Masa/ Gjyqtari shfajësohet para kolegut: Ishin para qiraje jo rryshfet

0
106

Sonila Mesareja

 

Gjykata e lë në burg, avokatët kërkojnë të mos dërgohet klienti i tyre në burgun e Drenovës: Ka dënuar shumë prej personave aty

 

gjyqtari Pojanaku me avokaten ne gjyqPër herë të parë nuk ndodhej më në karrigen e ndëshkuesit, por në atë të të ndëshkuarit. Nuk ishte më në karrigen përballë në kafen e qytetit ku bashkë me kolegun pinte një kafe apo merrte pjesë në ndonjë seminar trajnues, kësaj radhe kolegut të tij do t’i duhej të vendoste ta dërgonte në burg, aty ku e presin mjaft nga personat që ka dënuar për vite me radhë. Ndodh edhe kështu, të qëllon të jesh në bankën e të akuzuarve kur ti vetë ke kryer një vepër penale. I ka qëlluar dje gjyqtarit Dhimitër Pojanakut të qëndrojë brenda kafazit ku qëndrojnë të arrestuarit dhe përballë të kishte kolegun që nuk mori aspak parasysh kërkesën për caktimin e një mase më të butë, duke e lënë në “burg pa afat”. Përmes avokatëve, gjyqtari kërkoi të mos e dërgonin në burgun e Drenovës, pasi mjaft prej të dënuarve i ka dënuar ai, ndërsa vijoi pretendimin se paratë nuk ishin marrje rryshfeti, por të qirasë së objektit ku avokatja e denoncueses ushtronte profesionin. Por, pretendimet e Pojanakut nuk u morën parasysh, duke caktuar masën “arrest me burg” dhe duke e dërguar atë në qelitë e paraburgimit.

 

 

Masa

Gjyqtari Dhimitër Pojanaku është shoqëruar dje në Gjykatën e Korçës ku është caktuar masa e sigurisë ndaj tij për akuzën e ”korrupsionit pasiv”. Prokurori i çështjes ka deklaruar në sallën e gjyqit se gjyqtari ka kërkuar 450 mijë lekë për të mbyllur një çështje dhe shtetësja me inicialet B.R nga Pogradeci, e cila e akuzon gjyqtarin, ka regjistruar me zë dhe me figurë momentin kur i ka dorëzuar shumën e parave. Madje, kjo shumë parash i është gjetur Pojanakut në momentin e arrestimit nga policia. E njëjta denoncuese, i ka thënë prokurorisë se 1 vit më parë, ajo i ka dhënë Pojanakut një shumë prej 300 eurosh, për një proces civil të vëllait të saj. Prokuroria ka paraqitur edhe procesverbalet e përgjimit midis Pojanakut dhe gruas që e denoncoi, duke i kërkuar gjykatës të caktoje masën e sigurisë “arrest me burg”. Vetë gjyqtari ka deklaruar në sallë se paratë që ka marrë nuk janë ryshfet, por një kontratë qiraje që ai kishte lidhur me avokaten e shtetases B.R për një ambjent dhe që ishte kësti i 3 muajve. “Në fjalën e Prokurorit nuk dëgjova asnjë provë që qëndron kundër meje. Unë kam hequr dorë prej atij gjykimi dhe me avokaten dhe denoncuesen kisha marrëdhënie civile. E pabazë kërkesa për “arrest me burg” ndaj meje, jam i gatshëm të ballafaqohem me kallëzuesit” u shpreh para gjyqtarit të gatshëm i akuzuari Pojanaku. Mbrojtja kërkoi gjatë seancës, gjithashtu, një masë të më lehtë sigurie, duke theksuar se dërgimi i Pojanakut në qelitë e burgut të Drenovës mund të sillte probleme, pasi shumë të burgosur janë dënuar pikërisht nga ai. Gjithashtu, mbrojtësit e Pojanakut i kanë vlerësuar si të paligjshme veprimet e Prokurorisë së Korçës, pasi sipas tyre, çështja duhet t’i kishte kaluar për hetim Prokurorisë së Elbasanit. Mbrojtësit kanë pretenduar se operacioni për arrestimin e Pojanakut ka nisur një dite para se Prokuroria të lëshonte urdhërin për ndalimin e gjyqtarit. Pavarësisht argumentave të mbrojtjes dhe vetë Pojanakut, gjykata ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest me burg”. Avokatët kanë deklaruar se do apelojnë vendimin e gjykatës.

 

 

Akuza

Para gjykatës, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, mbi bazën e materialit kallëzues të referuar nga Policia Gjyqësore pranë kësaj prokurorie, ka regjistruar procedimin penal të vitit 2014, për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal, në ngarkim të shtetasit Dhimitër Pojanaku, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë. Sipas prokurorit, më datë 09.04.2014,është paraqitur në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë shtetasja B.R, e cila ka sqaruar se ajo ka rreth 5 vjet që po bën gjyqe të ndryshme në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe në Gjykatën e Apelit Korçë, në lidhje me një shumë parash që ajo ka marrë me fajde nga dy shtetas. Gjyqet e saj kanë të bëjnë me ankimet ndaj vendimeve të pushimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe në lidhje me paditë civile të ngritura nga pala kundërshtare në proces. Së fundmi, në Gjykatën e Shkallës së Parë Pogradec, kjo shtetase ka pasur një proces gjyqësor civil me shtetasit e mësipërm dhe çështjen e ka pasur në gjykim gjyqtari Dhimitër Pojanaku. Kallëzuesja në këtë gjykim ka pasur si përfaqësuese ligjore shtetasen K.SH. Pasi janë bërë një sërë seancash gjyqësore (mbi shtatë seanca gjyqësore), gjyqtari Dhimitër Pojanaku i ka thënë avokates së kallëzueses se për ta ndihmuar Beharen ai do të “dorëhiqej” nga çështja në fjalë, pasi po ta vazhdonte ai, kallëzuesja do ta humbte gjyqin. Për të kryer dorëheqjen, gjyqtari i ka thënë avokates se kërkonte 45 000 lekë. Kallëzuesja i ka thënë avokates se ishte dakord me këtë fakt, pasi ajo donte që çështja të mos gjykohej nga gjyqtari Dhimitër Pojanaku, por në atë kohë ajo nuk i ka dhënë shumën e lekëve. Pasi Gjyqtari ka paraqitur kërkesë për heqje dorë (apo është përjashtuar nga gjykimi i çështjes), çështja është marrë nga një gjyqtare tjetër dhe kjo e fundit e ka pezulluar gjykimin pasi është administruar një shkresë nga Gjykata e Lartë që bënte fjalë për një proces tjetër gjyqësor që kishte lidhje me çështjen objekt gjykimi. Kallëzuesja sqaron gjithashtu se para disa kohësh Pojanaku kishte kaluar nga vendi ku ajo punon (treg) dhe i kishte thënë kallëzueses: “Të mbarova punë, silli lekët”, ndërsa ajo i është përgjigjur “Mirë, mirë”. Në lidhje më faktet e mësipërme kallëzuesja ka dorëzuar edhe një sërë dokumentash që bëjnë fjalë për sa më sipër. Avokatja i ka kërkuar kallëzueses që t’i jepte paratë e kërkuara nga gjyqtari, pasi ky i fundit i kishte telefonuar disa herë avokates, duke i kërkuar shumën. Avokatja i ka thënë kallëzuese që të shkonte ta takonte gjyqtarin në fundjavë (ditën e dielë), për t’i dhënë shumën e lekëve. Gruaja ka dokumentuar me regjistrim audio dorëzimin e shumës së parave te gjyqtari Pojanaku për të dy herët.

 

 

Korçë/ Prokuroria: Amnistohet çështja e blerjes së votave

Blerja e votave të Korçës gjatë zgjedhjeve lokale është amnistuar. Përfshirja e kësaj vepre penale në kategorinë e çështjeve të amnistuara është bërë me dije nga burime zyrtare të Prokurorisë së këtij qyteti. Po sipas të njëjtave burime, të gjithë personat të cilët ishin të akuzuar për përfshirjen në skemën e blerjes së votave, nuk do të ndiqen më penalisht. Prokuroria e Korçës ka bërë me dije dje se amnistia, e cila ka hyrë në fuqi më 10 prill të këtij viti, përfshin edhe këtë kategori, duke qenë se bën pjesë në veprat penale që dënohen deri në dy vite burg. Neni 325 i Kodit Penal për të cilin akuzohen personat e përfshirë në skandalin e zgjedhjeve dënohet nga gjobë deri në dy vite burg. Megjithatë, po kjo amnisti përjashton të dënuarit për veprën penale në fushën e zgjedhjeve, por interpretimi që personat e akuzuar nuk janë dënuar ende, i përfshin këta në pikën përgjithësuese të parimit te përgjithshëm që përfitojnë të gjithë ata që kanë kryer vepra penale me dënim deri në dy vjet.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency