadinoviq, ligjëruese e sistemit politik në Universitetin e Shkupit, kërkesën e tillë të Gruevskit, si dhe tjetrën të BDI-së për të fituar 25 deputetë që të realizojë të kërkesat e shqiptarëve, më tepër e sheh si retorikë për fushatë elektorale se sa kërcënim ndaj njërës apo partisë tjetër.

Megjithatë, ajo thekson se kërkesat për 62 deputetë i ngjasojnë atyre të shteteve me diktatura në rritje e sipër. “Faktikisht, deri tani kishim një diktaturë të butë, por nëse realizohen dëshirat e VMRO DPMNE-së lidhur me numrin prej 62 deputetë, atëherë edhe juridikisht do të kemi një lloj të diktaturës“, thotë Stojadinoviq.

Ajo vlerëson se një fitore kaq e thellë nuk do të ishte mirë as për partinë që pretendon një rezultat të tillë, pasi përgjegjësitë do të ishin shumë më të mëdha. “Sa më shumë që një parti të ketë në dorë pushtetin, aq më e madhe do të jetë përgjegjësia e saj, kështu që mendoj se çdo gabim që mund ajo të bëjë gjatë qeverisjes së saj, do t’i vishej asaj dhe askujt tjetër. Në këtë rast, ajo ka pushtetin absolut dhe nuk ka asnjë bazë për të akuzuar të tjerët“, thekson Stojadinoviq. Edhe Alajdin Demiri e vlerëson si të dëmshëm për demokracinë pretendimin për sigurimin e më shumë se gjysmës së pushtetit legjislativ, por edhe fitoren e kandidatit të saj për president. “Kjo rrezikon demokracinë, pa marrë parasysh se ndodh kjo. Në rastin e Maqedonisë bëhet fjalë për shtet binacional apo shumetnik, por ku do që të jetë kur një parti politike e fiton shumicën absolute, atëherë fillon anarkia ose dominimi mbi shoqërinë. Ai shtet dhe ajo shoqëri degradohet pasi nuk ka kontroll“, shprehet Demiri.

Ndryshe, që nga fillimi i fushatës elektorale, motoja kryesore e VMRO-DPMNE-së është që në zgjedhje të fitojë 62 deputetë, ndërsa e BDI-së, 25 deputetë. Dy partitë tash e pesë vjet janë në koalicion qeverisës dhe tensionet mes tyre janë ngritur jo rrallë herë për çështje që kryesisht kanë të bëjnë me raportet ndëretnike dhe çështjet e integrimit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency