Korrupsioni në gjyqësor/   Ministri Tahiri, letër Presidentit, denoncon 65 vendime abuzive

0

Anxhela Tato

 

Letra: Vendimet e gjykatave nuk janë pronë e gjyqtarëve, po betonojnë pandëshkueshmërinë e krimit

 Kërkesë Presidentit Bujar Nishani për vënien në lëvizje të KLD-së, të kontrollohen standardet e dhënies së drejtësisë

 

 

tahiri-MB“Vendime absurde të cilat betonizojnë kulturën e pandëshkueshmërisë së krimit”, – janë fjalët kyçë në letrën e dërguar nga ministri i Brendshëm Presidentit Bujar Nishani. Një listë prej 65 vendimesh të togave të zeza i është dërguar Presidentit Nishani, si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke iu kërkuar një kontroll rigorozi dhe i imtësishëm ndaj gjyqtarëve. Në këtë kontekst ministri Tahiri kërkon ndërhyrjen e Presidentit për të vënë në lëvizje KLD-në, për të shqyrtuar zbatimin e ligjit dhe standardet e dhënies së drejtësisë për qytetarët, qoftë të akuzuar apo më shumë akoma, të dëmtuar nga vendimet e përmbledhura në listën bashkëngjitur letrës. “Me respektin më të lartë për institucionin e Presidentit të Republikës, si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, po ju drejtohem përsëri për të ndarë me ju shqetësimin e vazhdueshëm mbi disa vendime të gjykatave, më së paku të diskutueshme, në mos fort absurde, të cilat nga njëra anë kanë efekt mbi pritshmërinë e qytetarëve për drejtësisë, por nga ana tjetër betonojnë kulturën e pandëshkueshmërisë duke ricikluar kriminalitetin dhe paligjshmërinë. Vlerësoj se vendimet e gjykatave nuk janë provë private as e gjyqtarit të çështjes, as e palëve të përfshira dhe as e autoriteteve që qeverisin gjyqësorin, madje përkundrazi, diskutimi mbi vendimet e gjykatave përmbush dhe plotëson nevojën për respektimin e tyre dhe të gjyqësorit në tërësi”, – pjesë e letrës së ministrit. Kjo është hera e dytë që ministri i drejtohet Presidentit Nishani me një letër ku shpreh shqetësimet për funksionin e gjyqësorit dhe vendimeve në disa raste korruptive, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt duke ulur besueshmërinë e qytetarëve. Nga ana tjetër, korrupsioni në gjyqësor dëmton në punën e policisë, e cila shpesh herë gjendet duke vënë pas hekurave të njëjtin autor, i cili ka përfituar në formë të paligjshme lirinë nga togat e zeza.

 

 

Emrat e gjyqtarëve

Osman Aliu

Dedë Miri

Besnik Qira

Ëngjëllushe Tahiri

Alma Kolgjoka

Llesh Jaku

Ilir Përdeda

Ilir Çeliku

Sulejman Kurti

Seladin Pysqyli

Alma Liçaj

Engert Pëllumbi

Pirro Sota

Albert Spiro

Mirela Mishgjoni

Suljeman Kurti

Ramazan Avdiu

Arta Duka

Adelina Zarka

Albert Spiro

Sulejman Kurti

Bujar Musta

Arben Vrioni

Besnik Shehu

Alvano Murataj

Tomorr Kullolli

Emona Muçi

Blerta Çibuku

Albina Spaho

Maksim Qirjazi

Halil Vani

Entela Shedula

Eugert Selmani

Engert Pëllumbi

 

 

Lista e vendimeve/ Vrasje, armëmbajtje dhe dhunë, autorët lirohen nga Gjykata

KAPET ME ARMË – GJYQTARI E LIRON NË SALLË

Policia e Shtetit në datë 19.3.2014 ka arrestuar ne flagrancë shtetasin z. Kujtim Xhevdet Proshka, pasi ka kundërshtuar me dhunë shërbimet e policisë, si dhe është kapur me një sasi armësh zjarri dhe armë gjahu pa leje nga shërbimet e policisë. Në Prokurori janë referuar këto prova materiale, 4 armë zjarri automatik, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, dy armë gjahu. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me prokuror të çështjes z. Shyqyri Duro ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest me Burg”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me gjyqtar të çështjes z. Osman Aliu me vendimin nr. 12-2014-356 të datës 23.3.2014, ka vendosur “Arrest i paligjshëm dhe lirim i menjëhershëm”.

ARMËMBAJTJE PA LEJE – GJYQTARI VENDOS DETYRIM PARAQITJE

Arrestimi në flagrancë i shtetasit Remzi Skarra, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga neni 278/3 i K.P. Prokurori i çështjes, kërkoi masa e sigurisë “Arrest në burg” ku dhe në cilësinë e provave materiale depozitoi një automatik, ndërkohë që nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, është ndryshuar masa e sigurisë duke vendosur “Detyrim paraqitje”.

 

 

I DËNUAR ME 32 VITE BURG – GJYKATA VENDOS ARREST NË SHTËPI

Shtetasi Arben Gropa i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, i dënuar me 32 vjet burg për “Trafik narkotikësh”, është kapur nga ana jonë në muajin Janar 2014 me qëllim ekstradimin e tij ne Itali, në datë 24.2.2014. Gjykata e Apelit Vlorë ka ndryshuar masën e sigurisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”. Duke parë veprën penale për të cilën ky shtetas akuzohet si dhe masën e dënimit të dhënë nga drejtësia Italiane, krijohen dyshime mbi bazueshmërine në ligj të vendimit të Gjykatës së Apelit të Vlorës që ka caktuar masën e sigurimit “Arrest shtëpie”.

 

PLAGOSJE ME ARMË – GJYQTARI VENDOS ARREST NË SHTËPI

 

Policia e Shtetit në datë 2.3.2014, ora 23:00 ka arrestuar në flagrancë shtetasin Eqerem Braçi, i dtl. 29.5.1964. Arrestimi i këtij shtetasi u bë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe armëmbajtje pa leje, parashikuar nga neni 88 e 278/4 i Kodit Penal, pasi ne datë 2.3.2014 rreth orës 14:00, ka plagosur në Levan, Fier me armë zjarri shtetasin Besnik Myteris Alliaj e Klodjan Artan Aliaj, i datëlindjes 10.11.1996. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg”. Gjykata e Shkallës së Parë Fier me vendim nr. 250, datë 6.3.2014 të gjyqtarit Engert Pëllumbi ka caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

 

VRASJE NGA PAKUJDESIA – GJYQTARI VENDOS DETYRIM PARAQITJE

Policia e Shtetit ka ndaluar në datë 4.3.2013 shtetasin Hekuran Meçanaj, i dtl. 1.1.1978, i akuzuar për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia” parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal, pasi dyshohet se ka vrarë nga pakujdesia shtetasin Muherrem Lulaj me banim ne Hambaraj, Fier. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në Burg”. Gjykata e shkallës së parë Fier me vendim Nr. 256 datë 08.03.2014 të gjyqtarit Engert Pëllumbi ka vendosur masën e sigurisë, “Detyrim i paraqitjes tek oficeri i policisë gjyqësore”.

 

 

GODET POLICIN – GJYQTARI VENDOS DETYRIM PARAQITJE

Policia e Shtetit në datë 18.3.2014 ka arrestuar në flagrancë shtetasin Fatjon Nazeraj, banues në fshatin Dukas, Mallakastër, pasi ky shtetas në datën 18.3.2014 në qytetin e Ballshit ka konsumuar veprën penale “Kundërshtim i punonjësit te policisë së rendit publik”, parashikuar nga neni 236/2, i Kodit Penal. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier me prokuror të çështjes z. Hysen Ajasllari ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg”. Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me gjyqtar të çështjes z. Pirro Sota, me vendimin nr. 261, datë 21.3.2014, ka vendosur masën e sigurimit “Detyrim për paraqitje”.

 

GODITJE, SHKAK DETYRA – GJYQTARI VENDOS DETYRIM PARAQITJE

Policia e Shtetit në datë 19.3.2014, me urdhër datë 16.3.2014, të prokurorit Genci Mane, ka bërë ndalimin e shtetasit Besnik Kapllanaj, banues në fshatin Ngraçie, Mallakastër, pasi ky shtetas me datën 15.3.2014 në qytetin e Ballshit ka konsumuar veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 237, i Kodit Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës se Parë Fier, me prokuror të çështjes Genci Mane, ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg”. Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me gjyqtar të çështjes z. Pirro Sota, me vendim nr. 257, datë 20.3.2014, ka vendosur masën e sigurimit “Detyrim për paraqitje”.

 

DJEG PRONËN – GYQTARI VENDOS DETYRIM PARAQITJE

Policia e Shtetit në datë 18.3.2014 ka ndaluar shtetasit Leo Muharremaj, Erlind Xhemali dhe Besmir Hameti, pasi në datë 17.3.2014 për veprën penale të “Shkatërrim prone me Zjarr”. Ata dyshohet se kanë djegur automjetin e markës “Mercedes-Benz ML” me targa italiane CY 490 CE, pronë e shtetasit Adriatik Paraj, dhe posedues shtetasi Altin Sulo”. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me prokuror të çështjes z. Saimir Smaka, ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për të tre të ndaluarit. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me gjyqtar të çështjes z. Albert Spiro me vendimin e datës 26.3.2014, ka vendosur “Detyrim për paraqitje”, për shtetasin Besmir Hameti dhe “Arrest në burg” për dy shtetasit e tjerë.

 

MASHTRIM ME PËRFITIM – GJYQTARI VENDOS DETYRIM PARAQITJE

Policia e Shtetit në datë 11.3.2014 ka bërë ndalimin me iniciativë për shtetasin z. Dhimiter Peqini, i dtl. 19.6.1966. Ky shtetas duke përfituar nga puna si agjent të kompanisë “Intersig” me qendër pranë DRTSH Elbasan, ju premtonte dhe ju propozonte shtetasve të ndryshëm për të nxjerrë kolaudimet e mjeteve në pronësi të tyre në kundërshtim me ligjin, kundrejt shpërblimit në lekë e cila shkonte deri në 5000 lekë, për të nxjerrë certifikatën e kolaudimit në kohë të ndryshme. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me prokuror të çështjes z. Kreshnik Ajazi, ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me gjyqtar të çështjes z. Sulejman Kurti, me vendimin nr. 311, të datës 13.3.2014, ka vendosur “Detyrim paraqitje”.

 

SHPËRDORIM DETYRE – GJYQTARI VENDOS ARREST NË SHTËPI

Më datë 17.1.2014, u bë i mundur kurorëzimi me sukses i operacionit “Ujësjellësi 2”, ku në përfundim të tij, u arrit dokumentimi ligjor i veprimtarisë kriminale të kryer në formën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Vjedhjes me anë të shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga nenet 248 dhe 135 të K. Penal, nga nëpunësit e Shoqërisë së Ujësjellësit ELBER-sh.p.k Elbasan, u bë regjistrimi i procedimit penal nr. 2465, datë 12.12.2013, për të cilën Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan kërkoi masën e sigurimit arrest me burg. Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, caktoi masë sigurie “Arrest në shtëpi”.

 

PËRDOR LËNDË PLASËSE – GJYQTARI VENDOS DETYRIM PARAQITJE

Policia e Shtetit, më datë 4.3.2014, ka arrestuar në flagrancë shtetasin Ardian Byci, pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin në vendin e quajtur Gropa e Qenit në krye të fshatit Funarez të Komunës Orenje, Librazhd, kanë bërë disa “shpërthime” mina për përgatitjen e tyre kanë përdorur kapsolla, fitil dhe pleh kimik. Shpërthimet i kanë bërë pasi kanë dashur të thyejnë disa gurë. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan me prokuror të çështjes znj. Armanda Xhaferi ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me gjyqtar të çështjes z.Tomorr Kullolli me vendimin e datës 03.2014 , ka vendosur “Detyrim për paraqitje”.

 

PLAGOSJE ME DASHJE – GJYQTARI VENDOS ARREST NË SHTËPI

Policia e Shtetit në datë 15.3.2014, ka arrestuar në flagrancë shtetasin Ferdinand Mulla. Në datë 15.3.2014 rreth orës 20:30, në vendin e quajtur Lagjja e Re, në qytetin e Bilishtit, në hyrje të qytetit, në një konflikt e sipër për motive të dobëta dhe xhelozie, Ferdinand Mulla, banues i qytetit të Bilishtit, ka goditur me grushta dhe më pas i ka dëmtuar me dhëmbë veshin e majtë shtetasit Fatjon Llaka. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, me prokuror të çështjes z. Julian Kristo, ka kërkuar masën e sigurimit “arrest në burg”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me gjyqtar të çështjes z. Maksim Qirjazi, me vendimin nr. 41-2014-901, datë 18.3.2014, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me afat 15 ditë.

 

TENTATIVË VRASJEJE – GJYKATA E LË ME DETYRIM PARAQITJE

Më datë 29.10.2013, shtetasi Behar Sina, mjek në spitalin e Burrelit, ka kanosur me armë zjarri për motive të dobëta shtetasin Daut Vuka, dhe në këtë konflikt ka ndërhyrë një oficer i policisë gjyqësore i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, i ndodhur në afërsi të vendit të ngjarjes duke i hequr nga duart armën e zjarrit pistoletë shtetasit Behar Sina i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, dhe i është shmangur hetimit. Nga ana e policisë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, si dhe është shpallur në kërkim shtetasi Behar Sina. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, me vendim nr. 71, datë 26.11.2013, ka vendosur pranimin e kërkesës së Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Mat dhe caktimin si masë sigurimi ndaj të dyshuarit Behar Sina atë të “Detyrimit për t‘u paraqitur në Policinë Gjyqësore“.

 

SHPËRDORIM DETYRE – GJYQTARI VENDOS DETYRIM PARAQITJE

Më datë 24.11.2013, janë ndaluar shtetasit Fadil Begu, me detyrë drejtor i Drejtorisë Rajonale Tatimore Dibër, dhe Edlira Hoxha, me detyrë shefe e Financës, për arsye se kanë trajtuar me pagesë të plotë mujore shtetasen Edmonda Nezha, në detyrën e sekretares pranë DRT Dibër, dhe shtetasin Elton Nezha, në detyrën specialist në sektorin e Shërbimeve të DRT Dibër, kohë në të cilën të dy këta shtetas kanë qenë jashtë shtetit pa arsye të justifikuara, veprime të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës nga ana e punonjësit të ngarkuar me funksionin publik të cilat u kanë sjellë përfitime të padrejta personave të tjerë duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër me prokuror të çështjes Hysni Vata, për të ndaluarin Fadil Begu ka kërkuar: Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të datës 24.11.2013, bërë për shtetasin Fadil Begu dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K. Pr. Penale. Gjykata e faktit, me gjyqtar Halil Vani, me vendimet nr. 145 dhe 146 datë 26.11.2013, ka vendosur “Vleftësimin të paligjshëm të ndalimit” për shtetasit Fadil Begu dhe Edlira Hoxha dhe caktimin e masës së sigurimit personal atë të “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe refuzimin e kërkesës për caktimin e masës ndaluese për personin nën hetim Fadil Begu “Pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

 

DHUNË NË FAMILJE – GJYQTARI I LIRON NË SALLËN E GJYQIT

Më datë 6.12.2013, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve Kujtim Shaba, Elton Shaba për veprën penale të “Dhunës në familje“. Prokurori i çështjes, z. Shyqyri Duro, kërkoi masa e sigurisë “Arrest në burg” ku dhe në cilësinë e provave materiale depozitoi një armë gjahu pushkë dhe thika, ndërkohë që nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, gjyqtar i çështjes z. Osman Aliu është ndryshuar masa e sigurisë duke vendosur “Lirim të menjëhershëm me detyrim paraqitje”.

 

PROSTITUCION – GJYQTARI VENDOS DETYRIM PARAQITJE

U arrestua në flagrancë shtetasi Fatjon Faslli Metushi, i dënuar më parë për prostitucion. Prokurorja e çështjes, znj. Fiqirete Hajdini, kërkoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërkohë që nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, gjyqtari i çështjes z. Osman Aliu është ndryshuar masa e sigurisë duke vendosur “lirim të menjëhershëm me detyrim paraqitje”.

 

MARRËDHËNIE SEKSUALE ME DHUNË – LIROHET NË SALLË

U bë arrestimi i shtetasit Aleksandër Bedri Tafa për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe “Përndjekja” parashikuar nga neni 101 dhe 121 i K. Penal. Prokurorja e çështjes znj. Fiqirete Hajdini, kërkoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërkohë që nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, gjyqtar i çështjes z. Osman Aliu është ndryshuar masa e sigurisë me vendim nr. 12-2014-159 datë 8.2.2014 duke vendosur “Lirim të menjëhershëm nga salla”. Kjo vepër parashikon burgim nga 5 deri 15 vjet burgim si dhe përndjekja parashikon burgim nga 6 muaj deri 4 vjet, ndërsa për të miturit në rastin konkret dënimi rritet deri në ½ të dënimit të dhënë.

 

AKSIDENT ME PASOJA – GJYQTARI VENDOS DETYRIM PARAQITJE

Policia e shtetit në datë 5.3.2014, ka arrestuar në flagrancë shtetasin z. Arshin Pirra për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i ngjarjes”, parashikuar nga nenet 290 dhe 273, i Kodit Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, me prokuror të çështjes z. Genci Mane, ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg”. Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me gjyqtar të çështjes z. Eugert Selmani, me vendimin nr. 769, datë 8.3.2014, ka vendosur masën “Detyrim për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”.