Rezoluta e KGJK-së / Rekomandimi: Të rritet transparenca për punimet dhe vendimet e KLD-së

0
208

Sonila Mesareja

Dsikutimet, gjyqtarët: Të shmangen presionet, ndërhyrjet dhe çdo lloj ndikimi tjetër në pushtetin gjyqësor

 

drejtesiPranimi i korrupsionit në radhët e gjyqësorit, mënyrat sesi do reformohet ky pushtet, debate dhe përplasje dhe në fund një rezolutë me objektiva dhe detyra si dhe disa rekomandime për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kjo qe panorama e një dite të tërë punimesh të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, e zhvilluar këtë radhë jo për të zgjedhur anëtarë të rinj të KLD-së, por për të diskutuar mbi punën e deritanshme të këtyre të fundit, mbi etikën në gjyqësor dhe reformën e propozuar në sistemin e drejtësisë. Kjo konferencë ka pasur në fund një rezolutë për të cilën kanë rënë dakord të gjithë të pranishmit, ku një prej pikave kryesore është moslejimi që të ndikohet në pushtetin e gjyqësorit. “Gjyqtarët mbështesin dhe inkurajojnë forcimin e një pushteti gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, si një aspekt të rëndësishëm të reformimit të tij. Në këtë drejtim, duhet shmangur çdo lloj presioni, ndërhyrje apo ndikimi tjetër në pushtetin gjyqësor” thuhet në një nga objektivat e gjyqtarëve për veprimtarinë e tyre në të ardhmen. Gjyqtarët patën edhe një apel për ministrin e Drejtësisë, duke kërkuar që denoncimet për gjyqtarët të mos bëhen publike pa u verifikuar më parë vërtetësia e tyre. Ndërkohë që gjyqtarët kërkojnë plotësimin sa më shpejt që të jetë e mundur të Gjykatave Administrative, me ndihmës ligjorë dhe personel administrate. Por, kjo konferencë doli edhe me një rekomandim shumë të rëndësishëm për KLD-në, e cila ka hermetizuar së fundmi mbledhjet e saj, duke kërkuar sa më tepër transparencë për punimet dhe vendimet që jepen nga ky Këshill.

Problematikat

Në kuadër të problematikave që ka sot gjyqësori, në Konferencën Gjyqësore Kombëtare u trajtuan çështje të tilla si ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe respektimin e dinjitetit dhe autoritetit të gjyqtarëve nga sjelljet, etiketimet dhe praktikat e gabuara dhe të papërshtatshme; përballimi me fenomene korruptive në gjyqësor; respektimi i normave të etikës gjyqësore; mbingarkesa e çështjeve në gjykim dhe që presin për t`u gjykuar; zbardhja e vendimeve gjyqësore tej afateve ligjore; kushtet jo të përshtatshme të punës, etj. Në këtë drejtim, Konferenca sugjeron gjetjen e mekanizmave ligjorë dhe strukturorë për përmirësimin e situatës. Rëndësi të veçantë në këtë Konferencë mori diskutimi në lidhje me zvarritjen e proceseve gjyqësore. Gjyqtarët theksuan se duhen përmirësuar në të ardhmen një sërë faktorësh që sjellin këtë zvarritje dhe që kryesisht kanë lidhje me mungesën e administrimit si duhet të seancave gjyqësore, kërkesat e shumta për shtyrjen e gjykimeve nga palët dhe mosparaqitja e shpeshtë në gjyqe e avokatëve mbrojtës. “Në kuadër të garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqësorit, një rëndësi të posaçme, përveç rritjes profesionale të gjyqtarëve, merr edhe garantimi i kushteve dhe trajtimi financiar i tyre” bëhet me dije në rezolutën e dalë nga kjo Konferencë. Ndërkohë që përgjatë punimeve, Konferenca u angazhua që të realizojë një nga objektivat e saj, që ka të bëjë me përmirësimin e imazhit të gjyqësorit në opinionin publik.

Rekomandimet

Në përfundim të konferencës, gjyqtarët dolën me objektiva, por edhe me rekomandime. Kështu, gjyqtarët deklarojnë se mbështesin dhe inkurajojnë forcimin e një pushteti gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, si një aspekt të rëndësishëm të reformimit të tij. Në këtë drejtim, duhet shmangur çdo lloj presioni, ndërhyrje apo ndikimi tjetër në pushtetin gjyqësor. Gjithashtu, gjyqtarët mbështesin nismat e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv për reformimin e mëtejshëm të pushtetit gjyqësor, duke kërkuar që këto nisma të jenë objekt diskutimi paraprak me trupën gjyqësore. Ata bëjnë me dije se inkurajojnë pushtetet e tjera dhe institucionet e ngarkuara me përgjegjësi sipas ligjit që të garantojnë respektimin e karrierës gjyqësore, përmirësimin e legjislacionit dhe zbatimin e praktikave më të mira për të mundësuar promovimin në karrierë në gjykatat më të larta, jo vetëm të gjyqtarëve të gjykatave të apelit, por edhe të gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë, bazuar në parimet e meritës dhe karrierës. Gjyqtarët angazhohen mes tyre se nuk do të tolerojnë asnjë sjellje apo shfaqje të çdo pjesëtari të trupës gjyqësore, që cënon rregullat e etikës dhe janë të vendosur për të luftuar sjellje të cilat dëmtojnë imazhin e saj në opinionin publik dhe më gjerë. Një nga përfundimet është edhe bashkëpunimi me median, në kuadër të transparencës ndaj publikut. “Duke mirëkuptuar shqetësimet dhe kritikat e faktorëve politik, institucioneve ndërkombëtare, medias dhe shoqërisë civile, gjyqtarët kërkojnë që kritikat për fenomenet korruptive, të mos kthehen në një fushatë fajësimi kolektiv për të gjithë pushtetin gjyqësor, por të adresohen në mënyrë konkrete” bëhet me dije në rezolutën përfundimtare të Konferencës. Gjithashtu, gjyqtarët, inkurajojnë nismat institucionale të ndërmarra nga aktorët e tjerë, për rritjen e transparencës dhe denoncimin e fenomeneve negative dhe të korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, Konferenca Gjyqësore ndau shqetësimin e gjyqtarëve dhe i kërkon të gjithë institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe medias, që të respektojnë standardet etike të komunikimit dhe informimit për të respektuar dinjitetin dhe autoritetin e gjyqtarit. Në këtë kuadër, Konferenca i kërkon edhe Ministrisë së Drejtësisë që krahas nxitjes dhe marrjes së informacionit dhe denoncimeve nga publiku, të marrë masat e menjëherëshme për të parandaluar publikimin e denoncimeve, pa u verifikuar më parë vërtetësia e tyre nga strukturat e inspektimit.

Rekomandimet për KLD-në

* Ruajtjen dhe promovimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor si një vlerë themelore në një shtet të së drejtës, nga çdo lloj presioni, ndikimi apo ndërhyrje që mund të vijë nga pushtetet e tjera;

* Zbatimin me korrektësi dhe me efektivitet të kuadrit ligjor e nënligjor për emërimet, transferimet apo procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve;

* Trajtimin në mbledhjet e KLD të çështjes së mbivendosjes së kompetencave të Inspektorateve të KLD–së dhe Ministrisë së Drejtësisë për gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme ligjore, të cilat të marrin në konsideratë parimin e pavarësisë së gjyqësorit nga njëra anë, si dhe parimin e kontrollit dhe balancimit të pushteteve nga ana tjetër;

* Ushtrimin e ndikimit të vazhdueshëm ndaj strukturave përgjegjëse të KLD-së për përfundimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të vlerësimit të gjyqtarëve;

* Përkrahjen e nismave dhe dhënien e opinioneve lidhur me procesin e refomave në sistemin e drejtësisë;

* Përpjekje maksimale për të nxitur dhe thelluar luftën kundër fenomeneve korruptive në gjyqësor;

* Rritjen e transparencës së punimeve dhe të procesit të vendimmarrjes së KLD-së;

* Angazhim më të madh, në bashkëpunim dhe me institucione të tjera shtetërore, për propozimin dhe hartimin e projekteve, të cilat kanë në fokus rritjen e kualifikimit profesional të gjyqtarëve;

* Mbajtjen e lidhjeve më të ngushta dhe organizimi i konsultimeve me KGJK për çështje të rëndësishme të sistemit gjyqësor në kuadër të përfaqësimit të trupës gjyqësore;

* Angazhim maksimal për rritjen e performancës së sistemit gjyqësor, si dhe mbrojtjen e promovimin e vlerave individuale të çdo gjyqtari.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency